17 vjetë më parë/Tragjedia në liqenin e Ulzës, Otrantoja e re shqiptare

Nga Pirusti News

Shkrim i botuar në gazetën “Koha Jonë” më 14 shtator 2001

-Kanë shkuar për ngushëllime në një mort, por janë kthyer vetë në viktima. 35 banorë të fshatit Urakë kanë rënë nga ura pasarelë, por një stuhi e befasishme i ka hedhur poshtë duke u shkaktuar vdekjen. Historia e treguar nga ata që panë vdekjen me sy dhe e krahasojnë me tragjedinë e Otrantos-

Vetëm 20 km nga Rrësheni, ditë më parë, një ngjarje e pazakontë goditi një fshat të tërë. 35 banorë të fshatit Urakw, si të ishin gjethe vjeshte fluturojnë nga e ashtuquajtura urë dhe përfundojnë në baltën e liqenit të shterruar të Ulzës. Dikush mundi të shpëtojë lehtë, dikush ende lufton me vdekjen në spitale, por edhe viktima u rregjistruan si gjithnjë në kësi rastesh.

E nëse vendos që edhe fizikisht ta përjetosh duke parë me sytë e tu vendin e ngjarjes, duhet të mendohesh mirë për mjetin që duhet të marrësh e nëse do marrësh autoveture, nëse nuk të lë në rrugë, patjetër që do t’i shkurtosh ditët e saj. Ndonëse nuk është më tepër se 20 km nga Rrësheni, dy orë janë pak për ta përshkuar.

Rruga është copë-copë dhe 10 vjetë pa u mirëmbajtur, ka bërë që kjo e fundit të degradojë në skeletin e saj. Pak muaj më parë u deklarua se do të asfaltohej deri tek vendi i quajtur “Livadhi i Turkut”. Një ndërmarrje të tillë vendasit e quajnë si çlirim të dytë. Puna nisi dhe në pak ditë rruga u asfaltua nga Rrësheni në Tarazh, porr puna u stopua në një ditë me përfundimin e fushatës elektorale, ndërsa nuk ka ndonjë “haber” se kur kjo mund të rifillojë.

Në kufirin ndarës mes Mirditës dhe Burrelit, sapo ke përshkuar 3 km në rrugën e vjetër, përpara të shfaqet Uraka. Një fshat i grupuar me shtëpi në të dy anët e rrugës kryesore, ndonëse ka edhe shtëpi të veçuara. Një komunitet heterogjen përsa i përket besimit fetar. Katolikë, myslimanë, biles edhe jevgjitë të shumtë që me krenari të flasin për “autoktoninë, e tyre në ato troje dhe si si fakt të servirin shtëpitë e tyre me themele të vjetra guri, dhe jo shtëpi me dërrasa apo çadra.

Një harmoni e shkëlqyer mes besimeve dhe lidhjeve të shumta miqësore. E vetmja “ndarje” ishte vendi ku bëhet prehja e përjetshme. Të gjallët sëbashku, në ara, në bilardo, në kafenetë të cilat ishin përqëndruar në qendër të fshatit, ndërsa vetëm të vdekur, të ndarë në varreza të veçanta, në vende të zgjedhura. Ndoshta, një rit i trashëguar nga kohë të largëta. Fshati duket i qetë. Siç duket ende përjeton peshën e dhimbjes. Grupe njerëzish vijnë me gra të veshura në të zeza e levizin sa në një familje te tjetra për të ngushëlluar, por edhe për kurajo në ato familje të cilët kanë familjarë që ende nuk mund të thuhet se kanë shpëtuar nga kthetrat e vdekjes.

Tek ura e tragjedisë.

Sapo hyjmë në fshat, pyesim me takt se ku është ura e tragjedisë. Menjëherë të drejtojnë me gisht rreth 300 – 400 metra nga ekstremi i banuar i fshatit. Një i ri, rreth 22 vjeç, i quajtur Arben, pasi të heton se përse kemi shkuar aty, pranon të na shoqëroje tek ura duke thënë se një pjestar i familjes ka vdekuar atë ditë, pikërisht personi i quajtur Nikollë Deda.

Në sfond të shfaqet një pamje rrënqethëse, katër tela apo kavo çeliku me gjatësi rreth 250 metra dhe në to copa dërrasash të varura, hapësira të gjata pa asnjë dërrasë, e ndërsa në tokë, biles shumë metra larg shikon dërrasa të shumta të hedhura sa andej këndej, ku në to mund të dalloje ndonjë gozhdë, ndonëse të pandryshkuar, shumë të vogla për funksionin që kanë patur.

Vizita koincidon me vizitën e një grupi grash me të zeza të cilat vendosin lule në vendin ku kanë rënë banorët. “Ne do vijmë të vendosim lule, – shprehen ato, por për vetëm pak kohë, pasi me fillimin e shirave vendi bëhet pronë e iqenit të Ulzës”. Të shumtë janë ata që bëhen ciceronë. Ja thotë njëri, duke qartë se meqenëse binaret që vendosn kryq kanë qenë më të shkurtër, “specialistët” me anë kavosh të vogla kanë afruar kavot kryesore, për ta bërë urën më të ngushtë, pra për gjatësinë e binarëve. Kushti teknik thotë se binarët duhet të çpohen dhe me tela çeliku duhet të lidhen me kavot, pasta dërrasat duhet të kapen në binarë me gozhtë të gjata dhe të reja. Në fillim të urës, ndonëse nuk ishin lidhur sejcili por një në tre copë, ajo pjesë nuk kishte lëvizur.

