Mësuesi Mark Topollaj në fokusin e kolegëve me të cilët kontribuan mbi 40 vite në përhapjen e dritës së diturisë në Mirditë

Nga Pirusti News

Nga: Mark Përgjoni, mësues në pension.

Njeriu në jetë ka shokë fëmijërie, shkolle, ushtrie e shokë pune. Por pas prindërve, përveç këtyre, kujton edhe mësuesit. Me kalimin e viteve disa nga këto largohen nga jeta, por nuk harrohen kurrë. Si shokë shkolle nuk harroj Luigj Nikoll Gjokën nga Shkodra, Nuredin ali Hasanin nga Mati, Arif Riza Dacin nga Peshkopia, etj.

Nga shokët e ushtrisë shpesh kujtoj Feim Ibrahimin nga Tirana, Kristaq Lilo Xhimikikun nga Berati, etj. Por më duket sikur i shoh edhe tani ndonëse me sytë e mendjes në kujtesën e hershme, mësuesit Mark Gjok Legisi, Kol Mark Picaku, Xhelal Hazizi, por edhe Luçie Serreqin e Tefik Gjylin nga Shkodra.

Por më të freskët kam kujtimin për mësuesit mirditorë me të cilët kam pasur kontakte të drejtpërdrejta ose kam punuar me ta në sektorin e arsimit, si Mark Ndue Arapi, Bib Gjok Nikollaj, Nikoll Gjon Pepkolaj, Bib Llesh Bardhi e Mark Topollaj.

Me mësuesin Mark P. Topollaj jam njohur në fillim të viteve 60-të, kur ai ishte mësues në shkollën e fshatit Simon (Kaçinar) e unë isha mësues në fshatin Kuzhnen, po të Kaçinarit. Mësues Marku ishte burrë me shtatlartë e të drejtë si pishat e Shkallgjanës, fshatit ku lindi dhe u rrit. Kishte një fytyrë të gjatë me tipare tërheqëse, ku spikaste një shikim i mprehtë. Ishe i matur dhe mendohej shumë, çka mundësonte të fliste me fjalë të peshuara.

Pas qëndrimit disa vite si mësues ne Simon, e afruan në shkollat e zonës së Oroshit. Ka punur si mësimdhënës në shkollat e fshatrave Bulsharë, Gryk-Orosh, Ndërshenë e Kthellë e Epër. Rruga ishte e gjatë dhe me vështirësitë e motit bëhej mbi një orë, me hap të shpejtë nga banesa e tij në shkollë. Por disa vite më vonë pushteti i kohës hapi një shkollë për fëmijët e fshatit Vjollcë, pasi deri në atë kohë fëmijët e këtij fshati udhëtonin mbi një orë për të bërë mësim në shkollën e fshatit Kthellë e Epër. Me të filluar shkolla në Vjollcë, pra në lagjen ku ishte edhe shtëpia e Markut, u vendos që ai të jepte mësim në këtë shkollë. Pikërisht në këtë shkollë mësues Marku jepte mësim në katër klasa kolektive deri kur doli në pension, pasi kishte bërë plot 40 vite punë me plot përkushtim në arsimimin e dhjetra brezave në Kaçinar, Orosh e Kthellë.

Nje dokumentar i shkurter mbi jeten e mesuesit Mark Topollaj:

Si e njoha më afër mësuesin Mark Topollaj?

Kryesisht në seminare pasi shkollat e Selitës i bënin seminaret çdo muaj e natyrisht shkolla e Kthellës së Epër ishte pjesë e sistemit arsimor të Selitës. Kështu edhe me Mark Topollajin takoheshim çdo muaj ku zhvilloheshin mësime të hapura, ku dhe diskutonim për problemet e zbatimit të metodave të avancuara mësimore. Kurdoherë mësues Marku me diskutimet dhe analizat e tij tregonte një nivel të lartë metodiko-shkencor.

Si pjesëtar i grupit të kontrollit të inicuar nga ana e Seksionit të Arsimit të rrethit, më ka rastisur të shkoj për inspektim edhe në shkollat ku jepte mësim Marku. Edhe në ato raste kam parë se Ai bënte një përgatitje të thelluar duke i zhvilluar orët e mësimit me nivel të lartë didaktik e shkencor, duke përdorur mjete konkretizuese. Kjo ka qenë arsyeja që ka pasur rezultate të larta në mësimdhënie.

Mark Topollaj, jo vetëm si mësues qe i përkushtuar e korrekt, por dhe si familjar e prind ishte shembullor, pasi sëbashku me bashkëshorten rritën fëmijë të mbarë, disa prej të cilëve mbaruan arsimin e lartë. Për punën e tij të palodhur si prind e mësues gëzonte gëzonte respekt të madh jo vetëm në fshatin e tij të lindjes, por edhe në zonat ku kishte punuar. Për këtë arsye Marku ishte angazhuar në detyra shoqërore e civile detyra të cilat i kryente me mjaft korrektesë. Për punon e tij të palodhur dhe cilësore në arsim, Mark Topollaj ka marrë vlerësime të larta për merita civile e shoqërore. Ai u nda nga jeta me 4 janar 2018, ndërsa kolegët, nxënësit dhe bashkqytetarët e tij e kujtojnë me respektin më të lartë për ato vlera që përçoi në sistemin arsimor të Mirditës.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment