“Shi në Plazh”/ për dy orë me rradhë nën interpretimin e nxënësve të Gjimnazit Rrëshen

Nga Pirusti News

Nje pjese te komedise mund ta ndiqni ne:

Për afro dy orë me radhë salla e tejmbushur e Qëndrës Kulturore Rrëshen ka qënë e përqëndruar maksimalisht në ndjekje të komedisë së mirnjohur “Shi në Plazh” të autorit Teodor Laço. Në fakt në skenë nuk kanë qënë si gjithnjë të mirnjohurit Roand Trebicka, Elvira Diamanti, Birçe Hasko, Viktor Zhusti,  Agim Shuke, Mimika Luca, Ermira Gjata e Gjinovefa Rredhi,  por këtë rradhë skena ka mirpritur aktorët amatorë, nxënës të klasës së 11-të të Gjimnazit Rrëshen. Ata janë Klevis Pepkola, Megi Laska, Aron Gjoka, Domeniko Çupi, Sara Marku, Sexhi Picaku, Arsildo Molla, Isjola Përkeqi e Kiara Beleshi. Me një kujtesë brilante dhe zëra autoritativë ata kanë luajtur shumë bukur personazhet e mirnjohur si Zeno, Lajde, Alberi, Çome, Sandra, Lili, Milo, Izmini e Jeta. Nxënësit aktorë për disa kohë janë mbështetur në nismën e tyre nga mësueset Ana Bardhoku, Eglantina Dedaj dhe Enida Fizi.

Kanë qenë të shumtë, nxënës, prindër dhe qytetarë të tjerë që kanë ndjekur me mjaft vëmendje, pse jo janë shkrirë së qeshuri më batutat e komedisë interpretuar me mjaft saktësi nga nxënësit e gjimnazit. Aktiviteti u zhvillua në kuadër të ditëve kulturore që kulmojnë me 23 prillin, si dita e librit. Pikërisht në fillim të shfaqjes së komedisë e cila u duartrokit gjatë si në përfundim të saj ashtu edhe në mes të puntatave, u lexua përshëndetja si më poshtë:

Shekuj më parë diku atje tej në një epokë të lavdishme ku njeriu dhe arti u lidhën në një aleancë mirkuptimi dhe u bënë njësh me njëri tjetrin si kurrëndonjëherë më parë, u poqën dy Rilindas përvecse në një epokë edhe në një çast tragjik siç është vdekja.

Diçka u ndal aty më 23 prill të vitit 1616, por jo për t’u stopuar, gjithçka rrodhi në rrjedhshmërinë e saj nëpër shinat, që Servantesi nga Spanja e Shekspiri nga Anglia, kishin përgatitur për botën mbarë. Aq shumë tema universale e mezazhe po të tilla, aq sa shkrimtarët u frymëzuan, epokat pasuan njëra tjetrën secili me fytyrë nga ata për tu kërkuar të paktën një shenjë se ata ishin aty të pavdekshëm tërësisht.

Ditëvdekja e tyre u bë jo dhimbje por himn mbi Librin, himn mbi Artin e përjetshëm, i cili nuk është vetëm fjalë por edhe muzikë; nuk është vetëm muzikë por edhe buzëqeshje; nuk është vetëm buzëqeshje, por edhe tentativë. Arti janë miliarda ndjesi të vogla që lindin qoftë brenda një casti të vetëm.

Sot është dita e Librit, e cila lindi si vlerësim për këto figura të artit, por jo vetëm, përfshin të gjitha ata që i kushtuan librit jetën e libri i ktheu ata në një memorie jetëgjatësie deri sa e fundit qenie mund të rezistojë mbi dhe.

Si çdo 23 prill, ju kemi mbledhur këtu dhe ju falenderojmë të gjithëve që keni qenë gjithashtu këtu me ne për të ndarë sëbashku pakëz art.

Kësaj here ne kemi zgjedhur një komedi, shkruar nga Teodor Laço. Me muzikë të A. Lalos. Edhe ne po i kthejmë sytë nga ata për tu siguruar që janë këtu, ta pavdekshëm tërësisht…”

Përgatiti: A.Ndoja

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment