Një ligj absurd, mban peng udhëtarë të shumë të huaj, që kalojnë në rrugët e vendit tonë

Nga admin

“… Bëhet fjalë për ligjin nr. 8378, datë 22.07.1998. Pra afro 20 vite më parë ligjvënësit shqiptarë, vetëm pak muaj pasi vendi kishte dalë ka kaosi i vitit të mbrapshtë 1997, kanë miratuar këtë ligj sipas të cilit një kundërvajtës trafiku gjobitet në vend, por edhe nëse gjobën e paguan në çast i mbahet leja e drejtimit, për të bërë një xhiro pa asnjë efekt nëpër institucione…”

Mikele është një Italian që për herë të parë ka tentuar të hyjë në Kosovë nga Shqipëria. Radari në tunelin e Kalimashit e ka kapur me shpejtësi mbi normativen e lejuar. Policia e ka ndaluar dhe i ka vendosur një gjobë për 40 euro, siç thotë ai. Deri këtu situata është normale pasi çdokush që shkel rregullat në qarkullim, duhet të ndëshkohet brenda ligjit. Por që nga dita e djeshme ai është detyruar të ndërpresë udhëtimin dhe të qëndrojë në Kukës, në pritje të “xhiros” së lejës së drejtimit nga Policia në Prefekturë, dhe anasjelltas. Në ambientet e Prefekturës ai hyn duke mbajtur ne krahë fëmijën e tij diku 3 apo 4 muajsh, i cili mban në gojë një biberon. Është tmerrësisht nxehtë, ndërsa një zyrtar i Prefekturës tregohet i sjellshëm dhe e fton të ulet në një kolltuk, në zyrën e tij. Në sytë e tij ka trishtim dhe revoltë. Me shenja, përmes një italishteje jo shumë të kuptueshme për ne, ai mundohet të tregojë se e ka shlyer gjobën në çast, dhe prej dy ditësh endet nëpër Kukës për të gjetur se ku e ka patentën. Ndërsa një tjetër emigrant nga Prizreni, na referon: “në djall patenta, ndërsa gjobën e pagova në dorë, por nuk e ndala udhëtimin drejt Zvicrës, ku duhej të isha medeomos..”

Të dalësh para ndërtesës së Prefekturës është një pamje vërtetë trishtuese. Janë dhjetra automjete me gra dhe fëmijë që janë parkuar në rradhë, për të pritur lejet e drejtimit. Me këdo që të bisedosh, askush nuk thotë se policët janë sjellë keq, apo se u kanë “rënë në qafë” në raport me shkeljen e rregullit në qarkullim. Kanë paguar faturën e gjobës sejcili, por nuk kuptojnë se pse duhet të presin me ditë të tëra para Prefekturës, deri kur një jurist të kalojë nëpër dorë dosjet e tyre. Le të jetë gjoba më e madhe shprehen ata, por pse të sorollatemi për lejen e drejtimit e cila bën një xhiro aspak të efektshme, nga policia në prefekturë dhe anasjelltas. Gjithë këtë kaos e bën një ligj i miratuar dhe i pa ndryshuar prej afro 20 vitesh.

Bëhet fjalë për ligjin nr. 8378, datë 22.07.1998. Pra, afro 20 vite më parë ligjvënësit shqiptar, vetëm pak muaj pasi vendi kishte dalë nga kaosi i vitit të mbrapshtë 1997, kanë miratuar këtë ligj, sipas të cilit një kundërvajtës trafiku gjobitet në vend, por edhe nëse gjobën e paguan në menjëherë i mbahet leja e drejtimit, për të bërë një xhiro pa asnjë efekt nëpër institucione.

Në ambientet e policisë në kontakt me drejtues, pyetjes për këtë situata aspak normale i përgjigjen se i janë referuar vetëm ligjit. Për ne shprehen ata, raporti me ligjin është thjeshtë zbatimi i tij. Janë të tjerë ata që duhet ta rishikojnë apo të vendosin, duke aluduar pikërisht për parlamentin e vendit.

Nga Kukësi: A. Ndoja

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment