Një vizitë në “Lëndinën e Pikëllimit, me 377 varre të një dite

Nga admin

Masakra e Srebrenicës padyshim është krimi më i madh që i është bërë njerëzimit gjatë 50 viteve të fundit. Por padyshim, nëse kërkon të takosh “Srebrenicën” shqiptare me një masakrër të pashembullt në fundshekullin e 20-të, përshko mes përmes qytetin e Gjakovës dhe ndalo atje në “Lëndinën e Pikëllimit, në fshatin MEJE. E teksa hyn në atë lëndinë bota merr tjetër kuptim, dhe ndjesi të veçanta të përshkojnë qenien.

Janë qindra varre që u përkasin 377 të vrarëve të një dite, qindra martirë që ditëlindjet i kanë të ndryshme duke filluar nga fëmijë 10 vjeçarë, por ditën e kalimit të amshim e kanë të njëjtë. Është një datë e vetme, data apo dita e zezë 27 prill 1999….

Aty prehen fëmijë, të rinj, mesoburra, gra dhe vajza, profesorë e deputetë, bujq e mjekë, të gjithë nga një zonë që përfshin Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës.  E teksa ndodhesh aty mes simbolit të katolikëve kryqit, dhe gjysmëhënës simbolit të vëllezërve myslimane, njeriu e ndjen vehten në një realitet krejt tjetër. Mund të kesh dëgjuar apo lexuar për masakrën e Mejës së Gjakovës, por kurrë nuk mund ta imagjinosh të tillë, nëse nuk shkon për të parë me sytë tuaj atë varr masiv i cili zgjerohet dita ditës, me hapjen e gropave të reja për martirë të tjerë të po asaj dite, e që akoma nuk kanë përfituar nga “zemërgjerësia” kriminale e pushtuesit ndër më gjakatarët në Europë, dhe i mban ende dhe pas 18 vitesh në varre masive ku i kishte futur për ti shpëtuar ndëshkimit të opinionit ndërkombëtar.

Përjetimet janë të pafundme aq sa shpeshherë përsërit me vehten se si është e mundur që një komb prodhon “bij të tillë të djallit” që pa ju dridhur qerpiku vrasin fëmijë ende pa i mbushur 10 vjeç, pleq e gra. Me ushtri e mjete të rënda të tjera luftarake dyndin masivisht një luginë të tërë dhe i ndjekin në drejtim të rrugës kryesore që pak kilometra e ndajnë me Krumën e Hasit apo Tropojën, por që u zënë pritë në grykë dhe i sharrojnë të gjithë me armë nga më të ndryshmet. Nuk e di si mund ta ndjejë vehten normal një SHKJA (ndonëse SHKJA normal nuk ka) kur të mësojë se bashkqytetarët e tyre të një gjuhe a gjaku qofte edhe te zi, kanë prezantuar sjellje të tilla barbare, kur kanë shuar 377 frymë njerëzore pa asnjë dallim.

Marjan Pnishi dhe Gjokë Sokoli, udhërrëfyesit tanë të një masakre.

E  teksa je në mes të këtyre mendimeve kontradiktore, teksa shikon imazhe fëmijësh gdhendur në mermer, bën diferenca moshore mes datës së lindjes dhe ditës së zezë 27 prill, mendimet ndërpriten nga dy vendas. Ata janë  Marjan Pnishi dhe Gjokë Sokoli.

I pari disi më i heshtur të tregon për ngjarjen e asaj dite, se si kohë më parë se të ndodhte ngjarja, “fryma” Carla Del Ponte e kishte dëbuar nga Zvicra si organiator i mbledhjes dhe transportimit të armëve për tek luftëtarët e UÇK-së. Ndërsa Gjokë Sokoli thotë se këtu kam tre vëllezër, një djal të vëllait, por edhe tezakë siç thotë ai, dhe të tjerë të afërm. Ja thotë Gjoka, duke treguar nga një memorial. Ai i përket një të afërmi që ishte djalë i vetëm me shtatë motra. Është shuar si derë. Në bisedë me dy vendasit të gatshëm për çdo pyetje, mësojmë se pritet akoma që autoritetet e Serbisë të sjellin të tjerë të vrarë që të pushojnë në Mejën e tyre, pasi jo të gjithë nga 377 të vrarët kanë mbërritur. Ata kujdesen të evidentojnë se në këtë lëndinë të gjithë janë vëllezër të një gjaku dhe të një ideali, ndërsa të të vrarë janë rreth 100 të besimit katolik e mbi 270 e të besimit mysliman. Sëshpejti ky vend do të bëhet një memorial madhështor, ndërsa puna vazhdon.

E në këto rrëfime të trishta ndërhyn babai i një martiri nga Kaçaniku, Osman Caka i cili kërkon që grupi ynë të dalë nga “Lëndina e Pikëllimit” Ai na tregon shkollën kur vite më parë kishte sjellë si dhuratë disa topa futbolli për nxënësit e kësaj treve. Por kujton se si mësueset por edhe fëmijët kanë shenja traume, pasi dera e shkollës është përballë kësaj masakre. Unë u kisha kërkuar autoriteteve të Gjakovës që shkolla të zhvendoset ose minimumi hyrja e saj të jetë në anën tjetër, shprehet Osmani.

Një minimuze për këtë masakër.

Gjokë Sokoli na drejton për në banesën e tij. Disa shkallë na çojnë në një derë ku shkruan “Muzeu i Masakrës” Është një dhomë e vogël ku është “ngujuar” një histori e madhe. Kjo banesë ishte okupuar nga serbët në ato ditë lufte dhe shumë prej tyre kishin banuar aty, ndërsa pronarët e vërtetë të familjes Sokoli ishin malit ose të vrarë, e që ishin transferuar për në Serbi. Gjoka thotë se shumë prej materialeve që ishin aty i kishte gjetur në banesë, por edhe kudo në teatrin gjigand të masakrës. Janë objekte të ndryshme që serbët kishin përdorur në masakër, por edhe amballazhe të drogës që kishin përdorur ushtarët serbë. Në stendat e këtij muzeu gjen pafundësisht objekte të martirëve, si dhe fletore e lapsa të tyre, aparate fotografikë etj.

Një vizitë në familjen e Dede e Marjan Pnishi.

Teksa jemi në rrugë duke kundruar malet, historinë dhe masakrën, Marjan Pnishi këmbëngul për ti bërë një vizitë në shtëpinë e tij. Në pak minuta ndodhemi në atë banesë gjigande ku elementët e mikpritjes nuk kanë fund. Ajo shikohet qartë në sytë e një nëne 94 vjeçare që me një kthjelltësi të pashoqe na thotë mirsevini vëllezër nga Mirdita. . E në këtë ditë të trishtë, më shumë se kurrë kupton se çfar vlere ka liria. Liria dhe demokracia janë asete të të forta që shqiptarët i ka bashkuar, përkundër masakrave që kanë pësuar. Familjarë të qytetëruar që shkrihen në një me vëllezërit nga Mirdita bën që për pak momente të harrohet masakra. Të gjitha për njerëzit janë, por ato ditë të trishta duhen kujtuar që të mos përsëriten dhe kriminelët në mos sot, një ditë të marrin ndëshkimin e merituar.

Nga Meja e Gjakovës: Aleksandër Ndoja

25.08.2015

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment

Shperndarje