Më tej specialistët janë “mëzitur” duke lidhur binarët, ndaj pjesën tjetër e kanë vendosur pa i lidhur. Pikërisht ajo pjesë ka flutuar masivisht në ajër. Një urë tjetër pasarelë pak më larg, e quajtur “ura e ndrelalajve”, megjithë stuhinë nuk kishte lëvizur, biles thuhej se në stuhinë e datës 2 shtator mbi të kishte patur njerëz që kalonin. Ndërsa disa binarë të vendosur shumë vite më parë ndonëse ishin holluar nga erozioni i viteve, ngase ishin lidhur nuk kishin pasur fatin e atyre që ishin vendosur 6 muaj më parë.

Në shtëpinë e Nikoll Dedës,  njërit prej viktimave.

Në kthimin tonë nga ura, ndalemi në familjen e njërit prej viktimave. Pjetër Deda i vëlli i Nikollës së vdekur, por edhe dëshmitar në vendngjarje rrëfen:

“Na erdhi lajmi i kobshëm se një djalë nga fshati fqinj përtej urës, kishte vdekur në megrim, në Angli, dhe dy muaj pas ngjarjes së rëndë ishte sjellë trupi i tij në fshat. Megjthëse atë ditë ishim të ftuar në një dasëm, u nisëm tek morti pasi dhimbja ishte shumë e madhe. Të gjithë si fshat jemi grupuar dhe sipas zakonit, 150 banorë jemi nisur duke kaluar nëpër këtë urë. Kur jemi kthyer, rastësia dhe fati e solli që ne të ishin grupe-grupe, pra jo të gjthë sëbashku siç ishim kur u nisëm në të shkuar. Sapo grupi ynë prej 35 vetash është futur në urë dhe kemi kaluar disa metra, si me çelës ka filluar stuhia. Kam kapur nga krahu vëllaim dhe kam tentuar të mbahem tek një kavo anësore, por në sekondë e kemi parë vehten në tokë.

Një pamje e llahtarshme, njerëz përmbys në baltë, dërrasa dhe binarë që binin papushim mbi trupat tanë që dergjeshin në llucën e liqenit. Britma grash që nuk mund të lëviznin nga vendi, por edhe rënkime burrash në frymën e fundit. Është dhënë alarmi në fshat dhe me furgonë jemi transportuar në Rrëshen, ndërsa dy prej tyre kanë vdekur në rrugë.

Falenderimet tona ja i’a adresojmë kirurgëve të palodhur të spitalit Rrëshen si Gjovalin Bushi, Bardhok Doda, Preng Simoni, gjithë personelit ndihmës si dhe një grupi mjekësh nga Tirana të cilët gjatë gjithë natës kryen dhjetra operacione të funksion të shpëtimit të jetëve. Por ne jemi të indinjuar, pasi ka fëmijë të vegjël që prej një jave presin nënat e tyre të cilat ende vazhdojnë të luftojnë me vdekjen (ja sot erdhi lajmi se njëra do të operohet në zemër për shkak të hemoragjive) por asnjë prej titullarëve të pushtetit nuk e ka vizituar fshatin tonë, as prefekti H. Tahiri, as kryetari i partisë në pushtet, por as edhe deputeti i zonës.

Për përmasat që ka fshati, këtu ka ndodhur një Otranto tjetër, asnjë media e shkruar apo vizive nuk i bëri jehonë problemit tonë, a thua se ne jemi ndryshe nga të tjerët. Një javë më pas u duk për të na vizitur kryetari i komunës tonë z. Hysa, sa për të na thënë se nuk kishte firmosur për ta marrë në dorëzim urën, pas rikonstruksionit.

Po atëherë kush ka firmosur përderisa fondi prej 8 milionë është likujduar. Kur pyet për seriozitetin e firmës ndërtuese të urës, banorët sqarojnë se ajo nuk është ndonjë firmë e mirfilltë dhe nuk është zhvilluar ndonjë tender. Ai si të thuash e ka përfituar tenderin pa garë me prokurim, pasi ka këmbëngulur se i takonte sepse ura që do të riparohej kalonte në tokën e tij.

Ndërsa një anëtar i këshillit të komunës u shpreh për “Koha Jonë” se “ne e kemi konstatuar punën pa përgjegjësi të riparuesve dhe për këtë kemi bërë debate të ashpra në këshill për të mos e marrë në dorëzim, por kryetari ka vënë veton, duke e firmosur pa miratimin e këshilltarëve”.

Largohemi nga ky fshat në kufirin e muzgut të mbrëmjes, më fjalën “Otranto” në mëndje, që për në shqiptarët prodhon vetëm dhimbje, me bindjen dhe shpresën se një ditë Zoti, qeveria dhe drejtësia të zgjohen nga letrargjia, për ta lokalizuar “Sibilën” dhe se kapitenët e kësaj natyre ë marrin ndëshkimin e merituar me qëllimin e mirë, që “Otranto” të tjera të mos përsëriten më kurrë, qoftë edhe në miniaturë.

Aleksandër Ndoja/Urakë, shtator 2001

Ju mund të lexoni edhe...

1 Komente

Fshati URAKË, porta lidhëse mes Mirditës dhe Matit, shembull i shkëlqyer bashkëjetese, mes besimeve të ndryshme fetare – Pirusti News 23 Gusht, 2019 - 1:40 pm

[…] 17 vjetë më parë/Tragjedia në liqenin e Ulzës, Otrantoja e re shqiptare […]

Reply

Lini nje koment