Kisha e Shna Nojt në Prishtinë dhe ajo ne Selitë të Mirditës, histori të rralla mbijetese dhe shërbimi

Nga Pirusti News

Kisha e Shna Nojt në Prishtinë: Punëtorët shqiptarë të besimit islam, refuzuan detyrën e rrënimit. Ndërsa prej 59 vitesh ajo nuk ekziston.

Kisha e Shna Nojt në Selitë: është Kishë e shenjtë e barazvlefshme në njohje dhe besim me Kishën e Shnanout në Laç dhe me Kishën e Shnanout të Padovës.

 Sipas studiuesit Bajram Mjeku, në vitin 1927 i mirënjohuri Stak Mirdita (Marku) me ndihmën e vëllezërve myslimanë të nga Prishtina me në krye Shyqri Beg Ramadanin  ndërtoi qendër të Prishtinës, tek Sheshi “Zahir Pajaziti”, Kishën e Shna Nout.

Kisha e Shna Nojt në Prishtinë, e cila tash 59 vjet nuk ekziston më njihej si Kisha e Stakajve. Familja Staka e besimit katolik është ndër familjet e vjetra në kryeqytetin e Kosovës.

Kisha u ndërtua aty ku sot është monumenti i heroit kombëtar, Zahir Pajaziti. U ngrit nga Stak Mirdita i njohur në Prishtinë si Stak Marku. Kur Stak Mirdita nisi të ndërtonte kishën, Shyqri Beg Ramadani dhe disa fisnikë tjerë të besimit islam e ndihmuan financiarisht ndërtimin e saj.

Në vitin 1957, regjimi komunist jugosllav me pretekst të rregullimit të planit urbanistik vendosi të rrënonte Kishën e Shën Ndout. Ditën kur u rrënua kisha, ndodhi diçka e pazakontë. Punonjësit shqiptarë të besimit islam refuzuan ta rrënonin kishën. Regjimi u detyrua të angazhonte punëtorë të besimeve dhe komuniteteve të tjera nacionale për rrënimin e saj.

Nga viti 1346 deri në vitin 1387, në Prishtinë ekzistonte kisha katolike e Shën Mërisë. Vizitori apostolik Pjetër Mazreku, në një shënim të tij për Prishtinën e shekullit shtatëmbëdhjetë shkruante: “Në Prishtinë jetojnë 20 familje të krishtera me afro 100 frymë. Ka disa vjet që kanë ndërtuar një kishëz. Pasi janë pak dhe janë skamnorë, ata nuk mund ta mbajnë priftin…,

Kisha e Shna Nojt ne Kurbnesh u rrënua, por sot është në shërbim të besimtarëve

Kisha e Shna Nojt e Kurbneshit ndodhet mes pishave të shumta disa metra mbi rrugën që të çon në Lurë, në të dalë të qytezës së Kurbneshit. Ajo është ndërtuar rreth 200 vite më parë, ndërsa fundin e saj të përkohshëm si ndërtese, ashtu si shumë objekte të tjera të kultit e pati në vitin e mbrapshtë 1967, kur kjo ndërtesë u rrënua totalisht, ndërsa dera e saj u vendos si derë për dyqanin e bukës së qytetit Kurbnesh. Sipas poetit të mirnjohur z. Viktor Gjikolaj, në vitin 1995 u realizua rindërtimi i saj nga themelet dhe që prej atij viti, kjo Kishë ditën e shenjtë të 13 qershorit pret qindra besimtarë nga Selita, Lura, Burreli dhe zona të tjera të vendit.

10 kuorizitete për Kishën e Shna Nojt në Kurbnesh.

1. Kisha është ndërtuar në një vend “Vakuf” vend i shenjtë. Njihej si vend i shenjë prej shekujsh, ndaj aty u vendos të ndërtohej Kisha e Shna Nojt.

2.Kisha e Shna Nojt në Selitë, është Kishë e shenjtë e barazvlefshme në njohje dhe besim me Kishën e Shnanout në Laç dhe me Kishën e Shnanout të Padovës.

3.Kisha e Shna Nojt në Selitë ishte Kishë vartëse nga Kisha e Shënllezhdrit në Qafën e Kishës, Selitë.

4.Prifti i fundit në që ka shërbyer në rregjimin komunist ishte Dom Ndoc Ndoja, vëlla nga nëna i “Heroit të Popullit” Ndoc Mazi, njëri ndër 5 heronjtë e Vigut.

5.Dhjetë vite më vonë, në vitin 1977 dom Ndoc Ndoja u dënua me burg për agjitacion e propagandë. Në dënimin e tij nuk ndikoi aspak fakti se ishte vëlla nga nëna me “Heroin i Popullit” Ndoc Mazi.

6.Në sallën e gjyqit u përmend fakti se ishte vëllai i heroit, por u tha se ky nuk ishte si ai, që dha jetën për popullin e pushtetin, por ishte kundër popullit e pushtetit.

7.Dera e Kishës së Shna Nojt u vendos si derë për dyqanin e bukës në qytezën e Kurbneshit.

8.Edhe gjatë kohës së kumunizmit, besimtarë të shumtë shkonin fshehuarazi dhe linin para apo sende të ndryshme pasi ishte vend “vakuf” dhe çudibërës.

9.Vendi ku është Kisha rrethohet me pisha të shumta, bredha të shëndetshëm dhe shtatlartë. Askush, në asnjë kohë nuk ka guxuar ti presë ato, pasi ishte vend “Vakuf” dhe i frikshëm, nëse e bëje një veprim të tillë.

10.Prej vitit 1991 besimtarë të shumtë nga tre rrethe veriore si Dibër, Mat e Mirditë shkojnë dhe ndjekin meshën e shenjtë, qëndrojnë gjatë aty, por edhe mund të flejnë një natë. Ka shumë të dhëna nga banorët se kjo Kishë është çudibërëse dhe ka shëruar shumë njerëz që janë paraqitur dhe lutur aty.

Përgatiti: A. Ndoja

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment