Një dokument i rrallë që konfirmon Pjetër Përlatin (Duka) si bashkpunëtor të ngushtë të Gjergj Kastriotit dhe vizita në Kishën e Rodonit, ku u themelua marrveshja anti-osmane me perëndimin

Nga Pirusti News

Gjithmonë na ka ndodhur teksa udhëtojmë nga Miloti për në Tiranë të shikojmë në anën e djathtë rrugës, ama një distancë shumë të largët, vargmale në majat e të cilave ka jetë. Këtë rradhë kemi vendosur që këto vargmale të mos i “kundrojmë” në distance, por të kalojmë mes tyre. Ftesa është disi e pazakontë nga dy organizatorët e këtij udhëtimi Alfred Duka dhe Nikollë Loka, të cilët kanë vendosur që një dokument autentik të Gjergj Kastriot Skendërbeut, i cili ka mbijtuar në arkivat e Vatikanit ta bëjnë prezent mes miqsh kryesish mirditas, por edhe kuksianë, pikërisht aty ku u nënshkrua aleanca historike mes Gjergj Kastriot Skendërbeut dhe Europës, në Kishën e Shënanout, pranë Kepit të Rodonit.

Në ato vargmale perle e rivieres shqipare mund të startosh nga disa drejtime, si nga Ishmi, përmes Gjirit të Lalëzit, për tu ngjitur maleve, por edhe nga një degëzim në fshati Bubç, afër Fushkrujës. Pikërisht këtë rradhë kemi zgjedhur të ngjitemi nga Bubçi si rrugë më e shkurtër që do të na çonte në afërsi të Kepit të Rodonit, në bregun e detit Adriatik, në Kishen e cila i përket shekullit të XV-të.

Rruga e cila gjarpëron pafundësisht mes maleve dhe luginave të thella është mjaft cilësore. Duket e rindërtuar sëfundëmi, pasi edhe vijat e sinjalistikës janë pothuaj të reja. Udhëtimi është mjaft komod mes pishave të shumta dhe një flladi që përplaset nga njëra anë nga malet e Krujës, ndërsa nga ana tjetër aroma e detit Adriatik. E teksa udhëton në këto male ke zbuluar një botë tjetër, që pak e njohim. Janë fshatra në rradhë në maja malesh, të cilat janë sistemuar në mënyrë majft cilësore. Vila pa fund dhe një infrastrukturë cilësore. Duket se këta banorë të shumë të numër bëjne një jetë normale dhe të shëndetshme për vetë pozicionin gjeografik ku ndodhen vendbanimet e tyre. Në të djathtë të shfaqet “parajsa” Gjiri i Lalëzit,  ku kanë ndërtuar mbretërinë e tyre të përfolur jo pak politikanë që kanë “derdhur djersë” sidomos duke ngritur zërin në parlament. Sidoqoftë rruga vazhdon pandërprerë duke lënë pas fshatin Ishëm, për të përshkuar disa disheza me kodrina të tejmbushura me pishë të re kryesisht, ndërsa një tabelë na lajmëron se po futemi në rezidencë private të Gjirit të Rodonit. Nuk vonon dhe pas dy a tre km, shfaqet deti, një fushë përpara ku është vendosur dhe kisha e Shenjtë e Shnanout, të Rodonit.

Te Kisha e Shnanout, të Rodonit.

Më herët kanë mbërritur këtu shumë mirditas të prirë nga organizatorët e këtij takimi pa shumë bujë z. Alfred Duka dhe Nikoll Loka. Në sheshin para Kishës janë dhe të tjerë intelektualë dhe të angazhuar mirditas si Gjet Ndoji, Agim Doçi, Pashk Gjoka, Ndue Dedaj, Bardhok Pulaj, Gjon Dedaj, Mark Ruçi, Frrok Çupi, Benard Lekgegaj, Gjon Ndreja, Gjergj Marku, Izet Duraku, Rexhep Shahu, Pjeter Marku, Llesh Pulaj e të tjerë. Fusha ku ndodhet Kisha e Shënanout është mbushur me vizitorë të shumtë, madje dhe të huaj. Ndërsa plazhi është i zbrazuar, bregu i detit ka vizitorë që e sodisin në këmbë. Bunkjerët jo të paktë të kohës së luftës së ftohtë qëndrojnë akoma, ndërsa disa ndërtesa në zgrip të kujtojnë se këtu ka qenë zonë e fortë ushtarake.

Ndërsa Kisha është ndërtuar me një muraturë prej gurësh shtufi dhe tullash të lidhura me llaç gëlqereje, ku është përdorur teknika bizantine e kluasonazhit. Kisha i takon arkitekturës romane-gotike e cila shihet tek harqet e mprehta. Kisha e Shën Ndout është ndërtuar sipas specialistëve në shekujt 14-15.

Njëri prej këtyre manastireve përmendet në një dokument të vitit 1488 në të thuhet që Papa Inoçenti VIII-të u lejon Minareve Observante të Dalmacisë të marrin rishtaz nën kujdesin e tyre manastirin e Rodonit pranë Currilave. (Dokumenta të shek. XV për historinë e Shqipërisë. Vëll IV.I. fq.108) Ndikimin dalmatin edhe në fushën e besimit në Shqipërinë e shekullit të XV. Diku në fund të viteve 1990 (1998-2000) me financime gjermane u restaurua kisha e Shën Ndout, ku sipas legjendës këtu ka kaluar një pjesë të kohës së saj motra e Skënderbeut, Mamica.

Brenda Kishës janë dy varre, njëri prej të cilit dyshohet se është varrosur motra e Gjergj Kastriot Skënderbeut, pasi dokumenta flasin se se këtë Kishe Gjergj Kastriot Skënderbeu e kishte ndërtuar kushtuar asaj. Pikërisht në këtë zonë Gjergj Kastriot Skënderbeu ka bërë mjaft ndërtime fortifikuese.

Ceremonia

Kisha e Shnanout në Rodon nuk ka parë kaq shumë mirditas sëbashku, brenda ambienteve të saj. Merita natyrisht e Alfred Dukës i cili dokumentin e rrallë ka zgjedhur ta prezantojë pikërisht në vendin e shenjtë, në Kishën ku më 29 tetor të vitit 1463 Gjergj Kastriot Skendërbeu i nisi letrën e Tij drejtuar Papa Piu II.

Në këtë dokument i cili u shpërnda për të gjithë të pranishmit nga Alfred Duka, vërtetohet plotësisht se solidarizmin e vet me kryqëzatën antiomane, Skënderbeu ia njoftoi Romës, ndoshta para shpalljes së bulës Papale. Me këtë akt Gjergj Kastriot Skënderbeu, në prani të Pal Engjëllit Kryepeshkop i Durrësit dhe i krahinës së Ilirikut, të Pjetër Dukës Abat i Manastirit të Shën Lleshit (Aleksandrit) të Arbërisë), të Abatit Vlash, Prior në Kuvendin Dominikan të Shkodrës, orator dhe Nunc Apostolik në Shqipëri dhe në prani të dëshmitarëve të tjerë, të mbledhur në Shën Mërinë e Rodonit ngarkoi Martin Muzakën, si Ambasador të posaçëm, për ta përfaqësuar atë pranë Papës dhe Kolegjit të Kardinalëve, të mbledhur në konçistor dhe të trajtojë çdo çështje që ka të bëjë me kryqëzatën antiosmane.
Abati Pjetër Duka, i njohur si Pjetër Perlati, gjeneral, ushtarak dhe diplomat i shquar ishte njëri nga bashkëpuntorët më të afërt të Kryeheroit shqiptar. Mbiemri Duka të mbijetojë edhe sot në fshatin Përlat të Mirditës. Në këtë aktivitet kanë folur edhe Agim Doçi, Ndue Dedaj, Rexhep Shahu, Gjon Ndreja etj.

Përgatiti: Aleksandër Ndoja

 

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment

Share