Kapidan Prengë Bibë Doda, Prijës i Mirditës, Atdhetar i Shquar, me sakrifica marramendëse në shërbim të kombit

Nga Pirusti News

Nga akademik MARK TIRTA, botuar në Revistën “Mirdita” nr. 15

Prengë Bibë Doda (1859-1919) është një personalitet me vlera dritëdhënëse në historinë e popullit shqiptar, për ato që ka bërë për atdheun e tij. Historisë së vërtetë e pa anësi politike, i duhet shumë ky veprimtar i shquar në shërbim të vendlindjes së tij që quhet Mirditë, pra që ka lëshuar dritë në histori, në shërbim të tërë atdheut të Shqiptarëve. Por, nga ana tjetër, duhet sqaruar mirë e saktë se në kohën e sistemit komunist kjo figurë e shquar u la në heshtje, në errësirë, për më tepër, ky u poshtërua, u nëpërkëmb, u hodhën mbi të atribute ndyrësie, ashtu siç u bë me tërë fisnikët e shquar Gjomarkaj; po ashtu u bë me shumë figura të shquara të Mirditës e të viseve të tjera shqiptare, që bënë shumë, mandej dhe u flijuan në shërbim të mbrojtjes e të përparimit të atdheut, në shërbim të jetesës më të mirë të popullit, në përpjekje të mëdha në organizim social më të përparuar, në mënjanim të konflikteve, për ekuilibër shoqëror sipas modelit të vendeve më të përparuara. Kanë bërë me përkushtim që të zhduken shumë tradita primitive që i pengonin njerëzit e malësive të ecnin përpara në mënyrë jetese, në marrëdhënie shoqërore.

Këtu po merremi me trajtimin historik e shoqëror të kësaj figure me vlera të veçanta, pra me Kapidanin Prengë Bibë Doda, por ky veprimtar dritëdhënës në atdhetarizëm, nuk mund të ndriçohet si duhet pa e marrë atë në lidhje me tërë historinë e fisnikëve kapidanë: Gjomarkaj të Mirditës, pa vërejtur në thellësi e në kohë të ndryshme, organizimin shoqëror të Mirditës, pa e marrë atë, drejtuar nga Gjomarkajt, në lidhje me bajraktarët, me fisnikët e shquar të kësaj krahine, në kushte historike të veçanta.

Me të vërtetë një rol shumë të madh ka luajtur Prengë Bibë Doda e paraardhësit e tij në kryengritjet antiosmane në Mirditë e në vise malore të Veriut, por bashkë me të përmendurit, rol shumë të madh kanë pasur në këto veprimtari atdhetare klerikët e vendit siç janë, ta zëmë, At Prend Doçi, Gaspër Gurakuqi, Pjetër Zarishi e shumë të tjerë. Kanë qenë të pranishëm shumë faktorë shoqërorë po mbi të tërë kanë qenë Gjomarkajt që e mbajtën në shekuj Mirditën me autonomi shumë të veçantë: që të vetëqeverisej, të mos paguante taksa pushtuesve Osmanë, të drejtoheshin me ligjin e tyre popullor siç ishte Kanuni; rol të madh shoqëror kanë luajtur kuvendet e besëlidhja për qëndresë e ekuilibër brenda krahinës, në kryengritjet kundër pushtuesve.

Veprimtaria atdhetare, organizimi i qëndresës, i kryengritjeve popullore nga Prengë Bibë Doda, janë një vazhdim me vijimësi nga shumë shekuj, drejtuar nga kapidanët e fisnikët e tjerë të vendit. Ka qenë e njejtësuar me ligje popullore që kishin funksione juridike shumëfunksionale; këto ligje kishin dhe përmbajtje etiko-morale, ndër to dhe përmbajtje kultike, pra të besimeve të mbinatyrëshme: po shkele besën, po shkele fjalën e dhënë, të dënon dhe ai i fuqishmi i qiellit. Besohej se po të shkileshin normat e Kanunit do të keshë fatkeqësi në jetën tënde, në njerëzit e familjes.

Mirdita ndër shekuj ka qenë një krahinë me shumë emër fisnikërie në mbarë trojet shqiptare, po dhe e mirënjohur, e vlerësuar në kombe të ndryshme të Europës. Me sa na flasin dëshmitë pak a shumë më të besueshme, Mirdita udhëhiqej nga kapidanët e Oroshit që nga gjysma e dytë e shek. XVI, po ndoshta dhe më heret në kohë. Po më vonë (gjysma e dytë e shek. XVII), krahas kapidanëve që ishin më dritëdhënës, na shfaqen dhe emra fisnikësh me emrin “bajraktar” që në shqip do të thotë “prijës me flamurë”. Sistemi organizativ me simbole të veçanta, në disa raste tepër të herëshme, është ruajtur aty-këtu deri vonë. Nga Rilindja e këtej, si simbol kombëtar mbisundoi Shqiponja me dy Krerë, e gjendur në masë të gjerë që nga shek. XV, nga koha e luftërave të Skënderbeut kundër pushtuesve Osmanë. Po, nga ana tjetër, u ruajtën dhe mbijetoja simbolesh të ardhura nga lashtësia siç është ta zëmë, dielli me rreze të gjata te shtëpitë e Kapidanëve të Mirditës, natyrisht ndërthurur dhe me një shqiponjë në mes. Në shpjegimet e pleqve ky quhej “Dielli i Kapidanëve” a “Dielli i Gjomarkut”, pra që na jep mbarësi për të ardhmen, si bashkësi e Mirditës me tradita e doke kanunore të vetat, pa u përzierë me simbole të pushtuesve.

Në Mirditë gjejmë dhe mbijetoja të dorës në flamurë, në duvak të nuses, në gdhendje zbukuruese në gur a në dru, në mure a në ndërtime funksionale e artistike të shtëpisë ose në varre. Në martesën e Mark Gjon Kapidanit më 1930, duvaku i nuses ishte i kuq e me një dorë të madhe në mes dhe aty nuk ka shqiponjë të bërë në të (“Leka”, Shkodër, 1930, po dhe në Folklorë, Shkodër, 1940, f. 20).

Pra, mendja të thotë, ashtu si dhe tregime të pleqve, ta bëjnë të ditur se këtu Gjomarkajt kanë ruajtur dhe simbolin “dorë” të një flamuri mjaft të hershëm vendës. Në përmbajtje legjendare flamuj të kësaj natyre, të kuq e me dorë në mes ose dhe duvakë nusesh me kuptim flamuri me dorë si simbol, na i kanë rrëfyer disa pleq në Dukagjin, në Mirditë, në Lumë, po dhe në vise të tjera. Në Bulgër të Mirditës, si na dëshmohet nga burime të ndryshme, ka pasur flamur pëlhure prej liri a prej leshi, me një dorë të madhe të hapur, po dhe me një shqiponjë: flamur i kuq, po me dorë e me shqiponjë të zezë. Franc Nopça, eksplorues i shquar, shënon se flamuri i vjetër i Kushnenit ishte një pëlhurë e kuqe, prej leshi e në të kishte një dorë të bardhë. Kushneni, edhe pse bajrak i veçantë, është konsideruar “fis” me Oroshin e kjo na i çon burimet e flamurit te Gjomarkajt – Kapidanë. Dukuri të kësaj natyre nga koha në kohë kanë pësuar ndryshime e tjetërsime në brendi, po dhe në funksione. Rrënjët e këtyre, në jo pak raste, është fisnikëria më e lartë e bashkësive krahinore.

Nga dëshmi të dhëna nga autorë të ndryshëm, Mirdita me prijësin e saj Kapidan na del në një kohë të herëshme si një organizim i veçantë i fuqishëm: “Mirditsit përmenden afër vitit 1570 si një lidhje ushtarake fshatrash jashtëzakonisht e fuqishme (nelle montagne de Alessio vi sono vilagi chiamati Merediti, popolati da cattolici con 12.000 combatenti, pronti at ogni comando)” (Ami Boué, La Turquie d’Europe, Paris, vl. IV, 1840, f. 419. Ose dhe: Milan Shuflaj: “Serbët dhe Shqiptarët”, Tiranë, 2002, f. 155). J. G. von Hahn vë në dukje, duke qenë se i ka eksploruar ato malësi, se “Mirdita edhe sot (1838-1854) është si një shtet i vogël më vehte nën trashëgimtarët e princit të cilin e zgjodhën nga mesi i shek. XVI”.

Koha kur flet J.G. von Hahn për Mirditën si prijës i saj në luftë, në qëndresë antiosmane, për ekuilibër shoqëror në këtë vend është Bibë Dodë Pasha – Kapidani, pra Baba i Prengë Bibë Dodës. Bibë Dodë Pasha organizoi kryengritjen antiosmane në Mirditë më 1862, gjë që e lartësoi shumë figurën e tij. Ai organizoi disa lëvizje qëndrese ndaj pushtuesve e për këtë arsye u helmua nga guvernatori turk në Shkodër e vdiq më 28 korrik 1968, duke e lënë djalin e tij në moshën 9 vjeç. Pra Preng Bibë Doda mbeti jetim në moshë shumë të vogël.

Për rritjen, edukimin e shkollimin e tij fillestar, u kujdesua e ëma që ishte një grua me shumë mençuri. Solli nga Italia si mësues për djalin poetin arbëresh Leonardo de Martino, që më parë kish qenë sekretar i Bibë Dodë Pashës. Për pak kohë i mësoi shkollë fillestare, po pastaj u ndërpre nga guvernatorët e Turqisë. Duke njohur veprimtarinë atdhetare të kësaj familje kapidanësh, Turqit bënë të pabërën për ta ndërprerë vazhdimësinë e veprimtarive atdhetare të Kapidanëve.

Me këto synime, për të bërë më të shëmtuarën ndaj kësaj familje kapidanësh të Mirditës, e morën në Turqi Prengën e vogël, gjoja për ta arsimuar, po në të vërtetë ky ishte një internim, duke e larguar nga vendlindja ku mund të ushqehej së tepërmi me atdhetarizëm, me mbajtjen në jetë të asaj mëvetësie (autonomie) që kapidanët e Oroshit të Mirditës e kishin drejtuar e gjallëruar ndër shekuj, në luftë kundër pushtuesve po dhe në organizim shoqëror të brendshëm për bashkëjetesë, për ekuilibër shoqëror, duke gjallëruar traditat ligjore popullore, ato të dobishmet si besa, barazia, ndihma e ndërsjelltë, kuvendet popullore e pleqësitë; këto kishin anët ligjore, po dhe ato etiko-morale e kultike. Për besën e rrejshme e për thyerjen e fjalës së dhënë të dënonte rëndë dhe i plotfuqishmi i qiellit, perëndia.

Prengë Bibë Doda që kur ishte fëmijë tregonte zgjuarsi të veçantë e shfaqej tepër dinamik në veprime. Edhe kur e internuan në Turqi, zemra i rrihte për vendlindjen e tij, për fatet e atdheut. Priste me ankth që të kthehej në Mirditë, në një mënyrë a në një tjetër. Fisnikëria e Mirditës, po dhe mbarë populli, prisnin me padurim që ai të kthehej në vendlindje. I shkruajnë Sulltanit ku me forcë i kërkojnë që Prengë Bibë Doda të kthehej në vendlindje e të paqtojë Mirditën. I theksojnë se kajmekanët e ardhur nga jashtë nuk dinë të venë paqe në Mirditë, nga që nuk i njohin traditat tona si besën, burrërinë, pleqësinë gjykuese e këtë Prenga do ta bënte më së miri, për të vënë qetësi e paqtim në popull. Më 1876, pas 8 viteve internim, nga kërkimet me ashpërsi të Mirditasve për ta kthyer në Mirditë, sulltani e ktheu në detyrën e kajmekamit.

Pasi u kthye në Mirditë, sipas urdhrave të marra nga Porta e Lartë, për pak kohë bëri sikur po e paqtonte popullin në marrëdhëniet me pushtuesit Osmanë. Por kjo ishte vetëm një lojë e shkurtër që ia donte veprimi i tij si sjellje diplomatike. Por pa kaluar shumë kohë, në bashkëpunim me At Prend Doçin, Abatin e Mirditës, filloi lëvizjet shpërthyese për organizimin e kryengritjeve antiosmane, jo vetëm në Mirditë, po dhe në krahina të tjera të veriut. Nxitën me forcë shpërthimin e kryengritjeve kundër pushtuesit në disa vise e me në krye Kapidan P.B. Duda, bajraktarët e fisnikë të tjerë të mirënjohur për mençuri e organizime të veprimeve luftarake, për bashkimin e popullsisë në qëndresë kundër pushtuesit.

Në dhjetor të vitit 1866 u bë një kuvend i madh në Shënpal të Mirditës, i organizuar nga Prengë Bibë Doda bashkë me At Prend Doçin. Këtu morën pjesë bajraktarë, fisnikë e burra të përmendur nga e tërë Mirdita, ku dhe bënë besëlidhje për luftë çlirimi.

U kuvendua dhe dolën me detyrat për një punë të organizuar të kryengritjeve për pavarësi në mbarë Mirditën në bashkëpunim dhe me krahina të tjera të Veriut. Këtu kryengritjet shpërthyen gjithandej. Për përforcimin e këtyre kryengritjeve më 1877 u bënë kuvende përsëri në Shënpal, po të tilla u bënë: një kuvend në Breshtën e Oroshit, një në Mesul të Spaçit, një tjetër në Kashnjet, po një të veçantë Prengë Bibë Doda e organizoi dhe e bëri dhe në Bulgër pranë Rubikut. Të gjitha këto u bënë nga Prengë Bibë Doda në bashkëpunim me At Prend Doçin në shërbim të sigurimit të pavarësisë së Mirditës, për pavarësinë e tërë trojeve shqiptare. Me gjithë këto përpjekje të mundimshme të Preng Bibë Dodës e të Abat Prend Doçit këto kryengritje ishin mjaft vepruese, por ato nuk e patën jetën të gjatë. Ato u shuan nga forcat e pushtuesit turk.

Më 1878 Prengë Bibë Doda organizoi grupime ushtarake nga Mirdita e i vuri në mbrojtje të Lidhjes së Prizrenit, punë që e bëri me shumë përkushtim. Më 1880 Prengë Bibë Dodën forcat e administratës turke e arrestojnë dhe internohet në Turqi ku në fillim u la i lirë e pastaj e çojnë në izolim në Kastamun të Azisë së Vogël ku e mbajtën deri më 1908, si të syrgjinosur. Për të zhdukur vazhdimësinë e Kapidanëve të Mirditës Prengën në internim e sterilizuan që të mos bëjë fëmijë. I nxorën dhe njërin sy dhe e kërcënonin që po të luante kundër Turqisë, do t’i nxirrnin dhe tjetrin sy. Me ndërhyrjen e bajraktarëve e të fisnikëve të ndryshëm nga Mirdita, po dhe me kërkesën me forcë të Austrisë e të Francës, autoritetet turke e lirojnë nga internimi më 1908 e kështu kthehet në Mirditë si kryekreu i Kapidanëve e i tërë Mirditës.

Prengë Bibë Doda në kohën e Tanzimatit e deri në nëntor të vitit 1912 u muar, me tërë forcat e trupit e të shpirtit të tij, me organizim të kryengritjeve kundër sundimit turk, më 1909, 1910, 1911, 1912. Bëri shumë sakrifica në shërbim të pavarësisë kombëtare në atdheun e tij.

Ky atdhetar i shquar nuk u thirr në konferencën e shpalljes së Pavarësisë që u bë në Vlorë më 28 nëntor e për këtë pati një qejfmbetje, por kjo kaloi shpejt. Prengë Bibë Doda i bën një letër urimi Ismail Qemalit për Shpalljen e Pavarësisë kombëtare. Nga mbledhja e Vlorës, disa kohë më vonë, Prengë Bibë Doda u emërua zëvendëskryeministër i Qeverisë së Vlorës. Po kështu dhe në Qeverinë e Parë të Princ Bidit u emërua Ministër për Punët Botore. Në Qeverinë e Dytë të Princ Vidit u emërua Ministër i Punëve të Jashtme, si njeri me aftësi të mëdha organizuese e me mençuri të veçantë. Kjo figurë e madhe e kombit mori pjesë në Kongresin e Durrësit më 1918 e aty dha një ndihmesë të rëndësishme në projektet e organizimit administrativ në krahina të ndryshme e në atë kombëtar. Ai punonte në shërbim të atdheut me shumë largpamësi në zhvillim e në përparim të kombit. Drejtonte në mënyrë të veçantë Mirditën në organizim shoqëror e në ecje përpara, në zhdukje të konflikteve, të gjakmarrjes, në anë ekonomike.

Prengë Bibë Doda në marrëdhëniet ndërkombëtare u lidh shumë me Austrinë, po dhe me Francën si vende më të përparuara e që mund të bënin shumë në shërbim të arsimimit e të zhvillimit ekonomik në Shqipëri. Italinë e la si në një anë. Italia tërë Shqipërinë e donte në vartësi të saj, se do të përfitonte shumë nga pasuritë natyrore: pyje, pasuri nafte e ato minerale; i shërbente shumë dhe për detin, për biznese të ndryshme.

Kështu që, duke u lidhur Prengë Bibë Doda me Austrinë, u armiqësua me Italinë. Sigurimi italian përgatiti zhdukjen e tij. Kështu e vranë më 22 mars 1919 në Lezhë duke paguar një kundërshtar të tij, për ta hequr atë nga kjo jetë. Nga kjo vrasje të bërë me pagesë e pësoi shumë Mirdita, e vuajti këtë dhe tërë kombi për të cilin u sakrificua një jetë të tërë. Janë thënë këtu vetëm një pjesë e vogël nga ato që ka bërë ky atdhetar i shquar një jetë të tërë për Mirditën, për kombin.

Ai ka vdekur, po për atdheun e Shqiptarëve është bërë i pavdekshëm. Veprimtaria e tij shëndrit në tërë jetën e qytetërimin shqiptar, edhe pse sistemi komunist e nëpërkëmbi, e poshtëroi. Vepra e tij në shërbim të atdheut është e pavdekshme. Ai ka qenë e është, për ato që ka bërë, nderi i Kombit. Pa figurën e tij ndritëse si atdhetar, historia e Shqiptarëve do të jetë e mangët. Njerëz të tillë i japin madhështi historisë së identitetit kombëtar.

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment