Kullat i ndërtojnë, i mbrojnë e i nderojnë vetëm burrat trima, fisnikë,bujar e me mendje të hollë!

Nga Pirusti News

Nga: Agim PICAKU

“..Ne bijtë e Kthellës krenohemi me kullat tona legjendare, në krye të vendit rrin me plot meritë kulla legjendare e Kros Gjet Macës. Ajo është për ne Kruja jonë e dytë, një krenari qëndrese e vyrtyti, trimërie, burrnie e humanizmi…”

Kulla gjen kudo në veri të Shqipërisë, në çdo lagje, katun e fis. Ato kanë mbirë ngado si lisat e pyjeve e të zabeleve tona, por ka lisa e lisa. Ka lisa të gjatë që presin rrufetë, e lisa degëgjerë e madhështore  që ne i quajmë mriza. Ata janë të mbrojtur në kanun, e askush nuk guxon jo vetëm t’i presë, por as t’u heqë me sëpatë as një ashkël të thatë. Kështu është dhe historia e kullave. Nw duhet t’i dallojmë në shejn kullat duke patur parasyshë jo madhësinë e lartësinë e tyre,por besën e trimërinë e të zotërve të tyre, mikpritjen e bukën e dhanme me fisnikëri e pa interes, sasinë e burrave të katundit, të fisit e mysafirët e shumtë, shtegtarët e nevojtarët që ato kulla fisnike i kanë pritur si zotni!

A doni kulla zotni?! Ka pasë e do të ketë përjetësisht ky komb i lashtë, e nëse doni t’i vëni në vendin e nderit kullat kala të shqiptarëve, lexojeni Homerin shqiptar At’Gjergj Fishta dhe Lahutën e Malsisë: Në krye të vendit janë kullat e Markagjonëve, të Çun Mulës së Hotit, Kaloshëve e Ndrejajve të Dibrës, të Dukagjinit të Kthellës së Mirditës e Gjin Pjetrit të Kurbinit, të Ali Pashë Gucisë, Haxhi Zekës, Jasharëve të Drenicës e Haradinajve të Glloxhanit, Mulosmanëve të Krasniqes, Haklajve e Hoxhajve të Gashit, Vatnikajve të Merturit e Pecnikajve të Shalës, e më në fund Sarajeve të Toptanëve të plotëfuqishëm e patriotë.

E drejta zakonore,burrnia e fisnikëria janë bekimi i kullave të lavdishme e të përjetëshme. Ja ç’far shkruan i madhi Gjergj Fishta për Bajraktarin e Hotit Çun Mulaj:

“Ky Çun Mulaj Shpi e rreptë Ku han bukë i verbër e i shkept’ë”

Ne bijtë e Kthellës krenohemi me kullat tona legjendare, në krye të vendit rrin me plot meritë kulla legjendare e Kros Gjet Macës. Ajo është për ne Kruja jonë e dytë, një krenari qëndrese e vyrtyti, trimërie, burrnie e humanizmi. Respekt të përjetshëm për kullat legjendare të shqiptarëve, të cilat mbajtën gjallë lirinë, nderin dhe traditat më të shquara të kombit shqiptarë. T’i puthim portat, dritaret e lisat e oborreve të tyre si objekte të shejnta e të pazëvendësueshme, si shkolla edukimi e patriotizmi dhe si orakuj që na tregojnë rrugën mbi të cilën do të ecin brezat e ardhshëm!

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment