Një hymn dashurie për Prizrenin. Lazër Radi, përmes librit “Mjegullnaja e një kohe të largët”

Nga Pirusti News

Nga: Nikoll Loka

Libri “Mjegullnaja e një kohe të largët” është një mesazh dashurie që Lazër Radi ia kushtoi Prizrenit, qytetit të tij të lindjes. Një botim ma karakter shumëdimensional, një portret i Prizrenit të tridhjetë viteve të para të shekullit XX, ku lexues të profesioneve të ndryshme gjejnë veten. Historianëve iu duket si një kronikë historike; për etnologët sjell të dhëna me interes për popullsinë, zejet, mënyrën e jetesës; për antropologët kulturorë sjell po ashtu pamje interesante të marrëdhënieve midis vendësve dhe të ardhurve, në një qytet kozmopolit  si dhe ndikimet që natyrshëm kishin ushtruar kulturat mbi njëra-tjetrën.

Libri është memuaristik, i një lloj të veçantë, i shkruar kryesisht në vetën e parë për vende, njerëz dhe ngjarje, që autori i ka parë dhe të tjerat që i vijnë si dëshmi nga të tjerët, kryesisht familja e tij.  Libri është një rrëfim për veten, një rrëfim për familjen, një rrëfim për shqiptarët e Prizrenit, një dëshmi për pushtimin serb dhe një dëshmi për Prizrenin multietnik.

Ishte një kohë të vështirë, ndër më dramatiket në jetën e kombit shqiptar. Ishin ditët e fundit të pushtimit osman, dy luftëra radhazi: Ballkanike dhe ajo  Botërore, kur shqiptarët u vunë para  dilemës hamletiane: “Të rrosh a të mos rrosh!”  Prizreni i Lazër Radit jeton këtë dilemë në tërë zymtësinë e tij.

Që ta kuptosh Prizrenin duhet të kthesh kokën pas. këtë bën Lazër Radi, duke na dhënë informacione interesante rreth këtij qyteti shqiptar, që për shkak të pozicionit gjeografik bëhet vend i përzierjes së popujve, ambicjeve, seli administrative e perandorive të huaja, por gjithnjë shqiptar në palcën e vet. Në Prizrenin e Radit bashkëjetonin dy qytetërime, Lindor dhe ai Perëndimor në një ekuilibër të brishtë marrëdhëniesh midis shqiptarëve vendës që ishin shumica me etnitë e tjera që pushtimet, ëndërrat dhe lakmia i kishte sjellë këtu. Dhe në krye të herës, Lazër Radi shprehet:”Pavarësisht kozmopolitizmit të imponuar të qytetit, mundem me thanë pa frikë se nji perj meritave ma të mëdha të qytetit tim, mbetet ruejtja ndër shekuj e krejt zakoneve ma të mira, e traditave ma të vyeme dhe virtyteve ma të nalta të racës arbnore. Në Prizren, edhe pse qytet në udhëkryq të ushtrive të shumta, qënia shqitare mbetej krenari, nder dhe gjithçka”.

Lazri e përshkruan me nostalgji Prizrenin dhe derdh të gjithë talentin e tij për t’i thurur një hymn dashurie. Autori na shpalos vite dhe ngjarje, periudha pushtimesh dhe pushtuesish, kultura të huaja dhe vendëse. Gjithçka i shërbente kuptimit të Prizrenit të kohës së tij. Shpalosen histori dhe gojëdhëna të sjella me kujdes, më një stil të zhdërvjellët publicistik, ku nuk mungojnë ngjyrimet poetike. Radi, një qytetar dhe intelektual shqiptar e idealizon vendlindjen e tij që i mungoi në periudhën kur shkroi për të, por e brendësoi brenda shpirtit ët tij bashkë me xhamitë dhe minaret që ai i quan “Obelisk besimi që shkruajnë në kaltërsi të qiellit besimin në zot”. Po kështu Lumbardhin e sheh si “burim jete dhe urat e tij simbol bashkimi”.

Rrëfimet e Lazër Radit përmbajnë brenda tyre materien historike që i duhet historianit, kur flet për origjinën e Prizrenit dhe për Prizrenin e Luftërave Ballkanike dhe të Luftës së Parë Botërore, për personalitete të shquara historike: Azem Bejta, Shtjefën Gjeçovi, Lazër Lymezi, Shtjefën Kurti; jep njohuri me karakter të përgjithëm kulturor për objekte të veçanta të trashëgimisë kulturore prizrenase si Shtëpia e Lidhjes, kalaja e Prizrenit, xhamitë e shumta, katedralja, shkolla shqipe, Lumbardhi, Bylbylderja, rrapi me emrin Marash në dy stinë, shkëmbi i shqipes, Letnica dhe Zymi. Për trashëgiminë kulturore shqiptare: Festat tradicionale, shëngjergjin prizrenas, pasdarkat prizrenase, lojën e kapuçave.  Nuk anashkalon edhe ngjarje që iu imponuan qytetit dhe mbetën në kujtesën e tij si forma të imponimit të dhunshëm, si vizita e kryeministrit të Francës dhe e mbretit Aleksandër; ruan mbresat e veçanta të takimit në Zym me Shtjefën Gjeçovin, mësimet në shkollën shqipe të Prizrenit, eksursionet dhe veprimtaritë e ndryshme etj. Flet për zejet prizrenase dhe jetën e përditëshme.

Në libër zënë vend disa personazhe tipikë, që fitojën karakter përgjithësues, Çika Sima, një serb që përballonte jetesën duke kënduar këngë çetnike, Zejnepe hanëmin, turkeshë prej Stambolli, aristokrate tipike orientale që jeton në oazin e vet, në mes të nostalgjisë për vendlindjen e saj tashmë të largët dhe dhimbjes për mungesën e një fëmije, të cilin kërkon ta plotësojë me një shqiptar katolik që është autori i këtij libri;  për mësuesin atdhetar Lazër Lumezin, i cili hfrytëzonte çdo rast për të edukuar shqiptarizmin te një brez rinor i rrezikuar, për serbin mësues, Stojan Qemerkiq që në emër të shtetit të vet pushtues kërkon të ngulisë në mendjet e nxënësve mitet serbe rreth Kosovës, për Lezen e Matej Panafakut, që ka kurajon të thyej kornizat e kohës dhe fanatizmin që po shkulej gradualisht edhe në mjediset qytetare, bjellorusin Zuzullov, mësuesin e astronomisë.

Në libër jepet kontributi i klerit katolik shqiptar për çështjen kombëtare, përmes përshkrimit të dy figurave symbol të tij, Shtjefën Gjeçovit që i solli botës shqiptare në formë shkencore Të Drejtën Zakonore, thelbin e identitetit shqiptar dhe Shtjefën Kurtit që bashkë me dy klerikë të tjerë tronditën politikën genocidale serbe me promemorien e famëshme drejtuar Lidhjes së Kombeve.

Një pjesë e librit i kushtohet mbijetesës së shqiptarëve të Prizrenit; një mbijetesë e vështirë, nën kërcënimin e pushtuesve të rinj që kërkonin ta zhbënin identitetin e tyre, e kushteve tejet të vështira të jetesës, solidaritetit ndërshqiptar si mjet mbijetese, si dhe e karakterit të papërkulur të shqiptarëve, të cilët ishin mësuar të jetonin përmes fatkeqësive. Dhe këtu, shqiptarët, ndonëse të ndarë nga besimet fetare, jetojnë si një komunitet, janë bashkë në luftë, në dhimbje dhe në zgjidhjen e probleme të ndryshme të jetës. Nga ana tjetër, paraqitet një bashkëjetesë e brishtë ndërmjet komuniteteve, të cilat ishin të detyruar të bashkëpunonin për të mbijetuar. Ushtritë pushtuese në qytet shtuan tregtinë, shërbimet etj, prej të cilave në njëfarë mënyre përfitonin të gjithë. Po kështu nuk kishte ndarje as te spitali ushtarak, as te  shkolla. Një minimum komunikimi ekzistonte edhe në mes të qytetarëve shqiptarë dhe serbë. Me mjaft origjinalitet jepen marrëdhëniet e familjes së Lazrit me familjen turke të Osman Efendisë dhe Zejnepe Hanëmit, që përtej ndarjeve kulturore dhe fetare, i bashkonte humanizmi dhe respekti.

Një komunikim interesant zhvillohet në nivelin e shkollave, ku gjuhët, kulturat, ideologjitë, besimet fetare konkurojnë dhe shkrihen në një marrëdhënie tjetër. Këto komunikime i takojnë një brezi tjetër, fëmijëve, të cilët përtej njëmijë problemeve të jetës përfshihen nga ëndrrat e moshës.

Përmes jetës së familjes së tij, Radi na jep peripecitë e emigrantit shqiptar që vjen në Kosovë për jetë më të mirë dhe detyrohet të lëvizë deri sa të gjej një vendqëndrim të përhershëm, për sakrificat e mëdha me të cilat përballet një familje shqiptare në një qytet të vetin, të pushtuar nga të huajt. Aty del në pah jeta e komunitetit katolik, veprimtaria e kishës katolike shqiptare dhe e shkollës shqipe dhe roli i kishës e konsullatës austro-hungareze në shkollimin e fëmijëve shqiptarë, duke krijuar mundësi që nga familje dikur të varfëra, të formohen bijë të shquar si: Lazër Çeta, Ndue Paluca, Krist Maloki, pastaj Anton Çeta, Lazër Radi, Lorenc Antoni etj.

Radi përcjell me ngjyra poetike dhe intimitetin e tij fëmninor, pjesët e bukura të jetës së tij, marrëdhëniet me Lezinën, Milenën, Angjelinën dhe në atë pjesë, lexuesi gjen një tabllo tjetër, pa vrazhdësinë e jetës, pa muret e ndarjes, ku djemtë dhe vajzat e nacionaliteteve të ndryshme, në shoqërinë e tyre fëminore harrojnë kombësitë, luftërat dhe vështirësitë dhe rendin në mënyrë instinktive drejt një të ardhmje… Por parallel me këtë tabllo fëminore, përvijohet pamundësia e bashkjetesës shqiptaro-serbe që reflektohet në ndarjen e thellë në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Prend Çup Radi, luftëtar i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe pjesëmarrës në mbrojtje të tokave shqiptare kundër malazezëve, i plagosur dhe i mbetur me dorë të cungueme, e vazhdon betejën e tij për kombin e vet, përmes këngëve kushtuar heronjëve shqiptar: Isa Boletini, Azem Bejta etj.  cderi në më të mbramen frymë të tij.

Arratisja e dy vëllezërve më të mëdhenj në moshë që nuk pranojnë të bëhen ushtarë të Krajlit, pastaj dëbimi i familjes nga Prizreni për në Shqipëri janë fate të paracaktuara për shumë familje atdhetare që e kërkonin folenë shqiptare aty ku të ishte. I priste pjesa e lire e Shqipërisë. Kjo ndarje e imponuar nga rrethanat i  solli shumë trishtim Lazri, pasi i theu në mes shumë ëndrra fëminore.

Në librin e Dr. Lazër Radit kanë se ç’të mësojnë të gjithë, por po ndalem posaçërisht në vlerat historike të tij. Nëse historianët na kanë dhënë kronikë luftërash midis serbëve pushtues dhe shqiptarëve vendës dhe Prizrenin e atyre viteve e njohim përmes betejave për pushtim nga serbët, apo përmes përpjekjeve për qëndresë nga ana e shqiptarëve, si një dyluftim i përjetshëm midis Davidit shqiptar me Goliadin serb, në rrëfimin e Dr. Lazër Radit historia vjen me të gjitha nuancat, urrejtjet e natyrëshme, si rrjedhojë e luftërave dhe vrasjeve, marrëveshjet e imponuara, mosmarrëveshjet dhe keqkuptimet e natyrëshme, bashkëjetesën e detyruar dhe mosdurimin e arsyeshëm. Radi shprehet: “Mësimi ma i madh që historia i ka dhanë njerëzimit asht se kurrë dhuna s’mund të përdoret për qetësim dhe zhdukje popujsh. Mësimi i dytë: Popujt duhet të jetojnë në paqe, duke respektue të drejtat dhe lirinë e njëri-tjetrit, pasi nuk e durojnë kurrë zullumin që bahet në kurriz të tyre”.

Libri “Mjegullnaja e nji kohe të largët” është një histori dashurie dhe qëndrese, saga e shqiptarëve, e personalizuar në familjen Radi dhe intelektualin e shquar Dr. Lazër Radi, që me formimin e tij kulturor pati ndikim në qarqet kulturore shqiptare të viteve dyzetë. Vepra e tij e rizbuluar që botohet për herë të parë, si ky libër për Prizrenin, do të ketë ndikim në pasqyrimin sa më objektiv të qëndresës shqiptare ndaj të keqes në një nga periudhat më të veshtira të rezistencës shqiptare.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment