Flet Arben Margjini, kryetar i “shoqatës me aftësi ndryshe”. Çfar kemi bërë dhe përpjekjet tona për më shumë.

Nga Pirusti News

-Në fakt kur bisedon me Benin mëson të dhëna rrënqethëse. Vetëm në Mirditë janë 61 paraplegjikë nga mosha nga më të ndryshme. Kjo bie si bombë kur kujton se në qyetet me karrocë apo me motorrë ke parë gjashtë-shtatë individë të cilët pothuaj të gjithë i njohin-

Ka rreth 15 vite me aftësi ndryshe, por ja ka dalë për tu ardhur në ndihmë bashkëvuajtësve. Ka braktisur kolltukun ku kishte qëndruar shumë vite dhe pasi me ndihmën e miqve ka vendosur një pedanë betoni në hyrjen e banesës së tij, ka mposhtur mentalitetin e pakuptimtë që ka zënë vend te shumë të tjerë, duke dalë në aktivitet të plotë edhe pse i vendosur në një motorr të dizenjuar për ata me aftësi ndryshe.

Bëhet fjalë për Arben Margjinin i cili ditën e djeshme është rikonfirmuar në detyrën e kryetarit të shoqatës me aftësi ndryshe për Qarkun Lezhë. Në fakt kur bisedon me Benin mëson të dhëna rrënqethëse. Vetëm në Mirditë janë 61 paraplegjikë nga mosha nga më të ndryshme. Kjo bie si bombë kur kujton se në qyetet me karrocë apo me motorrë ke parë gjashtë-shtatë individë të cilët pothuaj të gjithë i njohin.

Kur e pyet se ku janë të tjerët, Arbeni thotë se qëndrojnë në shtëpi. Janë të shumtë ata që lëvizjen e kanë deri në ballkon në kohë vere dhe kurrë nuk e kanë parë ambientin jashtë shtëpisë së tyre, përjashto raste ekstreme kur kanë qenë të detyruar për të shkuar në spital, apo në komisionet e KEMP-it. Por ka të tillë që me shpenzimet e tyre kanë bërë ura ajrore nga ballkoni në në trotuar, vetëm për të pasë mundësinë e daljes jashtë. Ja, thotë Arbeni edhe unë në mënyrë private, kam sajuar mënyrën për të hyrë direkt në banese me motorrin tim.

Arbeni thotë se katër vite më parë kam marrë ketë detyrë kur në fakt shoqata ishte inekzistente, më një drejtues që nuk kishte lidhje me paraplegjikët, thjesht mbante çelësat e zyrës, çuditërisht edhe zyra ishte në katin e tretë. U oraganizuam dhe ja kemi arritur të bëjmë diçka gjatë kësaj kohe, por sado përpjekjet tona të jenë të mëdha, përsëri kërkohet që institucionet thjeshtë të zbatojnë ligjet që janë në favor të individëve me aftësi ndryshe. Në një intervistë kryetari Arben Margjini flet për çfar është arritur, çfar mund të realizohet me pak mbështetje për zbatimin e ligjit, por edhe bën apel.

Dje patët një konferencë ku u bë bilanci dhe u rizgjodhët. Në fakt çfar raportuat para qyetarëve me aftësi ndryshe?

Në fakt u bë një bilanc katërvjeçar. Ishin mësuar të mos mblidheshin prej vitesh. Mund të them se u interesuam për më të rëndësishmen, pra për karrocat ortopedike. Në kohë rekord kemi sigurar 50 karroca. 20 na i siguroi bashkia me ndërhyrjet e saj, ndërsa pjesën tjetër na e kanë siguruar motrat Vinçensiane të cilat na kanë mbështetur shumë. Pra kërkohen me insistim edhe 12 karroca të tjera që paraplegjikët të mund të dalin në rrugë apo dhe të lëvizin nëpër shtëpi, pa pasur nevojë ti mbajë kush në krahë.

Gjithashtu kemi siguruar dhe 25 krevate ortopedikë të cilët u janë shpërndarë atyre më në nevojë. Por siç shihet kërkohen edhe të tjerë për pjesën e mbetur pa përfituar.

Herë pas here kemi siguruar paketa higjenike, për ata më të pamundur për të kryer nevojat në kushte normale. Mbase këto patën parasysh ata që më votuan për ta drejtuar këtë shoqatë edhe katër vite të tjera.

Ju flisni për vështirësi. Ku konsistojnë ato?

Në fakt këto jo se nuk dihen, por u evidentuan në formë kërkesash në konferencën e djeshme. Ja disa prej tyre:

Vetëm bazuar mbi ligj duhet që bankat ku marrim pensionin e aftësisë së kufizuar apo kryejme pagesa, marketet dhe disa institucione të tjera të vendosin pedanë që ne të kemi mundësi të futemi brenda tyre. Kjo është bërë kudo, por në Rrëshen ende jo.

Është e pafalshme që kompania “ALEAT” është në një furrik, me shkallë të larta dhe pa asnjë mundësi për të marrë shërbimin e duhur. Herë pas here na vijnë mesazhe për ndërrimin e dokumentave. Si do bëjë “ALEAT” për 61 paraplegjikët e Mirditës të cilët brenda muajit maj, duhet të zevendësojnë Kartat e ID-së. Ne e paguajmë çmimin njëlloj si të tjerët, ndërsa shërbimin e kemi të pamundur ta marrim. Është çudi që një kompani franceze të sillet në këtë mënyrë, dhe a kështu veprohet në Francë. Pra që paraplegjikët të mbesin pa dokumenta identifikimi…

Kërkohet që edhe në rrugë të tjera të qytetit të ketë zbritje të buta në trotuar për neve me karroca. Gjatë rikonstruksionit të sheshit “Abat Doçi” duke u qëndruar te koka është bërë një punë shumë e mirë. Pra i gjithë sheshi është i aksesueshëm nga ne. Por kërkohet që pranë bankave apo instituconeve të vendoset në trotuar shënja e paraplegjikut që të mos ndodhë siç ka ndodhur, kur policë të pa përgjegjshëm dhe të pa informuar me ligjin, kanë gjobitur paraplegjikët që janë futur me makinë pranë zyrës së sigurimeve shoqërore, apo bankave të cilat janë anës rrugës së sheshit.

Një kërkesë tjetër ka të bëjë me faktin e rishikimit të çështjes së pagesës së energjisë elektrike. Dikur ne paguanin vetëm 20% të shumë së hargjuar, por meqë u kapen shkelje jo nga paraplegjikët por nga ata që kishin sajuar dokumenta të rreme, u vendos që paraplegjiku të rimbursohet çdo muaj me 2000 lekë të reja. Tani kur sistemi është përsosur, ne na është premtuar të do të rikthehet mënyra e mëparshme e subvencionit të energjisë elektrike.

Ndërsa problem i pazgjidhur mbetet fakti i subvencionimit të naftës për ata paraplegjikë që kanë makinë. Disa edhe këtu në Mirditë marrin 7000 lekë naftë në muaj, disa të tjerë jo. Ministria përkatëse duhet me çdo kusht të bëjë rivlerësimin e listës së paraplegjikëve që kanë makinë dhe e kanë të domosdoshme një mjet të tillë.

Por paraplegjikët kanë nevojë edhe për shërbimin psikologjik. Disa nuk pranojnë të dalin jashta pasi akoma nuk e pranojnë faktin se të jesh me aftësi ndryshe, je si gjithë të tjerët. Kjo mund të bëhet në një qendër sociale për të cilën kemi shumë nevojë. Shumë nga ne mund të mblidhemi për lojra të ndryshme, për të kaluar kohën, jo vetëm në hije të pemëve.

Si mendoni të arrini në këto zgjidhje?

Sidoqoftë përpjekjet tona do të jenë të pareshtuara. Kërkohet vetëm mirkuptim në zbatimin e ligjit, asgjë më shumë. Si përfundim dua të falenderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur dhe na kanë mirkuptuar.

A. Ndoja

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment