“Qeni me tri këmbë” ose ese-ja në pendën e gazetarit Frrok Çupi

Nga Pirusti News

Nga: Aleksandër Ndoja

Artikujt janë të shkurtër, aspak të lodhshëm e që të mbajnë mbërthyer jo vetëm me përcjelljet e ngjarjeve, por edhe me mënyrën e të artikuluarit, natyrshmërinë dhe cilësin e fjalëve të përdoruara, çka për të interesuarit është një shkollë gazetarie e vërtetë.

Frrok Çupi padyshim mbetet një ndër pendat më të fuqishme të gazetarisë shqiptare. I vlerësuar pafundësisht nga opinioni por edhe institucione brenda e jashtë vendit, Çupi mbetet ndoshta edhe penda më e anatemuar në kohë të ndryshme, pa bërë përjashtim edhe në kohën kur sapo kishte filluar të shkruante artikujt e parë, kohën e komunizmit. Ndoshta ky ka qenë edhe fati që shoqëron këtë pendë, pasi duam apo nuk duam, duan apo nuk duan, Frrok Çupi ka autorësinë e editorialit të parë të shtypit të lirisë, si kryeredaktor dhe themelues i gazetës së parë më të fuqishme opozitare ende pa marrë “krisë” blloku famkeq i komunizmit. Them i anatemuar, pasi pak kohë më vonë ky organ shtypi i themeluar dhe drejtuar nga ai, do të kthehej një “kobure” e pamëshirshme ndaj vetë Çupit.

Kjo provon se gazetari Frrok Çupi ka një linjë të veten, linjën e të kundërshtuarit të fenomeneve, pa pytetur nivelet e fuqisë pushtetore në kohë të ndryshme.  Natyrisht në këtë linjë është edhe libri me ese, “Qeni me Tri Këmbë” brenda faqeve të së cilit shpalost një histori e gjatë nga një pende e vetme, e që zë fill me editorialin e parë të titulluar “Fjala e Parë” e gazetës së parë në fillim të pluralizmit, saktësisht më datë 5 janar 1991.

Në librin me ese “Qeni me tri Këmbë” autori përcjell 123 shkrime të ndryshme ndër vite, të ndarë në kapituj si: “Në fillm ishte fjala”,  “Njerëz që shesin hënën” “Herostati del nga blloku”, “Good minus god” dhe “Europa si fantazma e ciganit”. Artikujt janë të shkurtër, aspak të lodhshëm e që të mbajnë mbërthyer jo vetëm me përcjelljet e ngjarjeve, por edhe me mënyrën e të artikuluarit, natyrshmërinë dhe cilësin e fjalëve të përdoruara, çka për të interesuarit është një shkollë gazetarie e vërtetë.

Ntyrisht ese-të anojnë mësëshumti andej nga është i orientuar vetë autori, nga gazetaria elitare dhe e plotësuar. Brenda tyre ka filozofi të spikatur e madje të stërholluar. Duhet të jesh i vemendshëm deri në germën e fundit, për të kuptuar qartë ku rreh autori. Siç thuhet edhe në përmbledhjen e përmbajtjes së librit, në “Metropolisi krijon dhe kërkon kultura të ndryshme” gjen Diversitet, nivel arsyeje dhe debati, përplasje dhe pajtime. Këtyre iu largohet politika.. Është shtrëmbëruar puna që në krye, nuk e shikoni. Kjo është arsyeja që qytetërimi po përgjunjet prej jashtë tij. Mjafton ti referohemi shkrimit i nga i cili ka dalë edhe titulli i librit “Qeni me tri këmbë”. Në këtë ese, autori na thotë se në sheshet e qyteteve tona kemi shumë qen me tre këmbë…atëherë, pyet autori, ne njerëzit, çfar jemi. Dhe përgjigja vjen vetiu, se rrënimi i kafshës vjen nga vetë rrënimi i njeriut. Në këtë libër janë të shumta pyetjet retorike dhe vetëpërgjigjet e autorit, të cilat plotësojnë mësëmiri një botim nga i cili çdo artikullshkrues apo autor librash duhet të marrë orientim.

Një biografi e shkurtër e z. Frrok Çupi, botuar në Revistën “Mirdita nr. 17 (Enciklopedia Kulturore)

U lind në Blinisht, Mirditë. Arsimin shtavjeçar e kreu në Shënpalë dhe shkollën e mesme në gjimnazin Rrëshen, ndërsa arsmin e lartë e kreu në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politike e Juridike ku titullohet gazetar.

Frrok Cupi është një nga gazetarët më të shquar shqiptar. Veprimtaria e tij e gjërë përfshinë disa mijëra artikuj publicistikë. Puna e tij është e gjithëanëshme krijuese e publikuese si reportazhist i shquar, reporter, editorialist, kolumnist, drejtor i editorialit dhe kryeredaktor në disa media.

Frroku Çupi veç artikujve dhe botimeve në organet e shtypit, ka botuar edhe librat ‘Vlora 1997’, ‘Kthim në vitin ‘91’, ‘There is no war neither peace’,‘E pashë shtetin duke rënë’. Esse filozofike: ‘Qeni me tre këmbë’. Është autor i disa mediava kombëtare të krijuara si: Gazeta ‘Rilindja Demokratike’, themelues dhe kryeredaktor i saj. RD është gazeta e parë opozitare anti- komuniste, e dyta pas gazetës “Populli” që doli vetëm 4 numra 70 e ca vjet para RD. Gazeta ‘Politika’, themelues dhe drejtor i saj. Gazeta ‘Agon’, themelues dhe drejtor i saj. Televizioni ‘Agon Channel’, krijues dhe drejtor i Informacionit; Gazeta elektronike “Veritas”, krijues dhe drejtor.

Frrok Cupi ka punuar dhe bashkëpunuar me dhjetra gazeta brenda e jashte vendit: Gazeta Studenti, gazeta ‘Bashkimi’, ‘Zeri i ‘RD’, ‘Koha Jonë’ ‘ ‘Shqip’, ‘Agon’, ‘Veritas’, ‘Albanian Free Press’.

Frrok Cupi është Autor dhe korrespondent permanent në media të huaja: ‘The Human Rights Sans Frontiers’ pranë Parlamentit Europian Bruksel, gazeta ‘Makedonia’ Selanik, The International Herald Tribune (suplimenti anglisht Kathemirini).

Aktivitete ndërkombëtare: Bashkëthemelues i SEEMO (South East Europian Organization), degë e IPI (International Press Institute).

Bashkëthemelues dhe president i seksionit shqiptar të Organizatës ‘Gazetarët Europian’, Berlin, shtator 1999. President i Aleancës së Agjencive Europiane të Lajmeve, me qendër në Gjenevë.

President i Aleancës së Agjencive të Lajmeve të vendeve të Mesdheut (AMAN)President i Agjencive të Lajmeve të vendeve të Ballkanit (ABNA).Pjesëmarrës në kursin mbi ‘Imazhin dhe Informacionin shtetëror’ pranë Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. Pjesëmarrës dhe spiker në Kongreset Botërore të gazetarëve në Moskë dhe Kuala Lumpur.

Funksione të tjera:

Pedagog i Gazetarisë (Master Degree në ISSAT Tiranë). Drejtor i Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës, Tiranë. Kryetar i Qendrës Kombëtare të Artit dhe Kulturës, Tiranë.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment