Gjergj Doçi një aktor polivalent, i cili ka pasur si udhërrëfyes të krijimtarisë së tij, pse jo, edhe më gjerë, Njeriun

Nga Pirusti News

Nga Ervina GARO, Durrës. Botuar në nr. 22 të revistës “Mirdita”

” – Sot  jam i lirë. Por, nuk e di, a është e vërtetë liria përtej këtyre mureve me tela? Megjithatë, do të rroj për të treguar!”

Në mënyrë të natyrshme, ky fragment më sjell ndër mend, figurën e Gjergj Doçit. Një aktor polivalent, i cili ka pasur si udhërrëfyes të krijimtarisë së tij, pse jo, edhe më gjerë, Njeriun. Mund të tingëllojë naiv ky përcaktim, por në kohët, që po jetojmë, të ashtuquajtura moderne, humanist mbetet një epitet që nuk mund t’i shkojë për shtat gjithkujt.

Lidhja e Gjergjit me artin është e hershme. Në pavetëdijen e tij, aktrimi  nisi të shënjohet, që në moshën 6 vjeçare, me interpretimin e një poezie, gjatë një aktiviteti të zhvilluar në vendlindje, në Spaç të Mirditës.

Në vitin e largët 1973, kur ishte gjimnazist, në moshën e ëndrrave, ai  interpretoi, rolin e  të plotë, të idealistit Kristaq Tutulani nga vepra e Sheri Mitës, “Kristaq dhe Margarita Tutulani“.

Një karrierë e gjatë, e cila daton në vitin 1979,  kur Gjergji perfundoi studimet e larta, duke hedhur hapin e  parë, por të sigurtë drejt skenës, publikut, duartrokitjeve, suksesit. Një lidhje simbiotike, që koha nuk ka fuqinë ta zvenisë. Diplomën e mbrojti me veprën “Furrnalta”, e cila u vu në skenë nga regjisori Piro Mani, në ish Teatrin Popullor.

Vitet 1979 -1984 e gjetën në Estradën e Kukësit. Gjatë kësaj periudhe i dha jetë mbi 70 roleve. Më tej, Gjergji do të zhvendoset drejt Gramshit, ku do të ngjisë në skenë, si regjisor veprën e Ruzhdi Pulahës “Nesër është vonë”.

Korça do të shënonte ndalesën e radhës. Shef i Kulturës për 8 Qendra dhe njëherësh bashkëpunime mbresëlënëse me të mëdhenjtë e teatrit, Dhimitër Orgocka dhe Stavri Shkurti. Ky i fundit është ngulitur në kujtesën e tij, si aktor i karaktereve. Vitet 1989 – 1999, do ta gjenin Gjergj Doçin, regjisor në Kavajë. Një 10 vjeçar i vakët, përsa i përket veprimtarive të organizuara, por të dominuar nga puna dhe pasioni.

Gjergj Doçi i përket atij brezi artistësh flokëthinjur, që krijimtarinë artistike, madje edhe jetën, e kanë të ndarë në dy periudha. Para dhe pas viteve ’90. Artisti kujton me nostalgji çdo moment të veprimtarisë së tij, pa harruar pjesëmarrjen në Olimpiadat dhe Festivalet Folklorike të kohës.

Pas një periudhe heshtjeje, (për shkak të emigrimit) , pas një mungese të gjatë në skenë, pas sprovave të fituara të jetës, Gjergj Doçi i rikthehet dashurisë së fjetur, teatrit. Në vitin 2008, aktori bëhet pjesë e trupës “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Sipari është ngritur sërish për aktorin.

Një artist, që baret lirshëm në kohë, nga antikiteti deri në ditët tona, duke i dhënë çdo personazhi, që interpreton një dimension të ri, origjinal. Herë duke i dhuruar publikut buzëqeshje, herë duke i ndalur frymëmarrjen e herë duke i shkëputur lotë. Personazhet e interpretuar në veprat “Elektra”, “Shërbëtori i dy zotërinjve”, “Endrra e një nate vere”, “Martesa”, “Kush e solli Doruntinën”, “Askushi”, “Heronjtë e viagrës”, “Këtu vallëzohet me hijet”, “Shtëpia misterioze” janë mirëpritur dhe duartrokitur nga artëdashësit, duke shënjuar suksese të njëpasnjëshme në karrierën e aktorit. Regjisorët dhe tekstshkruesit më në zë të teatrit tonë: Laert Vasili, Driada Dervishi, Bashkim Hoxha, Hervin Çuli, Ben Apolloni e kanë përzgjedhur, për ta përfshirë në projektet e tyre, duke e vlerësuar bashkëpunimin me Gjergj Doçin.

Çdo aktor ka një moment kulmor në karrierën artistike. Për Gjergjin, pa asnjë hije dyshimi është personazhi i At Zef Pllumit.

Nën zhgunin e priftit katolik, ai solli përpara publikut një shfaqje, jo thjesht artistike, por një dëshmi historike.

Vendlindja e aktorit, Spaçi është vendsyrgjyni i At Zef Pllumi. Një vend i damkosur nga vuajtja dhe dhembja njerëzore, ku jeta i kapërcen kufijtë edhe të vdekjes. Një fill i padukshëm, që frymëzon. Një rrugëtim i paracaktuar heshtazi. Një vend, që mistikisht i ka lidhur  pashmangmërisht njëri me tjetrin.

Realiteti shqiptar i një periudhe të pakthyeshme, është ngërthyer në fletët e librit “Rrno për me tregue”, për t’u zhvendosur në sytë e publikut, në formën e një monodrame, të interpretuar  me mjeshtëri nga Gjergj Doçi. Një vepër, e cila ka udhëtuar në Skoci, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë, duke u ngulitur fort në mendjen e çdo spektatori, që për më shumë se 60 minuta, ndoqi ethshëm rrëfimet e forta, të brishta dhe të trishta të atyre, që përjetuan për së gjalli, Ferrin.

Një vepër, që për vetë Gjergjin, do të kishte mbetur e panjohur, nëse babai i tij nuk do ta kishte këshilluar ta lexonte.

At Zef Pllumin nuk kam pasur fatin ta njoh, por aktorin mirditor, Gjergj Doçi, po.

Jo vetëm me interpretimin, por me përditshmërinë e tij, ka aftësinë të të përcjellë të njëjtat ndjesi dhe emocione, të jetëve, që shpalosen në vepër.

Humanizmi, sakrifica, vuajtja, mirësia janë cilësi të njerëzve të mirë dhe aktorëve të zotë, që dinë të transformohen, duke mbetur në asht të patjetërsueshëm.

Një vepër, që siç tregon aktori i dhuroi ndjesinë e lumturisë. Pas shfaqjes, prindrit u ngjitën në skenë, për ta fiksuar këtë çast, që i dhuroi përjetësinë, në një foto.

Nëna e Gjergjit krenohej, edhe vite më parë. Asokohe, kur valët e Radio Tiranës, me programin “Fjala artistike” shpërndanin zërin e birit të saj.

“-Jam nëna e Gjergjit” – përsëriste dhe nuk mund të kishte shpërblim më të madh moral për aktorin.

Ndërsa, babai ishte ai, që i dha shtysën për ta realizuar këtë vepër. Ndaj, pas suksesit të pritur e të merituar i tha të birit:

” – Tani mund të shkoj i qetë. M’u realizua, pengu im, dëshira ime.”

Por, duke e këshilluar të mos heqë kurrë dorë nga At Zef Pllumi.

Dhe Gjergji e ndoqi porosinë e të atit. Që nga premiera, shfaqja është ringjitur dhjetra herë në skenë. Në vitin 2013, Durrësi u përfaqësua në Festivalin e Monodramës në Vlorë me këtë vepër, e cila lindi dhe u ndërtua nga dramaturgu Bashkim Hoxha, që e pa nën një dritë të re, realitetin e frikshëm të treguar në librin e priftit katolik. Jeta në burg ka dritëhijet e saj. Dashuria, humanizmi janë forma mbijetese, të cilat u ulën këmbëkryq në monodramën “Rrëfime“.  Në janar të 2018,  Gjergji u dhuroi emocione të papërsëritshme bashkëatdhetarëve në Skoci, të cilët e ndoqën interpretimin pa frymë. Duartrokitjet vazhduan në skenën e rradhës, në Festivalin e 10 të teatrit në Podujevë dhe më tej, në Maqedoni.

Petku i At Zef Pllumit i ka fort hije. Siç thotë populli është prerë për atë.

Ky personazh i ka depërtuar në lëkurë, ndaj nuk mund të ndahet prej tij.

Sezoni i ri teatror do ta gjejë në Shkodër, për një tjetër sukses . Me regjinë e Bruno Shllakut do të ngjitet në skenë vepra “Të korrat të gjelbrta”, e cila ecën në të njëjtat gjurmë të historive dhe dëshmive të At Zef Pllumit.

Roli më i dashur,  i aktorit, që u ngrit mbi dëshirën e të atit, për të lexuar një libër manual siç është “Rrno për me tregue”, u rrit mbi një amanet, duke u shndërruar natyrshëm në testamentin e një aktori, por mbi të gjitha, Njeriut, Gjergj Doçi, sepse siç thotë edhe At Zef Pllumi në veprën e tij: “Shumëkush për mos me thanë gjithkush, i jep diçka të re botës, njerëzimit”

Kolegët dhe bashkëpunëtorët janë mësuar me buzëqeshjen dhe urtësinë e Gjergjit, që di të falë mirësi. Aktori, që di të shuajë barrierat, diferencën e viteve, duke të dhuruar ndjesinë e të qënit të barabartë. Prej vitesh jeton në Durrës, por nuk është shkëputur asnjëherë nga tabani, nga rrënjët, nga Mirdita. Mburrja e tij më e madhe mbetet vendi, që e formësoi, që i dha trajtën e njeriut me karakter të fortë, por me zemër të butë, që e vlerësojnë dhe e duan të gjithë. Mirdita është sistemi i tij i referimit.

Në rrugëtimin e tij, jo gjithnjë ka takuar mirësinë, por ia ka dalë  të fitojë çdo betejë, falë buzëqeshjes dhe urtësisë.

Si gjithkush, në zemër, përveç mirësisë mban pengjet, ëndrrat. Pengu i tij më i madh mbetet Mirdita. Nuk ka punuar asnjë ditë në vendlindjen e tij, që e ka shoqëruar në çdo hap, që ka hedhur, sepse askujt dhe asnjëherë nuk harron t’ja theksojë, që është mirditor. Ky vend është krenaria e tij më e madhe, ndonëse është duartrokitur në skena ndërkombëtare.

At Zef Pllumi do të vijojë të dëshmojë realitetin shqiptar. Suedia, Londra, Nju Jorku do të jenë skenat e destinuara, ku Gjergj Doçi do të ngjitet për t’u duartrokitur rishtaz.

Projekti më i ri  lidhet me veprën “Baca jem u kry amaneti”, me regji të Bruno Shllakut. Një nga personazhet më të rëndësishëm do të interpretohet nga Gjergji. Një emocion i shumëfishtë për të dhe gjithë kolegët e tij, që do të ngjiten në skenë, për të gjithë bashkëatdhetarët tanë në Suedi, në një ditë domethënëse për ne, shqiptarët, 17 shkurt, Pavarësia e Kosovës.

Aktori, Gjergj Doçi, nuk do të ndalet. Ai do të vazhdojë të kryejë misionin e tij prej artisti, duke dhuruar të tjera emocione, për publikun e tij, që çdo herë do të jetë aty, për ta duartrokitur me gjithë zemër, në të tjera skena kombëtare dhe ndërkombëtare.

Por, roli i jetës së tij do të mbetet përjetësisht At Zef Pllumi.

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment