Në fletët e librit “Fëmijë, apo grua 12 vjeç”

Nga Pirusti News

Teksa “rrëmoja” në titujt pa fund të bibliotekës time, rastësia më çoi të identifikoja një libërth të vogël, të vendosur aty para disa vitesh. Në fakt ky libër sa një format A5 me diku 95 faqe, nuk kishte hyrë në atë bibliotekë si shumë libra të tjerë të blerë apo dhuruar dorazi, por më kujtoi se disa vite më parë më ishte dhuruar nga vetë autorja në një promovim të tij, në një nga lokalet e qytetit Rrëshen.

Në fakt edhe pse në format të vogël, ky libër mban brenda fletëve të tij një histori apo kalvar të një kohe, që ata të cilët nuk patën fatin ta kishin jetuar, e kanë të vështirë t’i perceptojnë dramat njerëzore, pra mund ta konsiderojnë si një kohë të çuditshme. Libri mban në fletët e saj ngjarje pafund rrëfyer natyrshëm, pa asnjë ngarkesë emocionale apo trill që përdoret shumë për t’a bërë librin interesant. Është një fëmijë që atë çfar ka përjetuar ndoshta pa i mbushur 12 vjetët, na e sjell aq natyrshëm në faqet e një libri.

Ndërsa kapërcen më shumë se gjysmën së lexuari, kupton fare mirë se si një libër në format kaq të vogël, mund të shërbejë si subjekt për një dramë apo film që ka në fokus vuajtjen njerëzore. Ja pra pse ky rrëfim i Vera Ndojt (Picaku) vjen aq natyrshëm, aq i prekshëm ku çdo germë apo fjalë flet, flet pa fund për një kohë e rregjim që kishte kapërcyer çdo limit diktature, kishte arritur deri aty, sa vajzën e “armikut” një vajzë 12 vjeçare, ta shëndrronte në grua madhore, përsa i përket punës dhe detyrimeve që kishte ndaj Shqipërisë Socialiste. Se duhej ndëshkuar deri në çdo limit babai i saj Gjon Mark Ndoj, që ishte dënuar dhe  damkosur nga rregjimi për shumë vite.

Ja pra pse Ndue Dedaj, në parathënien e tij të titulluar “Fati i një 12 vjeçareje në diktaturë” thotë se “ajo çka rrëfehet përmes këtyre episodeve ngjethëse ishte e pa dukshme për sytë e rregjimit, teksa në sipërfaqe të jetës ishte butaforia dhe parodia e politikës klasore.

  • Pjesë nga libri “Fëmijë, apo grua 12 vjeç”

Në fakt shumë vonë  kam marrë vsh pse kishte hyrë në burg im Atë, pasi po ta pyesja i shkaktoja dhimbje dhe vuajtje, duke i kujtuar kohën që kishte kaluar në burg, duke i sjellë në mendje torturat që kishte kaluar, por dhe kur e mora vesh, kjo nuk ndodhi nga unë.

Dikush nga fisi ynë, që jetonte në Nanshejt në Bjeshkë, i tha: -O bacë, pse ke hyrë në burg, ? Dhe im Atë që i përgjigjet pyetjes: – Isha shumë i ri, kisha shokë shumë të mirë dhe ata ishin në Shkodër, ku edhe kam studiuar dhe siç thonë “i riu si veriu”. Kishim bindje dhe ideale të formuara dhe ishim një grup jo i vogël, por falë Zotit në burg nuk shkuam të gjithë. Pasi morëm një vendim sëbashku, formuluam një trakt në të cilin thuhej:

“Po jetojmë ditët më të vështira të diktaturës më të egër, asaj komuniste, e cila po i merr frymën popullit. Ngrihu o popull ta shporrim këtë diktator dhe të shpëtojmë prej tij.!!”

Ky trakt u shtyp prej babait, i cili e kishte marrë makinën e shkrimit nga Shkodra në Orosh, ku edhe kishte shtypur me dhjetra trakte, kur nuk kishte as fotokopje. Traktet ishin shpërndarë në Elbasan e deri në Gjirokastër nga shoku i tim eti, Hasaf Selfo. Nga burgu doli në vitin 1964 ku dhe filloi punë sigurisht jo në arsim, siç ishte para arrestimit, por në një punë për mirmbajtje rrugësh.

  • Persekutimi ndaj një fëmije

Gjatë verës, meqenëse nuk isha në shkollë bëja punë të ndryshme, por kisha edhe më shumë kohë të lirë, krahasuar me kohën kur isha në shkollë. Por më pëlqente të merresha më kopshtin dhe për fatin tim të keq, kishim mbjellur duhan, pasi nuk ishte mundësia për ta blerë dhe duhani ishte bërë aq i mirë, sa dhe brigadieri e pati zili dhe pyeti tim atë, se si e ka bërë aq të mirë. Im atë pa djallëzi dhe për të më ngritur mua i tha, se vajza hedh në ujë pleh organik të kalbëzuar të cilin e shpërndan në ujë, dhe i shkonte rrënjë për rrënjë. Por askush nuk e mendoi, se me ato fjalë kishte dhënë një tjetër dënim për mua.

Nuk kaluan shumë dhe dikush thërret në derë dhe im Atë del, ku përballë tij ishte brigadieri, i cili pasi bën përshëndetjen e rastit, i thotë babait se përse nuk e dërgon vajzën të punojë me kalamajt në kooperativë. Më tej brigadieri i tha – A të kanë njoftuar për korrjen e grurit, ku ç’do familje duhet të bëjë punë vullnetare duke korrur nga dy dynymë sejcila. Babai i thotë se nuk kam marrë njoftim, por për mua nuk ka kush të korrë, pasi unë nuk mundem, kurse bigadieri ja ktheu: -Keni vajzën (eh ç’rëndësi kishte për brigadierin) kush ishte familja, se kush do të korrte, rëndësi kishte marrja e fuqisë punëtore pa pagesë, gjasme vullnetare, por kush do ta korrte grurin?! Prapë kurbani isha unë, pasi im Atë ishte i sëmurë dhe nuk mundej. Po a do mund të korrja unë. Fillova të korrja por për fat të keq që ditën e parë u preva me drapër, pasi nuk kisha korrur kurrë me drapër.

  • Fëmijë, apo grua 12 vjeçe!

Por brigadieri nuk e ndaloi këtu sulmin, pasi pas disa ditësh ai më tha: –Ti do vish në mëngjes me të rriturit, gjasme se isha shumë punëtore dhe mund të punoja me ta. Pati sy shumë kureshtarë, të cilët shikonin me habi, pasi nuk ishte dëgjuar më parë që një fëmijë të punonte me të rriturit, por unë mendoja se si do të bëja punët e mëngjesit në shtëpi dhe të dhe të isha në punë, në orën gjashtë. Ishte e pa mundur. U përpoqa disa herë t’i thoja se nuk mundesha, pasi kisha shumë punë në shtëpi dhe se nuk mund të vija në orar, por nuk arrita.

Dita e nesërme erdhi dhe unë vajta me të rriturit, ku me shumë mund kisha zgjuar edhe larën më shpejt, si dhe kisha arritur në punë, ku shumë shoqe të nënës thanë me habi se çfar bëj unë aty, por me djallëzi brigadieri u përgjigj se unë isha shumë e zonja për punë, gjë që e tregon edhe kopështi, apo duhani që ka mbjellur apo mirëmbajtur.

Ti do shpërndash pleh me dy gra të kooperativës, – tha brigadieri. Secila kishte një normë, kurse unë do të kisha dyfishin e sipërfaqes për të hedhur plehun dhe për të bërë lëng për misrin.

-O Zot, thanë disa, mirë t’i bëhet së jëmës!

-Përse nuk e mori me vete? – thanë disa të tjera.

– Mirë t’i bëhet të atit, armikut të Partisë, thanë disa të tjerë, shërbëtorë të kauzës….

a.n

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment