Koncerti i fëmijëve të Rubikut, “Cicërimat e Pranverës”

Nga Pirusti News

 

Grupi i fëmijëve të qendrës kulturore “Abat  Doçi” në Rubik performoi këndshëm në skenën e Pallatit të Kulturës Rrëshen, në koncertin e titulluar “Cicërimat e Pranverës”.  Ra në sy materiali i pasur muzikor si këngët apo vallet dhe instrumentalet e luajtura me finesë nga orkestra e gërshetuar më fëmijë.

Grupi i fëmijëve, i drejtuar me pasion e përkushtim nga Ndue Përlala, arriti të shpalosë talent e mjeshtëri në shumë prej intepretimeve live duke rrëmbyer duartrokitjet e spektaktorëve të shumtë që kishin mbushur sallën, të ardhur nga  Rubiku dhe Rrësheni.

Fëmijët këngëtarë treguan se dijnë tia dalin edhe kur ata performojnë këngë të vështira sic ishin “Dua më shumë Shqipërinë”, “Vjen Paranvera”, “Dhuratë për ditëlindje”, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, “Ora e historise” etj, etj të kënduara para disa dekadave nga ikonat e muzikës shqiptare.

Solistët e vegjël të talentuar si Kejsi Kodra, Eurolinda Lleshi, Xhoana Pershqefa, Dehbora Gjeçi, Xhulja Zefi, Sharmel Jushi, Pamola Doda, u shoqëruan dhe nga komplekse të integruara me disa zëra të një shkalle të lartë vështirësie në interpetim.

Por gjithçka kaloi me sukses, falë dhe orkestrës, e cila edhe pse në një kohë farë te shkurtër, solli në skenë muzikë të bukur dhe korrektesë në shoqërimin e këngëtarëve të vëgjël. Gjithashtu duhet thënë se orkestra solli dhe material të një natyre tjetër për këtë moshë ku ishin nderthurur  instrumentet e muzikës moderne me atë popullore të krahinës.

Në tastiere Paulin Pali, klarinetë dhe instrumente të tjera popullore Pashk Filopati, bateri Beriland Kadeli, ne kitare Ndue Perlala dhe të vegjëlit Jonid Gjoci dhe Arbi Lleshi.

Vogëlushja Sara Kola solli nje performancë tejet të bukur në tastierë, çka tregon për një ardhje të re të suksesëshme për muzikën në Mirditë.

Grupi i valleve të Rubikut nën drejtimin e Liza Ndrecës si dhe ai i të vëgjëlve ne Rrëshen nën drejtimin e E. Markut, e mbushen me plot alegri sallën duke përmbushur një oaz të plotë koncertal në këtë mbremje të mbushur me Cicërima të bukura muzikore të fëmijëve.

Pallati i kultures Rreshen ndihmoi në paraqitjen sa më skenike të këtij programi si dhe në teknikën audio-ndricim nga Lin Kiku.

Koncerti u moderu me plot finesë nga Gerta Loku (Tushaj), e ndihmuar dhe nga drejtuesi i pallatit të kulturës Gjergj Marku. Vlen të përmendet puna e mirë që bëhet me talente në QK Rubik, mundësuar nga humanistja Marianne Graf, nën kujdesin e motër Adelinës, qoftë për muzikën nga muzikanti Kol Picaku apo, vallet nga instruktorët Liza Ndreca e Fran Gjergji si dhe ne fushën e humorit apo të animacionit etj.

Bëhet me dije se skena e Rrëshenit do të mirpresë dhe trupa të tjera muzikore nga zonat e Mirditës, shkollat etj, për tu kthyer kështu në një vend ku gjallon jeta koncertale, arti dhe kultura në përgjithësi.

a.ndoja

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment