Poezi nga vellimi poetik “Yje mbi Oqean” te autorit Prend Ndoja

Nga Pirusti News

Prend Ndoja

 

LOT MBI OQEAN

 

I dashur për vendin,

Kombin dhe shoqërinë,

Por korbi e shikonte,

Donte ta përbijë.

 

E vranët ajo ditë,

Më kujtohet si sot,

Përqafoi folenë,

Dhe iku nëpër botë.

 

Iku shumë larg,

Fluturoi mbi Oqean,

Si shpirt i ndarë nga trupi,

Me mall retë përqafon.

 

Humbi larg në mendime…

E më kot kohën e mendoi,

Dy pika lot,

Mbi Oqean i lëshoi.

 

 

 

TOKË E NDARË

 

Si një pemë e bukur,

Që natyrën stolis,

Bukuria e njerëzve,

Ishte n’tokë të Ilirisë.

 

Në këto fusha e male,

E deri në Det,

Në tokën e Arbërit,

Ishim Zot vetë.

 

Toka e Arbërit,

Pësoi të madh lëndim,

Toka e ndarë,

Sot kërkon bashkim.

 

 

DJEPI

Sytë kanë mall,

Për kohën e fëmijërisë,

Për prehrin e Nënës,

– Folenë e lumturisë.

 

Kam shumë mall,

Për atë Djepin me hark si kurorë,

Dhe Nënën që e përkundte, –

Qoftë bekuar ajo dorë!

 

 

ME VETE TË KAM, KOSOVË

 

Nga dritarja e shpirtit tim,

Hyre thellë në jetën time,

Edhe këtu, larg në mërgim,

Të mbaj t’freskët në kujtime.

 

Jeta është një shtegtim,

Rrugët e gjata sjellin lodhje,

Me Ty jetës i jap kuptim,

Je kandil i shpirtit tim.

 

 

TI VEND I BEKUAR

 

Mos më thuaj m’ke harruar,

Nga larg, afër të kam prapë.

Mos më thuaj që s’të njoh,

Se i riu është bërë plak.

 

Mos më prit me ftohtësi,

Kohë e gjatë që jam larguar…

Gjaku yt në trupin tim, N

uk më lë për të t’harruar.

 

Ishte errët, pa dalë drita,

Nata frymën ma ndalonte,

Ajo nyje plot me mund,

Më dha udhën e pafund.

 

ATJE …

 

Atje fusha duket ndryshe,

Edhe lulja aromë plot,

Ku dhe pema plot me shije,

Është një vend më i miri n’botë.

 

Në mëngjes nuk t’ngopet syri,

Kur merr vesa vezullimë,

Atje zilja nuk ka vlerë,

Të zgjon zogu me këndim.

 

Ulu prill buzë atij lumi,

Nën ato hije plot gjelbërim,

Në mes Becit një lulishtë,

E shtrëngon në përqafim.

 

 

ATJE MË PRET NËNA

Atje, te pragu,

Ku thashë lamtumirë,

Është ulur Nëna,

Me një shpresë të thyer.

 

Vitet po kalojnë,

Dhe koha po i përbinë,

Rruga e pakthim,

E mbush mall për fëmijët.

 

Shpirti i etshohet,

Si një shpuzë e tharë,

Sytë mban kah dera,

Fëmijët për t’i parë.

 

Ruani Nënat,

Mos i lëndoni dot,

Ajo është vlera,

Më e shtrenjtë në botë!

 

 

ËNDËRR

Nënë e dashur, në ëndërr të pashë,

Kishe ngritur duart të më përqafosh,

Të shndriste fytyra me mall plot,

Në sytë mallëngjyes të rridhnin lot.

 

Ulur mbi një shkëmb,

Nga hapësira sytë s’m‘i ndaje dot,

Për të parë të birin,

Diku larg në botë.

 

T‘u afrova lehtë e ballin ta putha:

-Të ma bësh hallall!

Të lodha në pleqëri,

Të mbusha me mall.

 

PENA IME

 

Ajo nuk është ndjenjë,

Ajo s’është as mall,

Por që të dyja,

I shkrin në letër t’bardhë.

 

Pena është pasqyrë,

E mendjes së lirë,

I bashkon ndjenjat,

I derdh në poezi.

 

Kur në brendi,

Mblidhen ca nyje,

I pikturon ngadalë,

Si natën me yje.

 

Të mban si në ëndërr,

Vendlindjen ta afron,

Të tundë në ëndje,

Ashtu si ti do.

 

Pena është fjala,

E shpirtit tim,

Është fyell bariu,

Që jehon mbi kodrinë.

 

 

NË ZEMRËN TIME

 

Në zemrën time,

E ujis një lule,

Gjithmonë në zemër,

Atë e kam pranë.

 

Unë i shkëputur,

Por i pafaj,

Me shpirt dhe zemër,

I jam falë asaj.

 

Në damarët e mi,

I ka rrënjët thellë,

Si një dritë shpirtërore,

Aty është mbjellë.

 

I shkëputur larg,

Në një siujdhesë,

Me gjuhën e mallit,

E ujis me shpresë.

 

Mu në rrënjë të lules,

I kam mbyll ca fjalë,

Çdoherë buqetë lulja,

Ato kanë me dalë.

 

Kur në çdo pranverë,

Era lulet i lëkund,

Fjala del nga Lulja:

-Kosovë, të dua shumë!

 

 

PSE TI

 

Pse ti rrezja ime e dritës, pse,

Pse rrezja ime e mëngjesit të kaluar,

Pse ti i ndërruari me një përqafim,

Eh, unë i mjerë e pashpresë mbeta gabim.

 

Ti yll që jetë ndërrove për rreze,

Në kohën e errët llambat i mbushe gjak që të rrinë ndezur,

Sot ti që rrezen i kthyer për gjurmën e atij,

Që nuk paska vëlla, shok as njeri.

 

Eja, ti rreze e mbuluar, mos na lër të mërzitur,

Mos e rrotullo shpirtin tim në shuplakë të dorës,

Eja, mbill ca pemë në gjenin tonë të vjetër,

Që kurrë e keqja të mos përsëritet ndonjëherë tjetër.

 

Eja, ti, por pastrohu si loti,

Mos eja për një ndërrim apo mallkim,

Iku zotave të dalldisur me barkun hambar,

Eja ti, siç ishte ai me shallin varur.

 

9.1.2018

 

 

HESHT POPULLI IM

 

Hesht edhe kur të harrojnë,

Hesht edhe kur të lëndojnë,

Hesht dhe si të trajtojnë,

Hesht se ty po të kushtojnë.

 

Hesht edhe atëherë kur në odë të kuvendit mbretëron kotësia,

Hesht edhe kur të duan dhe me këmbë të lëmojnë,

Hesht e shikoji si në ëndërr kur ata gabojnë,

Hesht edhe kur varka po shkon drejt tundimit.

 

Hesht edhe kur ditën ndërron moti,

Hesht se shpresës tënde po i ndërrohet gëzofi,

Hesht në këtë shekullin tonë, në shekullin e gëzimit,

Hesht se noti në moçal na kthen prapë prej fillimit.

 

Hesht se do të bëhet mirë,

Ushqim i kohës, kjo kafshata- shpresë,

Hesht edhe ti atdhetar, student, profesor, dijetar.

Por një mendje e ndritur mund ta kthejë vendin mbarë.

 

 

Nga libri “Lot mbi oqean”,  Shtëpia Botuese “SAS”, Prishtinë 2018

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment