NGJARJE MADHORE NË HISTORINË E KULTURËS SONË KOMBËTARE

Nga Pirusti News

Nga Nikoll Loka, historian.

Me rastin e 120 vjetorit të krijimit të shoqërisë  Bashkimi

Shthurja e Perandorisë osmane në mesin e shek. XIX, për popullin shqiptar do shënohet si kohë e lëvizjeve të reja politike, shoqërore, kulturore dhe arsimore. Edhe pse të ngadalëta për shkak të kushteve të rënda politike e sociale, këto lëvizje patën rezultatet e veta. Me rëndësi historike qe hapja e shkollave private pranë kishave ku mësohej gjuha shqipe dhe përhapja pastaj në popull e mësimit dhe e këndimit shqip.

Në kushtet kur vepronin disa variante alfabetësh, u bë i domosdoshëm hartimi i një alfabeti të ri, çka e realizoi shoqëria “Bashkimi”, e cila na dha një alfabet mbështetur në dyshkronja. Veç këtij, shoqëria botoi edhe një gramatikë, libra shkollorë si dhe një fjalor shumë të vlefshëm që qarkulloi në vitin 1908. Ky trinom alfabet-gramatikë-fjalor ishte një nga idealet e rilindasve tanë, që u përpoqën ta realizojnë individualisht. Veprimtaria e shoqërisë “Bashkimi” i dha një shtysë zhvillimit të gjuhës, letërsisë dhe arsimit në gjuhën shqipe.

Shoqëria “Bashkimi” u themelua më në janar të 1899, në Shkodër. Ku dhjetë vjet mbasi ishte kthyer nga mërgimi, Abati i Mirditës, Imzot Prenk Doçi, themeloi shoqërinë me qëllime kulturore-letrare. Duke qenë se shoqëritë kombëtare nuk ishin të lejuara, u hap nën petkun e një shoqërie fetare.  Kjo shoqatë dha ndihmesë të madhe për botimin e një numri tekstesh shkollore në gjuhën shqipe dhe të fjalorit shqip-italisht Bashkimi më 1908, edhe sot e kësaj dite, fjalori më i mirë i dialektit gegë. Në takimin themelues të Shoqërisë “Bashkimi” ishin: Imzot, Prend Doçi, Imzot Lazer Mjeda, Dom Jak Sarreqi, Atë Gjergj Fishta, Dom Ndoc Sheldia, Dom Gjon Koleci, Dom Mark Shllaku, Atë Pashk Bardhi, Dom Ndoc Nikaj, Dom Dodë Koleci, Dom Mëhill Çuni si dhe laikët Mati Logoreci, Gaper Beltoja, Ndue Paluca etj. Kur Valiu i Shkodrës e pyet Doçin, se çfarë janë ato mbledhje në shtëpinë e tij, ai do të përgjigjej: “Po zotni, kam thirrë disa prifta e jam tue pleqnue do punë feje”.

Meqenëse librat shkollorë dhe revistat në veri të Shqipërisë, me qendër në Shkodër, kah fundi i shek. XIX, botoheshin në tre alfabete: në alfabetin e vjetër (të Jezuitve), në atë të Shoqërisë “Bashkimi” (1899) të abat Pregë Doçit dhe në alfabetin e Shoqërisë “Agimi” (1901) të Dom Andre Mjedës, u ndie i nevojshëm përshpejtimi për një unifikim sa më parë të alfabetit. Me këtë rast disa klerikë intelektualë shqiptarë, të përkrahur edhe nga Imzot Pashk Guerrini, kishin hedhur idenë për krijimin e një akademie (instituti) për studimin e dialekteve, vendosjen e gjuhës së përbashkët, hartimin e gramatikës e të fjalorit të gjuhës shqipe. Kjo ide e nxitur edhe nga situata e krijuar në terren u bë temë diskutimi ndërmjet (krye)ipeshkvijve të të gjitha dioqezave (Shkupit, Durrësit, Shkodrës, Lezhës, Pultit, Sapës dhe abacisë së Mirditës) në një takim të mbajtur nga 1-6 Maj 1902 në Shkodër. Më vonë, pjesë e kësaj nisme u bënë edhe Propaganda Fide në Romë dhe Konsullata Austro-hungareze në Shkodër. Kjo e fundit kishte dedikuar në llogari të Arqipeshkvisë së Shkodrës 400 franga për formimin kësaj Akademie studimore. Porse nga letra e Imzot Guerrinit, dos. 28, dt. 26 maj 1902. nr. Prot. 377, mësohet se kjo ide fisnike kishte mbetur e parealizuar për arsye të mosarritjes së konsensusit ndërmjet ipeshkvijve, kërkesë kjo e qeverisë Austro-hungareze dhe e Propaganda Fide.

Shoqëria i vihet punës me seriozitet, e mbrenda shtatë vjetëve, përveç krijimit t’alfabetit, të njohur me emrin “Bashkimi”, i cili pat qenë pranuar nga shumica e shkrimtarëve, botoi 32 vepra, ndër të cilat disa me rëndësi të madhe, e që edhe sot nuk e kanë humbë vleftën.

Cilat ishin botimet e para të shoqërisë “Bashkimi”? 
Dy janë botimet që qarkulluan pak kohë pas themelimit të saj: “Abetari i citun prej shoqniet t’Bashkimit të giuhës shqype” dhe “Oroe përmbi shqyp” .  Të dy këto vepra, ndonëse jo me shumë faqe, do të shërbenin jo vetëm për mësimin e gjuhës shqipe, por edhe për përhapjen e alfabetit të shoqërisë “Bashkimi”. Gjatë një periudhe 10-vjeçare (1899-1908) shoqëria “Bashkimi” botoi 32 vepra, kryesisht të anëtarëve të saj. Dom Ndoc Nikaj jep këtë listë botimesh:

  1. Oroe përmbi abetar shqyp.
  2. Abetari.
  3. Knnojtarja e parë.
  4. Knnojtarja e dytë.
  5. Knnojtarja e tretë.
  6. Msime t’kshtena.
  7. T’nnollunat shenjtë.
  8. Dheshkroja.
  9. Grammatika.
  10. Numërtorja.
  11. Abetari (Napoli).
  12. Knnojtorja e parë (Napoli).
  13. Msime t’Kshtêna, pjesa e parë (Napoli).
  14. Msime t’Kshtêna pjesa e dytë (Napoli).
  15. Kalendari “Shqyptari”, 1904.
  16. Kalendari “Shqyptari”, 1905.
  17. Kalendari “Shqyptari”, 1906.
  18. Kalendari “Shqyptari”, 1907.
  19. Kalendari “Shqyptari”, 1908.
  20. Historija e Shqypniis e Dom Ndoc Nikaj.
  21. Historija e Turkiis e Dom Ndoc Nikajt.
  22. Lahuta e Malcis (Pjesa e dytë – Marash Utsi).
  23. Lahuta e Malcis (Pjesa e dytë – Oso Kuka).
  24. Anzat e Parnasit e At Gjergj Fishtës.
  25. Bulku.
  26. “Vargënimi” i L. Gurakuqit.
  27. Mili e Haidhia.
  28. Fjalorthi i Luigj Gurakuqit.
  29. Fjalori i gjuhës shqype i Dom Dodë Kolecit.
  30. Bleta e re e Ndoc Nikajt.
  31. Vjershat e përshpirtshme të At Gjergj Fishtës.
  32. Komsia e Klerit katolik e At Gjergj Fishtës.[6]

Por ndër veprat më të mira në fushën e gjuhës shqipe mbetet fjalori, vepër me vlera të veçanta leksikografike për kohën. Ai titullohet: “Fjaluer i ri i shqypes përbaam prei Shoqniiet t’Bashkimit”, fjalor dygjjuhësh shqip-italisht që së bashku me shtesat përmbledh 13798 fjalë dhe u botua vetëm nëntë vjet pas krijimit të shoqërisë “Bashkimi”, në vitin 1908. Bibliografë e studiues të ndryshëm ia japin autorësinë Imzot Dodë Kolecit.

Alfabeti i Bashkimit ishte njëri ndër dy alafbetet që u miratua në Kongresin e Manastirit. U vendos që kushdo të ishte i lirë të përdorte atë alfabet që donte për shtypjen e librave. Pastaj brenda dy vjetëve, përpara se të mblidhej kongresi tjeter, do të kuptohej se cili alfabet do të përdorej më shumë dhe ky do të caktohej si alfabeti i vetëm kombëtar.[7]

Alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” nën drejtimin e Abatit Prend Doçi bënë përpjekjen e madhe për ta shkëputur kulturën shqiptare nga ndikimet lindore dhe për ta kthyer në shtratin e vet.

 

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment