Jazegjinjtë (faqezinjtë) antishqiptarë, kundër Gjergj Kastriotit!

Nga Pirusti News

Nga: Preng Cub LLeshi

-..Dhe flamurin e mbrojtësit të këtyre “tezave” të zeza e rroku njëfarë historiani i Perandorisë Osmane me emrin Olsi Jazegji. Idetë e tij, që binin erë fondametalizmi islamik, u shfaqen gjatë disa debateve në stacione të ndryshme televizive dhe u bënë më të njohura në një letër që u dërgonte Olsi historianëve tanë të njohur Pëllumb Xhufi dhe Moikom Zeqo…-

 Asnjë shqiptari, që i thotë vetes shqiptar, përpara viteve `90-të, nuk i kishte shkuar ndërmend se do të vinte dita e zezë kur, pasi u shembën përmendoret, bustet e simbolet e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, radha do t`i vinte edhe Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit! Po ja që “ofensiva” kundër majës më të lartë të heroizmit shqiptar, Gjergjit lavdimadh, nisi aty nga viti 2008, kur profesori Ardian Klosi na “zbuloi një libër “interesante” të historianit austriak Oliver Jens Schmit.

Atëherë profesori ynë, në një intervistë dhënë “Gazetës Shqiptare” të datës 17.12.2008, shkruante se kjo vepër ishte “botimi më i plotë për Skënderbeun …origjinale, e veçantë dhe jashtëzakonisht tërheqëse…”. Dhe dukej, sipas kësaj logjike, se nuk qëndronin më as veprat monumentale të dy kolosëve të kulturës shqiptare, që e kanë ngritur Gjergj Kastriotin në piedestalin e lavdisë së përjetshme: Marin Barleti e Fan Noli, as veprat e historianëve shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit të njëzet: A. Buda, K. Frashëri e të tjerë. Dilte kështu në foltore profesori A. Klosi dhe thërriste i ngazëllyer: “Babai i Skënderbeut quhej Ivan, Gjon është emër i shpikur”. (?!) “Harronte”, me sa duket, se historiani Milan Shuflai e kishte shpjeguar se “zoti Gjon…në shkresat mbretërore serbe, thirrej Ivan Kastrioti.” (“Serbët dhe shqiptarët”, botim i vitit 2002, f. 240)

Po A. Klosi, si i mahnitur nga “zbulimet” sensacionale të kolegut të tij, Oliver Jens Schmit, thoshte edhe një marrëzi tjetër kur shkruante se “Sulltan Murati II i ka vrarë të atin dhe kjo është arsyeja që ngriti armët kundër osmanëve”. (?!) Dhe, pas kësaj, i vinte kapak “konkluzionit” bastard të tij duke pohuar se “Nga kjo del që Gjergj Kastrioti është hakmarrë për familjen e tij” (?!), “tezë” që jo vetem i çudit, por edhe i revolton ata që i kanë kaluar nëpër duar veprat e historianëve të tillë si M. Barleti, F. Noli, Aleks Buda, Kristo Frashëri, Kasem Biçoku, Athanas Gega e të tjerë. Se ata nuk mund ta besojnë një trillim të tillë, që synon të zbehë, sadopak, dritën që ndrit figurën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti. Se ky vigan i historisë sonë nuk u kthye në Shqipëri “për të marrë gjakun e babait”, por për t’i shpëtuar bashkëkombësit e tij nga robëria turke në shekullin XV.

Por A. Klosi u shtonte marrëzive të tij, kur i përgjigjej pyetjes provokuese të gazetares, që ishte ndërtuar në formën e një pohimi absurd, për t`i ardhur në ndihmë të intervistuarit: “Në parathënien e kësaj monografie shkruhet se Skënderbeu është një hero, por jo një hero që bëri luftë dhe fitoi disa beteja, por si një hero që shkaktoi tragjedi”. (?!) Dhe kësaj pyetjeje të çuditshme profesori i përgjigjej me siguri prej profeti: “Kjo është e vërtetë “. (?!)
Dhe shkonte më tej A. Klosi, kur, duke komentuar monografinë e Oliver Jens Schmitt për Gjergj Kastriotin, përsëriste idenë e kolegut të tij austriak kur theksonte se “shoqëritë kanë nevojë për heronj dhe, si të tillë, ata krijohen sipas dëshirës së popujve (?!), pa u mbështetur në fakte historike. (?!) Kjo ka ndodhur edhe tek ne”. (?!) Dhe shtonte këtu idenë e mbrapshtë, sipas të cilës Skënderbeu është një “hero mitik”. (?!)

Dhe pilulat e helmit derdheshin më me rrëmbim kur profesori, duke komentuar monografinë e Oliver Jens Schmitt, shkruante: “Skënderbeu, ishte më shumë shqiptar se sa sllav (?!), se nënën e kishte Brankoviç”. (?!), duke vënë kështu në dyshim edhe kombësinë e Gjergj Kastriotit, duke “harruar” që Fan Noli, diku në veprën e tij për Heroin tonë Kombëtar shkruante: “Thaloc dhe Jeriçek, (në veprën “Zwei Urkunden aus Nord Albanien”-, shënimi im), e quajnë përrallë sllavërinë e Kastriotëve dhe shtojnë, se llagapi i tyre tregon se i kishin rrënjët nga një fshat i quajtur Kastri”, që është afër fshatit Vig të Mirditës. (F.Noli, vepra-4, f. 64)

Këto “teza” të zeza, që u përkrahën atëherë edhe nga intelektualë të tillë si Artan Puto, Fatos Lubonja, A. Fuga. Prof. Dr. Hysamedin Feraj e të tjerë, pas një heshtjeje bukur të gjatë, u shfaqën më me egërsi gjatë këtij viti. Borizan i tyre u bë, në fillim, analisti Mustafa Nano, i cili u pasua shpejt edhe nga intelektualë të tjerë, si Artan Lame, Fatos Lubonja, imami Armand Aliu e ndonjë tjetër.

Dhe debati mori flakë, kur zërave të çjerrë të këtyre intelektualëve “për çmitizimin” e figurës së Gjergj Kastriotit, iu bashkua edhe zëri i ca hoxhallarëve, imamëve dhe i ndonjë “teoricieni” të fesë islame. Se këta zëra, duke shkuar tej idesë së “çmitizimit” të figurës së Gjergj Kastriotit, kërkonin fshirjen e emrit të tij si Hero Kombëtar i shqiptarëve, duke e paraqitur atë si “tradhëtar të Sulltanit”, si “terrorist” e si “vrasës të myslimanëve”. Dhe flamurin e mbrojtësit të këtyre “tezave” të zeza e rroku njëfarë historiani i Perandorisë Osmane me emrin Olsi Jazegji. Idetë e tij, që binin erë fondametalizmi islamik, u shfaqen gjatë disa debateve në stacione të ndryshme televizive dhe u bënë më të njohura në një letër që u dërgonte Olsi historianëve tanë të njohur Pëllumb Xhufi dhe Moikom Zeqo.

Në këtë letër, edhe pse hiqet si historian me kulturë, Olsi Jazegji ose bën disa marrëzira në trajtimin e çështjes, ose gënjen pa doganë për të mashtruar opinionin publik shqiptar mbi të vërtetat e jetës dhe të veprës së Gjergj Kastriotit. Kjo duket kur ai, nga njëra anë, pohom se “Skënderbeun e gjejmë të përmendur nga autorët evropianë që në shekullin e 15-të”, kurse, nga ana tjetër, thotë se “Skënderbeu, si hero i shqiptarëve, për herë të parë në historinë e etnisë tonë shfaqet në shekullin e 19-të”, pasi, sipas tij, Skënderbeu “më heret u harrua”. (?!) Kështu ai “harronte”, ose bënte sikur harronte se vepra e Marin Barletit për Heroin tonë Kombëtar u shkrua në fillim të shekullit XVI, kurse ajo e Frang Bardhit në gjysmën e parë të shekullit XVII.

Por, përveç këtyre veprave, ka plot dokumente të tjerë që dëshmojnë se shqiptarët as e kishin harruar dhe as do ta harronin kryetrimin e tyre. Për këtë flet edhe një dëshmi që sjell poeti e studiuesi Moikom Zeqo për një kronikë të datës 1 maj 1607, e nxjerrë nga një letër drejtuar Senatit të Venedikut nga Pal Dukagjini. Me ante kësaj letre Pali e informonte Venedikun se një “Andrea Manesi ka formuar një ushtri me shqiptarët e tij prej 10 mijë vetash”, duke shtuar se “në krahinën e Dukagjinit ai e ka quajtur veten një “Skënderbe të Dytë”. (“Në labirintet e mesjetës shqiptare”, “Gazeta Shqiptare”, 22.06.2016) Dhe këtu mund të shtojmë se, po të ishte “harruar” Gjergj Kastrioti, poeti N. Frashëri nuk do të shkruante:

“Skënderbeu është i gjallë,
Rron e mbretëron në jetë;
Kjo fjalë s’është përrallë,
Ndaj t’urtit është e vërtetë”!

Po historiani i Perandorisë Osmane, si shqiptarofob, shkon më tej në marrëzitë e tij. Pasi ka vënë në dyshim kombësinë e Gjergj Kastriotit, të cilin e quan “një nga rebelët e Perandorisë Osmane” (?!), vë në dyshim vetë ekzistencën e kombësisë shqiptare. Atij i dhëmb në zemër që, siç shprehet në letrën e tij, “Shqiptarët mësojnë nëpër shkolla se janë evropianë dhe iliro-pellazgë dhe se heronjtë e tyre janë katolikët Skënderbe e Nënë Tereza“. Dhe, fill pas këtij gjykimi, ai përrallis se njëfarë “rilindasi” me emrin Lap Martallozi, në vitin 1908, në gazetën “Drita”, paska thënë se “në Shqipëri myslimanët mësonin nëpër medrese, se ishin arabë që kishin ardhur në Arnautllëk që në kohën e hazretit Umerit (?!), ndërsa të krishterët ortodoksë mësonin nëpër skolitë e tyre se ishin grekë (?!), sikur ishin grekë edhe Filipi, Aleksandri i madh, Pirroja, Skënderbeu dhe vetë Krishti”! (?!) Me këtë farë “dokumenti” ky historian nuk bën thjeshtë një marrëzi në shkencën e historisë, por fyen rëndë kombin shqiptar dhe historinë e tij të lavdishme. Qoftë edhe për këtë fyerje Olsi Jazegji, kombësia e të cilit nuk dihet mirë, duhej shpallur nga Qeveria shqiptare si “person non grata” në Shqipëri! 

Se jo vetëm historiografia shqiptare, po edhe ajo evropiane e me gjërë, kanë dëshmuar autoktoninë e shqiptarëve në këto troje që nga Pëllazgët, Ilirët e Arbërorët e mesjetës. Se ky historian duhej të kujtonte, të paktën, pohimin lapidar të poetit francez Alfons dë Lamartini, i cili shkruante: “Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë… Kjo është toka e heronjëve të të gjithë kohërave… Homeri aty gjeti Akilin, grekët Aleksandrin e Madh, turqit Skënderbeun, njerëz këta të së njejtës racë, të të njejtit gjak”. Por shqiptarofobia e këtij historiani bashkohet edhe me frymën antievroianiste, kur ai flet jo si historian, por si teolog i myslimanizmit. Se vetëm një adhurues “in extrenis” i fesë islame mund të shprehej: “Propaganda kristjane evropiane kundër Islamit, romanticizmi evropian dhe nacionalizmi, i përzier me imperializmin katolik (?!) austro-hungarez dhe Italian… sjell shfaqjen e Skënderbeut në mesin e popullatave shqipfolëse”. (?!)

Një frymë e tillë antishqiptare dhe antievropianiste shprehet qartë në letrën që Olsi Jazegji u dërgon dy historianëve tanë, kur ai pohon, përsëri si teolog, se “Myslimanët shqiptarë nuk pranonin jo vetëm që princ Vidi, një sharlatan i krishterë evropian (?!), të bëhej mbreti i tyre, por edhe që Skënderbeu të kthehej në hero të tyre, pasi heroi i myslimanëve në atë kohë ishte sulltan Mehmet Fatihu”. (?!) Dhe pohime të tilla zbulojnë qartë jo historianin objektiv, por teologun që bën edhe rolin e politikanit, i cili përpiqet të përbaltë identitetin e një kombi për të lartësuar një komb tjetër!

Kjo duket qartë edhe kur ky historian, duke dashur të kryej edhe rolin e gjuhërarit, përpiqet të përbaltë edhe gjuhën shqipe, që është një nga elementet thelbësorë të identitetit tonë kombëtar. Këtë e bën kur shpif se “Shqipja e Çamërisë… ishte një miksje ndërmjet turqishtes, greqishtes dhe dialekteve shqipe” e kur na kujton se Venezilosi e paska quajtur gjuhën shqipe si “gjuhë myslimanishte”. (?!) Dhe pyetja shtrohet: Vallë nuk e ka sjellë ndërmend ky historian pohimin lapidar të filozofit gjerman Lajbnic, sipas të cilit “Nëse doni të zbuloni historinë para Krishtit dhe shkencat e asaj kohe, duhet të studioni gjuhën shqipe”. S`i njohka ky historian as vargjet e Naim Frashërit

“Gjuhë që flisnin Perënditë,
Atë flisnin Pellazgjitë,
Atë kanë shqipëtarët,
Siç e kishin dhe të parët.
Greqishtën ajo e polli,
Latinishtja andej doli”.

Po ja që historiani nuk do t`ia dijë për këto të vërteta historike! Atë duket se e ndjek në çdo hap hija e Heroit tonë Kombëtar me shpatën ngritur lart, i cili, sipas tij, për popullatën myslimane “ishte një armik, hajdut dhe dindushman… (?!), ashtu sikur e tregon Kasem Trebeshina në ditët tona”. (?!) Është kjo arsyeja që ai vazhdon të flasë sa si teolog, aq edhe si politikan, kur i “këshillon” atdhetarët shqiptarë: “Ju, nacionalistët shekullaristë, jeni mundur nga ofensiva katolike (?!), e cila sot ka pushtuar çdo cep të shtetit, institucioneve dhe shkollave të Shqipërisë dhe Kosovës”. (?!) Se, sipas tij, këto e paskan kthyer figurën e Skënderbeut “në një kryqtar katolik që vret myslimanët, ashtu si Abu Bakr al-Bagdadi vriste të krishterët e Sirisë dhe Irakut”. (?!) Por Gjergj Katrioti, sikur ta dinte se edhe pas 600 vjetësh turkoshakët do ta akuzonin si “vrasës të myslimanëve”, në vitin 1462, pat deklaruar përpara princave shqiptarë: “Kujdesuni që Kombi juaj të rritet nëpërmjet fesë katolike, por mos persekutoni asnjeri që ta ndjekë atë me detyrim. Dielli, që është shëmbëllimi i Perëndisë, shkëlqen pa dallim për turkun ashtu si për të krishterin”. Dhe, si për ta mundur historianin e Perandorisë Osmane edhe pas vdekjes, ai pat treguar se ushtria e tij “kishte të krishterë dhe myslimanë”, se, siç thoshte më tej Heroi ynë Kombëtar. Unë nuk i vrava pasi ishim myslimanë, por i vrava se ishin tradhëtarë”.

Ky pohim i Gjergj Kastriotit i bën qesharake përrallat e Jazegjiut për “ofensivën katolike” të Vatikanit për ta paraqitur Skënderbeun jo si luftëtar të lirisë, por si “Atlet të Krishtërimit”, siç e bën qesharak edhe gjykimin absurd të këtij historiani se për Hashin Thaçin “Skënderbeu nuk shihet si heroi laik i Shqipërisë, i cili bashkon myslimanët dhe të krishterët, por si heroi katolik i Kosovës”. Se edhe këtyre përrallave u jepte përgjigje Gjergj Kastrioti, kur deklaronte se “Po të doja Kryqin më shumë se Atdheun, do të rrija tek Papa në Vatikan”. Dhe, në dritën e këtyre të vërtetave historike, shteti shqiptar dhe institucionet përkatëse të tij duhet t`u tregojnë vendin Jazegjinjëve antishqiptarë. Se është e dhimbshme, por edhe tronditëse, që, si rrjedhojë e “ofensives myslimane” kundër Heroit tonë Kombëtar, që 6 muaj më parë, në qytetin e Kukësit është hequr bust i Heroit tonë Kombëtar nga sheshi qendror i tij, ndoshta, pët të vendosur aty ndonjë bust myslimani! Dhe përpara kësaj gjëme shteti nuk duhet të heshtë! Nuk duhet të heshtë, sepse, siç ka thënë historian ynë kristo Frashëri: “… Gjergj Kastrioti – Skënderbeu e ka merituar plotësisht dhe përjetësisht titullin e lartë Hero Kombëtar, që ia kanë dhënë shekujt që erdhën pas tij, pa përjashtuar brezin e ditëve tona”. (“Skënderbeu”, f. 485)

Dhe duhen thënë e duhen mbrojtur këto të vërteta historike nga shteti shqiptar dhe nga atdhetarët e vërtetë të këtij vendi, për t`u thënë “Ndal!” tendencave përçarëse, që frymëzohen nga forca të caktuara antishqiptare. Se, siç thoshte rilindasi Pashko Vasa, “Feja e shqiptarit asht shqiptaria”, se, siç thoshte rilindasi tjetër, Zef Jubani:

“V`llezër qem` e jemi,
S`kemi për t`u ndarë;
Besë e fe ne kemi
Kombin Shqipëtar”!

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment