ARKIVA, 5 vjet më parë/Tre gjeneralë që nxori Mirdita dhe fundi i tyre….!

Nga Pirusti News

-Nga Pjetër Përlati e Gjin Marku, te Sandër Lleshi i sapo shkarkuar-

Artikull i plote botuar ne “Tirana Observer” Date 3 qershor 2013

Nga: Aleksandër Ndoja

Në historinë shkruar të Mirditës rezulton se kjo trevë gjatë gjithë historisë së saj ka nxjerrë disa gjeneralë. Por le te veçojmë këtë rradhë tre prej tyre. Ata janë Pjetër Përlati  i Gjergj Kastriotit, Gjin Marku i komunizmit dhe Sandër Lleshi i NATOS. I pari, renditet Pjetër Përlati të cilit Gjergj Kastrioti i besoi një ndër betejat më të rëndësishme të bërë prej tij, betejën e Stefigradit. Fundi i tij nuk dihet, por nga kërkimet  historike rezulton se forcat anti – turke të Mirditës nuk përmenden shumë në kohën e  Pjetër Përlatit, pasi këto forca ishin të inkuadruara brënda ushtrisë së Dugagjinëve, por gjithësesi kjo figurë e rëndësishme e kohës lavdiplotë të kastriotëve ishte një pikë kyçe e luftimeve dhe fitoreve të tij. Gojdhënat konfirmojnë se kjo figurë e rëndësishme që i dha emër Mirditës në kohën e Gjergj Kastriotit  e pati fundin tragjik, pikërisht nga pushtuesit turk të cilët nuk mund t’ja falnin një rezistencë kaq të fortë ndaj tyre.

Më pas për disa shekuj nuk flitet për gjeneralë mirfilli mirditas deri në luftën e dytë botërore, kur në skenë del një ndër gjeneralët më të spikatur të kësaj lufte siç ishte Gjin Marka Toma, strateg dhe ideator i fitores së brigadave partizane mbi nazifashizmin. Por edhe se kishte një emër të madh, jo vetëm si luftëtar por edhe si drejtues i lartë i ushtrisë shqiptare, i vlerësuar dhe nga strategët më të mëdhenj të kohës siç ishin gjeneralët dhe drejtuesit e ushtrisë sovjetike, Gjin Marku do të bëhej kurban i makinacioneve haluçinante të Enver Hoxhës dhe klikës komuniste, duke përfunduar burgjeve të tmerrshme të diktaturës, deri në harxhimin e frymës së fundit.

Edhe pse fati i dy gjeneralëve të parë mirditas nuk ishte për tu admiruar, një tjetër gjeneral po nga Mirdita ‘guxon” ti hyjë rrugës me të pa pritura që ofron doktrina e lartë ushtarake. Ai është Sandër Lleshi nga fshati Mërkurth, fshat në ekstremin verilindor të Mirditës që ndan kufirin administrativ me Lurën e Peshkopisë. Gjok Lleshi një bashkfshatar i tij, pa asnje lidhje farefisnore me të, thotë se Sandri ishte një fëmijë i urtë dhe dhe me një fëmijëri të vështirë, duke u rritur mes punëtorëve të minierës së Kurbneshit. Por tipi i tij studioz do të vlerësohej, dhe falë  këmbënguljes së tij arriti të përfundojë studimet ushtarake me rezultate të larta, përfundon Lleshi.

Gjatë karrierës së tij ushtarake njohu vetëm ngjitje, studime të mëtejshme në përputhje me doktrinat e reja që NATO ka për vendet anëtare të saj. Kështu për një kohë të gjatë ushtaraku i karrierës Lleshi kryen detyrën e atasheut ushtarak pranë një shteti të fuqishëm të NATOS-s në Gjermani. Pikërisht këtu shfaqet edhe ana humane e gjeneralit mirditas i cili kaloi në këtë vend një ndër periudhat më të veshtira të jetës familjare. Komuniteti i rajonit gjerman por edhe spitali ku kurohej njëra prej vajzave të Lleshit i dhurojnë të ndjerës një autoambulancë moderne. Edhe sot pas kaq vitesh ajo autoambulancë është në shërbim të bashkqyetarëve të tij, pranë spitalit të Rrëshenit.

Sandër Lleshi viktimë e …….

Presidenti i Republikës me një të rënë të lapsit fshin nga ushtria shqiptare dhe rradhët e NATO-s, një ndër ushtarakët më të përgatitur dhe me një karrierë të spikatur në rradhët e ushtrisë shqiptare, zëvendës shefin e shtabit të përgjithshëm, gjeneral brigade Sandër Lleshi. Në shkresën përcjellëse citohen ca gërma të alfabetit të marra me copy – paste në dekrete të tjera, që nga përkthimi i tyre nuk thonë gjë tjetër veqse presidenti emëron dhe shkarkon gjeneralë.

Asnjë arsye, qoftë edhe standarte si zakonisht “për arsye reforme” nuk citohen të jenë artikuluar. Laku për gjeneralin e ka fillin tek një tjetër gjeneral,  gjeneral  jo prej vërteti por i pagëzuar dikur nga vetë partia e tij, për ngjarjet e vitit 97-të. Ai është ministri Imami i cili ka bërë propozimin për shkarkimin e tij, ndonëse edhe ky i fundit nuk jep ndonjë arsye për këtë. Madje as kryeministri i cili dy ditë pas këtij dekreti vjen në Rrëshen për fushatë elektorale. Ai në fjalimin e tij arrin të artikulojë fshatin Mërkurth  e Kumbull për ndërtim rruge kuptohet, por nuk thotë asnjë fjalë për gjeneralin e propozuar për shkarkim nga gjenerali i pagëzuar prej tij për trazirat e vitit 97, sot ministër po i qeverisë së tij.

Por si për çudi na del se filli i lakut për gjeneralin prej vërteti Sandër Lleshi, qenka përgatitur nga një farë kryetar nderi i një shoqate në Kananda me emrin Rexhep Karruku. Në një letër drejtuar Nishanit dhe dista nishanëve të tjerë, ky Karruku që më 8 prill të ketij viti kërkon as më pak e as më shumë, por shkarkimin e gjeneral  Lleshit. Piksëpari themeluesi dhe president i njërës prej shoqatave më në zë të Kanada, Albanian Canadian Events, konfirmon se ka bashkëpunim me të gjithë shoqatat shqiptare që veprojnë në Kanada, por asnjëra prej tyre nuk ka një kryetar me emrin Rexhep Karruku.

Madje presidenti i Abanian Canadian Events shkon më tej, teksa konformon se sëshpejti do të mbledhë të gjithë shoqatat që veprojnë në Kanada, ku edhe do ti drejtohemi presidentit dhe të gjithë atyre që kanë marrë letër nga Karruku, duke i konfirmuar se shkarkimi i gjeneral Lleshit për këtë arsye është i pa drejtë, pasi autori i asaj letre është anonim dhe i pa vërtetë. Sidoqoftë nëse me të vërtetë shkarkimi i gjeneralit ka ardhur nga një letër e tillë është shumë e rëndë, po aq e rëndë sa dhe fakti që shumë të tjerë kanë arsye ta besojnë, fakt tashme i provuar, ai pastrimit të çdo mirditasi nga administrata e lartë shtetërore siç ka ndodhur me shumë të tjerë, sidomos vitet e fundit.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment