“MËNDESHA”, tregim nga Muharrem Blakaj

Nga Pirusti News

“– O populli im…! Duhet ta doni atdheun edhe kur është i nëpërkëmbur, i çnderuar, i dhunuar dhe i përbuzur nga hordhitë e huaja gjakatare…”

 Shënim: Mëndeshë quhet një grua  që i jep gji një foshnje të huaj deri sa të rritet. Pra, x-fëmijë  është rritur me mëndeshë

Hapat e rëndë të kalorësve dhe hingëllimat e kuajve më zgjuan nga gjumi. U vesha me ngut. Me vrap zbrita shkallët e kalasë. Në sallonin e pritjes ishte tollovi. Dallova disa priftërinj, me këmishët e lutjeve, të shtrënguara në bel me rripat e gjerë dhe me kryqe të varur në qafë. Pranë tyre, murgjit e orakullit të Kalasë, të veshur me guna zhguni të murrmë, thërrisnin me zë të lartë duke parashikuar ardhmërinë.

Ç’po ndodh kështu? Ç’janë gjithë këta priftërinj? Kë po e përhirojnë?!

Në shkallën e parë të fronit, pashë tim gjysh. Ishte i kthyer drejt ushtarëve dhe fliste diçka. Kishte veshur këmishën e kollarisur e të zbukuruar me dantellë. Mbi supe kishte hedhur gabardinën festive. Në dorën e majtë mbante mallotën e rëndë prej shajaku, kurse në dorën e djathtë, shpatën e madhe të betejave. Derisa po kaloja pranë altarit të bazilikës së moçme dhe po dëgjoja këmborët e kishave me tingujt e rënduar të kushtrimit, pashë disa oficerë që e përhironin Zonjën Hyjnore, që thuhej se dikur motit, kishte ardhur në trojet tona, andej nga Deti Jon. Kur po kaloja pranë kishës, pashë tim zot që po bekohej para kryqit, derisa priftërinjtë po e përhironin hirësinë e tij. Ndërkohë, u hapën portat e rënda të kalasë. Nën tingujt e borive, pashë tim gjysh të printe kaluar, i rrethuar nga priftërinj, murgj e oficerë dhe i përcjellë nga ushtëtarë, shigjetarë, shpatarë e kalorës që dolën nga kalaja. Im atë, me pjesën tjetër të ushtrisë, u ngjitën në bedena për ta mbrojtur kalanë nga sulmet e tmerrshme të Sulltanit ezhdërha.

Lajmëtarët arritën në bodrumet e kalasë. Ishin të sfilitur, të rreckosur, të pluhurosur e të plagosur.

Kalaja ra thanë me pezm.

Dolëm jashtë. Pashë ushtrinë armike të rrethuar nga një turmë ekzotike. Në ballë ishte prijësi i tyre. Tundej e përkundej lehtë mbi kalin e mbuluar me gunë saftjani, të stolisur me sumbulla tunxhi, rruaza qelibari e flokëse ngjyra – ngjyra. Kokën e kishte të mbështjellë me turban të stolisur me një xhufkë të kuqe e thekore në majë. Mbi shpatulla kishte hedhur një kaftan ngjyrë argjendi të qëndisur me finesë e me sumbulla fildishi, që i lëshohej lehtë mbi shallvaret bojëgjak. Në shokë i dalloheshin armët e brezit të praruara në filigran dhe të derdhura në ar. Përkrah tij vinin orta jeniçerësh, kalorës, myftinj e shehlerë të rrethuar nga oficerë të lartë, oborrtarë, shërbëtorë eunuk, çuna dylberë e hyri. Më tutje, si të dehur vinin dervishë e fakirë brekëgrisur me këngë e orgji. Në gjalmat e shtrënguara rreth brezit iu vareshin thika, biza, gjilpëra, çanakë e lugë druri. Rreth e qark kalasë, me shpejtësi të rrufeshme, jeniçerët sllavë i vunë nën vargonj, nën zinxhirë e pranga, pleq, burra e djem. Ata që rezistuan, i vranë. Të grumbulluar në sheshin e kalasë, në emër të Allahut, ndanë plaçkën dhe robëreshat e luftës. Jashtë mureve të kalasë, me zjarr e hekur shkatërruan fshatrat, dogjën kasollet, shtëpitë, kullat e arat me grurë… Në fund u grumbulluan të gjithë te froni i kalasë, derisa ne na mbanin të lidhur me vargonj.

Në gjithë kalanë mbretëroi qetësia. Rreth e qark, hordhitë osmane u përulën përtokë duke u kthyer nga poltrona ku ishte kapardisur Sulltani Padishah. Pranë tij, e heshtur qëndronte një grua beronjë, fytyrëpushe, sybuçe e hithëthzezë. Dukej e stolisur me naze, ojna e ëndrra. Flitej se ishte mëndeshë, që me qumështin e saj do t’i qetësonte kokat e turbulluara kaurre.

Fillimi i mehtermarshit[1] nuk më la të çuditesha nga kjo e padëgjuar. Në arenë u panë disa vasha, të lidhura dora – dorës me njëra – tjetrën, që në pamje të parë dukeshin si vejusha ezmere që lulëzonin në kopshtin harem të Sulltanit. Ashtu të lehta si flutura, marshuan me vallen e tyre rituale duke e shoqëruar me këngë e lëvizje erotike. E para, hidhej e përdridhej duke tundur gjoksin e stolisur me rruaza, sedefe e perishane dhe herë pas here, me shikimin drejt qiellit dhe me gishtin tregues lart thërriste: Allah – Allah! Pastaj ulte gishtin tregues drejt Sulltanit duke vazhduar ritmin e thirrjeve: Padishah – Padishah! Pasonin thirrje në kor nga të gjithë sa ishin, ushtarë, oficerë, hoxhallarë, shehlerë, dervishë, dylberë e hyri.

Duke hedhur hapat e valles, e para u largua tutje duke zënë vendin e saj valltarja e dytë. Me kokën e zbukuruar me bilan dhe fytyrën e mbuluar me rizë të zezë, hidhej krahëhapur duke thurur gazele: Ha – ne – Hanefi, Allah – Allah, Padishah – Padishah. Gazelet e saj u pasuan nga turma. Valltarja e tretë përcolli hapin e valltares së dytë duke tundur barkun e stolisur me armaç ari e duke klithur me zë melodik: ma – li – Maliki, Allah – Allah, Padishah – Padishah.

E katërta, me duart lart e me hap të matur, e përdridhte belin e mbuluar me një pelerinë të hollë dhe gjistolisur me dantelle ngjyra – ngjyra, duke drejtuar shikimin drejt qiellit dhe duke thurur melodi harmonike: sha – fi, sha – fi, Allah – Allah, Padishah – Padishah. Dhe e pesta, me flokë të stolisura me fjongo e kordele, hidhej e përdridhej duke i luajtur vithet gjysmë të zbuluara nën petkun e hollë të shallvareve dhe duke kënduar vajtueshëm: ha – mbe – hambeli, Allah – Allah, Padishah – Padishah.

Porsa u krijua përshtypja se vallja e shfrenuar e tyre kishte përfunduar, nën tingujt e mehterhanës, në arenë, u panë dervishë e fakirë shallvaregrisur, me gozhup dhie të hedhur pa stil mbi kraharor dhe me fytyra të zbehta e sy gjysmë të fjetur nga dehja, që herë kërruseshin mbi gjunjë e herë ngriheshin në këmbë duke thirrur me zë të lartë: Allah – Allah – Allah, Hai, Hubal – Hubal – Hubal, Hai…, dhe me biza, gjilpëra e hanxharë shponin barqet, buzët e faqet.

Sulltani Padishah, ngriti dorën lart. E gjithë turma pushoi. Vendin e mbuloi një qetësi e thellë si vdekja. Me vrap po vinin disa jeniçerë duke tërhequr zvarrë një njeri, i cili tundej e shkundej si të ishte brenda shkërdhecit. Herë pas here e shanin në gjuhën e tyre të pakuptimtë: jyrymy, jyrymy… shejtan, lanet, pis milet! Sa nuk më lëshuan këmbët kur pashë se në duart e tyre të pamëshirshme ishte im zot. Nuk e duroja dot ta shikoja krenarinë e tij të nëpërkëmbur e të gjunjëzuar dhunshëm nga hordhitë osmane. Brofa në këmbë dhe bëra të sulesha drejt tij për t’i ardhur në ndihmë, por hovin ma ndaluan vargonjtë… Isha i lidhur. Ashtu kruspull, e hodhën para Sulltanit. Përbri, iu afrua mëndesha. I thekshëm u dëgjua zëri i myezinit. Njëri nga shehlerët iu afrua pranë. Pasi ia hoqi plisin e bardhë duke e hedhur me përbuzje mbi tokën e zhyer, në kokë ia vuri çallmën e madhe osmane, duke i thënë:

– Thuaj: La ilaheil Allah. Kërrusu mbi gju andej nga Meka dhe…

– Merre! – urdhëroi Sulltani, duke e shtyrë mëndeshën drejt tij.

– Jo, nuk e dua… E kam timen… Nuk e marr kurrë! – ia ktheu im zot.

Sulltani dha urdhër ta torturonin. Një turmë e leckosur dervishësh iu sulën sipër duke e goditur me gurë, shkopinj e kamxhikë. Derisa po zgjaste tortura, ushtarët sollën robërit e luftës… pleq, plaka, gra, nuse, çuna, vasha e foshnje. I rreshtuan pranë tim zoti.

– Merre! – urdhëroi Sulltani, duke shikuar me përçmim herë atë e herë të robëruarit.

Im zot, i sfilitur nga tortura barbare, i çnderuar dhe i çburrëruar, hodhi vështrimin andej nga populli i tij i gjunjëzuar para xhelatëve shpatëzhveshur. Heshti.

– Merre se përndryshe, gjithë popullin tuaj do ta vras… Ata që do të shpëtojnë do t’i degdis në shkretëtirat e Anadollit, kurse vendin tuaj do t’ia dhuroj popullit të lartësuar të Allahut dhe jeniçerëve të uritur sllavë – tha Sulltani Padishah duke kthyer dorën e djathtë drejt hordhive të tij, të cilët brohoritën të entuziazmuar duke thirrur me sa fuqi kishin: Allah – Allah, Padishah – Padishah… Kurse të robëruarit, me sy të përlotur shikonin tim zot të lidhur, të poshtëruar, të rraskapitur… Ata e donin jetën, tokën, dheun e trojet e tyre.

Derisa im zot, po shikonte andej nga fushnaja e robërisë, nga goja iu shkëput një psherëtimë. Ishte ahti i nënshtrimit. Me zë të përvajshëm e plot ngashërim, bërbëliti:

– O populli im…! Duhet ta doni atdheun edhe kur është i nëpërkëmbur, i çnderuar, i dhunuar dhe i përbuzur nga hordhitë e huaja gjakatare… Për ju e për atdheun tim, sot, në këmbim të jetës tuaj, në këmbim të mbijetesës tuaj, po e pranoj mëndeshën që e solli me vete Sulltani ezhdërha… Pranojeni edhe ju, në këmbim të zotërimit të trojeve tuaja, por… kurrë mos e harroni dhe dashurojeni me përgjëratë, në jetë të jetëve, nënën tonë hyjnore…

Ndërkohë mëndesha e zemëruar e shtrëngoi fort nga supi. Im zot heshti.

– Të lumtë biri im! Kështu të dua: të zbutur, të gjunjëzuar, të përulur… – tha Sulltani dhe e lëvizi dorën drejt shehlerëve. Kryeshehu, u përul me nderime para këmbëve të Sulltanit. Pasi mori urdhrin, duke ecur prapthi u ngrit ngadalë më këmbë. Disa herë, me lëvizje dore nga gjoksi, para fytyrës e deri në ballë, bëri temena para madhërisë së tij. Me një qëndrim zotërues, iu dha urdhër dervishëve të fillonin ceremoninë e gjunjëzimit të miletit të pistë, kurse vet me zë të çjerrë tha:

– O pis milet! Pas gjunjëzimit tuaj para Sulltanit, dritës së Allahut në tokë, për pastrimin e shpirtrave tuaj të mbushur haram, lartmadhëria e Tij, për ju zgjodhi letargjinë dhe vecithali-në[2] islame. Flini të qetë dhe ëndërrojeni të mirën, të bukurën, të dashurën… lirinë. Ne, për ju do rrimë zgjuar. Do ndërtojmë saraje gjumi, pallate vegimi, kulla shajnish e faltore ëndrrash. Zëri i myezinit, pesë herë në ditë, si aromë hashashi, do t’i dehë zemrat tuaja gjynahqare, do t’ua qetësojë shpirtrat tuaj të pështirë dhe do t’ua shërojë mendjen tuaj të krisur. Çallmat islame, nga sot i bartshi me shëndet, do t’ua shpëlajnë trurin tuaj kaur dhe do t’ua zbusin kryeneçësinë tuaj arnaute, duke ju kthyer në vathën e besimtarëve islamë.

Derisa kryeshehu po fliste, në luzmën e robërisë u pa të futej mëndesha ezmere e përcjellë nga im zot, hoxhallarë e dervishë. Ata ecnin ngadalë duke kënduar me shestim sure nga kurani dhe ilahi dervishësh që përhapnin anë e kënd fushës së robërisë shafranin e gjumit. Mëndesha, me hapin e saj të matur, iu afrua një grupi robërish shpresëhumbur. Filloi t’u jepte qumësht nga gjiri i saj zhangël. Rreth tyre u mblodhën imamë, shehlerë e dervishë duke kënduar sure e ilahi dehëse. Robërit filluan të dremisnin sikur të ishin në djepat e rritës e jo nën prangat e robërisë. Tundjet dhe lëkundjet, me tamtam, britma e ulërima të dervishëve, dukej se iu vinin si ninullat e gjysheve atje pranë ngrohtësisë së zjarrit në oxhakun e kasolleve e kullave të tyre. Derisa përkundeshin si në flatrat e ëndrrave, njëri prej shpresëhumburve ngriti pak kokën dhe filloi të fliste jerm duke përsëritur ezanin e myezinit. Pas tij, gjysmëfjetur e gjysmëzgjuar, tundej e lëkundej një flokëperçe duke imituar dervishët, kurse një tjetër, me sy gjysmë të mbyllur e me zë të çjerrë, i ftonte të tjerët ta ndiqnin pas në farsën e tij gjysmëhënore. Ndërsa mëndesha, nën përcjelljen e lodrave dhe orgjisë, kishte ngelur e rrethuar nga disa robër kryengritës, të cilët nuk i bindeshin vullnetit të saj. Nga krahu lindor i fushës së robërisë u panë kalorës spahinj që shkonin trangelang drejt tyre. Nga krahu verilindor prej majave të thepisura rrungajë po zbrisnin rrëpirave zallore çetat e jeniçerëve të prirë nga vojvodët e Kraleviq Markut. Ndërkohë, luzma kryengritëse u gjend e rrethuar nga të katër anët. Me egërsi të shfrenuar rrethuesit filluan të godasin kryengritësit me vare, xhore e topuzë mbi kokat e tyre përçore. Të trullosur, pas vigmave tmerruese, rrotulloheshin në anën tjetër dhe nën zukatjen e njëtrajtshme të myezinëve dhe jahu – ve të dervishëve, treteshin si në botën e fluturave, luleve dhe ëndrrave të gjumit të madh hyjnor.

Acari pushtues me erë, borë e ngrica, sa vinte e shtohej. Nata e zezë, e ardhur andej nga lindja, me batanijen e saj të rëndë e të katranosur, kishte mbuluar mbarë fushën e robërisë. Herë – herë, si një prushanë yjesh, deri te perdja e zezë në kufijtë perëndimor të fushës së robërisë, vëreheshin zjarre. Ashtu siç ndizeshin ngadalë dhe merrnin hovin e parë të dritës hyjnore, ashtu edhe zhdukeshin njëri pas tjetrit duke u thërrmuar në errësirën e pafund të natës anadollake. Pa ndërprerë, nga fusha e errët e robërisë, dëgjoja thirrje kushtrimi, lutje priftërinjsh, përsiatje fëmijësh, mallkime nënash, vringëllima vargonjsh, jermi farsash, trokëllima kuajsh, vërvitje shpatash, hapa çizmesh… Të gjitha së bashku me vinin si ngjirje drithëruese të dala nga skëterra… Dhe ashtu, lehtë – lehtë, i mbulonte si me plaf zëri i çjerrë i myezinit. Vetëm ashku i ngrohtë i tokës mëmë, i mbronte të robëruarit nga shtrëngata, shiu dhe era që vërshëllente pa pushim mbi kokat e tyre të fjetura dhe trupat e tyre të rrëgjuar.

Derisa po e kërkoja në kupën e zezë të errësirës vezullimën e shumëpritur të yllit të dritës, andej nga perëndimi, aty ku ndodhej fusha e fjetur e robërisë, sikur feksi shkëlqimi i një shkëndije të venitur. Kur me ankth po prisja shuarjen dhe thërrmimin e shkëndijës shpresëdhënëse, pashë se drita po rritej prore. Filluan të ndizen flakadanë e zjarre të tjera. Nga mbarë fusha e robërisë po shikoja lëvizjet e ngathëta të jeniçerëve, kalorësve, myftinjve e dervishëve që po ktheheshin andej nga kishin ardhur. Dukeshin të thyer, të zbutur e të mundur. Pas tyre, në mesin e disa hoxhallarëve, dëgjova zërin e tim zot. Sa u mrekullova! Derisa po prisja të m’i hiqte prangat e robërisë, ai nuk po shqitej dot nga kështjella e sundimit që me ndihmën e sulltanit e kishte ndërtuar mbi fushën e robërisë. Ishte i dyzuar… Nuk e dinte ç’të bënte… Ta pranonte lirinë, e humbiste sundimin! Ta mbante sundimin, e humbiste lirinë! Derisa po lëvizte kokën me çallmën osmane sipër, m’u drejtua:

– Ende e mban vështrimin andej nga perëndimi? Këtej, këtej nga lindja, këtej është shpëtimi i njerëzimit, o pjellë haram. Jazëk…! – dhe ngriti dorën të më godiste.

Sa nuk klitha nga zhgënjimi. Im zot ishte tjetërsuar. Nga mercenar i robëruar, do që tani të bëhet despot robërues. I shtyrë nga turma u largua tutje. Herë pas here dëgjoja klithmat e tij të përvajshme:

– Dua sulltanin…! Dua babën sulltan!… Nënshtrohuni, flini e përuluni para dritës së Allahut mbi dhé, o pis milet!

Duke vajtuar e gjëmuar, u gjend para Sulltanit. Me zë të përvajshëm e fytyrë të përqurrtë, duke u zhyer e zhgërryer para tij, i lutej të kthehej në Fushën e robërisë për t’i shuar zjarret kryengritëse, për ta kthyer errësirën dhe për ta vënë në gjumë miletin e pistë. Kur e pa se nuk po shqitej, Sulltani tha:

– Mos ki frikë biri im! Nuk jeni zgjuar nga gjumi i ëmbël i gjysmëhënës islame. Jeni në jermi të përkohshme. Me ndihmën e mëndeshës që po ua lë çiban në trojet tuaja haram, andralla e zgjimit do të jetë e shkurtër. Do vijë koha e gjumit të njëmendtë. Shfrytëzojeni! Flini! Në jetë të jetëve mos u zgjoni…! Bota ju do në gjumë, në ëndrra e jermi islame…

…dhe hija e Sulltanit, sa vinte e tretej në horizontin e zymtë të lindjes. Mëngjesi, si me shpatë, çau perden e zezë të natës. Yjtë, njëri pas tjetrit u arratisën në kaltërsinë e shndritshme qiellore, kurse gjysmëhëna, me pamjen e saj të qelqtë dhe shkëlqimin e ftohtë atje në kupë të qiellit, bënte sikur po sfidonte rrezet e diellit të përflakur të agut pranveror, që për çudinë time, kësaj radhe, po lindte nga perëndimi.

Mars, 2014

 

[1] Turq. Marsh ushtarak i përcjellë me buri e daulle.

[2] Turq.: Gjumi hipnotik

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment