Drane Cara Sekseni 17 vjeçare, vajza e parë parashutiste, kampione e hedhjes së shtizës, rrëfen ngjarjet e 50 viteve më parë.

Nga Pirusti News

Nga: Aleksandër Ndoja

Prej dhjetë vitesh është në pension, por në kafenenë apo ambientet që ajo frekuenton, pak ose aspak e dinë që ajo një herë e një kohë, ishte kampion. Bëhet fjalë për Drane Carën, bijë e Përlatit të Epër në Mirditë e cila në moshën 17 vjeçare të çudiste mbi 3 milon a më shumë shqiptarë, teksa kërkoi me insistim të hidhej me parashutë nga mbi 800 metra lartësi në ish-fushën aviacionit në Laprakë, ndërkohë që pak më parë ishte shpallur kampione e hedhjes së shtizës, rekord të cilin e mbajti për 10 vite, kur u thye nga një sportiste tjetër. Ka qënë data 24 prill  1968 kur unë sëbashku me dy vajza 17 vjeçare dhe mësuesen tonë prekëm lartësitë mbi Tiranë, për të realizuar të vetmen hedhje me parashuta nga nxënësit e shkollës së mesme të fiskulturës, tregon Drane Cara (Sekseni).

Po kush është Dranë Cara (Sekseni) e cila e la Përlatin në moshën 10 vjeçare për tu bërë kampione kombëtare dhe një ndër katër femrat që u hodhën me parashutë në vitin 1968, në një kohë kur rrallë mund të shikoheshin helikopterët, jo më të hidhej një femër-fëmijë me parashutë. Dranen e gjen tashmë prej vitit 1988 në Tiranë ku banon sëbashku me bashkëshortin, një oficier karriere të ushtrisë shqipare, Gurali Seksenin me të cilin ishin njohur dhe lidhur martesë në Rrëshen. Në një intervistë të rrallë për pirustinews, sportistja e mirënjohur, por siç vetë e thotë, e harruar rrëfen për jetën e saj, ngjarjet për të cilat kujtohet nga bashkëkohësit, por edhe nga gjeneratat e shumta të shkollës së mesme të Rrëshenit, ku për 15 vite dha lëndën e fiskulturës, por edhe e angazhuar në aktivitete sportive zonale e kombëtare.

Kush është Drane Cara (Sekseni) dhe ku more kontaktet e para me shkollën.

Kam lindur në Përlat Epër, në kullën piktoreske në anën tjetër të përrojit që ndan mespërmes Përlatin. Jam njëri prej 9 fëmijëve të prindërve të mij, (pesë vajza dhe 4 djem) prindër që kanë punuar në bujqësi, pra në kooperativë por që ishin arsimdashës të fortë. Këtë e tregon fakti se ishin insistues që të gjithë fëmijët të vazhdonim shkollën edhe pse ishin vitet 60-të, kur masivizimi nuk ishte akoma në ditën më të mirë. Kështu edhe unë fillova shkollën fillore në fshatin tim Përlat Epër, shkollë të cilën e kreva me rezultate të larta, me mësues Kol Koka.

Po shkollën 8-vjeçare ku e mbaruat?

Në fakt unë i përkas sistemit 7-vjeçar. Në fshatin tim nuk kishte shkollë 7-vjeçare në atë kohë, por kishte në Përlat Qendër, mbi 10 km me pyje të dendura. Për këtë arsye prindërit e mij kishin frikë që unë një vajzë 10 vjeçe të kaloja në këto rrugë, ndaj kërkuan që unë të merrja bursë për të vazhduar 7-vjeçaren në Rrëshen. Për këtë prindrit e mij i kërkuan ndihmë drejtuesit politik të kohës z. Kol Brozi, i cili u bë fjalëmirë dhe kështu unë u rregjistrova në konvikt në Rrëshen, duke përfunduar edhe 7 vjeçaren më rezultate të larta.

Cilët mësues kujtoni dhe kë kishit mësues kujdestar, pra në vitin 1962?

Dua të kujtoj mësues si Kin Baçli, Rifat Juka, Mark Jaku, por mësues kujdestar kam pas Fran Çukën të cilin më vonë e kam pasur edhe koleg në shkollën Rrëshen. Me mësues Fran Çukën nuk krahasoj asnjë mësues në botë, ndërsa mësues të lëndës së fiskulturës kam pasur Ndue Ruçin, ish-futbollist të Minatorit.

Me tej, si vijoi shkollimi juaj?

Me mbështejen dhe insistimin e prindërve të mij kam marrë rrugën e shkollimit në Tiranë. U rregjistrova në teknikumin e fiskulturës në Tiranë, dega mësuesi (e mesme tre vjeçare). Pra është e shkruar edhe në diplomë, kishte të drejtën të ishe mësuese e fiskulturës për shkollat 8-vjeçare. Këtë shkollë e përfundova në vitin 1968. Theksoj se ishte shkollë elitare, mjaft e fortë dhe me kërkesa të shumta. Bëheshin stërvitje të shumta, spartakiata pafund, ku kishe mundësi të identifikoheshin elementët më të spikatur.

Në këtë vit, pra në vitin e fundit të gjimnazit në vitin 1968, ju shënuat dy suksese, çka ku evidentoi në shkallë kombëtare. Si i kujton ato kohë?.

Në programin mësimor kishim alpinizëm, ski e shumë elementë të tjerë. Në këtë kohë u hodh si ide që në programet tona të futej edhe parashutizmi. Ideja erdhi nga vetë nxënësit dhe studentët. Theksoj se ne ishim viti i fundit i asaj shkolle, pasi me mbarimin e saj nga ana jonë, kjo shkollë u mbyll përfundimisht. U mbyll shkolla e mesme për mësuesi sepse u hapën shkolla të tjera si “mjeshtëria e futbollit” e “atletikës”, por edhe Insituti i Lartë i Fiskulturës “Vojo Kushi” etj.

Mirë, u vendos të futej parashutizmi. Ju si u përzgjodhët?

Ishte iniciativa ime, kërkova vetë. Isha vetëm 17 vjeçe, pa ndonjë mbështetje miqësish. Thjesht një vajzë nga një zonë e thellë. Kjo ndodhi me 24 prill të vitit 1968, pasi ajo datë njihej si festa e aviacionit shqiptar. Përfundimisht u vendos që me parashutë të hidheshim Flora Toto, petagogija jonë nga Tirana, Polikseni Vjeshta nga Berati studente e vitit të tretë, Vezire Metaj studente e vitit të parë, ndërsa unë ishim nxënëse e vitit të tretë, pra vitit të fundit.

Ku u realizua hedhja juaj me parashutë?

Në fakt ideja ishte të hidheshim në Kuçovë ku kishte aroport, por meqë data përkonte me festën e aviacionit, u vendos të bëhej te fusha e aviacionit në Laprakë. Kjo sepse pjesmarrës do të ishin e gjithë klasa politike dhe shtetërore e kohës.

A kishit bërë më përpara ndonjë hedhje prove, për të qenë të suksesshme atë ditë?

Jo, ne më përpara bëmë disa stërvitje për dy javë me rradhë te shkolla e instruksionit për hedhje me parashutë, por nuk kishim realizuar asnjë hedhje, thjesht ishim njohur me hapat që duhet të hidhnim për hapejen e parashutës.

Ky hypët në helikopter dhe si u realizua hedhja?

Ne hypëm pikërisht aty te fusha e aviacionit. Bëmë dy xhiro nëpër Tiranë për të marrë lartësinë 800 metra. Në fakt në program e kishim të hidheshim nga 1500 metra, por u vendos 800 metra, pasi perimetri ishte i vogël. Fusha ishte e rrethuar me ndërtime dhe mund të devijohej trajektorja nga lartësia e madhe. Hedhja nga 800 metra kishte problem tjetër, pasi në distancë me të shkurtër me tokën, forca e gravitetit është më e madhe dhe mund të mos linte kohë kohë për hapjen e parashutës. Çdo gjë kaloi si nëpër film. Kujtoj prekjen me tokën dhe enuziasmin e madh të pranishmëve pasi ishte hera e parë që vajza 17 vjeçare të hidheshin me parashutë.

Si u prit nga opinion dhe a patët raste të tjera të ngjashme?

U prit shumë mirë mediat e kohës si radio e televizioni, por edhe gazetat dhe revistat e bënë lajm të faqes së parë për një kohë të gjatë. Çuditërisht kjo praktikë nuk ndodhi më në atë shkollë. Në një emision “histori me zhurmues”  të disa viteve më parë, profesorja jonë Flora Toto u shpreh se askush nuk e mori më këtë iniciative, për mungesë baze materiale dhe infrastrukturë apo mos intresimi, nuk e di.

Po si rekordmene e hedhjes së shtizës, si e kujtoni?

Po rekordin e hedhjes së shtizës e kam shënuar pak më parë se të hidhesha me parashutë. Ka qënë në mars 1968 në një aktivitet në Shkodër ku kam thyer rekordin për të reja. Kam qenë 10 vite kampion, pasi rekordi im është thyer vetëm në vitin 1978.

Prej këtyre rezultateve unë sëbashku me elementë të tjerë të spikatur si Marjeta Ponjari, Eva Kavaja kaluam pa konkurim direkt në shkollë të lartë, IKF “Vojo Kushi”.

Mbarimi i të lartës, kur ishe sportiste kaq e njohur dhe premtuese, pse në Rrëshen?

Në fakt unë u habita askohe pasi përflitej të mbahesha petagoge aty, ku edhe mund te vijoja karrierën time. Por vetëm vonë, shumë vonë kam mësuar se një i afërm i nënës time nga Proseku kishte qenë në internim në Tepelenë. Ndoshta kjo ka qenë arsyeja që unë nuk u mbajta në Tiranë, por kjo nuk mu tha kurrë. Kështu me 20 gusht të vitit 1971 kam filluar punë si mësuese në shkollën “Bardhok Biba” të Rrëshenit. Për 15 vite kam punuar mësuese me kolegë shumë të mirë si Ndue Ruçin, Nikoll Beleshin që e kam pas edhe shok grupi, shok fakulteti, shok shumë të mirë dhe mësues të tjerë, që i kujtoj me respekt.

15 vite në Rrëshen, përveçse mësuese e lëndës së edukimit fizik, cili ishte aktiviteti yt?

Kam qenë shumë e angazhuar në aktivitete sportive. Isha përgjegjëse e ekipit të mirënjohur të “Minatorit” për të cilin ka meritë të jashtëzakonshme Haki Halili, hero i volejbollit të Mirditës. Por në përzgjedhjen e elementëve kishim shumë ndikim ne mësuesit e fiskulturës, ndonëse në vitin 1980, kam qenë për një vit pjestare e ekipit. Dua të kujtoj me respekt lojtaret Arajana Arapi, Valbona Arapi, Lula Vladi, Marte Reçi, Gjyla Përbasha, Vera Luca e shumë të tjera, por edhe më të rejat Marjana Suli, Lindita Prenga etj, etj.

Kur erdhët në Tiranë dhe si u realizua ëndrra e ndërprerë në vitin 1971?

Në Mirditë u njoha dhe u martova me një ushtarak Gurali Seksenin. Pikërisht në vitin 1988 ati i erdhi urdhëri për të marrë një detyrë ne Tiranë. Unë si grua oficeri natyrisht do ta shoqëroja dhe kështu u bëmë banorë të Tiranës. Në vitin 2008 dola në pension duke qenë mësuese në shkollën “Abdulla Keta”, afër ish-Uzinës “Traktori” në Tiranë.

 

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment