MIRDITË/NË BUKËL LIDHET HISTORIA E ILIRËVE DHE ARBËRORËVE

Nga Pirusti News

“Bukël” ose më saktë në një luginë të njohur historike që përfshin fshatra si Blinisht, Peshqesh e deri në Sërrisht, janë gjetur gjurmë dhe objekte të që provojnë katërcipërisht faktin, se ku dhe si lidhen ilirët me arbrorët. Merita absolute zë fill kur një mësues i ri dhe plot pasion e që më vonë do të merrte titullin “akademik” z. Mark Tirta, në fillim të viteve 60-të  kishte zbuluar disa objekte të rëndësishme. Pas kësaj ai që më vonë do të quhet “etnolog i shquar” do të dorëzonte këto objekte në sektorin e arkeologjisë në Tiranë. Kjo do të ishte një premisë e mirë që arkeologët  Skënder Anamali, Damian Komata dhe ekspertë të tjerë nxorën në dritë jo pak, por 53 varre dhe një material arkeologjik mjaft të pasur. Ndërsa falenderimi është për gazetarin Marin Mema, që shkund “sënduqet” e historisë për të nxjerrë në sipërfaqe ato fakte historike që për mos vëmendjen e duhur, përfundojnë nën pluhurin e harresës. (shën im, A.Ndoja)

Nga Marin Mema

Është fillimi i viteve 60 kur në zonën e Buklit në Mirditë nisën të dalin disa objekte mjaft interesante nga nëntoka. Arkeologu i ndjerë Skënder Anamali kujton në një botim shkencor të publikuar në vitin 1971, se zbulimet e para ishin të rastësishme dhe se ato u dorëzuan në sektorin përkatës të arkeologjisë nga etnologu i famshëm shqiptar Mark Tirta, në atë kohë mësues i zonës. Materialet patën dalë në dritë nga disa varre të zbuluara prej rrëshqitjeve të tokës e sipas specialistëve i përkisnin periudhës mesjetare.

Sigurisht ato shërbyen si një pikënisje, por askush nuk dinte nëse në Bukël këto zbulime ishin sporadike apo nëntoka fshihte diçka më shumë. Përgjigjen do ta jepnin gërmimet e vitit 1963 siç shkruhet në revistën “Iliria” ku Skënder Anamali, D.Komata dhe ekspertë të tjerë nxorën në dritë jo pak, por 53 varre dhe një material arkeologjik mjaft të pasur.

Si pjesë e malësisë së Mirditës, Bukli jo larg Shën Palit u kthye në një thesar të jashtëzakonshëm të trashëgimisë dhe kulturës , duke ngërthyer në të njëjtën kohë një histori sa tërheqëse aq edhe enigmatike.

Të gjitha objektet arkeologjike të ngjashme me të tjera të zbuluara të zona të ndryshme të vendit dëshmuan për atë që njihet si kultura e hershme shqiptare. Vendprehjet sipas arkeologëve i përkasin periudhës nga shekulli i VI  deri në atë të VIII, pra janë hallka lidhëse mes ilirëve dhe arbërorëve të mëpasshëm.

Sipas inventarit të kryer gjatë gërmimeve rezulton se përtej uniformitetit të ndërtimit të varreve, objektet e gjetura ishin të ndryshme dhe mjaft interesante.

E gjithë varreza përfshinte një sipërfaqe të madhe ç’ka dallohet edhe në skemën e realizuar në atë kohë.  Si drejtues i punimeve arkeologu Skënder Anamali ka realizuar një inventar të detajuar të çdo objekti të zbuluar, që më pas është analizuar në mënyrë të detajuar.

Fotografitë e publikuara tek “Iliria” janë një dëshmi e këtyre zbulimeve kaq të rëndësishme.

 Marrë nga “Tirana Today”

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment