Nga Aleksander Meksi* Oroshi, Mali i Shenjtit dhe Principata e Arbrit

Nga Pirusti News

Mali i Shenjtit mbi Orosh ka qenë gjatë shekujve qendër e një nderimi të madh nga ana e popullsisë së krishterë jo vetëm të krahinës, por edhe më gjerë, që tregon për rëndësinë, emrin që kishte abacia e atjeshme dhe rolin e saj në histori

Mirdita me Malin e Shenjtit mbi Orosh ka qenë gjatë shekujve qendër e një nderimi të madh nga ana e popullsisë së krishterë jo vetëm të krahinës, por edhe më gjerë, që tregon për rëndësinë, emrin që kishte abacia e atjeshme dhe rolin e saj në histori. Një dëshmi e tërthortë janë numri madh i legjendave dhe histori që lidhen me të; shenjtin dhe krahinën.

Përmendjen e parë të një peshkopate të Arbrit “Lazarus episcopus Albanensis” e hasim në aktin e shugurimit të kishës së Shën Trifunit në Kotor, në vitin 1166, ku, krahas Lazarit, i cili shuguron altarin në të majtë të kryesorit, merr pjesë dhe “Andreas prior Albanensis”. Kjo peshkopatë dhe principata e Arbrit, siç del nga emri e titulli i Andreas, janë objekt kërkimesh të shumta shkencore që synojnë të ndriçojnë anë të ndryshme të historisë së tyre, shpeshherë dhe me rezultate të ndryshme.

Për të gjykuar saktë mbi këtë peshkopatë, duhet të ndjekim ecurinë e saj në kohë, të përcaktojmë shtrirjen gjeografike dhe të sqarojmë disa probleme historike:

Në mesin e shek. XII, në aspektin e organizimit kishtar, trojet e banuara nga shqiptarët qenë nën juridiksionin e disa qendrave kishtare. Në Shqipërinë e Veriut, nga kryepeshkopata katolike e Raguzës-Epidaurit, varen peshkopatat e Tivarit (Auarorum), Ulqinit (Licinatensem), Shasit (Suacinensem), Shkodrës (Scodrinensem), Drishtit (Driuastensem), Pultit (Polatensem), në Shqipërinë e Mesme kemi metropolinë e Durrësit (Dyrrahut) me peshkopatat e Lezhës (Elison), Stefaniakës (Stefaniakon), Krujës (Kroon), dhe Kunavisë (Hunavian), në Shqipërinë Lindore dhe Jugore kryepeshkopatën e Ohrit me peshkopatat e Gllavnicës, Deaboli, Kanina dhe Dibra, dhe në Shqipërinë e Jugut peshkopatat e Himarës, Butrintit (Buthrotit) dhe Drinopojës (Drinopoleos) nën vartësi të metropolisë së Naupaktit. Prej tyre peshkopatat e Shqipërisë së Veriut i takojnë kishës katolike, ndryshe asaj latine, me të cilën janë të lidhur dhe katolikët apo latinët (lëti)e Dyrrahut me në krye një arqidiakon, dëshmi e një bashkëjetese me ortodoksët.

Rruga e formimit të këtyre strukturave dhe vartësive nga Lindja apo nga Perëndimi ishte rezultat i kushteve të veçanta historike e kulturave, në të cilat janë ndodhur këto troje gjatë shekujve të mëparshëm. Studimi historik i organizimit administrativ e kishtar ka treguar se gjatë shek. VIII-IX kisha e territoreve të banuara nga shqiptarët nuk varet realisht nga patrikana e Kostandinopojës dhe kjo mendojmë se shpjegohet, nga njëra anë, me vështirësitë e lidhjes së Dyrrahut me kryeqytetin e perandorisë dhe sidomos nga lidhjet më të forta kishtare të tij me Romën, me kishën latine. Përfshirja e Dyrrahut nën patrikanën, me sa duket bëhet rreth fundit të shek. IX (Sinodi i Fotius në vitin 879) dhe sanksionohet në vitet e para të shekullit X. Kjo dëshmohet nga noticia e kohës së Leonit të VI, që datohet rreth viteve 901-907. Në këtë noticie Dyrrahut, metropolisë së 42-të në radhë, i nënvihen peshkopata e Lezhës, Krujës, Stefaniakës dhe Kunavisë, pra tokat ndërmjet Drinit, në veri dhe lindje, dhe Shkumbinit në jug, që në këtë kohë ishin thuajse dhe tokat nën temën bizantine të Dyrrahut. Më në Jug, deri në Vjosë, kemi tokat e pushtuara nga bullgarët, rreth viteve ‘60-të të shekullit IX, dhe akoma më poshtë Temën e Naupaktit.

Ndërsa për shek. X njohim organizimin kishtar të metropolive të Dyrrahut, Naupaktit dhe Shufraganet e tyre, në dokumentacionin historik mungojnë të dhënat për peshkopatat në vartësi të kishës bullgare si dhe për trojet veriore të temës së Dyrrahut, shtrirjen e së cilës deri në Antivar e njohim nga “De Administrando Imperii” e perandorit Konstantin Porforogjenetit. Me mjaft interes për këtë është edhe noticia e mbiquajtur e Jan Cimiskut (969-976), e cila duhet lidhur me rivendosjen e pushtetit bizantin pas shembjes së mbretërisë bullgare, pra në çerekun e fundit të shek. X. Sipas saj, metropolia e Dyrrahut shtrihet në Antivari, në brendësi të gjirit të Vlorës dhe ka në vartësi 15 peshkopata shufragane, ndër të cilat, në trojet që na interesojnë, Antivaros, Likinidon, Skodra, Drivasti, Dioklea, Polathon, Elison, Kroon, Stefaniaka, Hunavia, Cerëniku.

Por kjo gjendje nuk zgjati shumë, sepse në vitin 1022 Durrësit iu shkëputën peshkopatat e Tivarit dhe Ulqinit, duke u lidhur me kishën katolike romane nëpërmjet kryepeshkopatës së Raguzes-Epidaurit. Kjo erdhi si pasojë e lidhjeve të mëparshme, me kishën latine, ashtu dhe i përpjekjeve të Romës për t‘u afirmuar si fuqi universale. Që nga kjo kohë fillon një fazë e re e lidhjes me kishën katolike. Kështu, në vitin 1089 kundër papa Klementi III, sipas lutjes së mbretit të Dioklese, Bodinit, ia kaloi peshkopatat e Shqipërisë Veriore kryepeshkopatës së Diokle-Tivarit. Këto ishin peshkopatat e Tivarit, Ulqinit, Shkodrës, Drishtit dhe Pultit. Nga kjo kuptohet se ato vijojnë të jenë peshkopata që nga fundi i shek. X (mbase në ndonjë rast dhe me ndërprerje), ndërsa është një krijim i ri peshkopata e Shasit.

Me rënien e Perandorisë Bizantine, në vitin 1204, në duart e latinëve, krijohen kushte të favorshme për avancimin e kishës katolike në trevat shqiptare. Sigurisht, kjo nuk u bë me lehtësi, për shkak të rezistencës së klerit ortodoks, si në Dyrrah, ashtu dhe në peshkopatat në brendësi të vendit. Që gjatë shek. XI dëshmohet në Dyrrah kolonia e amalfitaneve dhe pak më vonë ajo e venedikasve, të cilat kanë dhe kishat e tyre. Për amalfitanet një kishë dëshmohet në dokumentacionin historik në mesin e shekullit XIV, por kuptohet që këtë kishë ata duhet ta kenë pasur që në kohën kur qenë e vetmja koloni perëndimore. Për venedikasit kemi dëshminë e dhënies atyre nga ana e perandorit Aleks I Komneni, të kishës së shën Andreas, pranë portit, në vitin 1082. Veç këtyre, dëshmohen qysh nga viti 1200, edhe lidhjet e besimtarëve katolikë me struktura të organizuara si arqidiakonati. Mendojmë se kufizimet që perandori bizantin Vasili II i bëri metropolitit të Dyrrahut me diplomat e tij të viteve 1019 dhe 1020 kanë ardhur dhe për shkak të qëndrimit tolerant ndaj kishës latine nga ana e ortodoksëve të Dyrrahut. Për një kishë latine të organizuar me faltore dhe prona të flasin si gjurmët e skulpturës preomanike dhe romaniko-gotike në Durrës, ashtu edhe rrënojat e kishës së Shën Mërisë së Brarit në lindje të Tiranës, ku kemi mbishkrimin mbi varrin e sevastit Mihal Sgura (viti 1201) në greqisht dhe latinisht, bashkë me fragmente të pikturës murale me sinjatura latine.

Me pushtimin e Durrësit dhe një pjese të Shqipërisë bregdetare nga Karli I Anzhuin dhe formimin e “Mbretërisë së Shqipërisë” kemi ndryshime dhe në gjendjen kishtare si rezultat i përpjekjeve të kishës katolike. Kemi atë që Shuflai e quan faza e tretë e organizimit kishtar të Shqipërisë. Që nga kjo kohë, nga njëra anë, me ndërhyrjen dhe përpjekjet e Tivarit dhe Dyrrahut dhe nga ana tjetër, me vendosjen e urdhrave dominikanë dhe françeskanë në Shqipëri, fillon një periudhë që karakterizohet, nga një “sulm” i katolicizmit ndaj ortodoksisë, veçanërisht në Shqipëri të Mesme e deri në Vlorë.

Këto përpjekje dhanë rezultatet e tyre me krijimin e disa peshkopatave të reja katolike si ajo e Sapës, në shpinë të Lezhës ortodokse në vitin 1291, e Balecit, përpara vitit 1347, e Danjës, përpara vitit 1361, e Vregos, buzë Shkumbinit përpara vitit 1353. Gjatë sundimit anzhuin kemi gjithashtu krijimin e peshkopatave katolike për Vlorën, në vitin 1273, dhe për Krujën në vitin 1279, të cilat funksionojnë për sa kohë që ato qendra janë nën anzhuinët, për të qëndruar më vonë titullarët e tyre gjetkë. Më vonë kisha katolike bëri për vete peshkopatat e Kunavisë (Canoviense), në vitin 1310, të Stefanikës (Stefphaniense), në vitin 1363, dhe të Lezhës (Alexiense) në vitin 1357, ndërkohë që metropolia ortodokse e Dyrrahut përmendet për herë të fundit në vitin 1343, pas të cilit ajo shuhet dhe titullarët e saj formal qëndrojnë gjetkë, në vartësi të rrethanave politike.

Megjithatë, gjatë periudhës që po shqyrtojmë, duhet të bëjnë dallim ndërmjet fesë së feudalit dhe të selisë peshkopale, ndaj fesë së klerit vendas dhe fesë të shtresave të gjera të popullsisë. Për këtë, veç të tjerash, hedhin dritë edhe disa relacione të fundit të shekullit XIII-të dhe gjysmës së parë të shekullit XIV-të.

Kështu, në vitin 1265, papa Klementi IV, duke i shkruar arqidiakut të latinëve të Durrësit, pohon karakterin specifik të latinitetit shqiptar. Më vonë, në vitin 1295, në një traktat të gjenovezit Galvano di Levante thuhet se feudalët e familjeve Skuraj, Blinishti, Mataranga e Thopia janë në aspekt të fesë “neofit”. Prandaj dhe konvertimet në katolicizëm nuk janë asnjëherë përfundimtare dhe arkivat anzhuine të Napolit flasin qartë për këtë. Aq më tepër, është e vështirë të përcaktohet besimi për popullsinë në brendësi të vendit, kur ndryshimet e krerëve të klerit shpesh nuk preknin rangje të ulëta. Në përshkrimin anonim të vitit 1308 thuhet se në peshkopatat e Shqipërisë së Mesme (Kunavi e Stefaniakë) e ato të veriut (Pult e Dibër), banorët nuk janë as katolikë e as ortodoksë.

Përfundimisht do të thoshim se në mesin e shekullit XIV-të kisha katolike, mbas dhjetëvjeçarëve të tërë të sulmeve kundër ortodoksisë, kishte arritur të shtrihej, veç Shqipërisë së Veriut, edhe në Shqipëri të Mesme, duke u kufizuar me territoret që kishtarisht vareshin nga kryepeshkopata e Ohrit. Futja nën sundimin venecian, në fund të shekullit XIV, të qyteteve të bregdetit dhe nën pushtimin turk të gjithë vendit duke filluar nga dhjetëvjeçari i dytë të shekullit XV, e bënë thuajse përfundimtare këtë gjendje. Dokumentacioni që ruhet, tregon se nën kryepeshkopatën e Antivarit janë dioqezat e Ulqinit, Shasit, Shkodrës, Sapes, Danjës, Ballecit, Drishtit, Pultit, Prizrenit dhe Arbanense, ndërsa nën atë të Durrësit, Lezha Stefaniaka (me Bendën) Kruja, Kunavia, Vrego, Vlora, ndonëse ndonjëra prej tyre ka qenë për pak kohë.

Le të trajtojmë tani mbi bazën e dokumentacionit historik dhe të studimeve që prekin këtë çështje, historinë dhe territoret që administron peshkopata e Arbrit, po kështu, edhe principata me të njëjtin emër.

Siç e përmendëm, dëshminë e parë për të e kemi në qershorin e vitit 1166, ku Lazari “Episcopis Albanensis” apo dhe “Arbanensis” merr pjesë në shugurimin e altarit të kishës së shën Trifunit në Kotor. Një vit më vonë (20.12.1167) papa Aleksandri III i drejtohet këtij peshkopi “Lazarum episcopum de Albania” duke e lavdëruar që dëshiron të mohojë ritin grek dhe se ke vullnet t‘i shmangesh në shumë raste, kur të paraqitet mundësia, ritit grek. Në të njëjtën dite, papa në një letër tjetër me vlerë të dëshmisë zyrtare, i konfirmon kryepeshkopatës së Raguzës shufraganet e saj, ndër të cilat nuk është peshkopata e Arbrit, e cila nuk njihet si e tillë edhe në mjaft bula të tjera papnore të mëparshme që konfirmojnë shufraganet e Raguzës. Po kështu, siç e pamë dhe më lart, një peshkopatë e Arbrit nuk është ndër shufraganet e metropolisë së Dyrrahut apo kryepeshkopatës së Ohrit.

Në të tilla rrethana, mendojmë se kemi të bëjmë me një peshkopatë të krijuar jo prej shumë kohësh, në një territor të metropolisë së Durrësit, pra nën sundimin bizantin, që për të afirmuar qenien e vet apo dhe për bindjet fetare, lidhet me kryepeshkopatën e Antivarit. Nëse peshkopata do të kishte kohë që ishte krijuar, ajo do të ishte përfshirë në listat e shufraganeve, sidomos po t‘i ishte shkëputur ndonjë peshkopate katolike në vartësi të Tivarit. Që peshkopata e Arbrit (arbanense) u krijua në territore deri atëherë të Dyrrahut, na bind përmbajtja e letrës së sipërpërmendur të papës Aleksandër III, në të cilën, mjaft qartë, vërehet përkatësia e saj në ritin ortodoks (“grek” në letër) dhe vartësia nga metropoliti, të cilit duhet t‘i tregoj respektin që i takon, çka shpjegohet me marrëdhëniet e mira në atë kohë të papës me perandorin Manuel Komneni. Pjesëmarrjen e peshkopit Lazar në ceremoninë e vitit 1166 në Kotor, ne e kuptojmë si dëshmi të dëshirës për lidhjen me kishën katolike nëpërmjet Tivarit.

Krijimi i një peshkopate të re në kushtet e mesjetës, duke iu shkëputur strukturave të mëparshme kishtare me një traditë të gjatë, nuk mund të kuptohet pa përkrahjen e një fuqie shtetërore ose të një feudali., jemi të prirur të mendojmë që kjo peshkopatë duhet të jetë lidhur me një feudal vendas, i cili, në rrethana të caktuara, arriti të krijojë një principatë dhe këtë akt mëvetësimi e shoqëroi dhe me krijimin dhe të një peshkopate që administronte kishtarisht tokat e tij, të cilat duam të nënvizojmë ishin pjesë e Arbërisë (Albanisë) mesjetare, por jo e gjithë ajo.

Në mungesë të të dhënave është e vështirë të përcaktojmë se në ç‘masë të kenë ndikuar në këtë krijim të ri, në strukturat administrative kishtare, rrethanat politike dhe ato fetare. Por duhet të kemi parasysh edhe dëshirën e sunduesve dhe prelatëve të Arbrit që të lidhen me kishën latine, kryepeshkopatën e Tivarit. Duket se, veç të tjerave, do të ketë luajtur rol dhe abacia e shën Aleksandrit në Mal të Shenjtit, ndërkohë e lidhur me benediktinët apo basilianët si dhe abaci të tjera katolike, e Rubikut, kisha e së cilës dëshmon qartë për lidhje arkitekturore me botën katolike.

Çështja tjetër që duhet të përcaktojmë, për aq sa është e mundur, lidhet me kohën në të cilën është krijuar kjo peshkopatë. Nga sa thamë më sipër kuptohet që kjo ka ndodhur në rrethana të veçanta politike që favorizonin një veprim të tillë. Pra, në një periudhë dobësimi, qoftë dhe relativ, të pushtetit bizantin, duke kërkuar ndërkohë dhe mundësi për aleanca që mund të siguronin këtë akt “rebelimi” nga ana e një feudali vendas, arhondi apo zotit të një krahine. I tillë ishte Andrea, i cili në ceremoninë e mësipërme emërtohet “Andrea prior Arbanensis”, në mos edhe paraardhës të tij. Si zot i kësaj krahine, Andrea arriti të sigurojë nga kleri i vet zgjedhjen e një peshkopi në personin e Lazarit, pranimi i të cilit mund të bëhej vetëm nga kisha katolike, në këtë rast kryepeshkopata e Raguzës.

Përfshirja e peshkopatës së Arbrit në listat e shufraganeve të kryepeshkopatës së Raguzës lidhet me një noticie të vjetër të Kuries romane me datën 1181, në të cilën, për herë të parë, ndër shufraganet e Raguzës përmendet peshkopata e Arbrit. Kjo tregon se pas një periudhe hezitimesh për njohjen e kësaj peshkopate, ajo arrin të afirmohet plotësisht, duke dëshmuar për një pozitë më të fortë të zotërve të kësaj krahine dhe të klerit të lidhur me Romën. Të njëjtën gjë dëshmon edhe pjesëmarrja e kryepriftit të Arbrit në vitin 1199, në një koncil të mbajtur në Tivar. Që nga kjo kohë nuk mungon, përgjatë gjithë Mesjetës së mesme, përmendja e peshkopatës apo peshkopëve të dioqezës së Arbërisë në vartësi të kryepeshkopatës së Tivarit.

Dy probleme të tjera që janë të lidhur me njëri-tjetrin dhe që duam të trajtojmë janë: territori dhe selia e kësaj peshkopate dhe a është peshkopata e Krujës e njëjtë me atë Arbanense? Shumë studiues janë shprehur se peshkopata e Krujës është e njëjtë me atë Arbanense, por dokumentacioni kishtar i ruajtur, edhe pse i pakët, flet për të kundërtën..

Në mungesë të noticieve të patrikanës së Kostandinopojës për fundin e shekullit XII dhe gjysmën e parë të shekullit XIII, kjo tezë është paraqitur me lehtësi, por prezenca e një peshkopate ortodokse në Krujë, pas përfshirjes së këtyre territoreve nën sundimtarët e Epirit, që dëshmohet me saktësi në vitin 1216, e hedh poshtë këtë tezë. Ndërsa duke filluar me Roman Crohensi, në vitin 1279, e deri në shekullin XV kemi gjithnjë dy radhë paralele peshkopësh katolikë në Arbëri e Krujë. Por, ndërsa e para vazhdonte të varej nga kryepeshkopata e Tivarit, peshkopata katolike e Krujës varej nga kryepeshkopata e Durrësit. Në favor të tezës që peshkopata e Krujës është e ndryshme nga ajo e Arbërisë, janë letra e Papës Joani XXII drejtuar peshkopëve, Mihalit të Arbrit dhe Andreas të Krujës, më 6 qershor 1318 dhe ajo e Papës Kalikst III e vitit 1457, në të cilën dallohet kisha e Shën Mërisë së Trafandinës në dioqezë të Arbrit, nga Shën Veneranda e Kurbinit në dioqezë të Krujës. Këtu duhet të vërejmë se kur konvertohen në katolicizëm, peshkopatat e Shqipërisë së Mesme, janë ato që kishte pasur më parë metropolia ortodokse e Durrësit, pra katër d.m.th., që Kruja nuk u zëvendësua asnjëherë nga Arbëria.

Duke përcaktuar që peshkopata e Arbërisë ishte e ndryshme nga ajo e Krujës, kemi veçuar dhe territoret e tyre. Për përcaktimin e territorit të peshkopatës së Arbërisë (arbanense) na ndihmon vendndodhja e tre kishave, që, sipas dokumentacionit, janë nën juridiksionin e kësaj peshkopate. Në vitin 1166, nën aktin e njohur të shugurimit të Shën Trifunit në Kotor përmendet abati i kishës të manastirit të Shelbuemit në Rubik (Sancti Salvatori Arbanensis), që cilësohet i tillë për t‘u dalluar nga ai i Tivarit, gjithashtu i pranishëm në këtë ceremoni. Manastiri i dytë është ai i Shën Llezhdrit në Orosh apo në Malin e Shenjtit, abacia që njihet në dokumentacion me emrat “San Alexandri Maior de Albania” dhe “Sancti alexandri diocezis Albanensis”, që duhet dalluar nga manastiri tjetër i Shën Llezhdrit, të Bokianit, mbi fshatin Spiten, i njohur ndër dokumente me emrin “San Alexandri di Collematia”, që ishte në vartësi të peshkopatës së Lezhës. Ndërtimi i tretë është kisha e Gëziqit, që me të drejtë është njësuar me “Sancta Maria di Trafandina in diocesis de Albania”. Të tria këto ndërtime e përcaktojnë qartë shtrirjen e peshkopatës katolike të Arbërisë në krahinën e Mirditës në shtrirjen e saj tradicionale, duke e kufizuar në perëndim me malësinë e Lezhës. d.m.th., me Peshkopatën e Lezhës, në veri me krahinën e Pultit dhe peshkopatën omonime, në jug e lindje me territoret e Peshkopatës së Stefaniakës dhe asaj të Krujës. Për sa i përket selisë peshkopale, duke u nisur nga rëndësia e Abacisë së Oroshit në këtë trevë dhe nga fakti që ajo disa shekuj më vonë përmendet si abaci mitrale, ne mendojmë se selia duhet kërkuar pikërisht në Shën Aleksandrin e Malit të Shenjtit. Peshkopata e Arbrit duhet të jetë krijuar me territore e kisha, që më përpara i takonin Peshkopatës së Lezhës dhe gjasisht edhe asaj të Stefaniakës. Në këtë fakt duhen kërkuar rrënjët e grindjes ndërmjet peshkopatës së Arbërisë dhe asaj të Lezhës për 12 kishat, grindje që e mësojmë nga letra e vitit 1407 që Venediku i dërgon papës, i shtyrë nga ndërhyrja e Gjon Kastriotit dhe që përsëritet dhe herë të tjera.

Në këtë mënyrë rezulton se Peshkopata Arbanense krijohet në kushte të caktuara historike në mesin e shek. XII, nga zotërit e principatës me të njëjtin emër duke u lidhur, e më vonë përfshirë, si shufragane e kryepeshkopatës së Tivarit. Territori i saj, dhe së pakut në periudhën e parë dhe i principatës që e krijon atë, ndodhet ndërmjet luginës së Drinit dhe asaj të Matit, ndërmjet malësisë së Lezhës dhe asaj të Lurës, kurse fqinjët e saj ishin peshkopatat e Lezhës, Pultit, Stefaniakës dhe Krujës. Gjithashtu, vëmë re se Peshkopata Arbanense nuk mbulon kishtarisht gjithë krahinën mesjetare të Arbanonit me të cilin dokumentacioni mesjetar nënkupton trojet e banuara nga shqiptarët.

Monumenti më i rëndësishëm i kësaj peshkopate mbeten rrënojat e Abacisë së Shën Llezhdrit në maj të Malit të Shenjtit, ndërtuar dhe rindërtuar disa herë gjatë shekujve, djegur dhe rrënuar disa herë nga turqit dhe herën e fundit nga komunistët në vitin e marrëzisë, 1967. Ato kanë qenë gjatë shekujve vend nderimi dhe pelegrinazhesh për të krishterët e Shqipërisë së Veriut. Udhëtarët dhe studiuesit e huaj, që e patën vizituar në fund të shekullit XIX, flasin, ndër të tjera, edhe për dy kryqe të vjetra, njëri me datën 1447, me mbishkrime latine dhe dhuruar nga Pal Dukagjini, sundimtar i krahinës, ndërsa tjetri, më i vjetër, me relieve dhe shkrime bizantine, që tregon për periudhën më të hershme të manastirit. Kur kisha ishte e ritit ortodoks dhe varej nga metropolia e Durrësit. Me interes edhe më të madh trajtohej nga besimtarët relikuiari prej argjendi, i zbukuruar me gurë të vyer, që thuhej se mbante kokën e Shenjtit dhe një gozhdë nga Kryqi i vërtetë. Të gjitha këto humbën nga zjarri që ra në fundshekullin XIX-të. Pikërisht prej kësaj periudhe të parë ka mbetur dhe toponimia Orosh, nga fjala mal në gjuhën greke, gjuhë e liturgjisë për murgjit ortodoksë të atjeshëm, së pakut aty në shekujt XI-XII.

Siç dihet, në rrënojat e kishës me emër të Gëziqit -Sancta Maria di Trafandina in diocezis de Albania, është gjetur mbishkrimi ndërtimor i famshëm me emrat e sundimtarëve të Principatës së Arbërit Dimitrit dhe Progonit të viteve 1190-1216, së bashku me stemën e tyre – shqiponja me një kokë dhe krahët lartë. Veç kësaj, ka dokumentacion historik dhe akte marrëveshjesh tregtare, të cilat flasin për sundimtarë të tjerë të principatës së Arbrit dhe që dëshmojnë për rëndësinë e saj gjatë mesjetës dhe për rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Por ne deshëm të ndalemi në përdorimin e kësaj steme me fare pak ndryshime nga familja e famshme e Dukagjinasve, e cila, për ne, është vijuesja e prijësve të parë të principatës së Arbrit, emri të cilëve i dha dhe emrin krahinës Dukagjin, që më vonë shtrihet në veri dhe verilindje, rezultat i zgjerimit në kohë i zotërimeve të familjes.

Gjatë pushtimit turk, organizimi kishtar, në kushtet e vështira të funksionimit dhe presionit islamizues, pëson mjaft ndryshime. Ndryshojnë disa nga qendrat peshkopale, disa suprimohen e të tjera bashkohen si dhe ndryshojnë kufijtë ndërmjet tyre apo dhe zhvendosen selitë e tyre. Peshkopata e Arbrit, që nuk bën përjashtim nga këto dukuri, takohet në dokumentacionin historik deri tek ipeshkvi i fundit Mark Skurra (viti 1644). Ndërkohë, në vitin 1638, kishat e dikurshme të Mirditës Vatikani ia kalon nën juridiksion ipeshkëvisë së Lezhës.

Në këtë vështrim, duke përfituar nga rasti, dëshirojmë të korrigjojmë mendimin e historiografisë zyrtare shqiptare, se Kuvendi i vitit 1602 u mbajt në fshatin Dukagjin të Matit, ku ka dhe një kishë të shën Aleksandrit. Në letrën që krerët e Shqipërisë të mbledhur atje i dërgojnë Venedikut thuhet mjaft qartë: nel paese di Dukagini a Sant Alessandro dhe kur jepet data: ..di San Alessandro della provintia di Dukagini. Veç kësaj, dhe në rreshtimin e krerëve pjesëmarrës, më së pari renditen ata të Dukagjinit dhe vijohet me të tjerë, ndër ta dhe ata të Matit, në një rreshtim mjaft të qartë nga Veriu në Jug. Po kështu, përmendet edhe abati i Shën Aleksandrit. Dhe këtu nuk ka arsye për t‘u habitur, sepse krahina e Mirditës ishte e sigurt, abacia e Malit të Shejtit dhe për më tepër me një pozicion të veçantë nderimi e respekti nga besimtarët e krishterë të Veriut të Shqipërisë.

U përpoqëm të nxjerrim në pah dhe të vlerësojmë një monument të rëndësishëm të historisë sonë në një krahinë që ka shkruar gjatë mesjetës faqe të ndritura në historinë e popullit shqiptar.

*Aleksandër Meksi është politikan shqiptar, ish Kryeministër i Shqipërisë gjatë viteve 1992 – 1997

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment