Kujtesë “Antologjia e Shpirtit” dhe Gjokë Beci. Vlerësim dhe mirënjohje për poetin e madh shqiptar. Dhjetor 2007 në TOB

Nga Pirusti News

Nga: Aleksandër Ndoja, botuar në “Koha Jonë” datë 13 dhjetor 2007.

Një show deri tani ndër më të arrirët në TOB, kushtuar poetit të madh dhe të mirnjohur Gjokë Beci. Ky ka qënë si emërues i përbashkët në bindjen e tyre të shprehur nga specialistët dhe emrat me të shquar të artit dhe kulturës në vëndin tonë, menjëherë pas përfundimit të tij. Qindra miq të poetit nga ç’do cep i Shqipërisë, kanë tejmbushur sallën e Teatrit të Operas dhe ta Baletit për të ndjekur koncertin show të organizuar nga “Mirdita-Folk” dhe muzikanti i njohur i këngës Mirditase, Mark Gjoka. Ka qënë edhe mbështetja totale e Qëndrës Kombëtare të veprimatarive kulturore e drejtuar nga Esat Ruka. Një rekuim për kontributin e shquar të Gjok Becit i cili konsiderohet i vetmi poet i cili ka ditur që suksesin e tij ta arrijë duke kontribuar si në muziken e lehtë ashtu edhe në atë folklorike.

Ndue Dedaj, poet dhe mik i autorit, thotë se vjen një kohë dhe poetët “dorëzojnë” dhe atë më të fundit gjë që ju ka mbetur, shpirtin, si të vetmin testament të tyre, atë shpirtin e ndjeshëm të poezisë së mbrujtur në dekada, muzën që kishte qënë fryma e ngjizjes së këngëve të tyre. Gjokë Beci, është njëri nga ata, që bujaria e fatit e paisi me këtë dhunti, talentin, kërkimin dhe kreativitetin poetik të pa moshë. Ndërsa konceri show me pjesmarrjen emarave më të shquar të kulturës shqiptare si si, Artisti i Popullit  Gaço Qako, Kastriot Tusha, Hysni Zela, Esat  Ruka, Myfarete Laze, Lirie Rasha, Frederik Ndoci, Grupi i burrave të Mirditës, etj. aktorët e mëdhenj të kombit Reshat Arbana, Edmond Zhulali etj, Ansambli i Këngëve dhe valleve Tiranë  u drejtua nga Mark Gjoka dhe gazetarja e RTSH-së Ariana Qatipi. I gjithë aktiviteti u mbështet në tre pika kryesore si:

a-    Gjokë Beci, si krijues i këngës së re mirditor

b-    Gjokë Beci, si Mjeshtër i Madh i këngës mbarëshqiptare

c-     Gjokë Beci, si poet dhe intelektual.

I pari që ka prekur skenën në përshëndetje të Gjok Becit ka qënë artisti i njohur Hysni Zela. Më tej Mefarete Laze ka korrur duartrokitje të gjata me interpretimin e saj me tekstin e Gjok Becit të titulluar “Sa më mungon”. Në vijim të këtij aktiviteti, e gjithë salla është ngrur peshë pas debutimit të Mirush Kabashit. Ndërsa teksti i mirnjohur i Gjokë Becit u interpretua me mjaft ritëm nga mjeshtri i madh Gaqo Cako. “Po i flas qiellit me këngë prej gjaku”, u interpretua nga tenori Kastriot Tusha. Nuk jam poet e as shkrimtar po kam pregatit për ju dy fjal miku, dy fjalë shpirti– kështu do ta niste artisti i popullit Reshat Arbana përshëndetjen e tij për poetin e madh Gjok Beci. O poet i madh, i butë si mjalta.

Por në përshëndetjet e tyre kanë vënë në dukje kontributin e shquar të Gjok Becit edhe Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, Komandanti i Doktrinave ushtarake Sandër Lleshaj, kryetari i bashkisë Rrëshen Gjon Dedaj, poeti Agim Doçi, Luan Rama, poeti i njohur himariot Lefter Cipa etj. Të gjithë folësit vunë në dukje kontributin e shquar të Gjokë Becit si një emër i madh në kulturën shqiptare. Ndonëse në një gjënde jo të mirë shëndetësore, poeti Gjok Beci është ngjitur në skenën e T.O.B-it për të përshëndetur të pranishmit, nën korin e duartrokitjeve të zjarrta në shënjë falenderimi për kontributin shquar të tij në kulturën shqiptare.

Gjokë Beci ka shprehur mirnjohjen e thellë të tij, për këtë eveniment të rëndësishëm kushtuar punës dhe veprës së tij tashmë të gdhëndur përjetësisht në trungun e pemës së kulturës së shqiptarëve. Ai ka vequar bashkëpunimim me emrat më të shquar të muzikës shqiptare e në veqanti me kompozitorin Edmond Zhulali. Z. Beci falenderoi përzemërsisht “Mirdita-Folk”, drejtuesin Mark Gjoka, drejtorin e kulturës popullore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Esat Ruka, si edhe të gjithë ata që kontribuan në organizimin e këtij spektakli promovues. Ndërsa krijimet më të zgjedhuara të poetit tashmë janë të përmbledhura në një libër të titulluar “Antologjia e Shpirtit”, prodhim i Shtëpisë Botuese “Mirdita” përpunuar dhe shtypur nga “Mirgeeralb”.

Një intervistë me Gjok Becin.

Buzë Valmorit kush ka dalë/bukurinë e ka parë…”. Ç’ju kujtojnë këto vargje?

Do të guxoja t’i merrja leje shpirtit të madhërishëm të De Radës për të thënë: Zajsi, fshati i lindjes që prapa maleve më kujton se unë i huaj s’jam te ai dhè….Sado larg të kem qenë, kam besuar se marr frymë nga qielli i atij fshati, nga nënqiella e një çatie të vjetër, gjysmë të shembur, por asnjëherë të harruar. Sado shumë të kem parë nuk mund të ketë qenë kurrë më e bukur se mëngjeset që shkrepin mbi buzën e Valmorit dhe se muzgjet që faniten mbi buzën prej gurëve të Trangës apo asaj të “gurit të rrumbullakët”.

Sado shumë kam dëgjuar, rrallë kanë qenë të magjishme sa tregimet e pleqve të fshatit tim, të cilat edhe tash, herë më ngjajnë shekspiriane, herë homerike dhe herë si apologji të “Sokratëve” të bjeshkëve të mia. Fëmijëria ime është kacarrue me një lumë që thirret Urakë. Troftat e këtij lumi, prej kjartësisë së rrjedhjes të të cilit, njeriu mund të njohë kuptimin e vërtetë të fjalës transparencë, më janë dukur aso kohe Pegasi im. Unë rendja t’i zija, ato më rrëshqisnin si motivet që kam humbur në jetën e bukur e të gjatë që po vazhdoj. Më kujtohen e nuk më harrohen loket zajsiane për bujarinë e tyre mahnitëse, për bardhësinë e teshave që vishnin, për atë të gjithhershmin kuvendim me zë të ulët. Më kujtohen duart që kam djegur kur lexoja me pishë hatullave deri vonë netëve, bashkëmoshatarët prej të cilëve shumë kanë ndërruar jetë. Mbi të gjitha më kujtohet ikja ime e madhe. I ndjeri babai im më ka lënë shumë të vogël e më është dashur të braktis prehërin e atyre mrekullive edhe pse ende nuk e di mirë përse…

  Duket, si të thuash, ndryshe nga një mashkull i shtëpisë malësore që vinte pas një krisme pushke për t’iu bërë krah familjes, regëtin që asi moti, talenti i krijuesit të ardhshëm?

Nuk kam qenë i zoti për punë fizike dhe kështu i trembesha ugarit apo ngritjes së mureve. Meqë kam qenë fizikisht delikat, ndoshta lakmova qysh në fëmijëri “plugimin” e letrave, të lehtë në dukje. Mbaj mend se kur kam qenë tre-katër vjeç kushëriri im i shtrenjtë Pjetri më dha një shkurticë italiane ta shprazja dhe kur doli plumbi ashtu nëpër flakë, unë u tremba shumë. Jam i lumtur që atë erë baruti e kuptova vetëm në sensin që kërkon liria kombëtare. Kushëriri që përmenda ka ndikuar që në shpirtin tim të regëtinte dritë e diturisë.

Dhe është koençidencë emrash apo s’di çka tjetër, por pas largimit për në shkollën e mesme, përsëri një Pjetër, Petro Marko, këtë herë mësuesi im i letërsisë dhe, më lejoni ta them me këtë rat-nëse sot unë kam lënë a do të lë diçka në rrugën e krijimtarisë, në atë rrugë më ka vënë shkrimtari i madh shqiptar Petro Marko. Nuk kam si harroj kur mësonim në shkollën pedagogjike “Ndrecë Ndue Gjoka”, mbasdite profesori na vinte përpara një deng me letra dhe na diktonte pjesë nga romani i tij i ardhshëm “Hasta la Vista”. Më ka qëlluar të shkruaj për herë të parë dialogje të Gorit me Anitën, prapësitë e Pucelit e më tej. Kishte një fantazi shungulluese. Kush donte kishte një rast unikal për të mësuar, edhe mënyrë edhe stil edhe koncept krijues.

   Pos poetit që po vinte tek ju, është dhe folku që duket se krijon një simbiozë në ashtin e një krijuesi të veçantë shqiptar?

Poeti tek unë, nëse ka ardhur, ka ardhur me vështirësi. Fillimisht erdhi si një kapriçio do të thoja, sepse është pakëz e pabesueshme normalisht që të mendohet të bëhet poet një fëmijë me prindër analfabetë. Por puna, studimi, mbi të gjitha nxitja e dikujt me peshë, si rasti i mësuesve tanë Petro, Bedri Dedja, Gjergj Zheji, etj më duket se i thërrasin poetit sado thellë qenies sonë të jetë fshehur, sidomos tek ne shqiptarët. Fillova të shkruaj. Krijuesit e dijnë lumturinë që sjellin botimet e para, sidomos kur të tjerët i vlerësojnë. Mirdita ka qenë për mua miniera e tetë…(kemi patur shtatë miniera të konfirmuara apo jo?!). Edhe në sensin e njohjes së karaktereve, të mençurisë, traditave në familje por edhe në vlera kulturore e artistike, sidomos folklorike. Fillimet e bashkëpunimit me folkun mirditor, i kam aty rreth vitit 1967 kur dhe jam kthyer në vendlindje për të qëndruar një kohë bukur të gjatë.

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment