Në fshatin Peshqesh Mirditë, aty ky agroturizmi merr kuptim brenda një kulle të restauruar cilësisht.

Nga Pirusti News

-Një gërshetim i saktë mes traditës dhe të rese. Guzhina është mjaft e pasur me ushqime bio, prodhime të fshatit. Megjithëse puna për rindërtimin e saj ka vetëm dy vite, kushtet dhe stafi është në punë. Kohë më parë në këto ambiente u realizua një ditë kulturore turistike me artistët e Mirditës që përcollën ritet e dasmës së Mirditës për të pranishmit dhe nje gurp turistësh suedezë dhe belgë, ndërkohë që kohë pas kohe turistë të shumtë vijnë për një ditë ndryshe në një ajër të pastër me pamje mahnitëse-…

Fshati Peshqesh është një ndër fshatrat e Njësisë Administrative të Oroshit në Mirditë. I vendosur në një pllajë bri lumit Fanë i Madh, paraqet një panoramë të rrallë e sidomos në këto ditë pranverore ku pas shirave mjaft të dëshiruara, vendi është mbështjellë me gjelbërim. Për të shkuar në këtë fshat lë autostradën për Kukës menjëherë sapo kalon autogrilën e mirënjohur “NBT-Oil” duke marrë në të djathtë.

Rruga plot kthesa e rikonstruktuar kohët e fundit përcjell një pamje mjaft piktoreske dhe të rrallë, sidomos në këto ditë pranverore. Është rruga që lidh autostradën me ish qendrën e Shpalit, në rrugën e vjetër për Kukës. Në fakt rruga e re vijon në drejtim të Gjegjanit e Pukës, për për të shkuar në Peshqesh duhet të kthehesh në të kundërt të rrugës, me drejtim Rrëshenin, kuptohet në segmentin e vjetër që pas ndërtimit të autostradës është abandonuar totalisht. Nuk duhet të ecësh më shumë se një kilometer, kur një tabele lajmëron rrugën për në Peshqesh, në krahun ku ka qënë një bisnes i mirënjohur për rrugëtarët e Tiranë – Kukës e anasjelltas, por që tashmë i kanë mbetur vetëm muret.

Drejt Peshqeshit, ku prej dy vitesh agroturizmi cilësor tërheq turistë të shumtë.

Buzë rrugës së vjetër, aty ku starton rruga për në Peshqesh duket se je një një ballkon të lartë kur për të zbritur, duhet të përshkosh qindra “shkallë”. Lugina gjigande në fundin e së cilës kalon lumi Fanë i Madh ka ofruar mundësinë që në shekuj të kishte jetë. Në fakt rruga prej këtu vijon “bio” sepse asfalti nuk ka prekur në asnjë kohë në këtë fshat. Megjithatë rruga është mhaft cilësore, e mirëmbajtur dhe e përshkueshme nga çdo lloj automjeti. Nuk kalon më shumë se një kilometër në zbritje, kur përballë ke një pamje mjaft të rralla. Në një sipërfaqe të konsiderueshme anës lumit Fanë i Madh, shtrihet fshati Peshqesh. Toka është e gjitha e punuar dhe e mbjellur me bimësinë e stinës. Gjithçka jeshilon, ndërsa ajri është krejt i ndryshëm me atë çfar shijojmë gjatë ditës. Mushkëritë hapen plotësisht, ndërsa këtu kupton se ajri ka shije. Disa banesa janë në krye të fshatit, por jo të gjitha nxjerrin tym.

Fshati Peshqesh mes bujqësisë dhe hidrocentralit.

E nëse bujqësia duket në ditën më të mirë, në krye të fshatit një masiv gjigand betoni kontraston pamjen natyrale të fshatit. Është një “pritë” që ujin e Fanit të Vogël e thith nga një tunel me pikënisje nga Repsi, por edhe ujin që vjen përmes një tuneli tjetër e merr nga Gjegjani. Është një pjese e HEC-it gjigand ndërtuar nga turqit e “AYEN” me pikënisje nga Gjegjani i Pukës dhe fund, në Fang të Rubikut. Është një Hec i ndërtuar disa vite më parë, në një kohë kur nuk kishte protesta, kundërshti e kërcënime tritoli, nuk kishte trima facebooku e as imitatorë luftëtarë e individë në kriza për identitet e “famë”, përtej atyre që kanë gjithë të drejtën e Zotit, për të reaguar e protestuar.

Në fshat ka afërsisht 10 familje që nuk e kanë lënë atë. Dikur kishte rreth 40-të, madje kishte edhe shkollë e cila akoma i egsistonin rrënojat. Në fakt nga ajo shkollë kanë dalë jo pak intelektualë e njerëz të njohur në shkallë vendi. Njëri prej tyre është Frrok Çupi analist e gazetar i njohur i cili i ka themelet e shtëpisë shumë më afër pritës së HEC-it turk. Dy të rinj thonë se punojmë në hidrocentral. Njëri prej tyre thotë se jam elektricist. Kam mbaruar shkollën profesionale “Shen Jozefi Punëtor” këtu në Rrëshen. Me atë formim profesional kam filluar këtu punë. Nga këto 10 familje katër kanë të punësuar burrat, por të punuësuara ka edhe gra si pastruese dhe guzhiniere. Me shaka të thonë se prej hidrocentralit kemi edhe një dhuratë tjetër sapo turbinat hapen plotësisht në rezervuarin më poshtë. Kjo sepse uji tërhiqet dhe peshq të shumtë të një cilësie shumë të mire, dalin zbuluar. Në këto moment ne i rrimë gati dhe e  mbledhim, përfundojnë dy djemtë e rinj, bashkëbiseduesit tanë.

Një kullë e vjetër, restauruar cilësisht për Agroturizëm.

Paulin Prendi dhe bashkëshortja e tij Bardhja të presin në hyrje të portës kufizuese të oborrit. Përpara shikon pamje të rrallë kuruar me kujdes dhe shije nga të zotët e shtëpinë bujtinë, tashmë në dispozicion të shumë pushuesve që zgjedhin të kalojnë një ditë apo fundjave ndryshe. Aty ku fillon oborri dhe deri në kufirin ekstrem, çdo gjë është brenda shijeve dhe cilësisë bashkohore. Bari jeshil dominon në hapësirën përrreth kullës. Në këtë sipërfaqe janë mbjellur pemë të ndryshme gati në fazë prodhimi. Toka është e sistemuar dhe e mbjellur më perime dhe bimë të tjera të stinës. Brenda tyrë enden lepuj, rosa, pëllumba dhe shpendë të tjerë.

Në hyrje të kullës shënohet se është ndërtuar në vitin 1962. Ajo është banuar deri në vitin 1975, më pas është braktisur. Në këtë gjëndje ka qëndruar deri dy vite më parë. Paulini thotë se kur u ktheva në trojet e gjyshit, çatia nuk ekzistonte. Muret ishin çarë dhe pothuaj çdo gjë ishte rrënuar. Me mbështetjen e djemve në emigracion çdo gjë e nisëm nga e para. U spostuan qindra m3 dhera që kishin rënë gjatë viteve, dhe me to u shtua oborri. Në hapësirat brenda saj pamjet nuk duan koment. Një gërshetim i saktë mes traditës dhe të rese. Guzhina është mjaft e pasur me ushqime bio, prodhime të fshatit. Megjithëse puna për rindërtimin e saj ka vetëm dy vite, kushtet dhe stafi është në punë. Kohë më parë në këto ambiente u realizua një ditë kulturore turistike me artistët e Mirditës që përcollën ritet e dasmës së Mirditës për të pranishmit dhe nje gurp turistësh suedezë dhe belgë, ndërkohë që kohë pas kohe turistë të shumtë vijnë për një ditë ndryshe në një ajër të pastër me pamje mahnitëse, buzë Fanit të Madh vetem pak metra nga liqeni i krijuar për prodhimin e energjisë.

Aleksandër Ndoja. Peshqesh 28.04.2019

Ju mund të lexoni edhe...

Lini nje koment