ARKIVA/Një mjeke e zonja rikthen besimin në institucionin shtetëror

Nga Pirusti News

Publikuar ne “Tirana Observer” më 14 prill 2015

Nga Aleksandër Ndoja

I lodhur dhe i stresuar disa muaj me rradhë, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijën që e ke ende pa mbushur tre vjeç, padyshim kërkon zgjidhje ndryshe nga ato tradicionalet. Kur them tradicionalet, pa dyshim nuk kam asgjë parasysh jashtë shkencës mjekësore, por për fat të keq ende mbetemi “pengje” të kioskave ambulatore private, besimplotë prej legjendave urbane për mjekë të tillë, që vegla të vetme pune apo diagnostifikimi  kanë një stetoskop, dhe një copë dërrasë për të kontrolluar fytin. Dhe pas kësaj vjen një shkrim i pakuptueshëm natyrisht, por që farmacia përballë apo nën shkallë e kupton normalisht. Nuk ka rëndësi se sa ja vendos çmimin ajo, pasi e din mirë se recetëshkruesi është i pushtuar nga legjenda urbane dhe prindër të shumtë në pritje të mrekullisë për fëmijën e tyre, nuk bëjnë hesap me portofolin.

Ky ritual përsëritet çdo muaj pasi një antibiotik i fortë ndodh ta ulë temperaturën, por vetëm për pak ditë pasi kur nuk e ke zbuluar shkakun nuk e kuron dot, pa harruar se përdorimi pa kriter i tij ul rëndë metabolizmin dhe shfaq sëmundje të tjera anësore, sidomos atë të mykut. Në këtë rrëmujë tensionesh dhe situatash precipituese, kupton se ke rënë viktimë në një farë mase, prandaj shtyhesh për të kërkuar rrugë dhe mundësi të reja.

Diagnostifikimi i parë me nota vërtetësie, tek spitali privat

Me një faturë në dorë, sëbashku me shiritin e kasës fiskale të drejtojnë për tek dhoma e mjekut. Të dëgjon paraprakisht me shumë kujdes, kërkon të dhëna shtesë, madje lexon me vëmendje kutitë bosh të kartonit të ilaçeve të konsumuara. Dhe më pas i vjen rradha stetoskopit dhe mjeteve të tjera diagnostifikuese. Nuk vonon shumë dhe mjeku qartësisht përcjell shkakun e një situate të tillë, duke shënuar terapinë e cila kërkon domosdoshmërisht akomodim spitalor. Ndoshta në një moment sinqeriteti apo në zbatim të betimit të Hipokratit, mjeku edhe se një spital të huaj e privat, të sugjeron akomodim spitalor tek “Nënë Tereza” pasi siç shprehet, këtu tarifat për shtrim janë të kripura.

Prof.Dr.Luljeta Serbo (Kote), fundi i një ankthi

Sa para pagove..,.? më thotë shpengueshëm një farmaciste në afërsi të Spitalit Pediatrik, teksa i kërkoj një medikament për ta pasur në shtëpi, pas daljes nga spitali të fëmijës. Unë i them se nuk kam paguar asnjë lek, pasi kisha librezën shëndetësore, rekomandimin përkatës, si dhe vulat e domosdoshme nga spitali zonal. Në fakt si gjithë të tjerët u paraqita në sportelin e spitalit pediatrik, ku u bënë disa procedura. Në dorë më dhanë një letër në formë fature ku lart shkruante një shumë prej 3000 lekësh të reja, ndërsa më poshtë shënonte se shuma për tu paguar ishte zero lekë.

Në katin e tretë na pret mjekja Luljeta Kote me titullin profesor doktor. Me një pamje të qetë dhe sy të vëmendshëm depërton në çdo reagim të pacientit, duke krijuar menjëherë për perceptim për situatën. Diagnostifikimi i saktë në një gjatësi vale me spitalin privat, shumë larg modelit të kioskave ambulatore, i hap udhën mjekimit. Akomodimi spitalor është i domosdoshëm sipas mjekes, ndërsa pavioni është në kushte optimale. Një infermiere që prezantohet si përgjegjëse, thotë se “nuk lejohet të sillen rroba nga shtëpia, pasi këtu ka çdo gjë, madje keni për t’u bindur vetë”. Një pavion tejet i organizuar me pastërti shembullore dhe gatishmëri pothuajse të harruar. Jo në pak raste dëgjoje pëshpërima të stafit për kontrolle të shpeshta nga eprorët e spitalit. Te porta e pavionit është vështirë të kalosh, pasi kërkohet të respektohet orari i vizitave. Këtu ka diçka për të korrigjuar edhe pse një infermiere e re dhe një tjetër mjaft e vjetër prezantojnë korrektësi të spikatur te dera, ka ndonjë tjetër që nuk lë shije të mirë përsa i përket korrektësisë në kryerjen e detyrës së caktuar.

Mjekja Kote edhe pse me ngarkesa të dukshme pune, tre herë apo më shumë në ditë komunikon duke bërë vizita me secilin pacient, duke ofruar pa përtesë analiza, eko, grafi, mbjellje etj, me qëllimin e vetëm, ecurinë shëruese. Profesionalizmi i saj, përvoja e gjatë por edhe gatishmëria bën që të prezantojë një ndërhyrje terapike mjaft efikase, me kthesa të menjëhershme terapie sipas ecurisë së sëmundjes dhe sapo ata japin efektin plotësues në një drejtim, fjala vjen ftohje, për të kaluar në sulm ndaj shenjave të asmës, alergjive etj. Dhe padyshim në gjithë këtë harmonizim mes diagnostifikimit dhe mjekimit, vjen natyrshëm rezultati. Rezultat i cili ndryshon gjendjen e pacientit sëpari, prindit por edhe mjekes Luljeta Kote, e cila e reflekton dukshëm. Më në fund ka ardhur koha për një vështrim më besues ndaj spitaleve shtetërore, aq më tepër kur aty ka mjekë si Luljeta Serbo (Kote) që me përkushtimin e tyre ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së jetës.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment

Share