Intervistë me Angjelina Lekaj, Koreografe kërcimi dhe baleti, pedagoge, drejtuese projektesh, mentore, consulter SGfB dhe art-terapiste.

Nga Pirusti News

Leka: Arti është një zinxhir i bukur që nuk lejohet t’i shkëputet asnjë hallkë. Pa një zinxhir nuk krijohet traditë, pa një traditë nuk ka një komb të fuqishëm.”  Intervistë e botuar në Revistën “Mirdita” nr 20.

Angjelina Lekaj filloi studimet në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë dhe u diplomua si femra e parë shqiptare mes gjashtë meshkujsh në degën e Koreografisë dhe Regjisë. Mbron Masterin më 1985-n me një Balet me dy akte të titulluar: Pranverame muzikë të kompozitorit “Mjeshtër i MadhDorian Nini, para Komisionit: Panajot Kanaçi e Agron Alija (Artistë Populli), dhe Artistit të merituar Petrit Vorbsi.

Po atë vit, 1985, emërohet në Pallatin e Kulturës në Mirditë, nga ku largohet në fund të vitit 1990. Mbas largimit nga Shqipëria deri në 1995 drejtoi shkollën e baletit të Liceut Artistik, Greqi. Nga 1995 dhe deri sot jeton në Zvicer. Mbas studimeve pasuniversitare në Universitetin e Luzern, punoi rreth 17 vite si drejtuese e klubit të Rinisë në Zürich, më pas studioi katër vite Integrative Gestalttherapie Consulting në Gjermani. Ne vazhdim studioi TAMALPA Institut në Kaliforni (për Artterapi nëpërmjet lëvizjeve dhe memories së trupit). Sot ushtron profesionin Consulting dhe Familiencoach për njerëzit që janë të interesuar të njohin potencialin e tyre dhe ato që duan të përpunojnë përjetimet si faza të vështira të jetës.

Angjelina Lekaj , Vendlindja dhe fëmijëria.

Kam lindur në Shkodrën e djepit të dijes e të kulturës, mes artistëve të njohur të Shqipërisë. Çdo verë fëmijërinë e kaloja në kullën e madhe tradicionale dhe të njohur te gjyshat e mi të dashur, në fshatin Kashnjet. Atje ishte kontakti im i parë emocional dhe artistik me kulturën Mirditore. Në moshën 9 vjeçare përzgjidhem në Shkodër nga specialistët më të njohur të baletit shqiptar, për të studiuar në Liceun Artistik të Baletit në Tiranë, por familja ime dëshironte që të ardhmen ta ndërtoja kudo, veç në art jo. Pavarësisht kësaj, me këmbënguljen time, kam marrë pjesë në shtëpinë e Pionierit dhe në Pallatin e Kulturës Shkodër, në aktivitete të panumërta, si, festivale fëmijësh, festivale pionierësh, klubin e rinisë, festivale të shkollave si interpretuese dhe si koreografja më e re. Kam marrë pjesë në koncertet e Filarmonisë së Shkodrës, në estradat profesioniste të teatrit Migjeni, në Festivalet e klasës Punëtore (si interpretuese dhe si koreografe), në koncerte të shfaqura nga Televizioni Kombëtar Shqiptar, si dhe në Festivalin Kombëtar Folklorik 1978, ku prezantova për Shkodrën kostumin e nuses Mirditore. Në 1979 isha pjesëtare e Ansamblit të Shkodrës në Turneun Shtetëror ne Turqi, si dhe në Dekadat e Majit – Tiranë. Mbas kursit nëntë mujor të Koreografisë në Tiranë, konkurova për në Akademinë e Arteve të bukura në degën e Koreografi-Regjisë, duke fituar si e vetmja vajzë mes gjashtë djemve. Unë isha një prej shtatë Koreografëve të parë që u diplomuan në ketë degë në Shqiperi.

Arsimimi dhe qenia juaj në koreografi ishte vullnet apo talent?

 Isha personi që gjithmonë e doja shkollën, madje lëndët e mia të preferuara ishin matematika, fizika e kimia. Baleti ishte për mua një Vis i panjohur. Si më pushtoi arti i kërcimit? Isha 9 vjeçe, nxënëse e fillores. Mësuesja më dërgoi në sallën e mësuesve për të marrë fletoret e provimeve të klasës. Në verandën e shkollës “Branko Kadija” kërcimtaret po bënin prova për Festivalin e Shkollave të Shkodrës. Duke parë tek kërcenin u mahnita se si njeriu “flet” nëpërmjet lëvizjeve të trupit, pa fjalë. Kjo më magjepsi, sidomos kur lëvizjet vetjake harmonizoheshin me ato të kërcimtarëve të tjerë, më joshën aq sa harrova se ku isha… veç kur ndjeva dorën e butë mbi sup të mësuese Albina Baba. U ktheva në klasë, por mendja më mbeti te grupi i kërcimit. Që nga ai çast ndjeja një zjarr në gjoks që rritej e me tërhiqte drejt tij. Këtu lindi pasioni im që frymezoi vullnetin gjatë gjithë karrierës sime të Koreografisë. Por pasioni pa punën dhe disiplinën është si të thuash si bima pa ujë dhe pa diell. Kur e do atë që bën, kapërcen çdo vështirësi, nuk ndjen lodhje dhe mbushesh me energji.

Përgatitja profesionale e juaja, pedagogët dhe praktika profesionale.

 Duke qenë grupi i parë në Akademinë e Arteve, ishim në njëfarë mënyre grup eksperimental, ndaj kishim edhe më shumë lëndë krahasuar me ata që na pasuan. Mbaj mend që edhe juria e konkursit për të hyrë në këtë degë përbëhej nga 12 artistë të njohur, numër që më vonë kaloi në katër. Degën e koreografisë e ushtronim në Teatrin e Operas dhe Baletit me profesor maestro, Artist i Popullit Panajot Kanaçi. Në atë kohë hyrja në TOB ishte me një kontroll të fortë. Ne të shtatë kishim privilegjin e të pasurit flet-hyrje të veçantë. Një institucion i tillë ishte në atë kohë i “shenjtë”. Lëndët e tjera i ushtronim në Akademinë e Arteve. Çdo fundviti prezantonim një krijimtari tonën të realizuar me një grup; qoftë ai i Shtëpisë së Pionierit Tiranë, një Grup nga Dekada e Majit, të një shkolle apo të vetë Shkollës së Baletit. Vitin e katërt e kam mbrojtur me Eventin Kombëtar në Durrës si perfaqësuese e Mirditës, me kërcimin “Vallzojnë Pëllumbeshat”. Muzika ishte e kompozuar nga Dorian NINI.

Emërimi në Mirditë ishte i mirëpritur për ju?

 Po. Lidhja ime me Mirditën daton shumë më herët sesa emërimi im atje si koreografe, siç përmenda, pushimet verore tek gjyshat në Kashnjet,  prezantimi i kostumit të nuses Mirditore ne FFSH 78, ku etnografi shkodran, Kol Shtjefni e identifikonte këtë kostum me mua. Ndoshta mbasi kisha dy gërsheta të gjatë? Mbase kultura mirditore kishte rrënjë brenda meje? Nuk e di. Për mua nuk ishte e vetëdijshme në atë kohë. Fokusi im ishte te studimet. Atje hulumtonim dhe motivet folklorike. Kështu që kam pasur privilegjin e madh në atë kohë ta vizitoj Shqipërinë nga jugu në veri. Kur po udhëtonim për në Tropojë ndaluam në Mirditë. Po atë vit zhvillohej Festivali Kombëtar në Durrës. Ne ishim koreografët e parë që po diplomoheshim në Shqipëri dhe ishim planifikuar të shpërndaheshim nëpër qytetet e mëdha, si Tirana, Shkodra, Durrësi, Vlora etj. Një nga bashkëstudentët më pyet nëse do të dëshiroja të prezantoja Mirditën në festivalin Kombëtar të ’84 në Durrës. U përgjigja pa ngurrim: Po! Koreografia “Vallzojnë Pëllumbeshat” u laurua si Koreografia më inovative e Festivalit. Në atë kohë, një program artistik rreth dyzet minuta, filtrohej mirë dhe fjalën e fundit e kishte komisioni qendror nga Tirana, i përbërë nga artistë te njohur, muzikantë dhe koreografë, këta të fundit ishin dhe pedagogët e mi. Ata, jo vetëm përkrahën plotësisht krijimtarinë time duke e quajtur risi, por shprehën edhe krenari për studenten e tyre.

Mbi emërimin tim s’kam folur ndonjëherë, mbasi isha një studente e rezultateve maksimale në këtë fushë dhe për të tjerët qe i padiskutuar emërimi im në Tiranë. Në ’85, edhe pse nuk dukej, ndihej njëfarë lëkundje e sistemit. Në këtë kohë gjatë procesit të emërimit u konfrontova për herë të parë jo veç si artiste por dhe si femër, duke sfiduar Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Kështu, pa hezitim kërkova vetë nga Ministria të emërohesha në Mirditë. Shumëkush e gjeti vendimin tim jo konvencional. Në Shkodër thonin; “nëse çdo njeri e ka një dërrasë mangut, artistat kanë një dysheme”, unë si artiste, kuptohej…

Më tërhiqte arti mirditor, më tërhiqte ajo pjesë patriarkale që nuk ishte kokëfortë e betonuar, që reflektonte dhe zhvillohej. Më tërhiqte kundërvënia: nga njëra anë folklori i pasurkoreografik dhe nga ana tjetër i palëvruar. Një tjetër veçanti e Mirditës ishte përkatësia fetare, e gjithë krahina katolike, edhe pse atëherë nuk praktikohej feja, “ishim të gjithë ateista”, në shpirt e ruanin atësi një autenticitet kulturor. Emërimi im ishte një ndër vendimet e mia sikundër thashë, krejt në kundërshtim me mendësinë, por, për mua ishte një zgjedhje intuitive, si nga ana profesionale ashtu edhe shpirtërore, që ia ka vlejtur plotësisht.

Në Mirditë nuk ka traditë vallesh, mirditasit kanë fjalën por në valle nuk kanë shkëlqyer, si ia dole aq bukur atje ku tradita mungonte dhe valle kishte pak?

 Natyrisht, që Mirdita nuk është shquar për vallet mbasi e ka prezantuar fuqishëm veten nëpërmjet, fjalës, këngës dhe çiftelisë, por kjo s’do të thotë që s’ka motive vallesh. Këtë “refren” e dëgjoja vazhdimisht nga vendasit, sidomos në prag të festivalit folklorik. Ky mendim i fiksuar dhe i pranuar nga stafi artistik, mbasi si vendas “e dinin këtë gjë më mirë”,e ndëshkonte Mirditën dhe trashëgiminë shpirtërore të saj. Ekspeditat e mia kërkimore 1987 – 88 në Mirditë treguan të kundërtën. Në Fan rashë në gjurmët e një rituali të kultit të UJIT – “Gurra e Lashtë” nga bisedat me të moshuarit. Babgjyshi 84 vjeçar, Prend Paci mbartte këtë Motiv nga te parët e tij që prej rreth viteve 1600 P.K.

Personalisht gjeja një motiv me vlera të hershme nga kjo trevë për Mirditën. Stafi Artistik zhvillonte mbledhje të gjata që të hiqja dorë nga ky motiv. Në mbledhjen e fundit me Stafin Artistik, me Zotni Markun, shef i arsimit e kulturës përrrethin dhe Zotni Kopon, inspektor për artin nga (komiteti i partisë) insistova përfundimisht që të ftohej Prof. Dok. Bogdani si njohës  i etnokoreografisë për konfirmim. “Vallja e Gurressë Lashtë” e Mirditës qe një jehonë lashtësie në Festivalin Folklorik të 1988-ës. Në Gjirokastër u prezantua nga kërcimtaret e pallatit të Kulturës MIRDITA dhe nga kërcimtaret e grupit artistik FAN. “VALLJA – GURRA E LASHTE” u vlerësua si njëra nga dy kryeveprat Koreografike të FF88. Jam e bindur që pothuajse çdo pëllëmbë mirditoreështë e pasur me motive kërcimi.

 Pjesmarrja në evente kombëtare dhe shfaqjet në Europë a janë dhe një sukses i valles?

 Në ’90, ansambli Mirdita dha një muaj rresht koncerte në skenat e Zvicrës ku iu bënë pritje dinjitoze, atdhetare dhe vëllazërore nga Kosovarët. Deri në ’90 udhëtimet jashtë ishin veç shtetërore. Kjo pjesëmarrje jashtë vendit na u mundësua nga Ministri i Kultures, Alfred Uçi. Arsyeja ishte se unë mbushja pesë vjet në Mirditë. Në atë kohë, mbas pesë vitesh kishe të drejtë të lëvizje nga vendi i punës. Profesori im, Panajot Kanaçi kishte biseduar rreth transferimit tim me Ministrin e Kulturës, Zotni Uçi. Në takimin tim, ministri më tha që do vinte vetë në Rrëshen, dhe që ishte i interesuar për punën time. Ashtu ndodhi. Në ate kohë kishte një kërkesë nga një Zviceran për një grup artistik. Ja që qëlloi në momentin dhe vendin e duhur edhe për mua si shpërblim pune. Kur Komisioni nga Tirana pa grupin e valleve të Mirditës u befasuan nga niveli profesional. Kërcimtarët mirditore ishin të talentuar, por siç thashë më sipër, talenti pa punën nuk mjafton. Ata iu nënshtruan disiplinës që solli edhe suksesin. Koncertet e Ansamblit Mirdita në Zvicër ishin një jehonë jo vetëm e suksesit artistik, por edhe si takim i parë me vëllezërit tonë kosovarë, që zgjoi shumë mall dhe emocione të forta kombëtare, me një dëshirë e shpresë të madhe bashkimi, që forconte natyrisht të dy anët – ato shqiptare e kosovare.

 A mund të na flisni shkurt edhe për valltarët mirditas, të cilëve ju u dhatë jetë artistike? Për etnografinë e korrektesën në paraqitjet skenike?

 Arti kërkon vizion si dhe fokusim të qartë idesh. Në pallatin e kulturës të Mirdites grupi më i madh në numër ishte ai i kërcimit. Nuk ishte e lehtë për mua si Koreografe që pothuajse të gjithe ishin kercimtarë amatorë, por ato ishin te apasionuar mbas kërcimit. Ky ishte hapi i pare shumë pozitiv. Fakti që ishin amatorë, kërkonte një punë te dyfishtë nga ana ime. Si rrjedhojë, kjo e solli Grupin në stadin e lartë të kërcimit profesionist, i cili u vlerësua si në vend ashtu dhe jashtë. Koreografinë e kam parë dhe do ta shoh gjithmonë si llojin më të sofistikuar dhe kompleks të artit, që nuk ka asnjë lidhje me kërcimin amatoresk. Për një koreografi kërkohet fillimisht: salla, koreografi/ja, grupi kërcimtar dhe shoqëruesi muzikor në prova. Së dyti: Libreti (përmbajtja e koreografisë), kompozitori për të shkruar muzikën simbas Libretit dhe veshja në skenë simbas përmbajtjes së koreografisë, orkestra shoqëruese me dirigjentin, dhe së treti skena e ndërtuar simbas përmbajtjes së koreografisë. Siç e shikon, të koreografosh nevojiten disa komponentë, ku secili prej tyre ka një rol të rëndësishëm në këtë kompleksitet për arritjen e një koreografie profesionale. Pra, koreografia kërkon shumë, dhe mbas performancës në skenë nuk e ruan dot si për shembull një tabllo pikture, notat e muzikës apo një libër të shkruar. Kërcimi për tu ngritur në art, është një zhanër “kapriçioz” me kërkesat e saja…

Kushtet e asaj kohe, dhe pse jo optimale, nuk i penguan ato vajza dhe djem Mirditorë  të ushtronin artin e kërcimit. Pjesëmarrja e tyre plot pasion i nënshtrohej kësaj disipline, prandaj dhe arritën rezultate të shkëlqyera. Për sa i përket  paraqitjes skenike, për shembull thyerje tabuje ishte për mua të vishej kostumi kombëtar me kepucë të jetës së përditshme. Ose vajzat e vogla të visheshin si nuse reale, edhe nëse një koreografi titullohet “Loja e nuses”, kjo konceptohej dhe në krijimtari si lojë, dhe jo si përceptim real i nusërimit. Çdo koreografi kishte njëmesazh dhe fabul, ku nëpërmjet lëvizjes, kërcimtari komunikon me spektatorin. Synimi ishte: shikuesi të vihet përballë temave vetjake dhe shoqërore. Ashtu siç kam zhvilluar punën time nga ajo që kam mësuar nga maestrot e mi, artistët e kërcimit në Mirditë përftuan prej meje atë që ato kishin nevojë, dhe tashmë bëjnë artin e tyre si në vend, po ashtu dhe nëpër botë.

 Cili është mendimi tuaj për mirditasit?

 Mirdita më ka impresionuar gjithmonë me talentet e saj virtuozë, me njerëzit që e kapnin të renë “që në ajër”, që kërkonin vazhdimisht të ecnin me kohën dhe njëherësh të ruanin traditën. E mbi të gjitha, njerëz me një shpirt të bukur e të pastër, si dhe me karakter të lartë. Mirdita, me një qytet të “vogël”, me një aktivitet të pafund. Mbaj mend kur isha në muajt e parë në Mirditë, erdhi Teatri i Operas dhe Baletit nga Tirana. Luhej një pjesë baleti. Personalisht isha skeptike se si do të reagonte spektatori. Sjellja dinjitoze e tij ngjante sikur të ishte ‘rritur’ me artin klasik. Jam ndjerë pafundësisht krenare për publikun Mirditor. Në mes jush jam ndjerë “si në shtëpinë time”.

A keni një mesazh? 

Jam e një mendimi me thënien e Inva Mulës në hapjen e spektaklit Virtuozët; “Arti është një zinxhir i bukur që nuk lejohet t’i shkëputet asnjë hallkë. Pa një zinxhir nuk krijohet traditë, pa një traditë nuk ka një komb të fuqishëm”.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment