Nxënësit e “Pashko Vasës” zbukurojnë sheshin “Abat Doçi” me një aktivitet festiv që lajmëron pranverën

Nga Pirusti News

“Pashko Vasa” ka zbarkuar në “Abat Doçi” me një grup të madh nxënësish të cilët me performancat e tyre plot ngjyra për dy orë a më shumë, kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve të shumtë që kanë ndërprerë xhiron tradicionale të mbrëmjes, për të ndjekur një spektakël live në këtë stinë pranverore. Është fakt që mësuesja e lëndës së edukimit fizik Lindita Hoxha, ish volejbolliste e spikatur e ekipit elitë të “Minatorit” punon pa u lodhur që nxënësit e kësaj shkolle me drejtues Atlant Picakun, të shkëlqejnë në lëndën shumë të domosdoshme të edukimit fizik, por edhe të japin herë pas here spektakle në sheshin e qytetit. Në këtë angazhim mësimor por edhe publik, janë mjaft të angazhuar dhe dy mësuesit e tjerë të kësaj lënde, Edison Nikolli dhe  Elvis Lleshaj. Performanca shkollore që ka nisur rreth orës 1800 është mbështetur dhe monitoruar nga Presidenti i Komitetit Olimpik Rajonal z. Prel Pjetrushaj, i cili në emër të këtij komiteti ka ofruar bluzat dhe uniforma olimpike që u përdorën në performancën e pasditës së sotme.

Parada olimpike ka nisur me një takim masiv në ambientet e Katedrales Rrëshen, e cila ka shërbyer si pikë nisje me pishtarin e ndezur në drejtim të sheshit “Abat Doçi” të qytetit. Nxënësit të veshur me kostume olimpike kanë realizuar një hyrje në formë parade e që ka startuar me vendosjen e pishtarit të ndezur në qendër të sheshit. 

Më tej sheshi është mbushur me cicërimat e fëmijëve të Kopshtit të shkollës “Pashko Vasa”  Rrëshen, me mësuese Dhurata Laska. Fëmijët kanë tërhequr një audiencë të admirueshme me numrin aerobik nën tingujt ë këngës “we are the world”. Ndërsa aktiviteti ka vijuar me një numër realizuar nga vajzat ku në sfond kishin këngë të Shqipërisë së Veriut. Është vijuar me kërcime të ndryshme aerobike, ndërkohë që aktiviteti pati në përbërje të tij edhe një këngë kënduar nga vajzat Mirjeta Shkurti dhe Fjoralba Duka. Është realizuar një kuadrat performant, shoqëruar me kërcime aerobike, lojra të ndryshme më pas u kalua në stafetën e lojrave olimpike.

Si në raste të tjera, kanë qenë nxënësit e shkollës së Mesme “Ndrec Ndue Gjoka” të Njësisë Administrative Fan, nën kujdesin e mësues Vera Gjoka që kanë përshendetur në “Abat Doçi” me numra aerobikë. Ndërsa aktiviteti ka vazhduar me këngë të ndryshme, me garën e biçikletave, për tu mbyllur me dorëzimin e kupave të fituesve.

Ajo çfar spikati në këtë aktivitet kulturor e artistik është bashkëpunimi i ngushtë dhe i vazhdueshëm mes shkollës “Pashko Vasa” dhe prindërve të nxënësve të kësaj shkolle. Në fund drejtori i kësaj shkolle z. Atalant Picaku ka falenderuar mësuesit e lëndës që mundësuan këtë aktivitet mjaft të vlerësuar nga publiku, Drejtorinë Arsimore, QKF dhe Qëndrën Kulturore Mirditë, për mbështjen e dhënë për mbarëvjatjen e këtij aktiviteti.

a.ndoja

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment