Arkiva/Në NIMÇË, vendin ku uranium dhe Radoni radioaktiv inert, kanë bërë namin. Fshati i humbur por që njihej në Kinë.

Nga Pirusti News

Koha Jonë 6 dhjetor 2007

 Nimça, është një fshat i thellë malor në rrethin e Kukësit, i vendosur në pjesën lindore të malit të Gjallicës. Ky fshat thuajse i panjohur në Shqipërinë e ditëve të sotme, ka bërë emër gjatë viteve ’70-’80, atëherë kur filluan kërkimet për gjetjen e mineralit të rrallë të uraniumit.

Megjithëse këto kërkime janë mbajtur “TEPËR SEKRET” gjatë asaj kohe, të gjithë nën zë pëshpërisnin se aty kërkohej uranium. Pavarësisht se ne jemi të panjohur në Shqipëri, fshati ynë është bërë i njohur deri në Kinë, – thonë me shaka fshatarët e Nimçës. Sapo kalon urën e Uzinës, në të djathtë të rrugës që të çon për në doganën e Morinit, marrim rrugën drejt Grykës së Vanave. Pasi kemi udhëtuar rreth 10 km në një rrugë automobilistike, e cila lidh Shishtavecin me Kukësin, jemi detyruar që të zbresim nga automjeti për të udhëtuar në këmbë drejt fshatit Nimçë, i cili është rreth 1 orë e gjysëm larg rrugës automobilistike.

Pasi kemi bërë rreth një orë e gjysmë rrugë në këmbë hasim dhe shtëpinë e parë të këtij fshati. Reahni na thotë se i zoti i kësaj shtëpie, Avni Toshi  ka punuar në galeri të Nimçës dhe fati e ka ndëshkuar atë rëndë, pasi si pasojë e rrezatimeve të marrë në minierë nuk i kanë jetuar shtatë fëmijët, ndërsa ka dy të gjallë, njëri me të meta mendore. Trokasim në shtëpinë e Nebi Koboçit. Përpara na del bashkëshortja e tij, Shkurta, pasi Nebiu kishte shkuar për dru në pyll. Kërkojmë të kontaktojmë me djalin e saj 20-vjeçar të sëmurë dhe ajo pa hezitim, na fut brenda në dhomë. Në një nga divanët, ndodhej i shtrirë djali i saj 20-vjeçar, Aliu. Ai ka lindur me të meta mendore. Megjithëse me fytyrë njeriu, këtë qenie njerëzore fati e kishte ndëshkuar në atë mënyrë saqë ai nuk kishte asnjë lloj perceptimi njerëzor. Kam bredhur gjithandej, por kërkund nuk ia kam gjetur hallin këtij fëmije, – thotë nëna. Është fëmija i parë që më ka jetuar, pasi dhjetë fëmijë që më kanë lindur para këtij më kanë vdekur të gjithë, pasi kanë jetuar 6-12 muaj. Pas Aliut, Shkurta kishte lindur dy djem dhe një vajzë që për fat ishin normalë. Djali më i madh ishte vetëm 16-vjeç. Ai ka lindur pasi ishte mbyllur miniera. Xhemali merrte një pension prej 6 mijë lekësh për punën në minierë, ndërkohë që djali i sëmurë merrte pension invaliditeti. Në qendër të fshatit takojmë një ndër ish-punëtorët e paktë të galerive që kanë arritur të mbijetojnë.

60-vjeçari Ymer Koboçi tregon për punën e tij 12-vjeçare në galeri të Nimçës. Puna në galeri të Nimçës ka qenë tepër e vështirë. Kemi punuar pa mjete mbrojtëse. Shpimi ka qenë i thatë. Punëtorëve asnjëherë nuk u është treguar se çfarë nxirrnin aty pasi mbahej sekret. Trajtimi ushqimor i cili ishte 5 lek në ditë, na jepej me vonesë. Inxhinierët e teknikët kinezë, por edhe ata shqiptarë, vinin shpesh herë në galeri dhe bënin matje me aparate të cilat hera herës jepnin zhurmë, por ne nuk na tregonin asgjë. Kur i dërgonim kampionët e mineralit në Tiranë, punonjësit e laboratorit sapo merrnin vesh se janë të Nimçes, vinin menjëherë dy palë maska. Specialistët kinezë na porosisnin që rrobat që i vishnim në punë të mos i merrnim në shtëpi, por ne nuk ua zbatonim porositë, pasi dhe ata si dhe specialistët shqiptarë nuk qenë këmbëngulës në urdhrat e tyre, – thotë Ymeri.

Në vijim, ish-minatori 60-vjeçar, sqaron se një sasi minerali kur është mbyllur miniera, është groposur në njërën prej galerive e cila është mbajtur sekret gjatë asaj kohe, por edhe sot e kësaj dite kjo galeri nuk dihet pasi punëtorët që kanë punuar në fshehjen e mineralit kanë vdekur të gjithë. Kur u mbyll miniera, specialistët na thanë se ky lloj minerali nuk mund të përpunohet në Shqipëri,- tregon Limani. Një tjetër person i mbijetuar është dhe Bilbil Hodo. Tetë fëmijë më kanë vdekur dhe tani kam vetëm një vajzë, – shprehet Hodo i cili thotë se vuan edhe nga sëmundja e mushkërive, e shkaktuar nga pluhurat që ka marrë në minierë. Për të punuar në galeri të Nimçes ka ekzistuar një urdhër, i cili ndalonte të posamartuarit për të punuar në këto galeri. Ky urdhër nuk është zbatuar asnjëherë pasi njerëzit për nevoja ekonomike insistonin për të punuar. Por edhe personat përgjegjës nuk i propagandonin pasojat e kësaj pune për arsye të mbajtjes së sekretit,- thotë Iliaz Hoda, i cili ka punuar 5 vjet në galeri të Nimçes.

Në fshatin Nimçe, rreth 3-4 punëtorë që kanë arritur të mbijetojnë veçojnë galeritë 108 dhe 115-të, ku ata i quajnë ato si galeritë e tmerrit. Njëri prej tyre, pikërisht Hajredin Koboçi, tregon kushtet e punës në këto galeri. Kam punuar 12 vjet rresht në galeri të Nimçes, por puna më e vështirë ka qenë në galeritë 108 dhe 115-të. Sapo futeshim në këto galeri na zinte gjumi. Disa herë punëtorët paralizoheshin brenda në galeri. I nxirrnim përjashta duke i mbajtur për krahu. Teknologjia e shpimit ka qenë e thatë. Kemi vuajtur nga mungesa e ujit. Shpeshherë mbushnim çizmet me ujë në galeri dhe e pinim,- thotë Hajredini. Edhe atij si shokëve të tjerë, tre fëmijët e parë i kanë vdekur, pasi kanë jetuar vetëm 6 muaj.

Qarkullonin thashetheme se në këto lloj galerish nuk lejohej të punoje më shumë se tre vjet. Por specialistët na bënin propagandë se nuk do të kishim asnjë pasojë nga puna në këtë minierë. Po të kërkonim më shumë informacion kishim frikë se na akuzonin për agjitacion e propagandë dhe nxjerrje të sekretit. Kushtet e punës kanë qenë mjaft të vështira. Ndërkohë që në minierat e tjera shpimi i lagët ka filluar në vitet 75, në galeri të Nimçes ka filluar pas dhjetë vjetësh, – tregon 56 vjeçari Rrahim Koboçi, i cili gjendet i shtruar në spitalin e Kukësit. Ai vuan nga sëmundja e mushkërive si pasojë e selikozës. Për ish-minatorët e Nimçes, në spitalin Nr.1 të Tiranës është një pavion i posaçëm, ku ata duhet të shtrohen në spital apo të kontrollohen tre herë në vit. Jemi në mëshirë të Zotit. Me pensionin që marrin ne nuk mund të përballojmë as çmimin e biletave për ë shkuar në Tiranë, – shprehen njëzëri të mbijetuarit e galerive. Disa nga minatorët që kanë vdekur nën moshën 50 vjeç.

Punimet për kërkimin e mineralit të uraniumit në fshatin Nimçe kanë filluar në vitin 1970. Gjatë vitit 1970-1974, kërkimet janë drejtuar nga specialistët kinezë në bashkëpunim me ato të gjeologjisë së Kukësit. Pas kësaj kohe punimet në Nimçe janë drejtuar nga gjeofizika e Tiranës, ndërkohë që specialistët kinezë kanë qene deri në prishjen e marrëdhënieve të Shqipërisë me Kinën në vitin 1980. Punimet në këtë minierë janë ndërprerë në vitin 1987 nën preteksin se minerali i nxjerrë nuk kishte mundësi përpunimi në Shqipëri.

Por edhe pas këtyre viteve -thonë fshatarët, interesimi për Nimçen nuk ka munguar. Në vitin 1994, policia e Kukësit ka arrestuar dy shtetas gjermanë, misionarë të një kishe kristiane, pasi ata janë gjetur në orët e vona të natës në afërsi të galerive të braktisura. Vitin e kaluar një punonjës i OKB-së në Kosovë me automjetin e tij me mbishkrimin UNMIK është kapur nga policia rrugore e Kukësit në këtë vend, por është lënë i lirë vetëm në sajë të statusit diplomatik që ai gëzonte. Ndërkohë mbi këtë fshat janë vërejtur herë pas here fluturime helikopterësh vendas apo edhe të NATO-s, ku thuhet se ata kanë realizuar matjet e radioaktivitetit në këtë zonë.

Gjatë kohës që kinezët kanë qëndruar në Nimçë, në vendin ku ata kishin ngritur kampingun, në anë të lumit, fshatarët kishin vënë re një kafshë të rrjepur të varur në një çingel. Ata kanë kujtuar se ishte ndonjë qengj apo kec dhe kanë pyetur njëri-tjetrin se kujt prej tyre ia kishin blerë kinezët. Asnjëri prej tyre nuk ka rezultuar që t’u kishte shitur specialistëve kinezë ndonjë qengj apo kec. Pas dy ditësh, njëri prej fshatarëve kishte konstatuar se i mungonte qeni i shtëpisë dhe më vonë është vërtetuar se kinezët i kishin vrarë qenin për ta ngrënë. Fshatarët e irrituar janë ankuar në komitetin e partisë së Kukësit, ku i kanë etiketuar kinezët si shejtanë dhe për këtë ata kanë kërkuar që të largoheshin nga fshati. Për këtë veprim specialistët kinezë kanë kërkuar falje dhe problemi ishte mbyllur me kaq.

Nje grumbull fëmijesh prej vapës kanë gjetur prehje ne gropën e madhe të mbushur me ujin e shiut, që ka rënë prej disa ditësh. Sa herë u kanë thënë prindërit që të mos u afrohen atyre gropave se jane shume te rrezikshme, por ky i nxehte nuk durohet fare. Pastaj uji është shumë i ftohet dhe i pastër. Ne fakt, gropa ku po lahen fëmijët i përket minierës se uraniumit në Nimçë, te rrethit të Kukësit. Katër gropa të frikshme të hapura në kurriz të malit të Gjallicës, një ndër malet me të pasur me rezerva te uraniumit në të gjithë vendin. Që prej kohës kur  u zbulua që aty kishte rezerva te ketij minerali, fshati nuk ka gjetur prehje.

Rrezatimi
…Puna në nje minierë të tillë kërkon mjaft kujdes, për të mos rënë pre e rrezeve. Por, megjithatë punëtorët asnjëherë nuk u pajisen me veshjet e nevojshme për t’u mbrojtur nga rrezatimi. Bile, paradoksi arrin kulmin: ata nuk kanë mbajtur masaka as në fytyrë për t’u mbrojtur nga pluhrat e rrezikshme. Ky është një kaos, thotë zoti Bardhyl Grillo, anëtar i zyrës së mbrojtjes nga rrezatimi dhe një ndër ekspertët më të mirë të rrezatimit në vendin tonë…Në vitin 1972 filluan punët për gërmimet në këtë zonë, pasi u konstatua se kishte uranium të niveleve të kënaqëshme botërore. Fshatarët, që punonin në këto galeri, tregojnë se asnjëherë nuk është nxjerrë uranium, por vetëm janë bërë gërrmime në këtë miniere. Pasi arrihej tek minerali, vazhdohej puna nëpër galeri të tjera…Duke gërmuar ishtë arritur te damarët e uraniumit, të cilët ashtu sic e kanë zakon filluan punën e tyre të ndikimit vdekjeprures në zonën përreth. Pjesa më e ndikuar nga rrezatimi ishte Nimça e Vogël, e cila ishte më e ekspozuar ndaj rrezatimeve.

Tragjeditë

Që nga fillimi i punimeve deri tani numërohen rreth 20 të vdekur nga rrezatimi. Pastaj nuk llogariten dëmet e shkaktuara në shëndetin e njerëzve…Ajo që duhet thënë është se akoma ato gropa janë të hapura dhe janë një kërcënim për fshatin, që ngadalë ka filluar të rrallohet. Nga 300 shtëpi, tani në fshatin e vdekjes ka vetëm 120 shtëpi që i ruhen aq shumë atyre gropave të mallkuara.

Aleksandër Ndoja , Nimcë 4 dhjetor 2007

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment