Të gjitha prapasekenat e pa thëna në gjetjen dhe sjelljen në Shqipëri të eshtrave të Don Nikoll Kaçorrit.

Nga Pirusti News

 Intervistoi: Aleksandër Ndoja, botuar në 6 maj 2013 në “TIRANA Observer”

Ekskluzivisht për “Tirana Obeserver” z. Pjetër Logoreci për herë të parë vendos të flasë hapur duke denoncuar këto prapaskena që në nisje të këtij aksioni kombëtar.

E vërteta vonon por nuk harron. Kjo thënie i shkon shumë për shtat më sëshumti rastit që tronditi rëndë opinionin qytetar në prag të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, kur në Rinas mbërritën eshtrat e njërit prej arkitektëve më të rëndësishëm të kësaj Pavarësie, Dom Nikoll Kaçorri i Lurës. Ato pamje të shëmtuara që më sëshumti prezantonin një shtet të degraduar nga ana protokollare, shkaktuan habi në opinion, por edhe një reaksion tek shtetarët dhe te ndonjë klerik servil pushteti, të cilët si “Pons Pilati” nxituan të lanin duart duke deklaruar se nuk kishin dijeni për se kur do të mbërrinin eshtrat në Rinas që të organizonin pritjen protokollare.

Pas më shumë se gjashtë muaj nga ajo ngjarje e rëndë, ka vendosur të flasë autori që ka meritën historike që bashkëthemeluesi i shtetit shqiptar dhe bashkthemeluesi i alfabetit të gjuhës shqipe  Dom Nikoll Kaçorri, të prehet në dheun e Tij, pas 98 vitesh 3 metra nën dhe të huaj.Pjetër Logoreci një atdhetar patriot, tregon se si me lotë në sy ka përcjellë ato pamje në Rinas, në në kohë kur rreth 1 muaj më parë kishte vënë në dijeni Kreun e shtetit Bamir Topi, Kryeministrin Berisha. Kryetaren e Parlamentit Topalli, ministrin e asaj kohe te kulturës Xhaferri, si dhe deputetët e Durrësit ku pritej të rivarroseshin eshtrat e Kaçorrit.

Në intervistën e mëposhte dhënë për herë të parë për prapasekant e kësaj ngjarje, ekskluzivisht për “Tirana Observer” e cila ishte e para gazetë që publikoi pamjet e Dom Nikoll Kaçorrit në Rinas, z. Logoreci thyen heshtjen dhe denoncon kalvarin me të cilin u ballafaqua nga indiferenca deri në sabotim e shtetit amë.

Pikërisht për këtë fyerje dhe sjellje poshtëruese ndaj simbolit të pavarësisë, simbolit të kulturës dhe dijes së shqiptarëve, simbolit të gjuhës shqipe, duhet të ngrihet një komision hetima parlamentar, dhe për veshët  e Enginit, çka bëri që palamenti ta mbyllte këtë mandat në menyrë komike.

Aleksandër Ndoja 

 -Intervista me z. Pjeter Logoreci-

 Z. Logoreci, Opinioni mbarëshqiptar brënda dhe jashtë Shqipërisë janë njohur me faktin se Ju ishit aktori kryesor në gjetjen dhe sjelljen në Atdhe të eshtrave të Imzot Dom Nikoll Kaçorri. Cila ishte shtysa kryesore, dhe si mundët të gjeni vëndin ku ai ishte varrosur?

Punova disa vite tek Instituti Austriak i Mardhënieve me Jashtë dhe aty pata mundësi të ndihmoj në ngritjen e disa projekteve në favor të Shqipërisë. Drejtuesi i Institutit, nje diplomat me përvojë dhe shumë i njohur ne Austri, Dr. Bernhard Stillfried, e njihte vendin tonë pasi kishte qenë personalisht dy herë (në rininë e tij), dhe e shikonte çdo ndihmë apo projekt për Shqiperinë me simpati. Pasi i propozova atij dhe më dha miratimin, pata rastin të isha referent në projektin NDRE MJEDA, i cili filloi me sjelljen e prof. Mentor Qukut në Vjenë për kërkime nëpër arkivat austriake duke e mbështetur atë  financiarisht e teknikisht.

Më pasu miratua një projekt tjetër që ishte shkolla Peter Mahringer në Shkodër, e po ashtu u zhvillua edhe nje projekt me bibliotekën Marin Barleti te qytetit të Shkodrës i cili ndihmoi në sjelljen për praktikë të drejtuesit të saj në bibliotekat e Vjenës. Me qenëse po afrohej viti jubilar i shpalljes së pamvarsisë se Shqipërisë, e njoha shefin tim me figurën madhore te Imzot Kaçorrit, dhe i propozova që të riatdhesonim eshtrat e tij që ishin në Vjenë. Ai më kërkoi një projekt – ide të  detajuar, e më pas u tregua i gatshëm të financojë projektin DOM NIKOLLE KAÇORRI.

Kisha dijeni që Imzot Kaçorri ishte i varrosur në Vjenë, por nuk dija vendin. Një herë pata një bisedë me priftin e misionit katolik në Vjenë, Don Izak Doda i cili kishte filluar kërkimin e adresës së varrit në administratën e varrezave të qytetit. Pas disa vitesh mësova nga don  Pren Kola që erdhi më vonë si drejtuesi i misionit katolik, adresën egzakte të varrezës të cilën e vizitova menjëhere. Për fat të keq, varri ishte i harruar dhe i mbuluar me bimësi te egër.

Dëgjova nga don Preni që nje pjestarë i familjes Kaçorri me banim në Kanada kishte bërë një kërkesë pranë autoriteteve austriake (nëpërmes ambasadës tonë në Vjenë), për të gjetur adresën e vorrit dhe për nxjerrjen e eshtrave, por nuk i ishte dhënë leja nga administrata e varrezave, pasi pranë varrit ndodhej një pemë që pengonte hapjen e gropës pasi rrezikohej që pema mund të rrëzohej (kështu ishte argumentuar nga autoritetet e varrezave). Por është për të ardhur keq që deri në atë kohë nuk kishte pasur asnje tentativë tjetër nga asnje qeveri, për riatdhesimin e eshtrave te kolosit liberator, Kaçorri.

Se bashku me projetk – idenë paraqita pranë Institutit edhe listën me shpenzimet që duheshin bërë për nxjerrjen, ekstradimin, dokumentacionin  e për çdo detaj tjeter qe do nevojitej per riatdhesimin e eshtrave. Shpenzimet u likuiduan nga  instituti ynë dhe Ministria e Kultures austriake.

Pasi arritët të zhvarrosnit Kaçorrin, dhe paketimin e eshtrave në arkivol siç e kemi parë edhe përmes fotove, cilat ishin veprimet e mëtejshme të tua?

U desht një seri negociatash me punonjësit e varrezave për dhënien e lejes së hapjes se varrezës. Kjo u bë pas një ekspertize nga një inxhinier i pyjeve i cili  vertetoj që pema pranë varrit nuk do të dëmtohej apo rrëzohej. (nje kopjo e këtyre dokumentave është në dosjen KAÇORRI që kam dhuruar për biblotekën françeskane ne Shkodër). Paralel me lejen më duhej, të merrja një vërtetim nga autoritetet shqiptare, që eshtrat pranoheshin në territorin shqiptar, gjë që më kushtoi shumë.

Punonjësja e konsullatës tonë në Vjenë e mori kerkesën time dhe ja përcolli ministrisë se jashtme  (por edhe unë vetë e dërgova kërkesën me adresën e e-mailit zyrtar te ministrisë) nga e cila nuk mora asnjeherë përgjigje. Kam tentuar disa herë në telefon të flas me sektorin përkatës të Ministrisë se Jashtme dhe kurdoherë më është thënë që duhet pritur se kërkesa është në shqyrtim. Ishte inisiativa personale e zotit Villy Minarolli i cili më bëri të mundur me anë te një shkresë  “ ku vërtetohej që pala shqiptare lejonte hyrjen e eshtrave“,  që u mundësua vazhdimi i procedurës se nxjerrjes. Eshte për tu theksuar që punonjësit e varrezave ishin skeptik për gjetjen e eshtrave pas dy luftrash botërore, pas dy herë lëvizjeve të tyre (sepse po në te njejtin varr ishin varrosur me vone nje çift austriakesh, por sipas ligjit në distancë 1 meter nga njeri tjetri), pra teorikisht eshtrat e Kaçorrit duhet te ishin 3 metër nën dhe.

Dhe ashtu doli, pasi u prenë se pari rrënjët shekullore të pemës që kalonin mbi varr, u gjetën eshtrat e gruas (1 meter thellësi), pastaj të burrit te saj (2 metër thellësi)…e sa me shumë gërmohej aq më shumë na shtohej emocioni a do te kishim rezultat!!!

….Zoti na e shpërbleu mundin… në 3 metra thellësi, një një qoshe të gropës së hapur, të mbështjella në copë të kuqe mëndafshi,u gjetën eshtrat e burrit të madh shqiptar, DOM NIKOLLE KAÇORRI. Copa e kuqe ishte një flamur shqiptar (shiheshin qartë flatrat e shqiponjës te zezë në sfondin e kuq) i cili kishte ruajtur krejt të pastra eshtrat e patriotit. Nuk po zgjatem te përshkruaj ndjesitë e mia qe ishin te papërmbajtshme….Nga administrata e varrezave ishte pregatitur një arkivol i vogël, ku u vendosën eshtrat te cilat u depozituan në frigoriferin përkatës deri ditën e fluturimit për në atdhe.

Me pas organizuam nje meshë në nder te zv/kryeministrit te parë shqiptar (por pa mundur te kishim prezent edhe arkivolin me eshtrat, që ligji austriak e ndalon) në misionin katolik shqiptar ku ftuam personalitete, diplomat, shqiptare dhe austriak.

Natyrisht për mbarvajtjen e këtij procesi me rëndësi kombëtare duhej edhe bashkëpunimi i shtetit amë, Ju çfar keni bërë në këtë drejtim?

Siç e përshkrova edhe më lart, pata ndihmën dashamirëse te ambasadorit shqiptar  i cili mori pjese edhe në meshën e organizuar për nder të Imzot Kaçorrit në misionin katolik te Vjenes.

Më pas menjeherë fillova të kontaktoj me e-mail por edhe me telefon (aty ku gjeja numra ose aty ku me përgjigjej dikush), me personalitete të larta të politikës e të Kishës, për të organizuar pritjen e sargut ne Rinas. Kam lajmëruar të gjithë institucionet me të larta të shtetit, që nga kryeministria, kuvendi, ministria e kultures dhe ajo e jashtme, arqipeshkvinë Tirane – Durrës, e nëpermjet Imzot Damjan Kurtit jam lidhur edhe me firmën e funeraleve nga Durrësi, që të na priste ne Rinas (vërtetimin e të cilës ma kërkonin edhe autoritetet austriake), për të fiksuar datën dhe orën kur arrinte sargu.  Nuk pata asnjë konfirmim të ndonjë ceremonie për pritjen e sargut, prandaj ngula këmbë që të paktën autoritetet kishtare te organizonin diçka që e kishte hak ky burrë që nuk kursej asgjë për atdheun e fenë.

Kur arritëm në Tiranë, edhe pse unë kisha me vehte autorizimin për tërheqjen e sargut që kishte arritur përpara në Rinas, familjarët e kishin tërhequr atë dhe ne mes të një atmosferë të papërshkrueshme po pritshin ardhjen tonë për tu nisur drejt Durrësit.

A morët ndonjë përgjigje, dhe nëse po, cila ishte ajo?

E thashë me sipër që nuk mora asnje përgjigje, ….këtë e vërtetoi edhe vetë fakti, që askush nga organizmat shtetërore nuk ishte prezent apo kishte organizuar diçka festive e ceremoniale për këtë rast….

Si e pritët ju situatën e mbërritjes së eshtrave në Rinas, dhe çfar keni ndjerë në atë moment?

Nuk e kam ndjerë ndonjeherë vehten më të turpëruar,….kam qarë nga hidhërimi …, asnjë autoritet nuk kish dalur për te pritur themeluesin e shtetit shqiptar, atë burrë i cili mbajti nën kontroll edhe vetë Ismail Bej Qemalin i cili kërkonte të bënte lojra “diplomatike” në kurriz të atdheut, ….atë, NIKOLLE KAÇORRIN, burrin që u mundua me dekada për lirinë dhe përparim të vendit e të gjuhës amtare.

Autoritetet austriake i bënë nderimin dhe vlerësimin e duhur Imzot Kaçorrit, gjë që shteti për të cilin ai sakrifikoi jeten nuk ja beri…..Qytetaret e njerzit patriotë e atdhedashës te Durrësit e familjaret e tij, e nderuan sa mundën ardhjen e sargut te tij. Këtë e tregoi vargu i madh i veturave apo autobuzëve të ardhur nga Durrësi për këtë qëllim.

A e mendonit një pritje të tillë që u dha përmes fotove dhe denoncimit të një pjese të shtypit shqiptar?

Me thënë të drejtën isha pregatitur personalisht për të mbajtur në dorë sargun të mbeshtjellë në nje flamur të madh kombëtar të cilin e kisha marrë me vehte për këtë qëllim. Por siç thashë më lart, sargu udhëtonte në avionin direkt të linjës Vjenë – Tiranë, kurse ne kishim marrë nje avion që ndalohej në Itali (për arsye çmimit më të lirë) dhe arritëm nje orë me vonë se sargu. Normal, sargun (sipas autorizimit qe kisha) duhej ta tërhiqja vetëm unë nga vendi i rezervuar për të në Rinas, prandaj nuk arrita të kuptoj se pse autoritetet e aeroportit e kishin lëshuar pa prezencen time, por tashmë është gjë e kryer…

Harrova te nënvizoj me sipër, që pata lajmeruar dhe televizionin shtetëror që të filmonte këtë eveniment qysh nga fillimi, nxjerrja e eshtrave (të gjithë kalendarin e veprimeve), por ato më kërkuan që të merrja përsiper shpenzimet e udhëtimit dhe hotelin gjë që nuk mund ta bëja pasi kisha mbyllur planifikimin e buxhetit për këtë projekt. Kështu që edhe ato nuk ishin prezent të paktën në Rinas që ta dokumentonin këtë moment historik … sa keq!!!!!

Qeveria por edhe disa klerikëu shfajsuan në media se për ardhjen e eshtrave të imzot Kaçorrit morën dijeni vetëm pak orë më parë. Cila është e vërteta?

Ne në Shkodër i themi : Dokrra …Rrena…po e shqiptoj edhe në gjuhën letrare : GENJESHTRA...te neveritshme…..

Sot kaq muaj pas gjetjes së eshtrave të Dom Nikoll Kaçorrit, a mendoni se është vendosur në vend figura e Tij?

Jo, me çka po shoh është me e rëndësishme figura e Ahmet Zogut, atij që  syrgjynosi dhe  ekzekutoi demokratet e patriotët më në zë të atdheut, për pushtetin e tij personal, para gjigandit të demokracisë, të lirisë e të atdhedashurisë NIKOLLE KAÇORRI.

Mendoj që për veprën madhore të tij, nuk mjafton një bust apo shtatore, por duhet një mauzoleum ku të digjet përjetesisht flaka në nderim të shpirtit te tij… Kam  hulumtuar e lexuar shumë nga arkivat austriake, dokumenta origjinal, letra, informacione të konsullatave austriake në Durrës e Shkodër, ku shkruhet për të madhin hero kombëtar NIKOLLE KAÇORRI dhe për mendimin tim personal, pas heroit Gjergj Kastrioti që luftoi me shpatë kundër turqve per lirinë e vendit, Kaçorri me veprën e aktivitetin  e tij bëri te mundun qarjen e rrënimin pa kthim te sundimit otoman në territoret shqiptare.

Kush është Pjetër Logoreci:

Rrjedh nga nji familje e vjeter qytetare shkodrane qe ka dhane nje ndihmese te vlefeshme ne rilindjen kombetare. Nga kjo familje dolen shume patriot e aktiviste te permendur te ceshtjes kombetare si Imzot Ndre Logoreci, Mati Logoreci, Anton Logoreci, Kole Logoreci…

Personalisht, ka punuar shume në rilindjen e demokracise ne Shqiperi (nuk është anetare i asnje partie), isha pjesmarres aktiv ne levizjet antikomuniste te 13 dhjetorit, te 2 prillit dhe ato per rihapjen e institucioneve fetare ne Shkoder. Që në atë kohë shihesha si disident kunder rregjimit, pasi protestova personalisht me force per prezencen e Ramiz Alise ne aktivitetin per rivarrimin simbolikte eshtrave te poetit te madh kombetar Gjergj Fishta, eshtrat e te cilit ishin tretur ne lumin Buna nga komunistet. Mora pjese ne greven kombetare te urise se perndjekurve politik qe u zhvillua ne Tirane ne vitin 1991, per te drejtat themelore si: punesimi, shkollimi, strehimi, integrimi ne shoqeri, te cilat na ishin mohuar.

Udiplomova ne universitetin Luigj Gurakuqi te Shkodres ne vitin 1995. U largova nga Shqiperia ne vitin e zi 1997 per arsye politike. Jetoj ne Austri / Vjene prej 16 vitesh, ku punoj si nenpunes social. Aktivizohem si aktor ne teatrin popullor te Vjenes, ne projektet e UNHCR-se, te organizates “Mjeket pa kufi” si dhe te OKB-se, per mbrojtjen e refugjateve.

Jam marre me kerkimin dhe studimin e dokumentacionevete randesishme te historise shqiptare qe gjinden ne arkivat e Austrise per personazhe te njohur qe kane lene gjurme ne fushat e ndryshme kombetare dhe nderkombetare si: Kole Rrota, Gjergj Pekmezi, Aleksander Moisi, Dom Nikolle Kacorri, Ate Paulin Margjokaj, Dom Ndre Mjeda, Karl Gega, Federik Shiroka si dhe doreshkrime e foto origjinale nga momente historike te jetes shqiptare.

Kam qene referent dhe zbatues ne Projektet me tema nga Shqiperia:

  1. Dom Ndre Mjeda
  2. Shkolla Peter Mahringer / Shkoder
  3. Dom Nikolle Kacorri
  4. Aleksander Moisiu

Jam nderuar nga populli i Lures, me certifikaten “MIRENJOHJA E LURES” per sjelljen e eshtrave te Dom Nikolle Kacorrit ne Shqiperi / Durres.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment

Share