5 korrik 1878, 140 vjetë nga kongresi i Berlinit që njohu edhe autonominë e krahinës së Mirditës

Nga Pirusti News

Nga: Msc. Histori, Lin KIKU

Mirdita ishte krahina që u njoh zyrtarisht nga Europa 140 vite më parë si krahinë autonome në kongresin e Berlinit. Ky kongres i cili zyrtarisht vendosi dhe kufinjtë e Europës dhe Ballkanit te sotëm, njohu në menyrë zyrtare dhe autonominë shumëshekullore të Mirditës, kësaj krahine qe i dha emër jo vetëm zonës së saj, por krejt vendit tonë sepse autonomia e Mirditës bëri që të njihej dhe çështja shqiptare e pa dëgjuar dhe e panjohur deri në atë kohë nga fuqitë te huaja. Gjithashtu kjo autonomi bëri që të frenoheshin qëllimet ekspansioniste të fqinjëve tanë për aneksimin e territoreve tona. Ky 5 korrik përkon me  një përvjetor jubilar siç është 140 vjetori, por çuditërisht ende i pashpallur e i pa njohur zyrtarisht, si 140 vjetori i pavarësisë së kësaj treve të pa nënshtruar dhe liridashëse. Ndonëse ende nuk është shpallur zyrtarisht njohja e kësaj date, por historia nuk mund të zhbëhet, pasi janë dokumentat zyrtare të kohës që e vërtetojnë katërciprisht, pra nuk ka aspak lidhje  me nacionalizma te tepruara, por me një fakt historik, tepër konkret dhe domethënës..!

      Kongresi i Berlinit (13 qershor-13 korrik 1878)

Kongresi Berlinit u hap më 13 qershor 1878 me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë gjashtë Fuqitë e Mëdha të Evropës, si Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark. Me ftesën e Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi) dërguan në Berlin delegacionet e tyre qeveritare, të cilat parashtruan dhe mbrojtën në seanca të veçanta të Kongresit kërkesat e tyre politike e territoriale. Fuqitë e Mëdha morën përsipër që të hartonin në Kongresin e Berlinit një hartë të re politike të Gadishullit Ballkanik. Në këtë kongres mori pjese edhe princi i Mirditës Preng Bib Doda, që po ta marrësh nga ana historike, rezulton të ishte ngjarje e jashtezakonshme për vetë perbërjen e atij kongresi, që të merrte pjesë një Princ i një krahine që ishte nën juridiksionin e Perandorise Osmane, dhe te rreshtohej me personalitetet me te mëdha të kohes.

Falë lidhjeve dhe miqësive që kishte, por dhe falë diplomacisë qe zotëronte, duke pasur edhe kundërshtinë e përfaqesuesit te Turqisë, Preng Bib Doda arriti te siguronte autonomine e Mirditës. Midis vendimeve të tjera që mori Kongresi i Berlinit ishte përfshirja në Protokollin nr.13 të kongresit, që kishte lidhje me venomet e Mirditës. Fillimisht çështja u ngrit nga përfaqësuesit e Francës dhe të Austro-Hungarisë. Ne emër te përfaqësuesve te Austro-Hungarise dhe të Francës, Konti Sen Valie beri propozimin që u miratua ne seancën e dates 5 Korrik 1878 ne formen e meposhtme.

“… Popullsia e Mirditës do të vazhdojë të gëzoje venomet dhe imunitetet që zotërojnë, që do të thotë se kongresi kërkon ruajtjen e tyre”. Këta kërkuan nga Porta e Lartë që ajo t’i respektonte edhe në të ardhmen “privilegjet dhe imunitetet” (domethënë: venomet), të cilat “popullsia e Mirditës i gëzon abantiquo” (që në kohët e lashta).

Përfaqësuesi osman e kundërshtoi këtë propozim që e pengonte Portën e Lartë ta nënshtronte Mirditën, duke u kapur pas faktit se zotimi për të respektuar venomet në këtë krahinë binte në kundërshtim me nenin 23, i cili e detyronte atë të zbatonte reforma administrative në vilajetet e Turqisë Evropiane. Megjithatë ai shtoi se Porta e Lartë nuk kishte ndërmend të zbatonte reformat e saj në krahinën e Mirditës. Fuqitë e Mëdha mbetën të kënaqura nga deklarata e përfaqësuesit turk, e cila u përfshi në Protokollin nr.13, duke marrë kështu vlerën e një zotimi zyrtar. Kongresi i Berlinit u’a njohu pavarësinë Rumanisë, Serbisë dhe Malit të Zi, ndërsa autonominë u’a njohu Maqedonisë, Armenisë, Kretës dhe Mirditës. Shpallja e autonomise se Mirdites dhe njohja e saj nga fuqite e mëdha u ndodhi 34 vite përpara se të bëhej shpallja e pavarësisë se Shqipërise. Logjika historike të çon ne mendimin se shpallja e autonomise se Mirditës ndikoi që fuqitë e mëdha te kohës të njiheshin me çështjen Shqiptare, e panjohur në atë kohe prej tyre. Njohja e autonomise së Mirditës pengoi dhe qëllimet shoviniste të fqinjëve tanë, për copëtimin e vendit tone.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment