Ku je, Hot Bryan Yee..!

Nga Pirusti News
Postuar: 25/01/2018 – 08:45 
Emri i diplomatit të sferave të larta në Uashington, Hoyt Brian Yee, u bë shumë më i njohur në Ballkan në fillim pranverën e vitit 2017. Ishte koha kur Ballkani ishte mbërthyer nga kriza të njëpasnjëshme në disa prej vendeve të saj, si në Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi dhe Kosovë. Krizat ishin produkt i politikanëve të veçuar të cilët prej kohësh prodhonin probleme të shumta jo vetëm në vendet e tyre, por dëmi kishte mbërritur deri aty sa kjo do të rriste zhivën e alarmit edhe në Uashington. Në Maqedoni, presidenti problematik në aspektin e nacionalizmit antishqiptar, nuk pranonte t’i jepte jepte fund epokës së Nikolla Gruevskit edhe pse vota e kësaj republike të sajuar, ja detyronte këtë. Presidenti Ivanov refuzonte t’i jepte frymë qeverisë së Zaevit, i cili kishte paralajmëruar se pushtetin do ta ndante në një masë të madhe me shqiptarët shtetformues të kësaj republike, madje kishte premtuar se gjuha shqipe do të ishte gjuhë zyrtare, njëlloj si ajo maqedonase. Kjo kishte krijuar një situatë mjaft shpërthyese dhe pritej nga dita në ditë që ajo të dilte jashtë kontrollit.
Ndërsa në Tiranë, situata në sytë e opinionit ndërkombëtar ishte edhe më e vështirë. Çadra në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” ndërronte turnet orë e pa orë. Vizitorët e saj ndaheshin kryesisht në tre kategori. Të kategorisë së parë padyshim ishin demokratët të vërtetë, ata që e kanë ndjekur këtë forcë politike që në fillimet e saj. Ndonëse ishin zhgënjyer një herë në vitin 1999-2000, kur në përgjigje të thirrjeve politike të PD-së udhëtonin çdo ditë nga rrethet në drejtim të Tiranës për të rrëzuar qeverinë e Fatos Nanos.
Kjo sepse drejtuesit e tyre artikulonin pa fund, se ishte pikërisht Fatos Nano që kishte vrarë të ndjerin Azem Hajdari. Udhëtonin me para apo pa para, por në çantat e tyre kurrë nuk mungonin gurët për të qëlluar mbi godinën e kryeministrisë. Por më vonë ndodhi çudia. Në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të shpalljes së pavarë- sisë, Jozefina Topalli në cilësinë e kryetares së Parlamentit, shoqëruar nga “duartrokitjet” e shefit të saj politik, artikulon emrin e Azem Hajdarit dhe pas Tij, emrin e Fatos Nanos, ku të dyve në të njëjtën ceremoni u dorëzon titullin e lartë të nderit “Për merita të shquara”. Pas kësaj nuk dihet si do jenë ndjerë demokratët vërtetë, ata që kishin harxhuar energji pa fund për t’u hakmarrë ndaj Nanos, pikërisht për “vrasjen” e Azemit. Sipas logjikës politike të 1999-2000, i binte që pikërisht ata që kishin çuar në këmbë turmat ndaj “vrasësit” Nano, me një të rënë të lapsit të dekoronin njëlloj si viktimën ashtu edhe “xhelatin”. Megjithëkëtë prapë se prapë janë ata që e ndjekin pa kompromis forcën e tyre politike, edhe në rastin e çadrës në bulevard. Por, padyshim kësaj çadre nuk i mungonin edhe dy kategori tjera, ata që dinin me saktësi orarin e picave në bulevard, por edhe një kategori tjetër që çadrën e shikonin si një mundësi për të kaluar jetë nate pub-eve të Tiranës, pasi me herët hidhnin në rrjetet sociale ndonjë foto nga vendi i protestës.
 Po ashtu, Mali i Zi kishte kaluar një situatë mjaft problematike ku ishte tentuar marrja peng e kryeministrit, dhe situata politike ishte me mjaft oshilacione. Në fakt Mali i Zi sapo ishte pranuar në NATO, por SHBA-të kërkonin që krerët politikë të kësaj republike të ishin më konsensualë me Kosovën, për të ashtuquajturën vijën e demarkacionit, në kufirin mes fqinjit të saj, Republikës së Kosovës. Ndërsa edhe në Kosovë situata ishte mjaft e ndezur, pikërisht edhe për vijën e demarkacionit dhe caktimin përfundimtar të kufirit me Malin e Zi. Por edhe ligji për krijimin e FSK-së (ushtrisë së Kosovës) kishte ndezur konflikt të ashpër me fqinjin verior, Serbinë. Një situatë e tillë kishte krijuar shqetësim në Uashington dhe rreziku ishte gjithnjë e më evident që këto vende të rrëshqisnin në rrjetën sllovo-ruse me synime të gjithhershme në Ballkan. Terreni ishte krijuar me mjaft kujdes dhe pritej që i gjithë Ballkani të kalonte në situata mjaft problematike. Kjo bëri që Uashingtoni ta vlerësonte situatën si alarmante, aq sa me urgjencë nisi në vendin e trazuar një ndër diplomatët më të spikatur të saj, Hoyt Brian Yee.
Superdiplomati Yee, në 24 orë çliron Ballkanin nga rreziku i dominimit ruso-sllav.
Fillimisht e nisi me Maqedoninë. Vetëm dy orë i janë dashur t’i thotë “një fjalë në vesh” presidentit maqedonas Ivanov. I besuari i diplomacisë amerikane i vendosi afat dy orësh kreut të shtetit të Maqedonisë që të t’i hapte rrugë qeverisë së re të Zoran Zaevit, duke çmontuar një herë e mirë regjimin e Gruevskit.
Ndërsa Hoyt Brian Yee niset drejt Tiranës, Presidenti Ivanov kishte mandatuar qeverinë e re. Në Tiranë Hoyt Brian Yee fillimisht njihet me paketën “McAllister”, paketë që ishte negociuar disa herë nga europianët e që i kalonin opozitës në tavolinë disa prej pushteteve, që në fakt duheshin fituar me votë dhe vullnet qytetar. Diplomati Hoyt Brian Yee nuk mendohet gjatë, por thjesht i shton një “+” kësaj pakete, duke e kthyer atë në “McAllister+”. Diplomati Yee, kërkon që për 24 orë kjo paketë të nënshkruhet nga dy palët, në të kundërt pasojat nuk do ishin thjesht politike. Amerikanët e njohin mirë tashmë politikën ballkanase, ku përgjegjësitë politike nuk merren seriozisht, ndaj këtë rradhe liderëve të Tiranës u shqiptohet për herë të parë përgjegjësia individuale. E përgjegjësi individuale do të thotë “vizitë” në ambasadën e SHBA-ve, bllokim të vizës për në atë shtet kampion të lirive, etj, etj. Kjo dha efektin e menjëhershëm. Dy liderët politikë ngujohen në një zyrë në Kryesinë e Kuvendit. Thuhet se ndërruan zyrë menjëherë pasi informacioni ishte se mund të ishin në përgjim nga Berisha dhe Meta. Pas pak orësh të dy dalin të gëzuar, duke shtrënguar duart e njëri-tjetrit.
Ndërsa me të mbërritur në Kosovë u shënua rënia e qeverisë së Mustafës. Kryeministrit të ri ju caktua si detyrim që të që ta votojë “Demarkacionin me Malin e Zi”, një tjetër çështje e rëndësishme së cilës nuk iu dha drejtim nga ana e Isa Mustafës. Por edh në Mal të Zi me frymën dhe politikën e tij të dialogut, zyrtari i lartë i DASH arriti të bindë palët dhe të gjendet gjuha e përbashkët për caktimin e vijës kufitare Kosovë-Mali i Zi.
Një vit më vonë, situata përsëritet pothuajse pikë për pikë.
Ballkani duket se nuk zuri mend me ngjarjet e një viti më parë. Rrymat përçarëse dhe destabilizuese kanë nisur të shfaqen përsëri. Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov godet përsëri me nota nacionaliste, teksa nuk pranon të firmosë ligjin e kaluar në Parlamentin maqedonas, atë që u quajt fitore historike e shqiptarëve për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Kjo ka rritur tensionet në Maqedoni, ndërkohë në Tiranë janë paralajmëruar mitingje të opozitës, me 27 janar. Në Kosove vritet politikani më i lartë serb i kësaj republike, Oliver Ivanoviç duke ndezur edhe një herë situatën delikate në Mitrovicë, ku edhe u shënua vrasja. Moderatori i mirënjohur Blendi Fevziu nuk ka ngurruar të deklarojë se pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit mund të jenë rusët. Në një opinion të tijin moderatori Fevziu ka thënë se pas vrasjes së Ivanoviç në Kosovë mund të jenë fuqitë e mëdha, konkretisht rusët të cilët janë të pa kënaqur me rolin e qeverisë Rama për njohjen e gjuhës shqipe në Maqedoni. Pra referuar kësaj nuk është çudi që situata në Ballkan, ngjarjet e të cilave pasojnë njëra tjetrën, të kenë frymëzim rus, në mos dorën ruse. Le të presim ose të shpresojmë në thirrjen:     Ku je, Yee!!??

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment