Ndoshta vetëm në Shqipëri egziston emertimi lek i ri apo lek i vjeter, (me të reja apo të vjetra). Në fakt leku është lek, dhe shuma shënohet mbi kartmonedhë. Megjithatë më së shumti ky emërtim përdoret prej vitesh, pra prej vitit 1964.
Sipas gazetes “Tirana Observer” me burim Banka e Shqiperise, më 16 gusht 1965, në bazë të dekretit nr. 4028, datë 14.07.1965, filloi këmbimi i monedhës së vjetër në lekë, me monedhën e re po në lekë.
Këmbimi u bë në raportin 10 lekë të vjetra me 1 lek të ri, pa asnjë kufizim, nga data 16 gusht deri më 15 tetor të 1965-ës.
Banka e Shtetit Shqiptar u autorizua të hiqte gradualisht nga qarkullimi monedhat dhe kartëmonedhat e viteve 1947, 1949 dhe 1957, dhe të vinte në qarkullim monedhën e re Lekë, në kartëmonedhat me prerje prej 100, 50, 25, 10, 5, 3 dhe 1 lek dhe monedhën metalike prej 1 lek, 50, 20, 10 dhe 5 qindarka të vitit 1964. Kartëmonedhat me të njëjtat pamje u rishtypën edhe në vitin 1976, duke ndryshuar vetëm vitin nga 1964 në 1976.
Nga 16 gushti 1965, çmimet e mallrave dhe të shërbimeve, pagat e punës, pensionet, bursat, tatimet e taksat dhe çdo veprim tjetër financiar midis ndërmarrjeve, institucioneve e organizatave shtetërore, kooperativiste e shoqërore ose i shtetasve llogariteshin me monedhën e re, sipas raportit 10 me 1.
Publiku hasi vështirësi të mëdha në emërtimin e lekut të ri me vlerën e tij të vërtetë. Për shembull, kartëmonedhën e re 100 lekëshe vazhdoi ta quante 1000 lekëshe. Megjithëse kanë kaluar mbi 50 vjet, kjo anomali vazhdon në treg në shumë raste edhe sot.