Gjin Marku

E vërteta e dënimit të gjeneralit mirditor Gjin Marku

Nga admin

Flet Pal Marka Deda, mik dhe bashkëvujtës i tij në qelitë e Burelit. (Nga arkiva e botimeve te mija ne Shtypin shqiptar) 

Pal M. Deda është njëri prej armatës së madhe të të burgosurve politikë, që për 9 vjet e gjysmë ka qenë bujtës në burgun famëkeq të Burrelit. Sot në moshën 80-vjeçare, ai nuk rresht së kujtuari atë kohë, ndërsa u njoh me njërin prej të burgosurve më “Vip” të atij burgu, gjeneral Gjin Markun, që është më hershme se sa takimet në të burg. Në një intervistë në 88-vjetorin e lindjes së gjeneralit të njohur, Pal Deda, tregon jetën e tij në burgun e Burrelit dhe takimin me Gjin Markun në qelitë e burgut. Ai tregon bisedat me Gjin Markun dhe pse gjenerali nuk i pranonte akuzat që i ishin bërë, pasi sipas tij ai ka qenë viktimë e një grupi të ngushtë në udhëheqjen më të lartë të partisë në atë kohë.

Pal Marka Deda

Pal Marka Deda

Kur keni dëgjuar apo njohur për herë të parë gjeneralin Gjin Mark Toma?

Njohja ime është e hershme, disa kohë përpara çlirimit të vendit. Ka qenë fillimi i muajit tetor 1944, pak ditë përpara fillimit të luftës për çlirimin e Shpalit, çka do të shënonte edhe çlirimin e krejt Mirditës, kur Brigada e 7-të, e udhëhequr nga Gjin Marku, kaloi nëpër fshatin tim të lindjes, Malaj. Duke qenë se familja ime kishte lidhje të afërta miqësore me familjen e gjeneralit, ai së bashku me gjithë shtabin e brigadës, rreth dhjetë veta vijnë në familjen time. Unë e kujtoj si sot se ata kanë pirë nga një kafe dhe raki dhe më pas janë nisur në ndjekje të brigadës. Pikërisht duke shfrytëzuar këtë lidhje miqësore, me të së bashku kanë dalë partizanë dy xhaxhallarët e mi, Gjin e Nikoll Deda. Ndërsa unë isha i inkuadruar periferik në luftë, me detyrën e korrierit mes Bardhok Bibës dhe formacioneve të tjera partizane me të cilët ai kishte lidhje. Edhe pas çlirimit më ka koinciduar të takohem me të në ndonjë konferencë partie apo aktivitet tjetër të kohës.

Cili ka qenë impersioni i parë që ke ndjerë nga takimet me të?

Përpara se ta takoja kisha dëgjuar shumë për të, për bëmat në luftë, shkollimin në Kavajë, dhe për largimin e tij nga shkolla për t’u vendosur në Skrapar dhe Berat, ku edhe u inkuadrua me formacionet luftarake të kohës. Por takimi im i parë me të ka qenë mjaft mbresëlënës, dhe që aty unë u kam dhënë të drejtë të gjithë atyre që ma kishin përshkruar në atë mënyrë. Ai ishte mjaft i pashëm, autoritar, impulsiv dhe mjaft entuziast. Atë nuk e lartësonte vetëm fama e luftës, por edhe shpirti i tij human.

A patët ndonjëherë ndonjë lloj zhgënjimi pasi mësuat se ai ishte “armik i popullit dhe i partisë”?

Asnjëherë nuk e kisha besuar, por kjo bindje mu forcua kur unë thellova njohjet me të, kur pata fatin të përfundoja edhe unë në qelitë e burgut të Burrelit, ku ai kishte shumë kohë që e kishte përfunduar. Pikërisht këtu unë mësova shumë të vërteta, të cilat gjatë kohës në liri nuk i dija.

Burgu ku vuajti denimin Gjin Marku

Burgu ku vuajti denimin Gjin Marku

Cili ka qenë kontakti i parë me Gjin Markun kur ke shkuar në atë burg?

Shiko, se është interesante. Unë shkova në atë burg më 14 shkurt 1977 dhe për një vit rresht unë nuk kam pasur asnjë kontakt me Gjin Markun. Madje unë sa nuk kam pasur mundësi për ta parë me sy, me gjithë përpjekjet për një gjë të tillë. Kjo sepse në kohën që unë vajta në atë burg, Gjin Marku ishte ridënuar edhe 10 vite të tjera. Kjo e kishte rënduar së tepërmi gjendjen e tij dhe pothuajse ishte vetë izoluar dhe nuk kishte asnjë qejf të kontaktonte me askënd. Kishte shpresuar shumë se do të dilte, pasi siç ishte shprehur, edhe mund të rehabilitohej duke qenë i lirë. Por siç thashë dhe është e ditur, vetëm tri ditë para se të lirohej ishte montuar një gjyq fals, me dëshmitarë në të rremë të gjetur nga radhët e të burgosurve, i cili e dënonte edhe me 10 vite të tjera. Në momentin që ka marrë në dorë fletë-lirimin nga burgu i ishte dhënë edhe fleta e ridënimit. Kjo bëri që ai të shqetësohej shumë dhe të bëhej edhe më i mbyllur. Por kjo nuk do të thotë se ne nuk kishim asnjë kontakt.

Po si i kishit këto kontakte?

Me letra të vogla që shkëmbenim nga qelia në qeli. A e besoni se për të shkëmbyer kësi lloj postash, ne kemi mundur të shfrytëzonim një mace, e cila lëvizte nga një qeli në tjetrën. Ka pasur raste që i lidhnim në qafë letrën dhe kështu kemi komunikuar.

Në komunikimin e parë me Gjin Markun a kujton se çfarë të shkruante në letër?

Po, ai kishte marrë lajmin se edhe unë kisha përfunduar në atë ferr. Në këtë letër më kërkonte të dinte se pse përfundova aty, por edhe më jepte një sërë porosish, të cilat duhej t’i zbatoja me përpikëri. Më e rëndësishme ishte se më bënte një listë me emra nga cilët do të duhej të kisha kujdes. Këta ishin spiunë, të cilët mund të përdoreshin si dëshmitarë për ndonjë ridënim të mundshëm. Duhet të them se porosi të tilla më kanë ndihmuar shumë, pasi ai ishte me shumë përvojë në atë burg, madje e kishte pësuar rëndë prej tyre.

Ju thatë se me Gjin Markun mundët të takoheshit një vit pasi shkuat në atë burg. Si e kujtoni atë moment?

Po, një vit nga shkuarja ime në burgun e Burrelit, unë u caktova me punë në bibliotekën e burgut. Pikërisht kjo më dha mundësi për t’u takuar me Gjin Markun, pasi ai ishte një vizitor mjaft i rregullt i kësaj salle. Kujtoj se u befasova nga pamja e tij. Ai kishte ndryshuar shumë, ishte dobësuar sa nuk thuhet, por ishte edhe i mërzitur. Biseduam gjatë duke shfrytëzuar njohjet me gardianin, pasi si rregull do të merrje librat dhe të largoheshe. Më pyeti gjerë e gjatë për situatën në Mirditë, megjithëse edhe unë kisha dy vite që nuk dija asgjë. Më kërkoi të lexonte akt-akuzën që më ishte bërë mua. E lexoi dhe i pezmatuar m’u drejtua se me këto prova ti nuk duhej të ishe dënuar, por ta paskan bërë me qëllim. Kështu më dha porosi të ruhesha shumë, pasi edhe mund të më ridënonin.

Si vijuan kontaktet tuaja me Gjin Markun?

Ato tashmë ishin të përditshme. Megjithëse ai dënohej nga lart, policët apo gardianët kishin respekt për të, dhe e toleronin në disa drejtime, pra edhe në komunikimin e gjatë në bibliotekë. Duke qenë se unë kisha lidhje miqësore, ai kishte besim dhe mund të komunikonte hapur për shumë gjëra. Ajo që më shpesh thoshte, kishte të bënte me faktin se e dinte shumë mirë të gjithë skenarin për eliminimit të tij dhe autorët e vërtetë të këtij skenari. Ju siguroj se në netët e pafundëta të atij burgimi të gjatë, ne kemi biseduar për gjithçka, por që ajo është e kushtëzuar nga kujtesa.

Nga ajo çfarë kujtoni, si i komentonte ai arsyet e mbajtjes në burg?

Së pari atë e akuzuan se në periudhën përpara Kongresit të Parë të PPSH ai kishte përkrahur Koçi Xoxen. Vetë Gjin Marku këtë nuk e kundërshtonte, bile në mbledhjet përkatëse të Sekretariatit apo të Byrosë Politike gjithnjë kishte kërkuar mos dënimin e tij kapital. E akuzuan edhe për marrëveshjen me gjermanet në Berat, por për këtë gjithnjë më ishte shprehur i kënaqur, pasi kishte mundur të shmangte një katastrofë të panevojshme. E njihja mirë forcën e gjermanëve dhe të ballistëve në Berat, ndërsa ne partizanët ishim shumë pak se ata dhe, madje, me armë shumë më të pakta, ndaj ka qenë i kënaqur se gjithçka mori fund pa luftë dhe ata u larguan brenda dy javësh sipas marrëveshjes. Madje për këtë kam dhënë llogari edhe tek komanda e lartë e drejtuar nga Enver Hoxha dhe Spiro Moisiu, të cilët më patën dhënë të drejtë. Më pas filluan edhe skenarë tjerë.

Kë akuzonte Gjin Marku për burgimin e tij?

Më së shumti Mehmet Shehun dhe Beqir Ballukun. Por nuk linte jashtë loje edhe Feçorr Shehun si torturues direkt të tij gjatë hetimeve. Dihet se Gjin Marku nuk pranonte asgjë në akuzat ndaj tij, ndaj është detyruar që të merrej me të direkt Feçor Shehu. Gjithnjë më ka përmendur se Feçor Shehu e ka torturuar fizikisht në mënyrë barbare. Më pas më ka treguar të gjithë të vërtetat për burgimin dhe mbajtjen peng të tij në burgun e Burrelit.

Si e mendonte ai, pse u dënua aq gjatë?

Siç thamë në Kongresin e Parë ai këmbënguli për të mos u dënuar Koxi Xoxe dhe për këtë ai mori goditjen e parë, duke mos e zgjedhuar në strukturat e Komitetit Qendror të PPSH. Megjithatë ai nuk u dënua, por u dërgua në detyrën e shefit të degës ushtarake të Vlorës. Në një moment Enver Hoxha shkon në Vlorë i shoqëruar nga Mehmet Shehu dhe Beqir Balluku. Gjin Marku, si një ushtarak i prerë në atë profesion ngrihet dhe nderon ushtarakisht, duke injoruar prezencën e Mehmetit dhe Beqirit, të cilët i akuzonte si shkaktarë të ftohjes së tij më Enverin. Bile këta i kishin dërguar një letër Enver Hoxhës ku rendisnin një sërë akuzash për Gjin Markun. Enver Hoxha në mënyrë të fshehtë ja jep letrën Gjin Markut për t’u njohur me këto akuza. Vetë Gjini me ka thënë se unë ja sqarova të gjitha akuzat e bëra nga ata të dy, dhe ai pranoi se nuk janë të vërteta. Nga ai moment Enveri më emëroi në detyrë më të lartë, në atë zv/ministrit në qeverinë e drejtuar nga Mehmet Shehu. Pasi qëndroi për disa kohë në atë detyrë Gjin Marku internohet në Nartë të Vlorës, duke përfunduar si punëtor i thjeshtë në këtë zonë.

Pse gjithë kjo në mënyrë të rrufeshme?

Vetë Gjin Marku më ka pranuar se mund të ishte bërë një gabim nga ana e tij. Ai i kishte treguar në mirëbesim dikujt, mikut të përbashkët të Enver Hoxhës dhe të tij, se Enveri i kishte treguar letrën që kishin shkruar Beqiri dhe Mehmeti. Kjo kishte rënë në vesh të Enverit dhe të letërshkruesve. Kjo i kishte irrituar palët, çka bëri që Gjin Marku të përfundonte në internim. Në këtë kohë u hetua edhe për linjën staliniane që Gjin Marku kishte mbajtur në kohën kur ishte me studime në Moskë.

Çdo me thënë kjo?

Po një ndër akuzat për Gjin Markun ishte edhe ajo se ai kishte ndikuar në prishjen e marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik. Gjatë kohës që Gjin Marku kishte qëndruar për studime në Moskë, në bisedime mes studentësh kishte mbrojtur tezën që ushtria ruse duhej të ishte në çdo vend ku kishte rusë. Ishte fjala për disa konflikte ushtarake që kishin disa vende të vogla me ndikimin rus. Kështu linja e Hrushovit e cila paraqitej më liberale, ishte që Rusia të tërhiqej nga disa vende pasi kjo po i kushtonte Rusisë. Ndërsa Brezhnjevei kishte mbrojtur tezën e kundërt. Fjala e Gjin Markut ra në vesh të rusëve dhe vetë Vorshillovi e kontakton Gjin Markun dhe e fton në një takim në Sovjetin Suprem. Gjin Marku në Rusi nderohej si një hero dhe arkitekt i fitores së Luftës së Dytë Botërore. Më vonë kjo linjë e tij rastësore pro brezhnjevjane do t’i kushtonte me akuza në drejtim të tij duke i veshur edhe prishjen me ish-Bashkimin Sovjetik.

Me kë rrinte në dhomë Gjin Marku?

Më së shumti rrinte me Todi Lubonjën dhe një tjetër me të cilin nuk shkonte aspak mirë. Për Todin kishte respekt, ndërsa nuk duronte atë tjetrin që e konsideron spiun të komandës. Ndërsa miqësinë më të madhe e kishte me Vaskë Gjinin. Pikërisht me të rrinte më shumë dhe po me këtë vinte dhe qëndronte në bibliotekë. Megjithëse ishte i dënuar politik, në asnjë rast nuk bënte kompromise me ballistët apo e zogistët.

Pse edhe aty kishte parti politike?

Po patjetër, komunistët të cilët besonin shumë edhe deri tek Enver Hoxha, ishin rreth 46 veta. Edhe vetë Gjin Marku asnjëherë nuk akuzoi kreun e shtetit për gjendjen e tij, vetëm makinacionet e disave që më vonë do të kishin fatin e tij apo edhe më të rëndë se ai. Madje në momente të thella dëshpërimi dhe krize të brendshme, thërriste me sa fuqi që kishte: O Qemal Stafa, o Vojo Kushi, merrni edhe Enverin dhe hajdeni dhe shikoni se ku rri Gjin Marku!

Po për takimet me Enverin, si i komentonte?

Po ai ka pasur disa herë takime me të, por më i habitshmi ka qenë një rast pak kohë më parë se të arrestohej. “Isha në shtëpi, – kujtonte Gjin Marku, – i veshur me pizhame, kur më thonë se drejt shtëpisë time po vinte Enveri. Unë nuk u ndërrova aspak pasi koha ishte e shkurtër dhe vizita ishte e pa njoftuar. Erdhi dhe pas pak bisede më tha nëse i dëgjoja radiot e huaja. Unë i thashë se sidomos radiot ruse i dëgjoja rregullisht. Ishte koha kur disa radio njoftonin herë pas here se Gjin Marku me forcat e tij ishte grumbulluar në veri dhe po tentonte të mësynte në Tiranë. Unë i thashë se edhe unë i dëgjoj këto njoftime, por që ishin në vazhdën e diversionit që bëhej në atë kohë në drejtim të rendit shoqëror në Shqipëri. U mirëkuptuam në bisedë dhe gjithçka rrodhi normalisht”. Por kjo nuk zgjati shumë dhe Gjin Marku mori tatëpjetën.

Kë akuzonte konkretisht Gjin Marku për gjendjen e tij?

Vetëm Mehmet Shehun dhe Beqir Ballukun. Sipas tij ata ishin kryesorët për gjendjen e tij, pasi kishte ndodhur që ai ishte zënë ashpër me ata në raste të caktuara. Feçor Shehun e ka pasur shumë inat se ai e kishte rrahur keq gjatë hetimeve. E ka torturuar si skllav. Madje për këtë Gjin Marku i ka shkruar letër Enver Hoxhës dhe shumë të tjerëve ku kërkonte dënimin e tij për këto tortura. Ndërsa nuk fliste keq për Kadri Hazbiun.

Po në burg a e ruanin shumë Gjin Markun, pasi mund të bënte ndonjë organizim?

Në gjendjen që ishte nuk kishte se ç’të bënte, por edhe e ruanin shumë. Pikërisht në dhomë gjithnjë i linin një njeri të cilin e kishte inat, vetëm për ta provokuar por edhe për ta spiunuar. Madje është dënuar rëndë një gardian me emrin Llesh Bruka, vetëm se kur po e shoqëronte nga Burreli për në spital në Tiranë, pyetjes së Gjin Markut se ku ndodheshin gjatë rrugëtimit me autoburg, Bruka i tha se ishin në Baz, pikërisht në fshatin e tij të lindjes. Ndoshta Gjini njohu ajrin e vendit ku ishte rritur dhe gardiani nuk deshi t’ia mohonte atë. Por vetëm për ketë, ai e pësoi dhe kuptohet se në çfarë presioni gjendej Gjin Marku.

Ju kur u liruat nga burgu Gjin Markun e latë brenda, a e takuat atë?

Po natyrisht unë shkova derë më derë dhe u dhashë dorën të gjithëve. Disi me vështirësi pasi nuk lejohej. Kujtoj se ndenja disi më gjatë me Gjin Markun, Kiço Ngjelën etj. Më dha dorën dhe më tha të kisha kujdes pasi mund të vija përsëri atje. Unë gjithnjë u mundova të mbaja kontakte sa për të ditur se si ishte me shëndet pasi e dija se ai nuk do të dilte i gjallë prej aty dhe ashtu ndodhi.

Çfarë kujtoni për këtë rast?

Unë isha i lirë kur vdiq Gjin Marku, por ama kontaktet gjithnjë i kam pasur me familjen e tij. Është fakt i ditur se vetëm tri ditë përpara se të mbaronte dënimin, ai u sëmur rëndë. Vajza e tij Svetllana i pati shkruar një letër Ramiz Alisë dhe Adil Çarçanit për ta liruar për të vdekur në shtëpi. Por këta që kishin qenë pjesëtarë dhe bashkëpunëtorë të tij në luftë nuk u ndjenë për këtë rast. Gjin Marku ndërroi jetë në spitalin e burgut pa pasur mundësi të shijojë lirinë qoftë edhe për një ditë. Ai u varros nga policia dhe nuk iu bë asnjë ceremoni mortore me këtë rast. Hakmarrja vijoi edhe pasi vdiq, dhe madje vazhdon edhe sot.

Pse edhe sot?

Po familja e tij e traumatizuar nga kjo histori e gjatë persekucioni edhe në kohën e demokracisë përfundoi për shumë kohë në çadër në oborrin e spitaleve në Tiranë. Kjo sepse banesës së dhënë i doli pronari dhe policia e nxori me forcë jashtë. Gjatë fillimit të viteve të demokracisë, Shoqata e të Persekutuarëve Politikë ka ndarë shumë shtëpi, por çuditërisht kjo familje nuk përfitoi. Ka qenë një ndërhyrje e Presidentit të Republikës, z. Alfred Moisiu, i cili ka mundësuar marrjen e një kredie me të cilën tashmë familja e gjeneral Gjin Markut ka mundur që të blejë një shtëpi. Ndërsa Svetllana, vajza e tij, është e papunë, ndërsa bashkëshortja e Gjinit është tejet e sëmurë. Nga kontaktet që kam me familjen e tij, di që gjendja ekonomike e tyre është e rëndë. Vetëm me një rrogë të thjeshtë apo me një pension është e pamundur që të jetohet. Vuajtjet për ta duket se ende nuk kanë përfunduar.

Kush ishte gjeneral Gjin Marku

Gjin Marku lindi më 2 qershor 1918 në fshatin Baz të Mirditës, në një familje me ndjenja atdhetare dhe tradita luftarake e kulturëdashëse. Mësimet fillore i mori në vendlindje e në strehën vorfnore, për të vazhduar më tej Teknikumin Bujqësor të Kavajës. Më pas punoi si teknik bujqësie në Çarshovë, Leskovik e Korçë. Këtu, qysh në vitin 1937, bie në kontakt me rrethet përparimtare e revolucionare. Gjin Marku është një nga udhëheqësit e forcave partizane. Ka qenë një nga anëtarët e fillimit në Byronë Politike, por e larguan nga ajo në vitin 1944, në Kongresin e Helmësit, në Skrapar. Pas çlirimit të vendit, Gjin Marku caktohet i pari atashe ushtarak shqiptar në Moskë, e në të njëjtën kohë ndjek edhe studimet e larta. Në Kongresin Parë të PKSH-së, Gjin Marku kritikoi ashpër udhëheqjen e lartë të partisë dhe Enver Hoxhën, por aty merr goditjen e dytë në linjë partie. Në vitin 1950 dënohen së bashku me gjeneral Nexhip Vinçanin nga një plenum i posaçëm i KQ-së, me akuzën se ishin kundër udhëheqjes së Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Gjeneral Gjin Marku vdiq në burgun e sistemit të kaluar.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment