Disidentja e mirnjohur Musine Kokalari e cila me stoicizmin e Saj ndër dekada e ka çuar imazhin e saj në kufinjtë e legjendës, është “izoluar” sot nga vetë Prezenca e OSBE-së në Shqipëri. Në misionin e saj, pra Prezenca e OSBE-së thotë se po “përpiqet për të nxitur një diskutim kombëtar për të shkuarën e vendit”. Po cilat quan përpjekje, kur emisare të kësaj prezence kanë bërë sot “policin” tek hyrja e Gjimnazit Rrëshen, ku edhe ishte planifikuar sipas tyre për të biseduar me ish-të përndjekur politikë, për shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë regjimit totalitar në Shqipëri. Sipas “polices” që kishte marrë nën kontroll hyrjen në Gjimnaz, në atë takim nuk lejoheshin të hynte askush, aq më tepër me aparat fotografik. Kësisoj edhe pse ishte lajmëruar se nxënësit e shkollës së mesme “Bardhok Biba” në Rrëshen do të bisedonin me ish-të përndjekur politikë për shkeljen e të drejtave të njeriut gjatë regjimit totalitar në Shqipëri, nuk u mirprit të hynte brenda edhe N/Kryetarit të Shoqatës Kombëtare të Ish- të Përndjekurve politikë dhe anëtar i kryesisë kombëtare z. Gjergj Marku. I vetmi që ka qëndruar në atë sallë ka qënë vetëm kryetari i Shoqatës vendore të Përndjekurve Politikë z. Lekë Shtinja.
Atëherë lind pyetja?!!
Me cilët ish-të përndjekur politikë kanë folur nxënësit, kur i vetmi i përndjekur ka qenë z. Lekë Shtinja. Emisaret OSBE-së nuk mund të izolojnë bashkqytetaren e mirditasve Musine Kokalari, e cila edhe pse kishte mbaruar internimin e detyrueshëm gjatë rregjimit komunist, zgjodhi të jetonte deri në fund të jetës së saj në qytetin e Rrëshenit. Nuk mund të quhet i plotë ai mision, pra nxitja e një diskutimi, kombëtar pa pjesmarrjen apo njoftimin e z. Ndue Dedaj, mësues e shkrimtar i cili që në vitin 1995 e në vijimsi ka mbushuar faqet e shtypit shqiptar me portretin e “pa” treguar të Kokalarit, madje i ftuar në shumë simpoziume e aktivitete kombëtare kushtuar kësaj figure të rëndësishme të disidencës shqiptare, por edhe të faktorëve të tjerë intelektualë të zonës.
Në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së Musine Kokalarit, Bashkia Mirditë dhe Këshilli Bashkiak me propozim të faktorit intelektual të zonës, kanë përjetësuar emrin e saj në një rrugë që disdentja e përshkonte çdo ditë për të vërtetuar prezencën e saj në qytetin e Rrëshenit.
a.n 01.02.2017