Dyzet vite në skenë, “Mjeshtri i Madh” Mark Gjoka një ditë festive te “Mrizi i Zanave”, Fishtë

Nga Pirusti News

Dyzet vite në skenë, ndërsa sot kur sapo ka mbushur gjashtëdhjetë vite nga lindja, kantautori Mjeshtër i Madh, Mark Gjoka ka mbledhur në një takim festiv qindra miq, familjarë, shokë, bashkpunëtorë të artit e skenës nga të gjitha trojet shqiptare. Kështu “Mrizi i Zanave” edhe një herë bëhet suport i një aktiviteti i cili ngado ta këndvështrosh përcjell art, kulturë, traditë e histori. Janë mbledhur kaq shumë njerëz aq sa mjeshtri i skenës e ka të vështirë të orientohet apo të përmbajë emocionet. Ndërsa të ftuarit kanë zënë vendet, Mark Gjoka thotë se sot i mungojnë këngës time ata që na lindën e na sollën deri këtu, pra nëna dhe babai im, i mungojnë këngës time një nga emrat më të shquar të artit shqiptar, i cili kësaj kënge i dha krah qiellor, mjeshtri i madh i artit dhe kulturës shqiptare, Gjok Beci. I mungon këngës time një personalitet politik, por edhe artistik, që i ka dhënë mbështetje të fuqishme artit dhe kulturës lezhiane dhe shqiptare, Gjovalin Kadeli. Modestisht dua t’u them se kam shumë miq, por kondicioni i lokalit më bëri që që unë të zgjedh ata miq që për 40 vjetë me rradhë kanë shoqëruar dhe kanë mbështetur 10-fish këngën time, artin dhe kulturën shqipe. Prandaj dua t’u falenderoj të gjithëve mirëseardhjen, t’ju uroj që të kalojmë sa më gëzuar dhe sa më këndshëm. Duke përfunduar, z. Mark Gjoka tha se kam përzgjedhur një ndër nxënësit e mij, kam përzgjedhur një Luan, emër i mirënjohur i publicistikës shqiptare.

Ndërsa Luan Rama i zhveshur totalisht nga pozicioni i politikanit, ka marrë në dorë drejtimin e ceremonisë festive. I ndodhur mes miqsh që zënë fill që në Kurbnesh si Viktor Gjikolaj, Bardhok Koka e Bardhok Sulejmani, por edhe miq dhe bashkpunëtorë më të vonë gjatë kohës që ndiqte mësimet në gjimnazin e Rrëshenit, si Kol Zefi, Drane Përgega etj. Luan Rama tha se ndjehem i respektuar dhe i nderuar që që jam pjesë e këtij mjedisi, e këtij grupimi të zgjedhur. Është fakt se kjo zgjedhje ka të bëje me 40 vite të karierës tënde në muzikë. Marku e tha pse unë duhet ta bëj këtë gjë sot. E para se edhe unë bëj pjesë ndër ata që Markun e njoh prej 40 vjetësh. Unë kam qenë nxënës i Markut në klasën e 5-të, në shkollën 8-vjeçare në Kurbnesh dhe kam ndjekur për 40 vjetë me rradhë karierën e tij artistike, siç kam ndjekur për 40 vjetë me rradhe gjithë zhvillimet kulturore dhe artistike në Mirditë. Kam patur fatin dhe privilegjin të jem pjesë dhe të rritem në këtë mjedis.

Duke vijuar shkurtimisht me disa kujtime nga Kubneshi, Luan Rama rrëfeu për tentativën e Markut për ta futur në rrugën e këngës, por siç e rrëfen ai, Marku dështoi, pasi ku u përzgjodhën elemetët për festivalin e Gjirokastërës nuk vajta unë se nuk dija të këndoja, por vajti Lindita me “lulet e Linditës” një këngë kaq e bukur e shkruar nga Gjok Beci e muzikë nga Mark Gjoka. Por nëse Marku dështoi me kengën te unë, Zef Nikolli fitoi me futjen time në rrugën e recitimit të poezisë. Më tej Luan Rama tha se mes nesh sot ndodhen nga ata emra që kanë qenë palca e grupit të burrave të Mirditës, të cilët kanë ngritur një monument krenarie arti dhe kulture mirditore, dhe kanë krijuar reference vlerash ku gjithësejcili mund te gjeje modelin se si duhet kënduar dhe respektuar me krenari, kënga mirditore. Në fund ai ka falenderuar pronarin e “Mrizit të Zanave” z. Altin Prenga, që ka bërë me kontributin e vet këtë ishull simpatik e domethënës, si referencë kur bashkohet shpirti artistik me vizionin për të ndërtuar një bisnes të suksesshëm.

Kënga e parë që ka çelur momentet e gjata festive ka qenë kënga e “Mrizit të Zanave”. Ndërsa është vijuar me këngë të shumta, kënduar nga këngëtarët Kol Zefi, Gjela e Dhurata Duka, Ndoc Lekgega, Desara Smaka, Tone Gjoka, Pjetër Matusha, Kurt Lika e Esat Ruka etj. Ndërsa është ndjekur me vemendje edhe kënga me tekst të Gjok Becit, “Rrjedh në këngë e ligjërime”, kënduar nga këngëtari nga Kosova Shaban Krasniqi. Situatën e ka ndezuar edhe kënga “Moj e mira” kënduar nga Fazli Rashica e PhD Islam Qerimi, po nga Kosova.

Arif Vladi tha se me Mark Gjokën jemi shokë shkolle nga e mesmja e shokë aktivitetesh të shumta. Jemi dashmirës shumë të mirë, pasi të gjithë e dinë se unë jam nip Mirdite, nip në Selite. Duke përfunduar, Arif Vladi tha se të flasim për njëritjetrin e kemi të vështirë, prandaj më mirë të kendojnë për njëritjetrin. Këtu Mark Gjoka ka ndërhyrë me një detaj në lidhje me këngën “hit” të mirditasve “Si vendlindja jonë nuk ka”. Mark Gjoka ka kujtuar se spo u dëgjua kënga pati ndërhyrje nga politika. Për të mos dështuar në publikimin e parë të saj në Rubik, kemi ftuar Arif Vladin i cili kishte një emër shumë të fuqishëm në atë kohë. Arifi erdhi në Rubik e kënga u këndua. Prej asaj kohe kjo këngë këndohet pafundësisht.

Në këtë eveniment sa festiv e promues vlerash kanë përshendetur Bardhok Sulejmani ish drejtues i Kulturës në Mirditë, Viktor Gjikolaj një pendë e artë e vargut të këngës mirditase, maestro Zhani Ciko muzikolog i shquar, Murat Xhafa ish drejtues i pushtetit ekzekutiv në Mirditë, miq të ardhur nga zvicra që bashkëpunojnë në kuadër të shoqatës “Shega Lezhiane” drejtuar nga Mark Gjoka, të cilët kanë sjellë shumë pajisje muzikore për shkollat në Lezhë e Rrëshen. I pranishëm me përshëndetjen e tij ka qenë edhe këshilltari i presidentit, z. Arber Bashkurti.

Në këtë aktivitet Shoqëria Kulturore Artistike “Mirdita” ka akorduar çertifikatë mirënjohje për z. Mark Gjoka, me motivaconin: Për kontribut të çmuar 40 vjeçar në promovimin folkloric e qytetar, të këngës mirditase. Festa ka vijuar në një atmosferë mjaft entuziaste, ku përveç përshëndetjeve dhe evokimit të viteve kur zuri fill shfqja muzikore e mjeshtrit të madh Mark Gjoka, janë shpalosur përlat e këngës folklorike dhe të kultivuar mirditase.

Nga Fishta: A. Ndoja

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment