Gjimnazistët e Rrëshenit, leksion qytetar për festën e 8 marsit

Nga Pirusti News

-Në fakt në Mirditë prej shumë vitesh nuk është shënuar rast ekstrem dhune në familje, por një shoqëri normale nuk mund të ndjehet qetë, kur mbi 100 gra dhe vajza janë vrarë 20 vitet e fundit, ndërkohë që 16 prej këtyre janë shuar vetëm vitin e fundit-

Prej shumë dekadash 8 marsi hap debat jo të pakët teksa një pjesë e quan ditë feste ku gratë duhet të dëfrejnë e të gëzojnë, ndërsa një pjesë tjetër mbron tezën se kjo datë është një datë e reflektimit dhe e thirrjes së ndërgjegjes për më shumë të drejta ndaj grave, mbi të gjitha të drejtën universale gjithmonë të rrezikuar, atë të jetës. Në fakt 8 marsi si ditë përkujtimore ka zanafillën në një ditë të vitit 1908, nga një ngjarje tragjike. Një grup punëtoresh në një fabrikë tekstili në New -York bënë grevë kundër kushteve ekstreme të punës. Më 8 mars fabrika u mbyll dhe punëtorët mbetën të bllokuar brenda. Papritmas shpërtheu një zjarr, ku vdiqën 129 punonjëse.

E ndërsa në pjesën më të madhe të rruzullit gratë zgjedhin të festojnë, në shumë vende të tjera bëhen protesta për më shumë të drejta ndaj tyre, ose më e pakta për respektimin e atyre të drejtave që u’a njohin konventat e ndryshme ndërkombëtare.

Në të njëjtën linjë me këta të fundit kanë qenë sot nxënësit e gjimnazit të Rrëshenit, të cilët kanë tërhequr vemendjen e qytetarëve të shumtë gjatë një procesioni pothuaj të heshtuar përgjatë rrugës “Gjergj Fishta”, për tu ndalur në sheshin “Abat Doçi”.

Përmes pankartave të shumta që mbanin në duar, ata bënin thirrje për të drejtën e jetës së grave. Nuk ndodh vetëm në Kavajë, dashuri mos vrit, femra burim jete, thyej heshtjen, etj ishin disa nga thirrjet protestës të gjimnazistëve ne procesionin e tyre të quajtuar “Protesta e zisë”.

Qytetarë të shumtë kanë ndjekur në distancë procesionin e të rinjve gjimnazistë, ndërsa policia ka mbikqyrur trafikun për mbarëvajtjen e procesit.

Në fakt në Mirditë prej shumë vitesh nuk është shënuar rast ekstrem dhune në familje, por një shoqëri normale nuk mund të ndjehet qetë, kur mbi 100 gra dhe vajza janë vrarë 20 vitet e fundit, ndërkohë që 16 prej këtyre janë shuar vetëm vitin e fundit. Dhe në këtë situatë jo shumë normale gjimnazistët e Rrëshenit shpresojnë se kanë mundur të bëjën diçka në përpjekjen njerëzore, për më shumë dashuri e përkujdesje ndaj gjinisë së brishtë.

a.ndoja

 

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment