“Si e vrava qenin-ujk që tmerroi Mirditën”

Nga Pirusti News

Rrëfen Pashk Frrok Pali i cili me datë 22 maj 1976, vrau qenin që një ditë më parë në Kaçinar kishte shkaktuar 12 viktima në njerëz të pafajshëm.

              Shkrim i botuar 17 maj 2005 (14 vite më parë) në “Tirana Observer”

Ai është padyshim njeriu që ka meritat e shpëtimit të dhjetra jetëve. Njeriu që vrau qenin-ujk, i cili 29 vite më parë terrorizoi veriun e vendit, duke shkaktuar 12 viktima. Shoferi Pashk Frrok Pali me banim në fshatin Spitën të Lezhës, i ka ruajtur mirë kujtimet e atyre ditëve, kur ky bë heroi i zonës së Mirditës, apo njeriu që e shpëtoi zonën nga goja e qenit-ujk, që vriste vetëm me një të kafshuar. Madje, ai ka ruajtur edhe levën me të cilën qëlloi qenin. E megjthatë edhe sot nuk mburret me atë që ka bërë.

“Dukej që në fillim se fati ishte më mua, pasi qeni kur u nis në drejtimin tim ishte në pozicionin poshtë, ndërsa unë isha më lart, në rimorkion e kamionit”, kujton Pashk Pali ngjarjen para se ai ti jepte fund asaj. Kafsha kishte vrarë 12 persona e një prej tyre ishte kolegu i Palit, që kishte tentuar ta qëllonte me armë. Historia për vite me rradha ka mbetur një mister. Madje edhe vetë njeriu që arriti të ekzekutonte kafshën e çuditshme, nuk di të thotë as edhe sot se përse bëhej fjalë.

 Përleshja

ditën e dytë të ngjarjes, kur qeni-ujk kishte bërë namin duke vrarë njerëz në Kaçinar dhe kur shteti i kohës ishte në alarm, Pali me dy shokë të tij u jepnin tre kamionëve në një rrugë në afërsi të Kaçinarit, vendit ku një ditë më parë kafsha misterioze kishte ekzekutuar fillimisht një kope lopësh dhe më pas një grup të tërë njerëzish, që ishin nisur ta vrisnin. “Makinat po ecnin karvan njëra pas tjetrës” kujton Pali, ndërsa karvanin e printe një nga shokët i tij. Ky i fundit, sipas shoferit, kishte në makinë dhe një fshatar me armë. Në një nga pjesët e rrugës u ka dalë përpara kafsha, dhe shoferi duke e kujtuar për ujk, pasi nuk dinin se çfar kishte ndodhur një ditë më parë, i ka marrë armën fshatarit për ta qëlluar.

“Ishte e pa mundur që plumbat ta zinin, ai sikur i nuhaste. Nuk trembej apo të largohej, por thjesht u dredhonte plumbave dhe qëndronte në vend” tregon Pali që e ka ndjekur fillmisht ngjarjen nga makina e tij. Nga kabina e makinës tij ai parë se në momentin që shoferi që printe karvanin e makinave është përpjekur të rimbushë armën, ujku i çuditshëm e ka sulmuar duke e vrarë në vend, me një të kafshuar. Shoferi i dytë ka zbritur për të ndihmuar shokun, por shpejt është detyruar të largohet i kafshuar nga kafsha.

Pashk Frrok Pali duke parë se çfar u ndodhi shokëve, ka dalë nga kabina e makinës ku përmes derës së hapur është ngjitur mbi karrocerinë e makinës, ku i është kujtuar se aty kishte edhe një levë të madhe hekuri, me të cilën shtrëngonte kavot e karrocerisë. “Ne sekonda kam gjetur levën dhe jam pozicionuar me me të në drejtimin e mundshëm ku mund të sulmonte qeni, për të cilin nuk dinim asgjë se çfar kishte bërë një ditë më parë, dhe që kishte marrë malet ku ishim edhe ne me mjetet tona. Nuk vonoi shumë dhe qeni duke e ditur se ku ndodhesha unë, merr më shpejtësi në drejtimin tim. 

Ku i afrohet karrocerisë, me një shpejtësi dhe furi të madhe hidhet në ajër, në drejtimin tim”,  kujton Pali deri në detajin më të vogël momentin që ndryshoi jetën e tij. Ai thotë se e dinte që në atë minutë se mund të ishte i vdekur, megjithatë nuk e priste të ishte hero. Në momentin kur kafsha e mistershme ndodhej në drejtimin e levës, ndoshta në të qintën e sekondës mund ta kafshonte, ky e godet fuqishëm në kokë. Fati kishte qenë me të. Leva kishte goditur në shenjë. Në pak sekonda kafsha e çuditshmë shembet përdhe….

“HERO”

Për Pashk Frrok Palin 22 maji i vitit 1976 është dita e tmerrit, por sigurisht dhe dita që firmosi famën e tij. “u shëmb në tokë dhe nuk lëvizi më. Mora frymë i lehtësuar, por nuk e dija se ai kishte shkaktuar 12 viktima në njerëz”, rrëfen për momentet kur i dha fund kafshës, që kishte përhapur terror në të gjithë Mirditën. Ndërsa kujton se për shkak të frikës se mund të kishte marrë ndonjë infeksion, ai për një muaj rrjesht nuk ka shkuar në shtëpi, por ka fjetur në makinë.

Megjithatë, pas kësaj ngjarje, me urdhërin e Pali Miskës ai ka marrë makinë të re dhe më pas është thirrur në parkun e transportit. “Për pesë vite kam transportuar me skania në çdo vend të Europës, deri në Portugali”, tregon, ndërsa thekson se policia nuk e kontrollonte më, e populli e nderonte në mënyrë të veçantë. Sot ai tregon se e mban ende levën me të cilën egzekutoi qenin.

Dyshim se kafshën misterioze e hodhën serbët.

 Një kafshë e rrallë, e cila nuk dihej se nga vinte, sulmon një kope lopësh e menjëhetë pas kësaj vret 12 banorë të zonës së Kaçinarit. Ushtria mobilizohet dhe nis gjuetia e kafshës, që nuk u mësua asnjëherë se nga erdhi. Në fakt kafsha do të përplasej rastësisht më një autokolonë makinash, e pasi vret një nga shoferët e autokolonës dhe plagos shoferin tjetër, vritet nga Pashk Pali. Për ngjarjen ka pasur një hetime intensive, ndonëse në fshehtësi të plotë. Është bërë i gjithë iventarizimi i qenve të kufirit të asaj kohe dhe është zbuluar se nuk ishte ndonjë prej tyre.

U tha se në atë kohë janë gjetur edhe dy qen të tillë të ngordhur, në malësitë e Gjakovës. Megjithatë, në fshehtësi u fol se një ngjarje e tillë ishte produkt i lojës së sigurimeve të vendeve ballkanike, dhe sidomos dyshimet ishin se një lojë e tillë ishte kurdisur nga shërbimi i sigurimit serb. Dyshohej madje se kafsha ishte e përgatitur, pasi ajo mund ti hiqte armën nga dora njeriut. E megjithatë historia dhe kjo ngjarje e dhimbshme që terrorizoi dhe vrau njerëz të pa fajshëm, nuk u zbardh kurrë.

I vdekur edhe mjeku që u dha ndihmën e parë të sëmurëve.

Bashkohësit kujtojnë se infermieri pasionat Mark Ndoja ishte ndër më të angazhuarit për ndihmën dhe transportimin drejt Tiranës, të të sëmurëve. E ndërsa shumë të tjerë mundoheshin të shmangeshin, Mark Ndoja shoqëronte me helikopter në disa rrugë të sëmurët rëndë, që dërgoheshin në Tiranë. Por pikërisht vetëm tre muaj pas kësaj ngjarje tek Marku filluan të shfaqeshin simptoma të një sëmundje të çuditshme.

 Me shpejtësi të pa parë sëmundja përparoi edhe te ai. Dëshmitarë të kohës konfirmojnë se simptomat te mjeku ishin të ngjashme me ato që tmerruan mjekët e spitalit nr.2 në Tiranë gjatë tentativës për të shpëtuar viktimat e Kaçinarit. Megjithatë vetë familjarët e konfirmojnë se diagnoza asnjëherë nuk u bë e ditur, ndoshta për shkakun se autoritetet e kohës donin ta minimizonin sa më shumë këtë ngjarje, e cila konsiderohej e rëndë për shtetin e asaj kohe.

Aleksandër Ndoja “Tirana Observer” 17 maj 2005

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment