Ish sportisti i shquar i “Minatorit” Lorenc Lala. Jeta plot sfida mes Tiranës, Mirditës dhe Zvicrës.

Nga Pirusti News

Nga: Aleksandër Ndoja

-Kush është Lorenc Lala, sot “Qytetar Nderi” i Zvicrës

-Jeta si mësues dhe sportist në Mirditë, ndërsa babai në Spaç i dënuar politik.

-Si u ndërtuan ambientet sportive në Ndërfushaz.

-Minatori sfida e madhe, lojë plot arritje e emocione

-Kush ishin sportdashësit më të zjarrtë të ekipit të tij.

-Jeta në Rrëshen dhe ajo prej 27 vitesh në Zvicër.

Një intervistë interesante, për të mos u humbur me z. Lorenc Lala.

Edhe pse kanë kaluar plot 33 vite që është larguar nga Rrësheni dhe shkolla e tij e Ndërfushazit, Lorenc Lala lojtari i shquar i “Minatorit” njihet edhe në distancë sapo ta shikosh. Jo vetëm për faktin se ai ka lënë një pjesë të jetës së tij familjare në Rrëshen, por edhe për faktin se nuk ka ndryshuar në asnjë prej komponentëve fizik, të paktën në perceptimin visual.

Ka plot 27 vite që jeton dhe punon në Zvicër, është qytetar me pasaportën e këtij shteti, madje me titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Ylnaz, por Tiranën ku ka lindur dhe është rritur nuk e braktis aspak, madje as edhe Rrëshenin ku ka punuar për rreth 9 vite.

E ndërsa prof. Lencin e takojmë në ambientet e “Taivan” në Tiranë, gjithnjë i shoqëruar nja një tjetër mirditas, doktori i mirënjohur Kastriot Melyshi. Në fakt e mendova se njohja me doktorin ka lidhje me qëndrimin e tij në Mirditë, por jo. Me dr. Kastriotin kemi qënë shokë klase në gjimnazin e famshëm të atyre viteve në Tiranë, gjimnazi “Sami Frashëri”, rrëfen Lala.

E nëse në tavolinë bisedat vijojnë natyrshëm për jetën e tij në Mirditë, Minatorin e famshëm të atyre viteve, fshatin me njerëz të mrekullueshëm të Ndërfuashazit, Lorenc Lala veçon dy raste që i kanë mbetur në kujtesë.

Ishte momenti fatkeq kur babai i tij, operatori i mirënjohur i televizionit shqiptar Dhimitër Lala kishte përfunduar i dënuar me gjashtë vite burgim në Spaç, disa kilometra mbi fshatin Ndërfushaz ku jepte mësim. Kësisoj ishte i detyruar të njoftonte komitetin e Partisë. E kujtoj si tani thotë Lorenc Lala, me babain në Spaç mund të përfundoje në fermë, apo dhe kooperative. Mora shkallët e Komitetit dhe për fat në krye të shkallëve m’u shfaq sekretari i dytë, Tonin Sata një shkodran disi liberal. Ishte tifoz i zjarrtë i sportit dhe menjëherë më pyeti për skuadrën “Minatorin”. I dhashë disa përgjigje, por shpejt kalova në temë. Mu drejtua me dashamirësi që unë të vazhdoja punën time, pasi ai e kishte njohur tim atë, dhe kurre nuk e kishte besuar për atë që ishte dënuar, pra se donte të hidhte në erë pallatin e kongreseve.

Ngjarja e dytë ka të bëjë me dr. Mirën, bashkëshorten e ndjerë. Kisha dy vite në Rrëshen dhe vetëm shkoja fundjavave ose në telefon. Një ditë teksa po kthehesha nga puna në Ndërfushaz sëbashku me një koleg, shikoj një grua që ecte trotuarit. I them kolegut sa më ngjan me Mirën. Pas dy hapave shastisem. Ishte vërtetë Mira. Kishte lënë punën në farmacinë nr. 6 në Tiranë, për të ardhur në Rrëshen, për të jetuar më mua. Po ku?. Atë natë nuk kisha se ku ta çoja, pasi unë jetoja në një hyrje me 7 mësues, ndaj u drejtova në hotel.

Deda, sportelisti hezitoi pasi nuk kishte vend. Këmbëngula se nuk kisha se ta strehoja bashkëshorten time. Dikur Deda u thye. Më tha t’i premtoja një gol dhe ashtu u bë. Megjithatë për shumë kohë unë sërish vijova të jetoja me kolegët e mij si Piro Milo, Andra Anathanaili, Jorgo Koculi, Dhimosten Iliadhi apo Pavli Dhimitri, Mirën e çova të jetonte në një banesë me 7 mesuese të tjera si Zana Lita, Lydra Anamali, Ana etj. Kështu qëndruam dy vite të martuar dhe të ndarë, në një qytet. E ndërsa biseda vijon këndshëm, vendosim që jetën e tij mes Tiranës, Mirditës e Zvicrës ta kanalizojmë në një intervistë e cila të jetë mjaft interesante.

Intervista me mësuesin dhe sportistin e mirënjohur të Minatorit, Lorenc Lala..

Kush është Lorenc Lala?!

Linda në 5/8/1954 në Tiranë, nga dy prindër të mrekullueshëm, Dhimitër dhe Vasilika Lala, të cilëve u dedikoj rritjen, shkollimin dhe edukimin tim. Pasi mbarova Institutin e Fiskulturës u emërova në Rrëshen si mësues fiskulture. Si për ironi të fatit, edhe babai im, ish partizan i arsimuar në Moskë e ndër operatorët e parë në “Kinostudion Shqipëria e Re”, u gjend i “transferuar” po në Mirditë. Por, ndryshe nga unë ai ndodhej atje, në Spaç, si i burgosur politik. Kjo ndodhi, sigurisht e pamerituar, pati ndikim edhe në jetën time të re në përballje me realitetin dhe mirditorët, kujtime të pashlyeshme edhe sot, pas kaq vjetësh.

Si t’u komunikua emërimi në Rëshen?

Emërimi im në Rëshen ishte i thjeshtë si për shumë të tjerë: Një zarf komunikimi zyrtar, në fund të vitit të tretë të shkollës.

Sa e njihje Mirditën, para se të vije me punë këtu?

Paraprakisht kontaktova me një magazinjer ushtarak të shkollës. Ai quhej Mark, në mos gaboj, dhe ishte mirditor. Më foli fjalë të mira për Rëshenin.

Por, paraprakisht fjalë të mira për mirditorët kisha dëgjuar edhe nga vjehrri im, doktor Ibrahim Dervishi. Të gjitha cilësitë e mira të mirditorëve, doktor Ibrahimi i kish personifikuar tek figura e Pal Melyshit. Kujtoj se, ishte vjehrri im doktori që u caktua, në mënyrë shumë sekrete për të kryer plagosjen artificiale kur Pali ishte i arratisur në mal. Emocionohej maksimalisht dhe përlotej kur fliste për Pal Melyshin. Në sytë, mëndjen dhe zemrën e tij, e tillë ishte Mirdita, heroike si ai djalë. Besoj se edhe ju e dini këtë histori.

Kaq ishte e mjaftueshme që unë, i sapo dalë nga shkolla, ta nisja jetën pa ndroje aty… Por, kur politika ndërhyn në jetën tonë gjithçka prishet, shëmtohet…

Kur mbërrite në Mirditë, kush të priti dhe ku e si u sistemove?

Në Rrëshen, fillimisht më ka shoqëruar vjehrri im, doktor Ibrahimi. Kujtoj shoferin e autobuzit të linjës Laç-Rëshen. Axha Rrok e thërrisnin. Më vonë ai u bë miku dhe tifozi im personal.

Autobuzi ndaloi në qendër para hotelit. Sa vura këmbën në tokë, një burrë i panjohur më foli: “Ti je Lorenc Lala?… Hajde me mua se, në ora 15 kemi stërvitje me ekipin e futbollit, pastaj sistemohu në hotel!”

Ishte Preng Bardhoku, Kryetar i Komitetit të Fiskulturës në Rrëshen... Nga rrëfimet e vjehrrit e kisha menduar krejt ndryshe mbërritjen në Mirditë.

Pastaj u ula për të ngrënë diçka dhe u nisa, me të pyetur mbërrita për tek fusha e futbollit. Ekipi i Minatorit kish filluar stërvitjen dhe unë u ndjeva i lehtësuar kur shkela në fushë. Ai, sporti, futbolli ishin bota ime.

Natën e parë e kalova në konviktin e gjimnazit “Bardhok Biba”. Një nxënës me emrin Ndre Legisi m’u afrua dhe më tregoi dhomën ku unë do flija: “Nesër duhet me u çue herët e me dal prej ktu se, vjen kujdestari i konviktit (Gjon Lleshi) e ban namin”, më sqaroi nxënësi. Më vonë dëgjova se ai Ndre Legisi ishte bërë deputet…

Legisi kish të drejtë, unë dilja herët nga dhoma dhe kthehesha vonë aty, shpesh herë futesha nga dritarja mes hekurave të shqyer, si ilegal, që mos më shikonte kujdestari se “bënte namin”.

Kjo situatë vazhdoi jo pak kohë por  deri sa filloi shkolla dhe konvikti u mbush me konviktorë dhe, unë duhet të gjeja strehim tjetër… Më caktuan të jap mësim në dy shkolla… Me Mark Locin dhe Nikoll Kaçorrin kaluam Fanin e Vogël dhe shkuam në Ndërfushas. Shkolla ishte e vogël dhe pa kënd sportiv… Punë e madhe më priste, por isha entuziast se do mund të bëja diçka të mirë dhe ajo do ishte puna ime.

Sa vite punuat në Mirditë?… Ndonjë kujtim tuajin për njerzit, punën dhe kolegët…

Në Mirditë punova 9 vjet (1976-1985), në 4 shkolla: Në Vau Shkjez vetëm 1 muaj, dhe gjatë gjithë kohës në Ndërfushas, Gëziq dhe Gjimnazin “Bardhok Biba”. Kujtoj drejtuesen e parë, Tatjana Leka, nga Tirana.

Mbresa shumë të mira kam nga drejtuesi tjetër, në Ndërfushas, Mark Biba zotni burrë dhe drejtues model, Lek Beci (1976-79), nën drejtimin e të cilit kooperativa Ndërfushas u bë pararojë në rrethin e Mirditës, një ndihmë e madhe për mua si mësues i fiskulturës atje.

Kujtoj me mall e respekt: Tatjana Leka, Luljeta Shehu, Zenepe Dajçi, Tone Nikolli, Prena Loku, Pashk e Liza Gjoka, Bardhok Bardhi, Preng Bardhoku, Dashnor Faqekuqi, Dava Gjoci, Zina Becin…etj.

Ndonjë episod nga Ndërfushasi, në kujtesën tuaj?

Ndërtimi i shkollës së re në Ndërfushas dhe këndit sportiv aty më gjallëroi dhe më dha vlerë edhe mua si mësues i fiskulturës atje.

Mbollëm edhe disa pemë: Pas 9 vitesh në Zvicër, në të hyrë të Rëshenit takoj një ish nxënës i cili me mall më tregoi për pemën e mbjellë nga mësues Lorenci, që tashmë ishte rritur shumë. U ngazëlleva…kujtime dhe mall. Mall për vendin, mall për njerzit, mall për pemët!

Çfar statusi kishte ekipi i Minatorit kur ju u bëtë pjestar i tij dhe arritjet pas kësaj:

Fillova stërvitjen me ekipin e “Minatorit” në 16 Gusht 1976 me trajner një nga ikonat e mirditës Nikoll Toma. Pas turneut në Shijak, ne si ekip, zumë vendin e parë dhe nga kategoria e tretë kaluam tek e dyta.

Jam i lumtur që kam luajtur me dy brezni të këtij ekipi. Kujtoj me mall lojtarët kolegë, Preng Tusha, Shkëlqim Kurti (i ndrit shpirti), Preng Jushi (i ndrit shpirti), Ndue Gega, Shtjefën Paçuku, legjendën e Minatorit Gjon Gjeçi, Gjovalin Kola, Marka Toma…e shumë të tjerë që ma lehtësuan dhe zbukuruan punën e jetën gjatë  qëndrimit tim 9 vjeçar në Mirditë.

Nuk mund të harroj fitoren 2-0, kundër “Butrintit” të Sarandës. Fitorja, 1-0, ndaj Cërrikut që ngjante më shumë me një betejë se me një ndeshje futbolli. Dhe dita e paharruar, 25 Qershor 1979, barazimi 2-2 me një ekip si Partizani kur gjithë sporti mirditor mbrriti në majë. Në këto raste, e gjithë jeta ime merrte dritë, ende e pashuar edhe sot.

Kujtime të tjera për antarët e ekipit dhe tifozët apo dashamirët rreth tij, nëse keni kujtime të tilla Lorenc?

Kujtime të pashlyera nga spotdashësit që ma zbukuronin dhe i jepnin vlerë të veçantë jetës sime atje: Gjin Guri, p.sh., pasionant dhe nervoz e kundërshtar i egër ndaj tifozave të tjerë. Dy vëllezrit Mark e Zef Deda. Me Zefin përshëndetesha çdo mëngjes kur shkoja në punë, në Ndërfushas. Ai banonte pranë Urës së Fanit. Nuk harroj dhe kujtoj për mirë Lek Shtijan…Tifozllëku dhe dashamirsia e njerëzve na mbanin gjallë dhe ne ja kemi shpërblyer.

Kur u larguat nga Mirdita?

Ishte Maji i viti 1985, kur më erdhi transferimi për në Tiranë…por, koka më mbeti mbrapa në Mirditë, aty ku kalova të gjithë rininë time dhe krijova familjen time…Kujtoj se, djali im Eder ka lindur në Rëshen dhe ai e quan veten mirditor. Sot të dy fëmijët janë rritur dhe kanë familjet dhe punën apo bizneset e tyre në Zvicër.

Ku jeton sot profesori i fiskulturës Lorenc Lala?

Prej 28 vitesh jetoj e punoj në Zvicër. Vazhdoj të punoj, si mësues fiskulture, në një shkollë 9 vjeçare, pranë vendit ku jetoj. Ashtu si edhe këtu në Mirditë jam i angazhuar (deri në vitin 2016) në ekipin e futbollit të veteranëve në kantonit ku banoj. Gjithashtu kam drejtuar si trajner edhe një ekip futbolli atje, për 6 vjet (1994-2000). Edhe atje jeta ime ka qenë e mbushur me aktivitete sportive dhe brenga e kënaqësi të shumta sa shoqërore po aq edhe familjare…

Në vitin 2006, më dhanë titullin “Qytetar Nderi” në qytetin ku banoj, pra në Ylanz, kantoni i Graubunder, duke më shpërblyer kështu mundin dhe sakrificat në drejtim të përkushtimit tim në punë.

Në vitin 2006 pata martesën e dytë me Madleinën, mësuese edhe ajo në të njëjtën shkollë me mua. Ju, besoj se e dini dhe shumë të tjerë kujtojnë se gruaja dhe dashuria ime e parë, nëna e dy fëmijëve të mi ishte Mira Dervishi, farmaciste në Rrëshen.  Me të kalova të gjitha ditën e vështira, sakrifica por edhe pjesën më të bukur të jetës këtu në Mirditën tuaj, në Mirditën time.

Fati nuk desh dhe ndërpreu jetën e saj. Jetoj ende me të, kujtimin e saj, dhe Mirditën që na afroi, sprovoi dhe na dashuroi aq shumë me njëri tjetrin.

Nga martesa e re kam dy vajza, Lejda, sot është 12 vjeç dhe Manda 9 vjeç. Bëj një jetë të mirë dhe në harmoni e mirëkuptim të plotë. Falenderoj Zotin, Familjen dhe shoqërinë që gjithnjë më kanë mirëkutuar duke më dhuruar një jetë të bukur dhe plot kuptim dhe emocion. Veçanërisht falenderimet e mija shkojnë për Mirditën dhe mirditorët që ma lehtësuan dhe zbukuruan jetën në ato ditë të vështira të rinisë…

Ju falenderoj edhe ju që më kujtoni, më intervistoni dhe më jepni mundësi të kujtoj e të falenderoj njerëz të dashur e të respektuar, pjesë e pandarë e kujtimeve dhe jetës sime.

Ju Faleminderit

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment