Një vizitë në qelitë që në dy kohë më shumë se për ta ndëshkuar, prodhuan krim ndaj njeriut.

Nga Pirusti News

Shumëherë kisha dëgjuar për qelitë e paraburgimit të Policisë së Mirditës. Kisha dëgjuar për kushtet ekstreme në të cilin ndodheshin të burgosurit për vite me rradhë. I bindur se çdo i burgosur duhet të përgjigjet për krimin që kryen, por që dhe brenda qelive duhej të ndihet qytetar me të gjitha të drejtat njerëzore, kam denoncuar ndër vite me shkrime të shumta në shtypin e kohës situatën e rëndë, por gjithsesi e kisha me të dëgjuar.

Prej vitit 2004 ato qeli nuk përdorën më. Dje pata rastin të vizitoj të gjitha ato dhoma tmerri. Mjafton të hysh në derën e parë për të kuptuar se ajo çfar ke dëgjuar, nuk ka qënë asgjë para asaj që shikon. Ky vend nuk ka qënë për të ndëshkuar krimin, por ky vend ka prodhuar krim. Vetëm 1.5 metra të gjera dhe brenda tyre kanë jetuar ose më saktë kanë mbijetuar, deri në 8 të ndaluar njëkohësisht.

Pyetjes time se si mund të qëndronin në këtë situatë 8 persona në një kohë, shoqëruesi im pak me më shumë informacion në këtë drejtim na thotë se katër prej tyre flinin, ndërsa katër të tjerë ishin të detyruar të qëndronin në këmbë dhe kështu përsëritej situata. Ato qeli janë ndërtuar në vitin 1949 dhe kanë funksionuar deri në vitin 2004, a më shumë.

Mirë se para viteve 90-të kjo situatë ishte e “pranueshme”, pasi në të njëjtën situatë ndodhej gjithë Shqipëria, po si është e munduar që një situatë e tillë, madje edhe më e vështirë ka qënë dhe shumë vite në tjera në demokraci. Si është e mundur që kanë heshtur prokurorët, gjyqtarët, avokatët, shoqatat e shumta për mbrojtjen e të drejtave të njeriut që më shumë se për të vjelur fonde nga bota….në emër të atyre fatkeqëve që jetonin në ato kushte mizerabël….Si mundet..

Nga ajo çfar vëren kupton se ndodhen 8 dhoma të tilla. Njëra, dhoma me nr 8 ka qënë me vështira se kufizohej me tualetin dhe gjithmonë mbante lagështirë. Kurrë në ato dhoma nuk ka pasur krevatë, vetëm disa dyshekë direkt në dysheme të cilët edhe sot kanë mbetur si “trofe” e një kohe të çmendur në dy kohë të ndryshme, por të njëjta brenda qelive.

Teksa kalon derën e pare, në të majtë janë dhomat e ajrimit dhe ato të izoluara, por me hapësira të siguruara me hekura në pjesën e tavanit. Ndërsa pasi kalon edhe një derë tjetër, në të djathtë ndodhet dhoma e hetuesisë. Dhoma ka disa rafte të hapura, por edhe një tavolin prej hekuri e kapur në beton ku qëndronte i akuzuari. Ndërsa shfaqet korridori i gjatë, dhe ai shumë i ngushte ku qëndronte i “burgosur” polici që mbikqyrte bujtësit e dhomave, përmes një dritareje të vogël.

Pak histori.

Ka qënë fillimi i vitit 1949, kur qendra e Mirditës përfundoi se vendosuri në Rrëshen, ku është edhe sot. Pikërisht në ato muaj të fortë aksioni, përpos të tjerave imediate për rregjimin që po instalohej, ishte edhe ndërtimi i një burgu që do të izolonte sidomos kundërshtarët e rregjimit, por edhe kategori të tjera keqbërësish që shfaqen në çdo rregjim.

Kështu pikërisht këtë vit nisi dhe u ndërtua burgu famëkeq, më torturues se torturat. U identifikuan të gjithë ata që kishin kafshë pune dhe u thirrën në aksion pa pagese. Rreth 30 burra me kafshë të ndryshme si kuaj dhe mushka mbartnin rërën dhe zhavorrin nga bregu i lumit Fanë, për në hyrjen e qytetit ku u përcaktua të ndërtoheshin qelitë e burgut dhe vetë ndërtesa e policisë.

Një bashkohës kujton se ndër disa që ishin thirrur për të transportuar zhavorrin dhe rërën ishin Pjetër Gj. Përtena, Gjon Ll. Gjoka, Ndue M. Pjetri, Nikoll Ll. Deda, Ndue Gj. Gega, Gjon N. Mhilli, Zef Gj. Lleshi etj, teksa drejtonin kafshët e ngarkura, në formë shakaje ndonëse të hidhur shpreheshin me njëri tjetrin se ndoshta po ndërtojmë ato qeli për veten tonë.

Kjo i kishte shkuar në vesh kryetarit të degës së asaj kohe, Hysen Goricës i cili me një ton kërcënues u kishte thënë të punonin dhe të linin llafet, se me të vërtetë mund të përfundonin në ato qeli. Dhe brenda tyre qëndruan me qindra në dy kohë. Qëndruan fatkeqë që u arrestuan pas një aksidenti, për 10 lekë të vjetra në defiçit, por qëndruan për muaj më rradhë deri edhe me vite kundërshtarë të vërtetë të rregjimit, por edhe viktima të tjera të klaneve që forcoheshin e binin. Pikërisht në këto qeli qëndruan Qani Sinani, Miço Elezi, Sherif Merdani e Pal Marka Deda. Qëndruan martirë si Preng Skana apo një listë e gjatë rezistetësh ndaj komunizmit si pinjollë të fiseve të njohura të gjomarkajve, melyshëve, paçukëve, mollajve, vukajve, gerajve etj, etj, pse jo pak fise kanë shpëtuar…

Aleksandër Ndoja. Kronike e dates 08 shtator 2018

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment