“Dy kaçinaras në Zagreb”. Përshkrim takimesh nga Skënder Doda

Nga Pirusti News

Nga Zagrebi, Skënder Doda, Botuar në nr. 22 të Revistës “Mirdita”

-Sërish mesazh nga Marku, pasi më uronte qëndrim të këndshëm, më kujton se në Zagreb jeton një person mjaft publik; Tomë Kaçinari nga Kaçinari i Mirditës dhe se si ai pa iu dridhur dora kishte dhënë mijëra euro për bustin e Anton Çetës-

Shpesh herë ndjejmë  se si një ndodhi  rastësore, disi  e veçuar, një shkëndijë e  vogël befas shndërrohet në një ngjarje të paharrueshme që përjetohet fuqishëm për shkak të efektit dhe domethënjes,  një flakë që mezi ka pritur të shpërthejë. I ftuar në një konferencë për Sigurinë Evropiane në Zagreb të Kroacisë, ndiqja me vëmendje diskutantët dhe për forcë zakoni çdo dhjetë  minuta  hidhja sytë tangent në ekranin e telefonit.

Befas shoh një sms nga shoku im Mark Marku i cili më ftonte për kafe diku pranë zyrës sime në Tiranë. Pa e zgjatur i shkruaj “Jam në Zagreb”. Sërish mesazh nga Marku, pasi më uronte qëndrim të këndshëm, më kujton se në Zagreb jeton një person mjaft publik; Tomë Kaçinari nga Kaçinari i Mirditës dhe se si ai pa iu dridhur dora kishte dhënë mijëra euro për bustin e Anton Çetës. “Ky është numri i tij, mos bën gabim të ikësh nga Zagrebi pa e takuar Tomën”  dukej si pikë e një urdhëri luftarak nga Marku. Vite më pare kisha lexuar një libër të mirditorit Gjetë Ndoj për familjen Kaçinari, por  përfytyrimi im në ato momente mbetej  paksa i mjegullt.

…Ndërkohë në panel diskutantët debatonin mbi problemet me të cilat përballeshin shtetet e prekur nga emigrimi masiv dhe sfidat e sigurisë në Evropë. Në një pushim të shkurtër i dërgoj mesazh Tomës duke ju prezantuar si dhe adresën e hotelit “WESTIN”  ku zhvillohej konferenca.

Pa kaluar as 20 minuta më shkruan se ndodhej te holli i hotelit ndërkohë që pjesëmarrësit zbritën për të drekuar dhe për të ndjekur programin e pasdites. Ashensori i madh u ndal, hapet porta dhe unë drejtohem te recepsioni. Menjëherë dalloj një burrë shtatlartë ndoshta më i gjatë se unë që nuk priti të prezantohesha; – Tungjatjeta kushëri….unë jam Toma.

Dhe përqafohemi sikur të kishim vite pa u parë; Të gjithë e dinë që në Kaçinar ndodhet rrapi shekullor, i vetmi dëshmitar i gjallë trungu i të cilit mund të rrëfejë moshën shekullore, vitet me ngricat e tmerrshme apo thatësirën e tejzgjatur. Po rrapi është memec për historitë njerëzore. Nën atë  rrap janë  eshtrat e kaçinarasve, nën hijen e tij kanë kuvenduar burra dhe kanë marrë vendime e ndarë kuvende. Aty mund të kenë kaluar të parët e Tomës si shumë e shumë kaçinaras të tjerë drejt Lezhës, Shkodrës, apo një vendi të sigurtë e me rrojtje më të mirë.  Rrapi nuk mundet të kallzojë se çfarë ka parë e dëgjuar nën degët e veta edhe sikur trupi i tij të bëhet letër për libra. Janë disa raste që i lutesh Zotit që dhe pemët të kishin gojë e të rrëfenin atë që me letra nuk është  treguar.

Këto mendime më vërshuan në kokë kur përballë shihja Tomën, ndërsa po me mend hartoja një tabelë krahasuese të fatit njerëzor ndërmjet meje dhe Tomës. Të dy pothuaj moshatarë. Të parët e tij ishin larguar nga Arrza e Kaçinarit rreth viteve 1900; prindërit e mi gjysëm  shekulli më pas.

Stërgjyshërit tanë ndoshta kanë qenë bashkë, shokë, miq, kushërinj, kumbari kanë shku të njëri tjetri për “mort e darzëm” gjyshërit tanë kanë luajtur bashkë sepse jetonin në një copë katund dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Të dy na tërhiqte gjaku i të parëve. Unë kisha pasur mundësi të takohesha shpesh me kaçinaras në Tiranë apo të shkoja e të shihja trojet e të parëve të mi, të dëgjoja zhurmën e prroskës të prekja arrat dhe qershitë të mbjella nga gjyshërit e mi. Toma asokohe dëgjonte prej të atit historitë e familjes e gërmonte ndër libra për të zbuluar rrënjët e veta pa pasur mundësi të shihte nga afër   trojet e të  parëve…Unë u shkollova në të  gjitha   shkollat ushtarake të vendit, ndërsa Toma kishte luftuar dhe  komanduar  njësi  të  ushtrisë  Kroate  për çlirimin e vendit.

Cikli kërkimeve e krahasimeve mbyllet; Dy Kaçinaras në Zagreb. Njëri banor i nderuar e i vlerësuar tjetri pjesëmarës   në   një   konferencë   evropiane   për   sigurinë.   Botë interesante.. Sakaq u gjendëm në lokalin ku punonte djali i axhës së tij Antoni. Përshtypja e parë ishte se ndodheshe jo në lokal por në një studjo historiani, libra të vjetër, harta të mëdha   simbole të ndryshme shqiptare.. Sapo u “falëm” me shoqi shoqin  shpejt e shpejt nxori shishen e rakisë, vuri gotat në një tavolinë të vogël dhe pa e zgjatur drejtoi gotën nga unë;

– Qoftë lëvdue Jezu Krishti

– Gjithmonë e jetë – i them

– Mirë se të ka pru Zoti- më thotë.

Biseda filloi   shtruar  shtruar  dhe  pse  e lajmërova  se  kam kohë   të lirë vetëm  3 orë që   nga organizatorët e Konferencës ishte planifikuar një guidë nëpër Zagreb. Më pas fillonte paneli tjetër..

-Mos u ban merak- më qetëson Toma- Antoni është specialist për historinë e nuk të ndahet kollaj por kur të vijë ora do dalim.  Antoi pasi më vuri përpara një dyzinë librash që flisnin për mirditën, historinë,  traditën prijësit e saj, zakonet. Një libër mjaft interesant i priftit kroat Lovro Mihaçeviç “Po Albaniji” botuar në Zagreb në vitin 1911 përmbante shumë shprehje të mirëseardhjes, këngë dasme   në gjuhën shqipe të përkthyera në kroatisht. Pjesë e bisedës ishte mbi  rrugëtimin e familjes Kaçinari drejt Rezinës së Gjakovës dhe më pas në Velezhë pranë Prizrenit, ardhja e familjes në vitet 1959 në Zagreb,  përpjekjet  për  të  mos  humbur   kurrë   identitetin   e   tyre.   Brez   pas  brezi  vetëm  emra shqiptarë.  Më tregoi një fakt mjaft interesant; Vite më parë një miku i tij studiues kroat e kishte ftuar të bënte analizat e gjakut në mënyrë të hollësishme duke përfshirë të fshehtat e ADN që vetëm shkencëtarët i zbulojnë. Analizat falas por në vend të emrit do të përdorej një kodi cili nuk dihej nga të tjerët. Analizat e ADN ishin kryer në një laborator të zhvilluar e me famë botërore. Pas disa   muajsh   përgjigja   ishte   mjaft   interesante.   Numri   kodik   i   cili   i   përkiste   Antonit   kishte shënimin;  Banor i Evropës prej  26 000 vitesh.

– Atëhere unë duhet të bëj analizat e mia për të parë nëse dalim kushërinj. Të paktën vërtetoj tërthoraz që edhe unë jam Evropian prej shekujsh – them duke qeshur ndërsa Antoni qëndronte serioz përballë faktit të vërtetuar gjenetikisht.  Më foli me shumë respekt për historianen Elena Kocaqi dhe u gëzua pa masë kur i tregova se mund të flisnim me të në telefon. Për fat të mirë dhe pse numër i huaj Elena e hapi telefonin dhe biseda ndërmjet tyre rrodhi shumë natyrshëm. Po ashtu dhe me mirditorin Gjetë Ndojin i cili siç thashë më sipër ka shkruar mjaft për familjen “Kaçinari”.

Ndërkohë që koha e programuar për vizitë në Zagreb ishte shkelur tërësisht. Unë kisha udhëtuar në Kaçinarin e Mirditës përmes dëshmive historike  të  treguar  nga  Antoni  por më duhej të kthehesha   në  mbledhje. Përshkruam   me  këmbë   një   copë   udhë dhe   u   futëm   në   njërën  nga bibliotekat e kryeqytetit. Surpriza të reja. Përgjegjësja e bibliotekës Dorotea bashkëshortja e artistit Ilir Kerni punonte aty dhe na tregoi se pas pak në sallën e madhe me rastin e vitit të Skënderbeut, të 110 vjetorit të Kongresit të Manstirit do të zhvillohej një promovim libri dhe pritej  të vinin mjaft  shqiptarë. Nuk  kaluan as dy tre minuta filluan të vijnë mjaft qytetarë, deputetja për minoritetet zonja  Ermina Lekaj Përlaskaj  ambasadori i kosovës në Kroaci Gëzim Kasapolli, përfaqësues të klerit, kryetarë të shoqatave të ndryshme. Takimi ishte shumë miqësor i lirshëm dhe njëkohësisht solemn ndërsa u fol për situatën në Kosovë e më gjerë. Kuptova se komuniteti   shqiptar   në   Kroaci   ishte   i   organizuar   dhe   çmoheshin   nga   shteti   kroat. Bashkëkombasit tanë janë intergruar shumë mirë në këtë shoqëri ndër vite, ndiheshin si në shtëpinë e tyre sepse e kishin merituar.

Në fund të takimit  të gjithë së bashku në një klub po me pronar shqiptar. Ndërsa flisnim harroja se ndodhesha në Zagreb për një konferencë, më dukej sikur gjendeshim në një nga lokalet e Tiranës. Shakatë   nuk   kishin  të  mbaruar, ora   tregonte   mesin   e   natës   dhe  ndërsa   Toma   më shoqëronte me makinë për në hotel më vinin ndërmend vargjet e  Ndre Mjedës për gjuhën shqipe:

Përmbî zâ, që lshon bylbyli,

 Gjuha shqipe  m’shungullon, 

Përmbi erë, qi nep zymbŷli, 

Pa ‘da zemrën ma ngushëllon.   

Gegë e toskë, malësi, jallia, 

Jan nji komb, m’u ‘da s’duron,

Fund e majë nji âsht’ Shqipnia,   

e nji gjuhë t’gjith na bashkon.

………………………………………….                                                                          

-FUND-

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment