Sh’Llezhdri ose (Aleksandri) i Mirditorëve, Mesha nga Imzot Palmieri dhe koncert festiv nga “Rozafa Expression”

Nga Pirusti News

Sh’Llezhdri ose (Aleksandri) i Mirditorëve, ka mbledhur sot qindra besimtarë në në Meshën e lajmëruar në ora 1000 në Katedralen e Rrëshenit. Të pranishëm kanë  qenë disa Ipeshkëvinj të Dioqezave të tjera, dhjetra meshtarë dhe motra që shërbejnë në disa prej Dioqezave të vendit.

I ftuar për pjesmarrje në përkujtimin e Pajtorit të Mirditasve, ka qenë edhe Ipeshkëvi Kristoforo Palmieri, i cili për 24 vite me rradhë ka shërbyer në Dioqezën e Rrëshenit, duke lënë vepra të çmuara në shërbim të komunitetit dhe besimtarëve të shumtë të kësaj ane. Vlen të theksohet se monsinjor Palmieri ka një kontribut të jashzakonshëm në ringritjen e besimit fetar në Dioqezën e Mirditës, ndërtimin e një Katedraleje në qytetin e Rrëshenit dhe shumë Kishave të tjera në Dioqezë, por edhe themelimin dhe ndërtimin nga e para të Shkollës Profesionale “Shën Jozefi Punëtor”, një shkollë elitare dhe konkurente me simotrat e saj në vendet më të zhvilluara europiane. Mons. Palmieri ka udhëhequr edhe meshën e ditës së sotme në Katedralen e Rrëshenit. Në ceremoninë e ditës së sotme i pranishëm ka qenë edhe kryetari i Bashkisë Mirditë z. Ndrec Dedaj, përfaqësues të Këshillit Bashkiak etj. Ne fillim të Meshës së Shenjtë, Ipeshëkëvi i Dioqezës monsinjor Gjergj Meta, ka folur për të pranishmi mbi Pajtorin i cili është edhe i Mirditës, Sh’Llezhdri.

Kush është Sh’Llezhdri (Aleksandri) i Mirditorëve?

Në fakt nuk ka qenë vetëm i mirditorëve, pasi shumë Kisha, në këtë pjesë verilindore të Shqipërisë, kanë pasur emrin e Sh’Llezhdrit, si në Selitë të Kurbneshit, Mat (Bulqizë), madje edhe në Tiranë (Përcëllesh), Elbasan (Tërbaç), në Dibër (Selishtë) madje edhe mali i Krujës, ku sot është teqja e Sari Salltikut, mund të ketë qenë Kishë e Sh’Llezhdrit. Por më e famshmja Kishë e Sh’Llezhdrit është ajo e Oroshit e cila ka ruajtur ndër shekuj edhe titullin e Abacisë, deri në vitin 1996 kur u krijua dioqeza e Rrëshenit.

Sh’Llezhdri apo shën Aleksandri është një shenjt martir i shekujve të parë të krishtërimit. Jetëshkrimi i tij është diçka ndërmjet historisë dhe legjendës. Ka dy variante kjo histori, por që mund të jenë edhe dy shenjtër me të njëjtin emër, në të njëjtën kohë.

Njëra histori e do martir në Bergamo të Italisë, ndërsa tjetra në qytetin Drizipera të Thrakës së lashtë. Le t’i shohim të dyja historitë shkurtimisht.

Sipas variantit të parë Aleksandri ka lindur në Thebë (Greqi) gjatë shek. III dhe ishte flamurmbajtësi i Legjionit legjendar të Thebës, i udhëhequr nga gjenerali Mauritius, i cili më vonë u martirizua dhe u shenjtërua në Kishën Katolike. Në vitin 301, ndërkohë që legjioni kalon nga Mesopotamia drejt Afrikës, mbërriti një urdhër i Perandorit Maksimian (M. Aurelius Valerius Maximianus 240 – 310), në të cilin kërkohej përndjekja e disa të krishterëve të pranishëm përgjatë kësaj ekspedite ushtarake. Trupat iu kundërvunë një urdhëri të tillë e kjo u kushtoi jetën shumë ushtarëve të këtij legjioni pranë Agaunum (Zvicër). Ndërmjet atyre që arritën t’i shpëtonin këtij persekutimi perandorak ishte edhe Aleksandri që, i akuzuar për mosbindje, vendosi të fshihej në Milano, që në atë kohë ishte kryqytet i Perandorisë dhe selia e oborrit të Maksimianit. Kapet dhe ikën disa herë nga burgu. Kur u kap herën e fundit i’u prenë kryet me 26 gusht 301 dhe kryet e tij u mor nga një grua fisnkike me emrin Grata. Pasi vdiq trupi i shën Aleksandrit u transportua përgjatë qytetit nëpërmjet Borgo San Leonardo dhe Borgo Pignolo, ku sipas Traditës, aty ku kulluan pika gjaku nga kryet e shenjtit, dolën lule.

Ndërsa varianti i dytë, i cili i afrohet më shumë rrethanave tona shqiptare, e shikon shën Aleksandrin përsëri një ushtar romak, i kohës së të njëjtit Perandor, i cili në moshën 18 vjeçare, për shkak të mosbindjes së tij, për t’u kushtur fli idhujve, arrestohet dhe dërgohet në Thrakë për të ndihmuar Tribunin Tiberius në persekutimin e të krishterëve. Aty përsëri mban qëndrimin e tij të prerë dhe arrestohet. Te ai mbërrin e ëma Pirenia e cila e inkurajon të mos dorëzohet. Ai do të torturohet barbarisht në qytetin Thrak të Filipopolit, në Bullgarinë e sotshme dhe më vonë do të martirzohet në qytetin tjeter Thrak i quajtur Driziperë, në Turqinë e sotshme. Me shumë gjasa kultin e shën Aleksandrit e sjellin fisi i vjetër i Thrakëve në trojet tona, të cilët, sipas ndonjë studjuesi, tkurren në zonën ndërmjet Matit dhe Dibrës, me shumë mundësi për shkak të mbrojtjes prej sllaveve. Kjo mund të justifikojë pse-në e kultit shumë të përhapur të Sh’Llezhdrit në këto zona e ndoshta mund të hedhë dritë edhe për çështjen e Abacisë së Oroshit, sidomos për karakterin e saj benediktin apo bazilian, pasi ky shenjt është shumë i nderuar edhe nga Kisha ortodokse. Pra është më se e besueshme që Thrakët e lashte kanë sjellë kultin e shën Aleksandrit martir në kët troje. Kjo edhe për faktin që shën Aleksandri romak, martir në Thrakë, e ka festën e tij me datë 13 maj, si në Kishën Katolike në Shqipëri e si në Kishën ortodokse. Ndërsa shën Aleksandri i variantit të parë e ka festën më 26 gusht.

Festa zhvendoset  në sallën e Pallarit të Kulturës me “Rozafa Expression” drejtuar nga Zef Çoba dhe artisten Roza Anagnosti.

Me një skenografi të të mirëorganizuar dhe me drejtimin e z. Gjergj Marku, festa ka vijuar me një koncert me miqtë e muzikes “Rozafa Expression”e cila është krijuar në vitin 1999, me inisiativen e dirigjentit dhe kompozitorit prof. Zef Çoba. Në këtë aktivitet ka marrë pjesë me performancë mjaft të vlerësuar edhe Artistja e mirnjohur e Kinematografisë Shqiptare, Roza Anagnosti (Xhuxha).  Në fillim të aktivitetit ka përshëndetur Kryetari i Bashkisë z. Ndrec Dedaj i cili ndër të tjera tha:

Piksëpari ju uroj Gëzuar festën e “Shën Llezhdrit”, ose Shën Aleksandrit i cili njëkohësisht është edhe pajtori i Dioqezës tonë. Si kryetar i Bashkisë, por edhe si qytetar i thjeshtë i Mirditës, ndjehem krenar pë këtë tokë e cila jo rastësisht quhet “Toka e Katedraleve”. Ndjehem krenar për historinë dhe sakrificat e popullit të Mirditës për ruajtjen e identitetit të besimit në rradhë të parë, dhe në këtë aspekt një rol të jashzakonshëm ka pasur Kisha, kanë pasur misionarët e Kishës që kanë shërbyer dhe kontribuar në Mirditën tonë që nga thellësitë e shekujve deri në ditët e sotme. Vlen të kujtojmë disa prej tyre si Gaspër Krasniqi, Abat Doçi njëri prej hartuesve ë alfabetit shqip, martirin Frano Gjini, i cili dha dhe jetën në shërbim të Zotit dhe qytetarëve. Këtu kemi edhe mbesën e imzot Frano Gjinit dhe i uroj mirëseardhjen në këtë aktivitet. Marko Gjura po ashtu. Dua të shpreh respektin dhe mirënjohjen time për të gjithë këta që i shërbyen Kishës dhe qytetarëve të Mirditës.

Gjithashtu respekt dhe mirënjohje për Kristoforo Palmierin i cili ka dhënë shumë për banorët e Mirditës e më gjerë, sidomos për shkollën profesionale që ka ngritur këtu, dhe siç e kam thënë edhe herë të tjera me ndërtimin e kësaj shkolle ka ndërtuar përjetësinë e Tij në këto anë, duke aftësuar breza të tërë për konkuruar në tregun e punës. Po ashtu shpreh respektin tim për mons. Gjergj Metën për kreativitetin e tij në drejtimin e Dioqezës sonë. Respekt po ashtu për motrat Vinçensiane që në bashkëpunim me Bashkinë Mirditë kanë suportuar jashtë mase për dhënien ndihmë të familjeve dhe njerëzve më në nevojë. Falë bashkëpunimit Bashki – Dioqezë kemi arritur shumë, dhe kështu do të ndodhë edhe në të ardhmen. Z. Ndrec Dedaj ka përfunduar duke uruar Gëzuar me të gjithë festën e Shën Llezhdrit.

Ndërsa Ipeshkëvi mons. Gjergj Meta tha se  unë do flas shkurt, pasi i thashë fjalët e mija në Katedrale, prandaj falenderoj të gjithë ju që jeni të pranishëm, kryetarin e bashkisë, monsinjor Palmierin, të gjithë Ipeshkëvinjtë, meshtarët, motrat dhe të gjithë besimtarët. Edhe një herë më lejoni për të falenderuar ata që na kanë ardhur nga larg. Ky është le të themi fillimi i një tradite. Traditat krijohen duke u mbajtur. Në këtë vit kemi arritur të realizojmë kaq, me lutjen mbrëmë, me Meshën dhe koncertin sot, me Meshën që do të mbahet nesër në Orosh. Shpresojmë që vitin tjetër të bëjmë kaq, por të bëjmë edhe diçka më shumë, në mënyrë që të vazhdojmë me një traditë festimi për pajtorin e Dioqezës tonë. Edhe një herë Gëzuar.

Më tej të pranishmit kanë ndjekur koncertin e realizuar nga kori artistik nga Shkodra “Rozafa Expression” me drejtues artistin e mirnjohur Zef Çoba dhe artisten e mirnjohur Roza Anagnosti (Xhuxha). Nesër do të vijohet me një Meshë në Kishën e Oroshit.

Pergatiti: Aleksandër Ndoja

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment

Share