Info-Kulla, Mirdita dhe Shqipëria e Veriut, mbarë turizmi shqiptar, fitojnë prej sot një institucion turizmi nga më të rrallët në këtë vend

Nga Pirusti News

Me ndertimin e Info-Kulla, Mirdita ka një aset të çmuar në hapësirën e saj. Pikërisht në Rubik i cili njihet me një histori të vjetër dhe të spikatur, një “kullë” moderne, plotëson një trekëndësh vlerash të pa mata, që nisin me Kishën historike të Shëlbuemit pushueshëm në një gur vlerash e bukurie të pa shoqe, për tu “ndaluar” te Abati ndriçues i një kombi. E kjo kullë e cila rezaton si një fanar anës rrugës së kombit, prej sot e në vazhdim do t’i tregojë botës për atë çfar Mirdita ka qenë, çfar është, por edhe si mund të jetë.

Ti udhëtar që përshkon rrugën e kombit, nëse do ta dish se çfar përmbledh ajo kullë padyshim do të ndalosh për ta vizituar, për të mësuar apo për t’u njohur me një histori vlerash pa cak, por edhe me një përkushtim të pashoq të një misionareje e cila prej vitesh ka lënë mënjanë rehatinë austriake, për tu rropatur maleve verilindore dhe veriore kryesisht.

Është Marianee Graf e cila bën mrekullinë. Është një misionare që prej vitesh i është bërë e njohur opinionit për shumë vepra bamirësie. Por në të vërtetë shumë pak e njohin. Nuk është thjesht një individ që si shumë të tjerë i janë futur rrugës së bamirësisë, por nëse e njeh prej vërteti, kupton se është një fenomen. Jo se pse ka mundur të sigurojë një fond për një realizim të tillë, por sepse çdo punë sado e ndërlikuar, ka dorën dhe mendjen e saj. Është një mendje shumëdimensionale që prodhon ide pa fund, ide të cilat nuk i lë në sirtar, por me përkushtim dhe veprim direkt i përkthen në vepra reale.

E nëse për muaj me rradhë “ngujohet” në prodhimin e ideve,  Marianee Graf nuk përton edhe për të marrë pluhurat apo për të larguar ndonjë tullë a gurë nga oborri i saj. E vëmendshme në çdo detaj, kur zbret nga rrugëtimi në valixhen e saj nuk mungojnë gërshërët për të prerë shiritat ndriçues, letra të vogla ngjitëse për të treguar ku duhet të prekësh apo jo, dhe shumë elementë të tjerë në dukje të thjeshtë, por të domosdoshëm.

Marianee Graf nuk harron të përsërisë një takim katërsh, nga i cili mori udhë kjo kullë vlerash. Ka qënë një mbrëmje kur në një kafe pune u vendos të vijohej me ndërtimin e kullës. Ishim sëbashku me Kryetarin e Bashkisë Mirditë z. Ndrec Dedaj, studiusin Ndue Dedaj dhe Skënder Thaqin. Aty u diskuatua gjatë dhe u vendos pikërisht për këtë ide e cila do ti shërbejë gjatë turizmit dhe gjithë Mirditës.  Marianee Graf nuk resht së përsërituri se ndihma e kryetarit të bashkisë ka qenë shumë e madhe. Kishim menduar se kjo kullë të vendosej aty te kulla historike e Abat Doçit, për ta shpëtuar përfundimisht nga rrënimi përfundimtar. Do ishte vendi më ideal, por….

Atëherë vendosa të ve në jetë planin “B”, një ndërtesë të vendosur enkas për këtë qëllim. Pikërisht këtu ka qënë kryetari i bashkisë z. Ndrec Dedaj i cili ka marrë përsipër dhe ka realizuar gjetjen e një trualli pronë të bashkisë, për ta lënë në dispozicion të realizimit të kësaj ideje. Puna ka vijuar intensivisht disa muaj. Punimet janë realizuar cilësisht nga firma ndërtuese Aleksandër Nikolli, nën monitorimin e arkitektit prishtinas, Nijazi Cena i studio “Arch.atele”.

Po çfar përmban “kulla info” e Mirditës.

Marianee Graf nuk përton të bëjë edhe ciceronin. Nuk e ka të vështirë, pasi në kullë është derdhur çdo ide e saj. Në hyrjen kryesore ndodhet një banak shumë funksionësh ku vizitori ka mundësi të marrë çdo informacion përmes fletëpalosjeve dhe guidave turistike, por edhe të pijë një kafe apo të shijojë ndonjë ëmbëlsirë tipike vendase. Në katin e parë ku nis historia, fillohet me mitologjinë. Janë fotografi por edhe një instalacion e “Mujit dhe Halilit” Më tej janë disa grafika të piktorëve të ndryshëm ku fiksohet portreti malësor i veriut. Në mure janë vendosur disa fletë librash gjigandë ku me shfletimin e tyre mëson detaje nga historia e Mirditës. Në këtë seksion mund të njihesh me vlerat e florës së faunës së Mirditës. Në një kënd është instaluar kulla e vjetër mirditase, me të gjithë elementët e saj. Aty shikon arken origjinale të nuses, parmendën mjete të tjera jetese etj. Në një kënd tjetër është imituar burgu famkeq i Spaçit. Brenda xhamit ka shumë prej sendeve që kishin në përdorim të burgosurit e këtij burgu të zi, por edhe guida informuese me listat e të dënuarve apo të vrarëve në këtë burg.

Shkallët rrotulluese të çojnë në katin e dytë. Aty intensifikohet historia dhe përmbajtja e saj. Në kutija xhami janë vendosur eksponate që tregojnë një festë pashkësh apo krishlindjesh në oborrin e kullës së malsorit. Një vendosje elementësh që plotësojnë një dinamizëm festiv.

Në një kënd në hapësirë të madhe është imituar kulla e “Abat Doçit”. Në kënd është vendosur një kalë i bardhe, shoqëruar me manekinë ku spikasin brezat e malësorëve dhe nusja mbi kalë.  Marianee Graf thotë se ky kali  bardhë ka një histori të rrallë. Është gjetur në Gjermani dhe ka udhëtuar përmes peripecive rreth 2000 km për të mbërritur në info kullë. Ekspozimi dinjitoz u realizua me anë të një tende zbukuruar me qëndisma elegante shqiptare. Në këto hapërsira ndodhen të kyçura në xham kostume shumë të vjetra popullore të Mirditës, Pukës dhe Matit.

Por ajo çfar është më e rëndësishme është një minikinema apo “balck-box”. Marianee Graf thotë se ishte e pa parashikuar, por edhe fat që hasa një dizenjueze ekspozitash në moshë të re, një artiste dinamike dhe inovatore si Annabell Spotl.

Ekrani është i përbërë nga shumë shtresa të bardha, të tejdukshmë dhe tabela pasqyruese ku paraqiten në mënyrë simbolike cilësitë e larmishme të Mirditës.

Inagurimi.

Rreth orës 1300 në një ditë plot diell, qindra banorë të Mirditës janë mbledhur para kullës info të Mirditës. Në përshëndetjen para të pranishmëve Kryetari i Bashkisë z. Ndrec Dedaj tha se: “Për mua, ashtu si dhe për gjithë Mirditën, është një nga ditët më të bukura kjo e sotmja, jo vetëm se  përurojmë një objekt turistik si ngrehinë apo strukturë, por se  falë  humanistes më të devotshme që ka shkel në këto anë, me organizatën e saj bamirëse “Partneriteti Shqipëri Austri – Marianne Graf”, Mirdita dhe Shqipëria e Veriut, mbarë turizmi shqiptar, fitojnë prej  sot  një institucion turizmi nga më të rrallët në këtë vend.

Nuk  ka qenë e lehtë ardhja deri tek ky projekt  konkret, sepse janë dashur shumë punë, shumë sakrifica, përpunim ideshë e skicime pafund, konsultime me studiues e faktorin kulturor, konceptim platformash ndërtimore dhe  përmbajtësore, e deri tek realizimi në terren si objekt i rrallë i këtij lloji, që na vjen si një buqetë e bukur për turizmin e Mirditës dhe gjithë rajonit Verior.

Idetë inovative të humanistes së njohur Marianne Graf, njohja e historisë, sidomos e Shqipërisë Veriore, të qenit shpirtërisht e lidhur me shqiptarët e mirditasit në veçanti, ashtu  sikundër disa prej humanistëve austriakë të fillimshekullit të kaluar, që kanë shkelur e jetuar në këto anë, kanë bërë që Info-Kulla Mirdita të na vijë si një qasje tërësisht e re dhe e denjë ndaj informacionit turistik  për Mirditën e më gjërë  për gjithë Shqipërinë e Veriut”.

Ndërsa deputetja e zonës dhe Ministre e Arsimit znj. Lindita Nikolla në fjalën e saj tha se adresonte tre falenderime të cilat renditur hap pas hapi, shkonin për Marianee Graf për aktivitetit e saj në Mirditë dhe garantoi se këtë vlerë do ta ruajmë si sytë e ballit.

Në fund Marianee Graf, përmes një emocioni të justifikueshëm pasi ka bërë një përshkrim të shkurtër idesë saj, ka falenderuar z. Ndrec Dedaj për mbështetjen e pa kursyer, pa ë cilin nuk mund të realizohej në kohë dhe në mënyrë kaq cilësore. Në fjalën e saj ajo ka theksuar se pa ndihmën e bashkshortit të saj ing. Wilhem Graf i cili më ka qëndruar gjithmonë në krah si dhe kordinatorin Skënder Thaqi që e ka mbështetur prej fillimit të veprimtarisë.

Aktiviteti ka vijuar me një koncert festiv të Pallatit të Kulturës Mirditë dhe QKF Rrëshen dhe Rubik.

Qendra Info-Kulla në Rubik do të jetë e hapur çdo ditë, ku një staf i kualifikuar do të jetë në shërbim të vizitorëve të shumtë që pritet të ndalojnë në këtë vend historik, anës rrugës së kombit.

Aleksandër Ndoja

 Rubik 07.12.17

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment