“Ju rrëfej për spiunët e Mirditës gjatë diktaturës” Botuar në “Tirana Observer” 13 nëntor 2005

Nga Pirusti News

Nga: Aleksandër NDOJA… Botuar në “Tirana Observer” 13 nëntor 2005
RUBIK – Është folur shpesh se rendi dhe siguria kanë qenë të sigurta në kohën e diktaturës, e madje këtë e siguronte një polic i zonës. Në fakt, kjo nuk është e vërtetë kur depërton nëpër labirinthet e sigurimit dhe të njerëzve që janë marrë me të. Polici i zonës ishte vetëm kreu i një rrjeti gjigant merimange, të përbërë nga civilë, të cilët hetonin dhe hulumtonin çdo qelizë të jetës shqiptare në çdo cep të saj. Për këtë ishte ndërtuar një strukturë spiunësh, që kishin marrë emërtimin BGV (bashkëpunëtor i gatshëm vullnetar). Në këtë rrjet ishin të përfshirë njerëz nga më të rëndomtit deri në shtresat intelektuale, që kishin një mision të vetëm: të survejonin çdo gjë dhe në çdo rast. Njëri prej tyre është edhe Gjin Qarri, banor i Rubikut. Ndonëse dikur, siç thotë ai, mund të ketë gëlltitur një “lugë nga çorba e prishur”, në asnjë rast nuk ka qenë një denoncues apo dëmtues i qytetarëve të tij. Përkundër, gjatë gjithë kohës me humorin e tij të hollë ka fshikulluar shumë nga spiunët, të cilët kishin vënë nën një terror të paparë të gjithë qytetarët e zonës së tij. Gjin Qarri, ish-bashkëpunëtor dhe stigmatues i këtij fenomeni flet për “Tirana Observer”.

           Si bëhej rekrutimi i spiunëve (BGV)?
Nuk ishte shumë e vështirë në atë kohë. Mund të gjeje njerëz me karakter të dobët, por edhe të indoktrinuar që mendonin se kështu po i shërbenin atdheut. Kishte edhe nga ata që kishin bërë ndonjë mëkat e këtë e kishte zbuluar punonjësi i policisë, por nuk e kishte denoncuar. Këtë e përdorte si kartë presioni për të rekrutuar atë. Pra kishte mundësi të shumta rekrutimi.

         Cili ishte aktiviteti dhe kë do të vëzhgonin më tepër? 
Duhej të vëzhgonim gjithçka të dyshimtë. Duhej të vëzhgonim të pakënaqurit, si ata që ankoheshin për cilësinë e bukës e deri tek ata që mund ta konsideronin padrejtësi ndonjë largim nga puna apo ulje në detyrë etj. Në atë kohë, në shumë raste thyheshin dyqanet e fshatrave dhe BGV-të kishin detyrë që të vëzhgonin për autorët dhe në shumë raste kanë qenë të rezultatshëm në kapjen e këtyre keqbërësve. Por këto kontingjente ishin të gatshëm edhe për dëshmitarë të rremë në gjyqe të montuara nga Sigurimi i Shtetit. Aq e pështirë ishte bërë kjo punë sa individë të veçantë disa herë përballeshin me ata që ishin piketuar për t’u dënuar, ktheheshin në objekte humori dhe ilariteti. Në një rast mbaj mend se po tentonin të dënonin për tentativë arratisje jashtë vendit një nga Rubiku, i cili sapo kishte ndërtuar një shtëpi të re. Në momentin që dëshmitari i përhershëm në shumë gjyqe, thoshte se kishte dëgjuar se i pandehuri donte të arratisej, ky i fundit i tha pse unë shtëpinë e re e ndërtova për të ta lënë ty dhe për vete të arratisesha. Në sallë shpërthyen të qeshura, megjithatë i pandehuri u dënua me disa vite burgim për tentativë arratisje jashtë vendit.

          Si dhe sa shpërbleheshit për punën e kryer?
Kryesisht shpërblimi ishte me 1200 lekë të vjetra në muaj. Por jo gjithmonë ndodhte kështu. Kishte raste që shpërbleheshin edhe më tepër për raste të veçanta, por edhe mund të mos shpërbleheshe, kur gjatë muajit nuk kishe kryer punë. Por ka pasur edhe shpërblime të llojeve të tjera, si p.sh., vende të privilegjuara pune, bursa, imunitet për shumë gjëra etj.

           Sa ka qenë përgjithësisht numri i tyre?
Nuk mund të them me saktësi, por e vërteta ka qenë se në çdo fshat ka pasur 3-4 spiunë që kishin detyrë që të vëzhgonin gjithçka deri edhe për vjedhjet në misër, grurë etj. Ndërsa në qytet kishte të tjerë. Kishte në uzinë, metalurgji, NFP etj. Nuk kishte dallim në përzgjedhje mes grave dhe burrave. Sidomos në zonën e qytetit ka pasur edhe gra që bashkëpunonin në mënyrë perfekte.

Kush ishte koordinatori mes BGV-së e policisë dhe ku dorëzohej informacioni?
Koordinatori ishte i plotfuqishmi i zonës, i cili gjatë gjithë kohës ishte i programuar për dhënien e informacionit, qëndronte në këmbë përpara lapidarit në hyrje të qytetit të Rubikut. Informacionin mund ta jepnim edhe gojarisht, por edhe me anë të pusullave të ndryshme.

             Kur informacionin e dërgonin në qendër në Rrëshen nga vetë BGV-ja, kush i priste dhe në cilën zyrë?

Çdo BGV kur kishte informacion të rëndësishëm duhej të shkonte të depononte në Rrëshen, në një zyrë në katin e parë të godinës së policisë ku ka qenë hetuesia. Ne priteshim nga operativi i zonës dhe shoqëroheshin deri në zyrën e hetuesit përkatës të çështjes. Gjithmonë informatorët duhej të shkonin aty rreth orës 16.00 të pasdites dhe hyrja duhej të bëhej sa më e fshehtë nga syri i njerëzve të zakonshëm. Aty jepej gjithçka për hetuesin, ndërsa largimi për në Rubik bëhej me ndonjë mjet të policisë, por pa rënë në sy të njerëzve.

           A kishte koordinim mes njëri-tjetrit dhe ku bëheshin këto “takime pune”?
Kryesisht takimet bëheshin në njërën prej magazinave të metalurgjisë, si edhe në njërin prej reparteve të shërbimit të ish-ndërmarrjes komunale. Në metalurgji takoheshim kryesisht për probleme të zakonshme, ndërsa në atë të komunales bëheshin plane për koordinim punësh, kur ishte në program për të arrestuar ndonjë të parapiketuar.

          A kujtoni ndonjë reagim të ashpër të ndonjë qytetari ndaj ndonjë BGV-je, pas kryerjes së ndonjë denoncimi?
Megjithëse siç thashë BGV-të kishin imunitet dhe gjithkush i kishte frikë, ka pasur shumë raste reagimi të ashpër ndaj tyre. Në një rast, një qytetar i Rubikut konstatoi se një nga “kolegët” tanë në ora 24.00 të natës po e përgjonte nëse ai po mbante televizorin në një kanal jugosllav. Reagimi i tij qe i ashpër, pasi ai mundi ta kapte BGV-në me presh në duar anës dritares. Kuptohet spiuni përjetoi për disa çaste një eksperiencë të hidhur. Por ka pasur edhe raste të tjera të ngjashme.

           Ju jeni shquar edhe në atë kohë për ironizim ndaj “kontributit” të “kolegëve”. Cili ka qenë rasti më i rëndë ndaj tyre?
Po, në shumë raste kur unë që i njihja shikoja 2-3 bashkë u drejtohesha publikisht, kuptohet në formë shakaje, duke i pyetur “kujt do t’ia futni kësaj radhe”, por ka pasur dhe raste të vërteta humori. Ka qenë një rast kur Ramiz Alia, i cili ishte për një vizitë në Rrëshen, do të ndalonte atje. Unë me dy “kolegë” kisha marrë detyrë që të vëzhgonim një qytetar, Pjetër Canin, i cili ishte i pakënaqur për largimin e tij nga puna dhe donte të takonte Ramiz Alinë, atëherë sekretar i Komitetit Qendror. Për çdo lëvizje të tij ne duhej të njoftonim me shenja sigurimsat e ardhur nga Tirana për të siguruar mbarëvajtjen e punës. Tre “kolegë” të mi, të cilët gjithnjë kanë preferuar të mbanin këmisha me prerje në stilin ushtarak, ishin afruar më shumë se ç’duhej te vijat e bardha, pasi ata mendonin se sigurimsat e Tiranës e dinin për detyrat që ata kishin marrë. Por shërbimi i sigurimit ende nuk e dinte se kush ishin dhe më pyetën mua që kisha hyrë më përpara në lidhje pune me ta. Unë, në formë shakaje i gënjeva, duke u thënë se ishin oficerë të liruar pas rënies së Beqir Ballukut. Këta pa e zgjatur i morën menjëherë me makinë dhe i degdisën të izoluar diku në bregun e lumit, deri kur Ramiz Alia mbaroi punë në Rubik. Gjithashtu, edhe në një rast tjetër ndodhi që një BGV erdhi aty, sepse ishte zënë ashpër me operativin e zonës, pasi ky i fundit nuk e kishte angazhuar në mision special atë ditë. Mjaftoi një shenjë me një dedikim për të dhe menjëherë ai përfundoi me njërën nga IFA-t e policisë tek ura me harqe në Milot. Në këto kushte, kur gënjeva dy herë radhazi vetëm për t’u tallur me “kolegët” u detyrova të largohesha, pasi po të më diktonin ata të Tiranës e pësoja keq.

               Pse zgjodhët këtë taktikë sulmi ndaj tyre dhe a keni marrë ndonjë ndëshkim për këtë?
E bëja për gallatë, por edhe për faktin se ata që në fillim pa qenë bashkëpunëtor me ta më thoshin se je me ne. Kështu unë u futa në atë valle, por kurrë nuk kam bërë dëme ndaj njerëzve të thjeshtë, por ndaj vetë BGV-ve. Ndërsa për sulmet, duke qenë brenda radhëve të tyre, edhe jam kërcënuar. Hetuesi Arben Qeleshi më ka thirrur duke më kërcënuar me burg për disa shtylla elektrike që më kishte marrë lumi, pasi unë punoja elektricist. Në fakt, nuk kisha përgjegjësi për to, por kjo përdorej si mjet presioni për talljet që u bëja BGV-ve.

               Ju thoni se spiunët e Rubikut nuk patën ndonjë fund të lumtur dhe kush u hakmor ndaj tyre?
Në fakt, pas ’90-ës edhe janë marrë privatisht ndaj tyre, por jo në nivelin e zullumeve të tyre. Por e çuditshme është se vetë zoti u hakmor. Aty nga fundi i ‘90-ës shumë prej tyre e pësuan keq. Dikush theu këmbën, dikush u dogj me kovë zifti, dikush përfundoi në një fuçi në fshatin Rrasfik e shumë të tjerë përfunduan me sëmundje të tjera të rënda në moshë të papërshtatshme.

            A ka prej tyre që nuk e lanë detyrën edhe pas ndryshimeve demokratike?
Është e vërtetë se pas vitit ‘92 nuk i angazhoi kush në këto detyra, për faktin se këta tashmë i njihte i gjithë opinioni dhe nuk mund të sillnin gjë të re. Ndërsa u rekrutuan të rinj, por tashmë ata ndërrohen një herë në 4 vite, sipas ndryshimeve politike
Tirana Observer
13 nëntor 2005

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment