“Skënderbeu në historiografinë zvicerane” dhe kontributi i Mr. Murat Ajvazi në hapjen e arkivave zvicerane, për heroin e kombit të shqipeve

Nga Pirusti News

 

-Është një histori e gjatë, e spikatur mjaft e rëndësishme për historiografinë tonë e madje për krenarinë tonë kombëtare e cila flinte në “sënduqet” e arkivave zviceriane, derisa një historian i apasionuar si Murat Ajvazi mundi ti gjente ato, t’i përkthente dhe me ndihmën e miqve, për ti përmbledhur në një libër-arkivë të titulluar “Skendërbeu në Historiografinë Zvicerane”-

Shpallja e vitit 2018 nga të dy qeveritë shqiptare si viti i “Gjergj Kastritot-Skendërbeut” ka bërë që shumë faktorë të aktivizojnë mundësitë e tyre në lidhje me këtë figurë më e rëndësishmja e hapësirës mbarkombëtare. Deri më tani janë bërë disa sesione shkencore, aktivitete kulturore e artistike, shkrime e poezi pafund, plane për shtatore etj. Natyrisht aty ku ka shumë, ka edhe subjektivizëm apo deri edhe keqdashje ndaj kësaj figure të rëndësishme deri ballkanike, apo dhe europjane.

Por ku ka shumë edhe mund të zgjedhësh, të sitësh për të nxjerrë më të mirën e mundshme. E padyshim një vlerë e patjetërsueshme është të shfletosh fakte dhe dokumenta që janë përcjellë nga shtypi i huaj, madje i hershëm për këtë Atlet të Krishtërimit dhe mbrojtës të identitetit jo vetëm shqiptar, por edhe më gjerë.

Ndoshta më të rëndësishmit, të pazbuluar e të panjohur deri tani në opinionin mbarkombëtar janë historianet e shquar zviceranë të para dy shekujsh,  Jean Charles Leonard Simonde de Sismondi dhe Ernst Münch. E ndërsa këta historianë që në vëndin e tyre nderohen me madhështi, nuk kanë harruar të vlerësojnë se Gjergj Katriot-Skendërbeu ishtë një garanci e jashtëzakonshme që hordhitë turke të mos zbarkonin në Europë e sidomos në Zvicër.

Është një histori e gjatë, e spikatur mjaft e rëndësishme për historiografinë tonë e madje për krenarinë tonë kombëtare e cila flinte në “sënduqet” e arkivave zviceriane, deri një historian i apasionuar si Murat Ajvazi mundi ti gjente ato, t’i përkthente dhe me ndihmën e miqve, për ti përmbledhur në një libër-arkivë të titulluar “Skendërbeu në Historiografinë Zvicerane”, shtypur e faqosur ne shtypshkronjen e mirenjohur prishtinase “Lena Graphic”, me pronar z. Hajdar Fejzullahu.

Mr. Murat Ajvazi nga Prishtina për më shumë se 20 vite jeton dhe punon në Zvicër. Është një punë mjaft voluminoze ku lexuesi gjen të dokumentuar historinë e Gjergj Kastriot –Skëndërbeut, pra historinë tonë të përbashkët.

Jean Charles Leonard Simonde de Sismondi dhe Ernst Münch, përcjellin para lexuesit shqiptar një Gjergj Katriot-Skendërbe, pak më ndryshe, por më të vërtetë, më madhështor dhe heroik ngasa e kemi ditur. Në faqet e këtij libri ku është përkthyer historia e Gjergj Katriot-Skendërbeut, rrëfyer nga historianët zviceranë të viteve 1800, Gjergj Katriot-Skendërbeu paraqitet si një diplomat i vërtetë, një takticien në luftë, një atdhetar i flaktë, por edhe mik e bashkpunëtor me drejtuesit e kombëve të tjera të cilët ishin në një barikadë kundër murtajës osmane.

Në faqet e librit ka fakte dhe detaje të padëgjuara për udhëtimin e Gjergj Katriot-Skendërbeut, drejt Krujës sëbashku me besnikët e tij. Si ai arriti që përmes nderimit që i bënin vasalët turq në kalanë ë Krujës, të shporrte flamurin osman dhe të vendoste flamurin e kombit të tij. Aty ka detaje nga më të ndryshme të jetës dhe aktivitetit të Gjergj Katriot-Skendërbeut, por edhe komunikimin e tij me Sulltanin.

Më poshtë po japim letrën që Sulltani i dërgoi Gjergj Katriot-Skendërbeut, por edhe përgjigjen e guximshme të Gjergj Katriot-Skendërbeut, që ja nis Sulltanit.

Letra e sulltan Muratit dërguar Skënderbeut

Pas kësaj sulltani nga Edrenja, dërgoi një ambasador te Skënderbeu, me një letër të shkruar. Në këtë letër sulltani shkruante: Skënderbe me anë të kësaj letre unë Muratbeu, perandor i të gjithë linjës nuk mund të dërgoj shëndet as të pakët e as të shumtë, sepse më ke zhgënjyer dhe me je paraqitur si armiku kryesor. Unë me atë dashurinë time si është zakoni për fëmijën e vet, të kam rritë dhe jam përpjekur gjithë herë me të nderuar. Dhe ti tani je paraqitur përballë meje kësisoji, dhe më ke shkaktuar dëme të mëdha siç je edhe ti në dijeni,  dhe gjithë të tjerët janë në dijeni për armiqësinë tonë. Unë nuk mund të kuptoj nga rrjedh gjithë kjo armiqësi mes nesh, arsye ndoshta që nuk ta kam dorëzuar shtetin të cilin i takonte babait tënd.

Sigurisht të isha në dijeni për këtë dëshirë tënden, do të kisha bërë gjithçka po sikur të më kishte treguar dëshirën tënde, sepse ti je në dijeni se çdo dëshirë tëndet e kam përmbush, mbase isha i detyruar për vyrtytet tua të rralla dhe të kam dashur më shumë se askënd. Kur ti e dije se unë të premtova se do ta ktheja shtetin e atit tënd dhe ti veprove kundër detyrës që të është caktuar, me të vërtet ti meriton qortimin tim dhe urrejtjen time. Mirëpo kur mendoj veprat tua burrërore që me vite luftove dhe mbrojte shtetin tim, jam gati të zbus mërinë time ndaj teje, dhe të them se pranoj të zotosh i lirshëm shtetin që të është trashëguar nga babai yt, me kusht që të më kthesh pjesën e Arbënisë që u’a pushtuam të tjerëve veç asaj të babait tënd, të cilën ma ke grabitur kundër dëshirës sime.

Prandaj të kërkojë të mendohesh mirë dhe të ma kthesh pjesën që kërkoj, përndryshe të betohem në shpirtin e tim ati, që do të drejtoj të gjithë fuqinë time kundër teje. Do të dëboj nga ai vend për të zezën tënde, e në qoftë se do që të shpëtosh diçka gjallë, do të bëj të dalësh lypës rrugësh. Ti je në dijeni që përveç fuqisë sime, unë mund të dërgojë edhe njëqindë e pesëdhjetmijë luftëtarë dhe ti duke pasur pak ushtarë nuk mund të bësh ballë fuqisë sime. Të them këtë sepse nuk dua të të dëmtoj. Të gjitha të këqijat dhe të mirat i vura parasysh, prandaj zgjidhë tani atë që ty të duket në rregull. Këtë letër dërguesit tim Hajredinit t`i besosh plotësisht, sepse çdo gjë që ai ka për të thënë me gojë është porosia ime. Nga Edrenja me 16 qershor 1444.

Përgjigja e dërguar nga Skënderbeu, sulltan Muratit

Sipas Münch : Skënderbeu kur lexoi letrën dhe dëgjoi fjalët e thëna nga ambasadori ai i bëri nderime për kohën që qëndroi në pallatin e tij. Pas pesë ditësh qëndrim, Skënderbeu e nisi ambasadorin dhe me vete i dha një letër ku i përgjigjet sulltanit: Gjergj Kastrioti i quajtur Skënderbej, Princi i Arbnorëve, të dërgoj shëndet të pafund i nderuari Muratbej, Princi i turqve. Me anë të ambasadorit tënd Hajredinit, kam pranuar letrën tënde në të cilën që në fillim më drejtohesh se nuk mund të më japësh shëndet as pak as shumë, andaj edhe unë të përgjigjem në këtë mënyrë e në qoftëse ti dështon për këtë, je ti i vetmi shkaktar sepse më bëre armikun tënd, jam shumë i sigurtë që menjëherë do të gjykosh por unë të ndjej si shumë mik dhe për këtë mund ta vësh në provë miqësinë time ndaj teje.

Por nëse unë kam fituar lirinë e shtetit tim atërorë, nuk besoj se do duhej të jetë fyerje ndaj teje, meqë është vendi që më përket mua. Ndërsa në qoftë se ushtria jote që ndodhej në anën tjetër të Arbenisë që ti e ke nën sundim, kanë ardhur të armatosur për të më sulmuar dhe unë me meritën dhe fuqinë time e pushtova atë pjesë, me të vërtetë faji nuk ka qenë i imi, por i atij që i ka ngritur kundër meje, dhe për më tepër nëse unë kam thyer ushtrinë tënde e udhëhequr nga Alibej Pasha, nuk besoj se kam vepruar kundër asnjë detyre vetëm se kam mbrojtur vendin që më takon mua nga duart e atij që donte të më cenonte.

Prandaj përfundoj që me gjithë mbrojtjën nga sulmet e tua, prap jam miku yt. Të jap fjalën se nëse nuk bënë atë që të këshilloj, unë do të kthej jo vetëm pjesën që ti më kërkon por edhe gjithçka që kam në këtë botë, dhe do të jem gjithmonë në shërbimin tënd. Në të kundërtën të jesh i sigurtë se edhe në betimin që ke bërë për të më dëbuar nga vendi im, kam shpresë të madhe të mbrohem nga gjitha fuqitë tua dhe fitorja e një beteje nuk qëndron në numrin e ushtarëve, por qëndron në trimërinë dhe guximin e prijësit të tyre. Por të kërkoj që të mendosh në pjesët tua të ëmbla, sepse kërcënimet tua mizore nuk më tundin aspak dhe megjithëatë i premtoj shkelqësisë tuaj, që s’do të bëjë asnjë ndryshim, pa më trazuar ju i pari. Nga kampi ynë me 14 korrik 1444.

Përgatiti: A. Ndoja

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment