Arkiva../Gjomarkajt e Mirditës sërish në fokus të dhunës policore

Nga Pirusti News

-Botuar në “Tirana Observer” gusht 2012-

-Forca speciale të policisë që vijnë befas në Mirditë, prej gjashtë muajsh mbajnë nën rrethim e terror fshatin Qafmollë-

20 vjet më parë kur edhe mirditasit thyen vargonjtë e izolimit, të parët ndonëse fillimisht në menyrë të tulatur ishin të mbeturit nga fisi i mirnjohur i gjomarkajve që filluan të shfaqeshin në tubimet e lirisë. Shumë prej tyre vinin nga burgimet shumë vjeçare, disa të tjerë nga zonat e njohura për interrnime, të tjerë vinin nga malet e Mirditës ku kishin të drejtë vetëm të punonin në miniera dhe pastrime pyjesh nga drurët e dënuar si ata vetë. Ishin jo pak, por 50 vite kalvar vuajtjesh të shkallës sipërore, fakt ky i njohur, si dhe arsyet pse ndodhi.

Kapidanati nga i cili më së shumti u njoh Mirdita për një lloj vetëqeverisje të suksesshme për shumë shekuj, duhej asgjësuar për mot të moteve. Bashkë me kapidanatin si vetqeverisje edhe protagonistët dhe pasardhësit e tyre. Këtë e nisi rregjimi komunist, por për cudi u pasua denjësisht nga post komunistët. Edhe pse partia që mbështeten pa rezerva shënon kulme pushteti, pozicioni më i lartë në administratën shtetërore i post kapidanatit është polic në një qytet verior. Ndërsa pjesa tjetër pr aq sa është integruar, është integruar vetëm falë angazhimit të pavaruar të tyre kryesisht në emigracion.

Por kurrë nuk e kishin menduar se pas 20 vitesh nga rënia e komunizmit do të nisnin të rinumëronin arrestimet, torturat, rrahjet në grup, kontrolle dhe terror të qindra policëve që vijnë si të ishin duke luftuar me pushtuesit. I gjithë ky teatër absurd zhvillohet prej më shumë se 6 muajsh në fshatin e vogël Qafmollë, rreth 2 km nga qyteti i Rrëshenit, fshat i cili është i banuar kryesisht nga fisi i gjomarkajve ku edhe shtrihen pronat e tyre. Lugina e cila ndan fshatin mes për mes, është paraparë si shumë e përshtashme për të ndërtuar një hidrocentral. Si dikur kapidanati edhe sot kjo pasuri e natyrës është arsye për nisjen e një sjellje të pa pranueshme qoftë edhe nga konventat dhe ligjet që mbrojnë të drejtën e pronës, të drejtën e jetës, të drejtën për ti shpëtuar torturës dhe rrahjeve në grup.

Pikërisht që ditën që nisën gërmimet e para për këtë investim, nisi edhe një stuhi lancimesh dhe keqtrajtimesh të rënda ndaj pronarëve të tokës, në këtë rast të gjithë pjestarë të fisit të gjomarkajve.

 Në Qafmollë…..

N përfundim të rrugës që të çon në Qafmollë, përkundruall lagjes të shfaqen dy prej pjestarëve të fisit gjomarkaj. Ata janë Gjon Kolaj dhe Dod Kolaj të cilët vlerësojnë faktin që një media është shfaqur për herë të parë në fshatin e tyre, për ti pyetur  çfar mendojnë, dhe cili është version i tyre për ngjarjet që pasojnë njëra tjetrën prej disa muajsh. Fshati sht i vendosur në një luginë të rrafshët buzë lumit Fan i Madh, i izoluar nga të katër anët me male të larta. Pikërisht për këtë fakt, katër male dhe një lumë me prurje të konsiderueshme mes për mes tyre, janë një avantazh i madh për ndërtimin e një apo me shumë hidrocentralesh, nga të cilët mund të përfitojnë të gjithë. Këtë e dinë mirë edhe të fisit gjomarkaj, prandaj të gjithë thonë se nuk janë aspak kundër ndërtimit të hidrocentralit, madje ofrojnë edhe mbështetjen tyre. Por ata kërkojnë me ngulm, njohjen e njërës prej të drejtave me universale, siç është e drejta e pronës.

Keqtrajtimet…

Gjon Kola është mësues i matematikës në njërën prej shkollave 9-vjeçare të qytetit Rrëshen. Ai thotë se është tejet i revoltuar me ndalimet dhe shoqërimet që i janë bërë në polici. Tepër i shqetësuar, thotë se jam marrë në sy të prindërve 85 vjeçarë, në sy të bashkëshortes dhe fëmijëve, madje e ka më shumë problem për nxënësit e tij, të cilët kanë mësuar se mësuesi është “burgosur” qoftë edhe për disa orë, pasi ata akoma nuk e kuptojnë termin policor “shoqërim”. Ai thotë se është ndaluar dy herë, një rast ka qënë duke udhëtuar për në banesën e tij dhe është kthyer nga rruga, ndërkohë që hera e dytë një javë më parë ka qënë edhe më e rëndë.

Ai ka qenë në banesë duke u bërë gati për tu nisur për ne dasëm, pasi Marie Biba, ish kryetare e bashkisë Rrëshen, njëherit e bija e “Heroit të Popullit” Bardhok Biba  po martonte djalin. I gjithë fisi gjomarkaj ishte i ftuar në këtë dasëm, pasi siç dihet vetë Maria është bijë e këtij fisi. Gjoni thotë se ka qënë paradite e datës 19 gusht kur kam dalë jashtë kam parë mbi 50 forca speciale që kishin rrethuar shtëpinë, kasollen e bagëtive dhe me tej rrethimi zgjerohej në të gjithë lagjen. U habita pa masë për ndalimin, pasi unë një mësues mbi 50 vjeç, apo prindërit e mij në moshë të thyer nuk mund të jemi kurrë thyers të ligjit, madje kaq rëndë sa të rrethoheshim më shumë se një herë e një kohë. Kur përfundova në polici shikova se ishin shoqëruar edhe shumë të tjerë të afërm të mij. Është dashur ndërhyrja e vetë Marie Bibës që ne të liroheshim për të marrë pjesë në ceremoninë martesore të nipit tonë.

Ndërsa Dod Kola është në moshë të thyer, mbi 60 vjeç. Ai shprehet shumë i irrituar edhe për faktin se nipi i tij Ndue Kola, i cili ka qënë punonjës i policisë së shtetit për rreth 20 vite është shoqëruar tre herë në polici në një gjëndje shëndetësore shumë të rëndë. Kjo vërtetua edhe me faktin se ai vdiq pak ditë më parë nga një sëmundje e rëndë, në një moshë shumë të pa përshtatshme.

Dod Kola thotë se lista e të ndaluarve dhe të keqtrajtuarve është shumë e madhe. Ai nuk bën përgjegjës policinë e Rrëshenit, pasi siç thotë vetë, tek ata kemi gjet gjuhë mirkuptimi dhe disa herë jemi pritur nga drejtuesit e komisariatit ku edhe kemi shprehur shqetësimet tona dhe jemi dëgjuar prej tyre.

Por nuk kupton se nga vijnë forca speciale dhe rrethojnë fshatin duke bërë që sejcili pjestar i fisit të vizitojë ambientet e policisë, madje të dalin prej andej pasi janë rrahur dhe keqtrajtuar. Ai veçon për torturë Visar dhe Andrea Gjomarku të cilët janë marrë në gjumë dhe keqtrajtuar, ndërkohë që deklaron se prej asaj ngjarje mund të përfudojnë si invalid, pasi simptomat janë shfaqur dukshëm. Listës së ndaluarve ai i shton emrat e Gjon, Viktor e Arben Kola, si dhe të Bib, Martin, Vladimir, Eduart e Luan Gjomarkut.

Pse konflikti….

Gjon dhe Dod Kola thonë se prona ku po kryhen punime u përket pikërisht atyre, pra fisit gjomarku. Ata thonë se posedojnë dokumenta arkivore që provojnë se Gjon Marka Gjoni e ka blerë atë zonë me 30 mijë franga ari, ndërkohë vite më pas, në kohën e Zogut ajo pronë është njohur edhe shtetërisht. Kolajt thonë se kur firma ndërtuese ka ardhur për herë të parë aty, ka marrë kontakt me ta dhe kanë vendosur të presin përgjigjen e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave e më pas të merren vesh. Por përgjigja akoma nuk ka ardhur, ndërkohë që firma ka shkelur paktin duke kryer punime.

Edhe ambasadori amerikan Arvizu në dijeni të problemit…

Problemi mes gjomarkajve dhe firmës ndërtuese i ka kaluar prej kohësh kufinjtë e fshatit Qafmollë. Dy javë më parë Kristina Ndue Gjomarku, mbesa e kapidanit Gjon Marka Gjoni e lindur dhe rritur në SHBA ka udhëtuar drejt vendit të gjyshit të saj, dhe pasi ka parë situatën në vënd është ndalur në ambasadën e SHBA-vë në Tiranë. Si nënshtetase amerikane dhe me status të njohur si pinjolle e familjes më të persektuar politike në Mirditë e madje në veri, ku strehë dhe siguri ka gjetur vetëm në këtë vend të lirive të garantuara, është pritur në një audiencë të veçantë nga ambasadori Aleksandër Arvizu. Sipas informacioneve që kanë të afërmit, Kristina Gjomarkaj i ka bërë të ditur ambasadorit të gjithë problematikën që është shfaqur muajt e fundit ku ka një ridimensionim të dukshëm të dhunës dhe torturës ndaj të afërmëve të saj, tash pas 20 viteve nga koha kur komunizmi mori fund.

Pse dhunë policore ndaj gjomarkajve….

Burime policore konfirmojnë se persona të pa identifikuar ende nga policia, në kohë të ndryshme u kanë vënë flakën dy fadromave që punojnë në kodrat e Qafmollës. Kjo ka bërë që policia të marrë masa për zbulimin e autorëve duke bërë edhe shoqërime të ndryshme. Por nga ana tjetër përfaqësues të fisit gjomarkaj e kundërshtojnë kategorikisht të kenë dorë në ngjarje të tilla. Gjoni dhe Doda thonë se ata vetë që janë shoqëruar në polici, nuk mund tu shkojë në mendje një veprim i tillë. Ata aludojnë për stisje të ngjarjeve nga ana e firmës ndërtuese, për të shmangur vemendjen nga problemet e pronës, për të ndërsyer policinë të mbajë nën kontroll të gjithë fshatin. Edhe nëse ndokush nga lagjia mund ta ketë kryer atë veprim, nuk mund të penalizohet një fshat i tërë, por të identifikohen dhe të ndëshkohen autorët, jo mësuesit, pensionistët apo ish-policët në prag të vdekjes. Por siç konfirmojnë vetë ata këto mund të jenë edhe vepra të individëve apo nënkontraktorëve që kanë interesa në ndërtimin e hidrocentralit.

Aleksandër Ndoja

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment