Gruaja Shqiptare e titulluar “Je diell e je hënë” e piktorit të mirnjohur Buron Kaceli do të jetë me motive nga Mirdita

Nga Pirusti News

Piktori Buron Kaceli padyshim mbetet një ndër lëvruesit më të shquar të arteve figurative kombëtare. Me një prejardhje prej artisti, Buroni mbetet vijues i  breznite të piktoreve Kaceli, të cilët kanë ditur të rendin njeri pas tjetrit me penelat në duar, si dekorues të mureve dhe piktorë të arkave. Në portretet dhe peizazhet e “Piktorit të Popullit” Sadik Kaceli e tashmë dhe te birit, Buronit, gjithmonë janë pasqyruar portrete artistësh, ndërsa Sadik Kaceli është një nga themeluesit kryesorë e “Galerisë Kombëtare të Arteve” por mbi të gjitha, Stema e Republikës së Shqipërisë ka autorësinë e këtij artisti.

Vetë Buron Kaceli, si njohës i mirë i traditave sipas trevave, këtë rradhë ka zgjedhur që kompozimi më i fundit që pritet të dalë nga studioja e tij, të ketë ngjyrime dhe motive nga Mirdita. Jo rastësisht “Gruaja Shqiptare” do ketë portretin dhe kostumin e vjetër të gruas mirditase. “Je diell e je hënë” do të quhet kompozimi i cili për tu realizuar sipas perceptimit artistik të autorit, ka bërë që studio imazherike të zhvendoset në Mirditë. I shoqëruar nga piktori Sefedin Stafa dhe fotografja profesioniste Denisa Myrtja nga Durrësi, piktori Buron Kaceli ka lëvizur në disa zona të Mirditës e konkretisht në zonën e Qafmollës pranë digës së hidrocentralit, për tu stacionuar në sheshin qëndror të qytetit Rrëshen. Gjatë gjithë edicionit lëvizës nëpër Mirditë, “nusja mirditase” Deniza Myrtja ka realizuar një set fotosh të cilat do t’i shërbejnë piktorit Kaceli, për të realizuar vepren e tij më të fundit. Ndërsa fotot më profesionale duket të jenë realizuar në sheshin “Abat Doçi”

Në Mirditë ata janë pritur e shoqëruar nga drejtuesit e Shoqërisë Kulturore Artistike “Mirdita” ndërsa kryetari i kësaj shoqërie, z. Pjetër Marku koleg dhe bashkënxënës i shkollës artistike, u ka dhënë detaje mbështetëse për etnokulturën mirditase, por dhe për historinë e artit të kësaj treve.

a.ndoja

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment