Agim Doçi: Kënga ka humbur shumë, këngëtaret sot bashkëpunojnë me tekstaxhij dhe muzikuaj

Nga Pirusti News

Në krijimtarinë muzikore këngët që krijohen sot janë jetëshkurtra dhe nuk i kushtohet vëmendje vlerave kombëtare. Ky është një problem që është pohuar dhe më parë nga krijues të njohur, por dhe për poetin Agim Doçi sot kanë humbur shumë vlerat në këngë. Poeti Agim Doçi një nga emrat e vlerësuar me tekstet e këngëve pohon se sot nuk ka më frymëzim si dikur. “Mjeshtër i Madh” Agim Doçi shprehet se nuk ka më zëra këngëtarësh si dikur në festivalet e këngës, nuk ka kompozitorë si dikur që me muzikën e tyre kanë mbetur të paharruar. Në intervistën për “SOT” poeti ndalet dhe në problemet që ai shikon me mungesën e vëmendjes për aktivitetet në Vitin e Skënderbeut. Sipas tij përgjegjësia kryesore është e Ministrisë së Kulturës, që deri tani nuk ka dalë me një program të saktë edhe pse jemi në muajin e katërt të këtij viti. Pjesë e intervistës me poetin e njohur është dhe botimi i krijimtarisë së tij në poezi. Ai tregon se së shpejti do të vijë para lexuesve me dy vëllime me poezitë e tij.

-Në aktivitetin me krijimtarinë, me çfarë jeni marrë këto kohë?

Unë nisa punën për të respektuar edhe një Vendim të Këshillit të Ministrave për Vitin e Skënderbeut, dhe bëra një poemë, e cila do të shërbente si një tekst kënge për ta kënduar pesë këngëtarët që interpretuan më parë dhe himnin e 100 -vjetorit. Por kjo gjë nuk u arrit që të realizohej. Po ju them disa vargje:

  • Përmbi sup të Skënderbeut;
  • një pëllumb në fluturim;
  • mirëmëngjes i thotë atdheut;
  • mirëmëngjes ti kryetrim.

Frymëzimi im, që në koncertin e madh për nder të heroit të kombit të ishte dhe kjo këngë. Jemi në Vitin e Skënderbeut, por deri tani nuk shikojmë atmosferën që prisnim, pa organizimin e duhur nga institucionet, nga Ministria e Kulturës.

-Çfarë prisnit ju?

Deri tani nga Ministria e Kulturës nuk kemi parë një program të saktë, një axhendë. Ministria e Kulturës nuk ka na bërë gjë me dije për programin dhe sigurisht që përgjegjësia është e zonjës Kumbaro. Për mua le të jetë dhe katër mandate si kryeministër Rama po Kumbaron do të vendosë ministre Kulture, por unë nuk merrem me njerëz që janë të përkohshëm në kulturë. Unë e kam merakun te vlerat kombëtare të popullit shqiptar. Është viti i heroit tonë kombëtar dhe çfarë kanë bërë deri tani? Ne nuk dimë asgjë. Kush e ka këtë përgjegjësi? Mos vallë e ka ministri i Bujqësisë? Çdo përgjegjësi i shkon Ministrisë së Kulturës. Ne kujt do ti kërkojmë përgjegjësitë ministrit të Bujqësisë për këtë vit të heroit kombëtar? Është Ministria e Kulturës ajo që duhet të merret me organizimet dhe aktivitetet. Asgjë deri tani. Ministria e Kulturës duhet të mbledhë urgjentisht aktivin e artistëve më të mëdhenj të vendit. Dikur kemi pasur Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, sot nuk ekziston më, por që na mblidhet kur ishte kryetar Dhimitër Shuteriqi më pas i paharruari Dritëro Agolli. Unë s’e di më çfarë ndodh sot. Ne nuk kemi më as LSHA për të përkujtuar, festuar dhe bërë homazhe vlerave kombëtare. Politikanët shqiptarë kur vijnë mendojnë vetëm të pasurojnë xhepat e tyre.

-U bashkuat me artistët e teatrit në një protestë para disa ditësh, duke kundërshtuar vendimin për shembjen e Teatrit Kombëtar. Sa rëndësi ka për ju ajo godinë?

Kam një respekt të madh për aktorin Bujar Asqeriu. Në takimin e ditës së hënë në orën 18.00 për problemin e Teatrit Kombëtar protesta u udhëhoq nga një sindikatë. Unë jam shprehur që nuk duhet të shembet tetari, nuk duhet të ndërtohen kulla, por të aplikohet vizatimi i mjeshtrit të madh Bujar Kapexhiu, që ndërtohet një dhe ruhen dy. Teatri Kombëtar nuk mund të shembet, sepse është simbolikë. Më vjen keq nga situata që kemi prej vitesh e vitesh në art dhe kulturë dhe nuk investohet. Si djathtas dhe majtas politika shqiptare se ka pasur vëmendjen te arti. Kush ka qeverisur Ministrinë e Kulturës nuk ka qenë në gjendje që buxhetin e shtetit ta atashojë për mbrojtjen e objekteve kulturore, institucioneve të artit, por i kanë lënë të amortizohen dhe shkatërrohen. Kjo do të thotë që artistët e Shqipërisë që janë komuniteti më i varfër nuk përfitojnë as pronën e tyre intelektuale, pra të drejtën e autorit. Nuk mund të mohoj zhgënjimin e artistëve nga ekzekutivi shqiptar.

-Çfarë po ndodh me të drejtën e autorit, në çfarë situate janë tani krijuesit?

Ne jemi në gjyq me piratë mediatikë, që transmetojnë këngët e mjeshtrave të mëdhenj të muzikës, duke filluar nga Avni Mula, Pjetër Gaci, Agim Krajka, Agim Prodani, etj, kompozitorë të brezit të parë që kanë bërë këngë perla dhe ato qëndrojnë në buzë të njerëzve. Më pas fillojmë me brezin e dytë, me Spartak Tilin, Edmond Zhulali, etj, që kanë shkruar me qindra këngë dhe strehohen në arkivin e RTSH. Edhe pse ligji është miratuar në parlamentin shqiptar nuk po zbatohet sepse transmetuesit televizivë, radiot private, transmetojnë këngë dhe nuk paguajnë. Atëherë ne riorganizuam dhe agjencinë “Albautor”, që po përpiqemi prej vitesh dhe po shpërndajmë disa të ardhura aq sa mbledhim. Por ka ende shumë probleme për respektimin e të drejtës së autorit në vendin tonë.

-Çfarë ju shqetëson në këngët sot?

Nuk mund të bëhet kënga kur nuk ka kompozitorë dhe kur nuk kemi poetë në arenë. Kur nuk ke kompozitorë dhe hiqen më të aftit, atëherë çfarë do të bëjnë mediokrit dhe ata që janë të paaftë? Ata do të sjellin këngë jetëshkurtra. Më shqetëson tregu muzikor, që nuk paguhen krijuesit shqiptarë, është një problem i madh dhe paguhen ata që quhen producentë. Të kesh frymëzim do të thotë të krijosh. Pas Zotit që është krijues, vijmë ne krijuesit e tjerë. Po kush do të na frymëzojë ne sherret politike në parlament? Që në fakt bëjnë alibinë e sherrit, sepse paratë i ndajnë bashkë. Kush do të na frymëzojë, që dhe bletët janë dehur nga kanabis sativa? Kush do të na frymëzojë ne si krijues budallallëqet e akuzave të ndërsjellta mes sofrës politike? Kënga ka pesë elementë fabula që bën poeti, bulëza muzikore të mbështetura në muzikën shqiptare, por sot kanë filluar të imitojnë. Muzika kërkon bulëz, frymëzim. E treta, është orkestracioni, aranxhimi, por te cili orkestrues të shkoj unë kur s’i njoh? E katërta është rekuizita e këngëtarit. Sot në Shqipëri në 365 ditë rekuizita e këngëtareve është që shpalosin këmbët e pjesët e tjera të trupit dhe shkojnë atje ku bëhen silikonet. Elementi i pestë është interpretimi. Po e nis nga më të rinjtë dhe sot nuk ka më këngëtare si Aurela Gaçe, Manjola Nallbani, Ledina Çelo, nuk ka më interpretues kënge si ata që kanë qenë korifej në festivale dhe ngrinin sallën në këmbë si këngëtari Luan Zhegu. Kush mund të krahasohet sot me Vaçe Zelën, Parashqevi Simakun, Ema Qazimin, Liljana Kondakçi, etj? Këto këngëtare që vijnë për të kënduar sot kanë tekstet pa fabul, dhe këtë ia kërkojnë tekstaxhijve dhe muzikuajve.

Ku ka sot kompozitorë që bëjnë pasuri muzikore si Tish Daija, Tonin Harapi, Pjetër Gaci, Agim Prodani, Agim Krajka, Aleksandër Lalo Spartak Tili, Enver Shëngjergji, etj. Kompozitori Shëngjergji është i sëmurë dhe Ministria e Kulturës duhet ta nisë urgjentisht në një klinikë për kurim. Shëngjergji ka bërë perla muzikore në krijimtarinë e shkruar prej tij, por e kanë abandonuar. Një kompozitor që ka bërë perla dhe ne i këndonim të gjithë këngët e tij. Sot, 91 përqind e krijuesve janë pa punë, pse nuk i thërret ministria? Pse nuk bën një plan? Shikoni në stacionet televizive nuk dëgjojmë këngën shqiptare që ta ndjesh që është e tillë. Por shikoni te një televizion grek menjëherë kur dëgjon e kupton që janë vlerat e krijimtarisë muzikore greke. Atje e ruajnë me fanatizëm vlerat e muzikës greke. Sot ne kemi këngë që kopjohen nga brezat e rinj si muzika havey metal, na çmendi R&B. Po harrojmë vlerat kombëtare në krijimtari, dhe e gjithë kjo situatë sjell problemet me vlerat në muzikë. Sot mungon miniera e frymëzimit, të kesh fabul në këngë, poezi, të jesh pa stres. Sot bëjnë këngë jetëshkurtra, sepse mungojnë këto që përmenda. Ka studio të tilla që janë private dhe kompozitorë të ndryshëm, që nuk mbajnë asnjëlloj përgjegjësie në rast se nuk bëjnë një moratorium për t’ia dërguar shtetit dhe Ministrisë së Kulturës. Janë këngë sezonale, janë këngë që shkojnë i vënë në CD dhe jashtë në diasporë këndojnë me playback. Nuk ka më koncerte si dikur, sepse në kohën e diktaturës çdo fshat kishte vatrën e kulturës, çdo qytet kishte shtëpinë e kulturës. Ato vite bëhej Dekada e Majit, Koncerti i Pranverës, Festivali në RTSH, etj.

-Tekstet e këngëve tuaja ndër vite ju keni vendosur ti botoni. Po poezi të reja?

Unë po punoj për të botuar dy vëllime poetike, që janë veprat e mia ndër vite. Vëllimi i parë poetik, që do ta bëj me rastin 9 Majit do ta titulloj “Rituali” me poezi të pabotuara më parë. Është krijimtari e re. Përmenda datën 9 maj, sepse unë bëj 70 vjeç. Vëllimi i dytë titullohet “Ma hidhni hirin nëpër këngë” me tekstet e këngëve të shkruara nga unë duke filluar që nga viti 1987 dhe deri në vitin 2017, ku unë kam pasur fatin të më afrojë në festivalet e këngës një nga mbretëreshat e poezisë Zhuliana Jorganxhi. Ishte ajo që më ka hapur dyert e festivaleve të këngës dhe i jam mirënjohës gjithë jetën time.

Intervistoi: Julia Vrapi

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment