Kur del në pension një artist..!!/ “….çastet e fundit të punës….por jo të angazhimeve publike e qytetare”.

Nga Pirusti News

Shënim nga: A. Ndoja

“….çastet e fundit të punës….por jo të angazhimeve publike e qytetare”. Mbase kështu do të vijonte teksti pas disa pikave që ka lënë në një shënim qyetari i lire, poeti, shkrimtari, intelektuali safi Viktor Gjikolaj, me rastin e daljes së tij në pension. Për të mos folur më gjatë se kush është në fakt Viktori, unë po sjell një pasazh të një shkrimi që kam botuar në një organ shtypi, pesë vite më parë.

Viktori poet ka lindur në luginën ku çan lumi i Urakës në Kurbnesh. Kulla e tij e moçme e mirënjohur si kulla e Gjikolajve është zgjedhur të ishte në rrethim. Përballë, në njërën anë është “Kepi Gjon”, dhe në anën tjetër male pa fund, aq afër majat me njëri tjetrën sa duket se do të përqafohen. Por dhe vetë Viktori u rrit në rrethim. Lufta e klasave bëri namin edhe atje mes maleve dhe mineralit. Gjashtë burra nga familja e Viktorit poet arratisen nga ai vend, duke humbur përgjithnjë Alpeve të Ballkanit në përpjekje për ti shpëtuar komunizmit. Për Viktorin natyrisht fillon rrethimi i gjatë. Por lugina e bukur, lumi i Urakës me ujin e kristaltë brenda të cilit lundronte në liri trofta e rrallë, nuk kishte se si të mos ndikonte në formimin e poetit. Po edhe këtu në rrethim, poeti duhej që perlat e mendjes së tij, ti vishte me tis-in e autorit “popull” që ato të merrnin krahë, dhe Mirdita e tij të ishte e para në gara dhe konkurrime artistike brenda dhe jashtë vendit.

Nata e errët zgjati, zgjati në pafundësi dhe për Viktorin poet, por një ditë rrethimi i parë mori çarjen e madhe. Hapësirat e lirisë u zgjeruan aq sa poeti e pati të mundur të linte pas rrethimin e dytë, atë të maleve dhe natyrës, për tu vendosur aty ku mendonte se rrethimi për atë, kurrë më nuk do të ekzistonte……

Po ja si e përcjell vetë Vitor Gjikolaj, mesazhin e tij të daljes në pension..!

ÇASTET E FUNDIT TE PUNËS…

Është moment gëzimi dhe emocioni dalja në pension. E fillova punën në Kooperativën Bujqësore Kurbnesh 50 vjet më pare, sapo mbarova klasën e tetë. Kalova në rini në punë të vështira e nën presionin e luftës klasore, deri aty sa me hoqën edhe të drejtën e botimit të krijimtarisë letrare.

Punova në Kooperativë, druvarë në sektorin e sharrave, vagonist në minierë, deri në agim të pluralizmit në Shqipëri. Që nga data 16 maji 1992 e deri më 1 prill 2018, kam punuar në administratën vendore dhe atë rajonale. Tre herë titullar njësie, anëtarë themelues i Këshillit të Qarkut dhe specialist në këtë institucion, që nga viti 2004. Përgjatë kësaj periudhe 26 vjeçare nuk kam marrë penalizime nga auditi e as organet ligjzbatuese. Në punën time kurrë nuk bëra dallime me ata që mendonin ndryshe nga unë, përkundrazi, kam bërë kujdes në marrëdhënie me ta edhe se të tjerë e kanë bërë me mua.

Si specialist i Politikave të Zhvillimit, si audit si zëdhënës institucioni jam përpjekur të kem një përformim bashkëkohor. Largohem duke marrë me vete kujtime të bukura dhe vlerësime pozitive, pa u kthyer në një rrogëtar i ngratë. Unë nuk kam lënë në këtë institucion vetëm firmën në bordoro, por në qindra e qindra fletë të hartuara prej meje, si bashkëautor i thuajse të gjithë dokumentave strategjikë e promocionalë si skenarist, koordinator e moderator i shumë veprimtarive publike.

Me këtë rast falenderoj eprorët dhe kolegët e mi për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin, duke kërkuar ndjesë nëse reagimet mia ndryshe në dobi të punës, kanë lënduar ndokënd.

Uroj suksese pa fund, shëndet e mbarësi në familjet tuaja!

Do të doja që këto fjalë t’jua thoja në një koketeil timin me këtë rast, por ju për arsye të angazhimeve tuaja dhe mosdashjen dikujt, nuk patët mundësi t’i përgjigjeshit ftesës sime të sinqertë.

Prej meje jeni të mirëkuptuar, ky është realiteti shqiptar, por intelektualet e vërtetë nuk duhet të pajtohen me të as ta duartrokasin.

Me mirënjohje e respekt !

VIKTOR GJIKOLAJ

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment