KRISHNDELLET, si në Marmull të Gjakovës. Nga Pjetër Domgjoni

Nga Pirusti News

Disa vjetë më parë u ndodha si udhërrëfyes i dy vëllezërve ardhë prej Marmullit të Gjakovës, të cilët interesoheshin për vendin nga ku ishin shpërngulë 170 vite më parë.  Mbërritëm në fshatin Shme, fshat anës rrugës që të çon në Fushë-Arës, pjesë e Bajrakut të Spaçit. Pasi pyetëm disa banorë të një familje në këtë fshat, na sollën një 85 vjeçar. Ky plaku i vjetër i pyeti se nga ishin. Këta i thanë jemi prej Marmullit në Gjakovë…Ah Marmulli, Marmulli përsëriste plaku i cili përhumbej në kujtësën e tij të largët…Marmulli është një fshat majë një kodre të lehtë, tha plaku dhe nisi të tregonte disa detaje për kushërinjtë e tij që ishin në atë fshat. Dy djemtë nga Marmulli Antoni e Loni të habitur i thanë se nga i dinte këto që thoshte…Kam qënë i ri rreth 17 vjeç tha plaku. Shkoja te kushërinjtë e mij….kisha dashtë të shkoja shpesh…po ah kufini u mbyll dhe ne nuk dëgjuam më për ata…..

Kur disa kohë më vonë shkova vetë në Marmull, fshat i cili ndodhet anës së epërme të rrugës për në Gjakovë, sapo kalon urën e shenjtë, më kujtoheshin fjalët e plakut, përshkrimi i përhumbur i tij dhe vërtetësia e fjalëve, falë një kujtese të gjatë, mbi 70 vjeçare…

E ndërsa plaku i vjetër i Spaçit na tha shumë gjëra për Marmullin, atë që nuk dinte na e përcjell aq bukur një banor tjetër i Marmullit, Pjetër Domgjoni i cili na sjell nga kujtesa e largët se si në Marmull festoheshim Krishndellet, (Krishtlindjet)  Shënimi im: A. Ndoja

Nga Pjetër Domgjoni: KRISHNDELLET

Ishte knaçësi e madhe me ndodhë n’katundin e Marmullit për festën e Krishndelleve. Disa ditë përpara ksaj feste, fillonin pregatitjet. Burrat pastronin shtëpitë, oborret, ahret dhe torishtat. T’zotët e shtëpive, i ndanin t’hollat me ble tesha t’reja për fëmijët e tyne. N’shtëpinë tonë kët punë e krynte nana. Merrte ei lante t’gjitha teshat e mandej i zgjidhte ato që kishin harrna ma s’paku dhe na i pregatiste për festë.

Gratë, pastronin çilerët, lanin entë, lynin shtëpitë me çereç që festa ti gjejë sa ma t’pregatituna. 

Fëmijtë dhe rinia e katundit dilnin në ulicë e kërsitnin me kërpit. Kërpiti ishte në formë t’gurit gëlqeror dhe kishte ngjyrë hini. Ndahei në copa t’vogla dhe vendosei nëpër tasa t’mbyllun me kapakë. Tasi n’pjesën e poshtme kishte nji vrimë te e cila ofrohei fija e ndezun dhe kërpiti aktivizohei mbrend tue e gjuejt kapakun e tasit s’bashku me nji krismë: Paaaaammm! Ne fëmijtë, vraponim mbas kapakut tue fluturue prej gëzimit. Mbyllnin përsëri tasin dhe përsëri kërsitnin. Kështu argëtoheshim deri në orët e vona t’mbramjes.

Ushqimi kryesor i festës ka qenë laknori që pregatitei n’ket mnyrë. Me datën 23 dhjetor. Zinei brumi, t’holloheshinë petat dhe piqeshinë veç e veç përmbi shporet. Me 24 dhjetor, dy mashkuj t’shtëpisë, ngjitnin kuajtë ose qetë e shkonin n’mal me e zgjedhë BUZMIN dhe bashkë me buzmin sjellnin edhe dru zjarmi për natën e Krishndelleve, kurse. Gratë, blueninë arratë. Merrnin petat e pjekuna nji ditë ma parë, ei palonin njenën përmbi tjetrën në nji tepsi tue lagë sejcilën me langun e arrave. Arra çitnin edhe n’mjedis dhe e venin n’furrë me u pjekë. Nana jonë që s’kishte arra, petat i lagte vetëm me uji e sheqer.

Asht shumë interesantë se. Ky specialitet popullorë quhei laknorë edhepse n’te s’kishte asnji grimë lakën.

Laknorë të tillë i piqnin dhjetë, pesëmbëdhjetë, varsisht prej familjes sa ishte e madhe. Ne i piqnim dy a tre, por shpesh herë ndodhte, po aq na i falnin edhe katundi.

Natën e Krishndellave mbasi e çitnin buzmin ngrisnin nga nji gotë me venë t’kuqe, me urue festën e për me e lavdue Krishtin. Dikur hanim darkë e mbas darke tryezat i linim t’shtrueme sepse kjo ishte festë e madhe që as njerzë, as kafshë e shpezë nuk duhei me mbetë unshëm gjatë asaj nate.

Mbas darke nisëshim për te kisha n’Bishtazhin. Rrugës takonim edhe katundarë tjerë me fenerë n’duar. N’qoftë se ndalëshim me ta. U jepnim dorën: Tue thanë “Për shumë Mot t’kjofshinë Krishndellet.” E ai na e kthente. Shumë mot e jetë paç, edhe ty t’kjofshin për shumë mot. N’qoftë se nuk ndalëshim atëherë vetëm i përshëndesnim pa ju dhanë dorën.

Edhe kishën e zbukuronin me drita dhe e rregullonin shumë bukur për festë, me bredhatë e stolisun e shpellën e Betlemit që për ne, paraçiste nji art t’vërtetë. T’pa harrueme mbesinë edhe kangët e Krishndelleve që këndoheshinë me aç lavd e gëzim prej t’gjithë besimtarëve. Mbasi kryhei mesha, ndalëshim në oborrin e kishës me u takue edhe me ndoi mik prej katundeve tjera. Por edhe me i ndi krismat e pushkëve dhe alltive që përshëndetnin Lindjen e Krishtit. Dikur, t’mbushunë me plotë gëzim në zemër për lindjen e SHËLBUESIT tonë, kthenim për shpi tue bisedue rrugës për ungjillin e tue e komentue predikimin që kishte ba famullitari. N’mëngjes heret, çitei LAMA.

Tri ditë i tan katundi ishte n’festë. T’rriturit shkonin shpi m’shpi, me i ba për shumë mot Krishnndellet, kurse. T’rijtë dilnin n’ulicë, ndaheshinë në grupe e tan ditën luanin futboll. Mbas tri ditëve kryheshin Krishndellet, katundarët u ktheheshinë punëve t’përditshme, kurse, unë dhe Pali e pritnim me gëzim festën e T’lidhunave. Festën kur kishimë me ngranë petulla.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment